Res publica literaria [albanica]

 «Res publica literaria [albanica]» – sot do ta përkthenim kështu: «Republika e intelektualëve [shqiptarë]». Ka një të tillë? Nëse po, si funksionon ajo?

Deri në shekullin 18-të në këtë republikë përllogariteshin ata që publikonin, punime shkencore, filozofike, vepra letrare, pra intelektualët. Britanikët të njejtin «rrjet» deri vonë e quanin «republic of letters», sot gabimisht e kanë zëvendësuar me togfjalëshin «scientific community-n, që vetvetiu është një reduktim i kuptimit dhe ndikimit të asaj republikës së mëhershme.

Duke filluar që nga vitet e 50-ta janë botuar disa dhjetra studime – ne përdorim referencat më të freskëta – që flasin për «Projektin europian të ilumnistëve» (Manfred Geier: 2012), për «Diskurset, polemikat intelektuale» të shekullit 20 (Dietz Bering: 2011), për «Tekstet themelore të kulturës europiane» (Hanjo Kesting: 2012 I-III) e shumë të tjera të mëhershme. Si bazë për dokumentimin e ekzistencës së këtij rrjeti ofrohen letërkëmbimet e Leibniz, Linné, Voltaire, Rousseau, Franklin, Newton, Diderot, Zola, Camus, Beckett e shumë intelektualëve tjerë të formatit universal.

Monografët e këtij versioni historik kanë imponuar bindjen sikur epokat si ajo iluministe, moderne, postmoderne të jenë programe intelektualësh të përbashkuar, me një qendër koordinimi e cila është kujdesur për akumulimin e ideve dhe ndërtimin e strategjive të ndikimit, realizimit të tyre. Qëndron kjo apo më shumë del të jetë vepër e imagjinatës së pasardhësve që besojnë në aksiomën e modifikuar nietzsche-ane  që thotë se; pasi individi nuk ka guxim të marrë përgjegjësi për gjëra të mëdha shpik kolektiva?

LIDHJET DJE
Realsocializmi marrëzisht e dashuronte këtë ide, sepse përputhej me idenë e tij të kooperativizimit të frymës intelektuale. Bazuar e thirrur mu në traditën e «res publica literaria»-s, formalistët rusë Viktor Shklovskij dhe Juri Tynjanov- i arsyetonin metodën e tyre të përhapjes së «evolucionit letrar» hapësirave të botës së kuqe me anë të lidhjeve të shkrimtarëve, instituteve dhe misionarëve që stërvtnin në Institutin Maksim Gorki e ngado. Ata me këtë shpresonin se si ilumnistët, idealistët do përshpejtojnë zënien e epokës me frymën që sajonin.

Shoqëritë shqiptare, si satelite të hemisferës me drapër, yll e çekan, përvetësuan këtë formë organizimi ashtu siç bënte Qendra. «Lidhjet e shkrimtarëve» shqiptarë imitonin zbehtë por njëjtë synonin masivizimin e evolucionit letrar – si Moska dhe Pekingu. Çka sollën ato për fund? Më shumë qenë vegël e shtetit në deshifrimin e teksteve antishtet; linçimin e talentëve që s’iu lavirohej fryma e shpirti për diktaturën dhe; si forume parazitësh socialë që jetonin në kurriz të bujqëve që mezi siguronin ekzistencën dhe qytetarëve që kishin frikë ta lexojnë ndonjë libër të ri se në mos nesër deklasoheshin shkronjat brenda tij tradhëti. Ato shërbenin edhe si klane rekrutimi, afirmimi, përjashtimi apo gjykimi.

Pas përtokjes së sistemit monist shoqatat dhe lidhjet e intelektualëve humbën pushtetin, mirëpo jo edhe ndikimin. Ato filluan të jetojnë pa ideologjinë dhe shtetin, të fragmentuara, por edhe më tej (d)efektive, nuk veprojnë më intelektualisht, por si klane, klube, më shumë grindanjoze se mbledhëtare.

KLUBET SOT
Sferat kulturore (hapësirat shqiptare dhe në diasporë) janë të populluara me plotë shoqata, klube. Ato mund t’i klasifikojmë në tri kategori: A. Trashëgueset e lidhjeve nga socrealizmi B. Klubet dhe shoqatat që janë krijuar për inat të parave se të përjashtuar dhe C. Asociacione të krijuara nga individë për çështje socialiteti e vetëkonfirmimi (në diasporë sidomos). Pse ky gjykim? Për shkak të efektit të tyre. Grupi A merret me vetëveten; botohet, vetëlavdërohet, shpërblehet, zhvat para nga shteti. Grupi B mblidhet herë pas here belbëzon me vetveten, mban kumtesa që depërtojnë jashtë vetëm si një lajm përgjysmëlëne gazete dhe përpiqen t’a bëjnë më mirë se A për t’ua marrin bukën. Grupi C sa herë që mblidhet mendon se shërohet nga kompleksi i inferioritetit – qoftë ndaj letrarisë së origjinës e qoftë ndaj vendeve ku jeton anonim (Rroftë Nietzsche që ia qëlloi me individët pa guxim).

Është kjo res publica literaria shqiptare? Qenka katastrofë. Jo nuk është kjo. Ka një «Res publica literaria [albanica]», mirëpo ajo funksionon ndryshe.

FRYMA SI ZYRË?
Studiuesit që përmendëm, ata që pretendojnë të historizojnë «res publica literaria»-n e epokave, kamuflojnë! Synimi për ta menduar ilumnizmin, idealizmin, romantizmin si epoka të koordinuara intelektuale është po aq i kotë sa edhe hovi i formalistëve rusë. E vërtetë se intelektualët nëpër shekuj kanë korresponduar me letra por si? Voltaire qorton Rousseau-në t’ia ketë futur kot me mendimet që publike; Zola proteston për rastin Deryfus (13.01.1898) pa u konsultuar me njeri; Krijuesit e teatrit, filozofisë e letërsisë së absurdit Camus, Ionesco dhe Beckett as që kanë llogaritur njëri tjetrin edhe pse kanë jetuar dhe kanë frekuentuar  pranë njëri tjetrit promenadës e lumit Seine, etj.

AS TE SHQIPTARËT
Edhe res publica lieteraria shqiptare përbëhet nga intelektualë individualistë që herë pas herë marrin diskursin dhe opinionin në dorë pa asistencën e ndonjë klubi apo lidhjeje. Në perëndim asociacionet e tilla luajnë më shumë rolin e sindikatave në mbrojtjen e të drejtave politike, sociale të autorëve – jo më tepër. Asociacionet ndërkombëtare të këtij tipi deri më tani kanë kryer dhe kryejnë funksionin e njohjes ndërmjet autorëve të kulturave të ndryshme, mirëpo asnjëherë në historinë e tyre nuk janë spikatur për ndezjen e ndonjë debati, diskursi a paradigme universale. Si tek shqiptarët.

Çka mund të thuhet është: Shoqatat, lidhjet, klubet e intelektualëve shqiptarë der tani dalin të mira për komunikim brenda një grupi të interesit. Po a nuk e luajnë këtë rol madje edhe më me dinamikë, harmoni dhe muzikë çajtoret, kafenetë dhe odat?

maskarada e madhe rrugëve te moskës surikov 1772

Surikow (1772): Maskarada e madhe rrugëve të Moskës

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.