Agorat e radikalëve

(Update: 14.11.2016)Përpjekje për të depërtuar në psikën e esktremistëve. Ata nuk kërcejnë lavshëm – siç pandehim – vetëm nga fundësia ekstreme e religjionit të konsideruar shumicë, por i hasim poaq histerik edhe kategorive të tjera: manistët, ateistët, etnocentrikët dhe neomarksistët nuk janë më pak agresiv. Si t’i kuptojmë? Ose ku na çojnë?

Veçanërisht gjenerata e hershme e historianëve të filozofisë, alergjinë e Paltonit ndaj doxa -s (mendimit të lirë, publik) dhe përjashtimin e retorëve gojëflakë nga shteti i tij e shpjegojnë me formimin e tij në kushte të luftës permanente. Platoni rritet dhe formohet në kohën e luftërave të Peleponezit dhe gjatë pushtimit spartanik. Luftëra skëterrën Athinën saqë nuk mori veten as pas shuarjes së kryefilozofit postsokratik. Në shumicën e dialogjeve dhe në vetë kryeveprën e tij „Politeia“, mirëpo një episod nga jeta e tij identifikohet si më ndikuesi; koha e sundimit të  „Triakonta Tyrannoi“-ve (tridhjet tiranëve). Për gjatë tetë muajve Athinën (Gusht 404 deri në Mars 403) e sunduan tridhjetë oligarkë kriminelë, të cilët brenda një kohe fare të shkurtër ekzekutuan 1500 kundërshtarë politikë. Çdo ditë, në Agora (vendi publik i debateve) të Polisit, shfaqeshin oligarkët luftarakë dhe nxisnin për debat të lirët, që pastaj natën t’i masakrojnë e çojnë përtej. Platoni gjithandej opusit të vetë përpiqet ta diagnostifikojë kët tip manipulatori dhe jorrallë e stampon si „poet“, jo për shkak të retorikës me rimë gati homerike, por për shkak shpikjes së momentumeve kuazireale me synimin për t’i greminuar naivët gojë- e syhapur e ulur shkallëve të Agorës. Platonin e tërbonte suksesi i oligarkëve vrasës, sepse ishte i bundur ata të mos njohin as atë që mbrojnë e as atë që sulmojnë.

ASKETËT E NITZSCHE’S – Gjatë polemikës që u përndez odave debatore, miniagorave shqiptare, si pasojë e rrëzimeve, fyerjes dhe përçmimit të personaliteteve shqiptare Gjergj Kastriot dhe Nënë Tereza analizuam eksponentët kryesorë të palëve në diskutim. Ata të taborit fetar që të plasnin sy, tru e shpirt me mosdijen e tyre, me dhunë të detyronin ta marrish në duar „Gjenealogjinë e moralit“ të Friedrich Nietzsche dhe dhjetra herë ta lexosh përgjigjen që i jep pyetjes: „çka donë të thonë idealet asketike“? Dhe Nietzsche e shpjegon çështjen, konform realitetit të atëhershëm: Inferioriteti, i pakënaqur me situatën e tij anonime në shoqëri rebelohet për t’u tjetërsuar. Për tu pasuruar me kulturë, dije. Mirëpo pasi që lufta e tij nis nga pozita zero, dmth nga instinkti, është i ngutshëm, shpirtkafazuar, ai paragjykon, prodhon frikë, rreziqe që nuk është në gjendje as t’i përshkruajë e lere më argumentojë. Mirë kjo për shekujt që shkuan po pse kanë nxitësit e tillë sukses edhe në këtë shekull? Dhe përgjigja tipike nietzsche-ane: Urrejtja ka përparësi në dyluftim me çdo emocion apo tufë tjetër ndjenjash sepse është me e shpejtë, përlarëse, bën tregti me spontanitetin duke e ndezur saherë që të shfaqet, i mjaftojnë vetëm do agjitatorë kaste që të fillojë rreshtimi i kopeve brenda turmës.
Po në këtë përshkrim të Nietzsches mirëpo as që mundemi t’i përjashtojmë, as platonisht, edhe manistët etnocentrikë, neoatesitët luftarakë që gari po shndrrohen në sekt të veçantë dhe neomarksistët që me parrulla, po si fetarët flasnin për „shumica, identitete“ e çka jo pa dhënë madje si dëshmi as edhe një peticion të familjes së ngushtë që të jetë e atij mendimi. Kohëve të fundit jemi bërë dëshmitarë të një shpërthimi ekstrem psikozash jo vetëm nga religjiozët transcendentalë por edhe nga ata ideologjik, manistomarksistë që viktimat nuk i krijojnë përtej grupit por më shumë brenda tyre!
Origjinën e tipit të agjitatorëve mund ta shpjegojmë me Platonin, me Nitzschen dhe me vetë historinë më të re shqiptare; shumica e tyre janë rritur dhe formuar në kohë retorikash agresive, në kohë luftërash dhe masakrimesh ose me rrëfimet konkrete mbi to. Një parapërgatitje e kanë dosido. Nëse një organizatë e caktuar është e dhënë që me agresivitet ndaj „botës tjetër“ të bëj politikën qeniet e tilla janë rekrutët më besnikë të tyre. 
Agorat (ku bëjnë pjesë edhe media të caktuara) shqiptare as sot nuk dallojnë shumë nga ato që kishin pushtuar oligrakët vrasës të Athinës. Kjo mund të thuhet edhe për realitetin e shoqërive shqiptare, e cila mbytet e vdiset për çdo ditë nga oligarkët e sotëm të tyre, të cilët jo vetë, për çështje maskash, por si agjitatorë kanë angazhuar klerikë, injorantë, turbopatriotë e plotë tjerë kulturëmangut.

EPILOGU I ÇDO FANATIZMI – Tash pyetja ku i çojnë ekstremistët e tillë shoqëritë shqiptare?

Tregimi i Hermann Hesses mbi „Fundin e Dr. Knölges“ (1910) edhe sot e kësaj dite është psikografia më e shkëlqyeshme mbi njeriun që kërkon parajsën e përmasave utopike e ku në kor bëjnë pjesë të gjithë ata që me radikalizëm përgënjeshtrojnë tjetrën: Për shkaqe të shëndetit filologu Dr. Knögle bëhet vegjetarian. Le punë e vend dhe ia msynë botës për të takuar shoqërinë e përkryer ku bashkëjetojnë vetëm vegjetarët, vegjetarianët, frugivorët (frutangrënësit) e të sojit. Nga shokët e diktaturës së vegjetariatit mëson se në Azinë e vogël është krijuar një mbretëri në vete me ermin Quisisana vetëm për njerëz si ai. Dr. Knögle si fanatik i doktrinës që është shndrruar, pranohet menjëherë atje. Atje mirëpo frugivorët bëjnë preobleme se nuk i durrojnë njerëzit që përveç pemëve hanë edhe perime. Jonasi njëri nga frugivorët me nofkën „Gorrila“ e sulmon Dr. Knögle dhe ky budallai, nxehet dhe kapet me të. Jonasi e mbyt doktorin – kaq e pati parajsa.

The Apotheosis of War 1871 Vasily VereshchaginLEGJENDA

Wassili Wereschtschagin: Apoteoza (hyjnëzimi) e luftës (1871)

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.