Angullimë për atdhé, parti e fé

Partitë nuk kanë nevojë për gara bindëse se cila është më patriotja. Masa e dinë: Asnjëra!  Ngase patriotizëm është ta ndërtosh lirinë dhe mirëqenien e vendit e jo vetëm të ulërishë për to. E deri tash vetëm u ulurua e asgjë nuk u ndërtua.

MAQEDONI / Nisi dasma elektorale. Të parët e agut elektoral gjeluan flatrahapur zëdhënësit dhe kryetarët e partive. Ata dolën dhe kumtuan atë që e thonë me dhjetëra vite: „të tjerët janë antishqiptarë, vetëm ne atdhetarë“! Përsëri, në seri, prodhojnë të njejtën si përherë në histori: difamimin e tjerëve, gjoksrrahje për atdhe e liri, premtime për mirëqenie – asgjë e re, edhenjëherë më shumë eufori për histeri se sa garë demokratike me oferta konkrete për të shpëtuar shoqërinë e dezorinetuar, të thelluar në të gjitha krizat e mundshme; ekonomike, kulturore, interetnike, sociale, identitare e parasëgjithash ekzistenciale.  Pas perdeve të tribunave të militantëve teatralikë, kontabilistët partiakë tashmë sigurisht kanë filluar të mendojnë rreth formave efektive, të reja e të vjetra se si ta kapin votuesin, atë që syzgurdhulluar, veshçuar nuk shpreson, as beson në diçka të re, por si duket ka empati për primat e parti dhe bëhet dasmorë i tragjikomedisë elektorale duke u turmëzuar për të bashkëbërtitur për flamur, gjuhë, bashkim, fis e nahijë – ashtu barkzbrazur, pa perspektivë, thua të jetë objekt subjektesh që politikën dhe pushtetin e konsiderojnë orgji e atë njësi brenda kopésë që nuk meriton më mirë. Ora u erdhi edhe „intelektualëve“ denoncues me mandat të çajtoreve të bashkuara të qyteteve shqiptare, të cilët po si megafonët e partive ulërijnë me shpat e diktat se si duhet të sillet „mileti“ para se ta thërrmojë „kiajmeti“. Shumica e mediave e ka sezonin e marektingut: Cila parti në ballinë e cila në vend të logos nuk vendos animi por xhepi. Të pakta do të jenë ato media që kanë autonomi dhe editorialin do t’ia falin objektivitetit e lexuesit e nuk do veprojnë sipas motos „Të shohim njëherë ç’thotë nëna parti“.

A do të sillet kësaj radhe demosi dhe mediat shqiptare në Maqedoni ndryshe se ç’u sollë deri më tani? Mësoi popullata shqiptare diçka nga zgjedhjet e fundit në Kosovë, atje ku vigjilenca e masës u prishi partive plane e agjenda dhe detyroi ish-ministra të „degradohen“ në shoferë autobusësh? Nuk spekulojmë dot. Atë që dimë ne është të përshkruajmë gjendjen aktuale, evidente të popullatës, atë situatë të prodhuar kryesisht po edhe nga këto parti që kërkojnë votën nesër.

AS ME LUFTË AS ME PAQE

Shumë vonë shqiptarët e Maqedonisë kuptuan se shumica e parë i përdorte si dekor apo personel për diplomacinë e saj të jashtme e jo vërtet si shumicë tjetër me të cilët donte ta konstituojë shtetin. Me intelektualitet shqiptarët nuk arritën ta bindnin dot pushtetin ta pranojë barazinë koekzistenciale si kusht për mirëqenien apo ekzistencën e vendit dhe në kushte të kësaj pashtegësie iu nënshtruan vullnetit të militaristëve patriotë që besonin se vetëm lufta i zgjedh problemet. U bë lufta. U bënë marrëveshje dhe historia vazhdon siç ishte para saj: e njëjtë? Jo është edhe më keq – kështu kënga e opozitës dhe gjithë bazës së partisë në koqeverisje. Maja e vertikales nuk ecë përpjetë pra, por qëmoti është futur në zallishtë. „Të paaftë jemi, as me tru e as me pushkë nuk jemi t’zotit të dalim nga plehu“, na shkroi një mik i revoltuar me të gjitha partitë e vendit. I takon lexuesi ynë atij divizionit të depresivëve pesimistë e të zgjuar keq që mezi presin t’ia mësyjnë botës së jashtme? Jo është zëri standard i qytetarit të pakomoduar me pare e pushtet.

Shkollat duken sikur 20 viteve të fundit të kenë qenë vazhdimisht pré e vandalëve më të egër të globit. Pedagogët e të gjitha shkallëve arsimore as si moderues memecë nuk kryejnë punë. Infrastruktura kulturore (kinematë, shtëpitë e kulturës e të ngjashme), atë që – në viset shqiptare – e ndërtonin me aksione fshatarët dhe qytetarët nga xhepi i vetë dikur është demoluar ose shndrruar në sallone ku fishkëllojnë gjithë ditën e lume automatët e bixhozit ose kërcëllojnë shkopinjtë e biliardove. Një pjesë e madhe e popullatës jeton në asistencë sociale, jo të shtetit, por të kurbetçinjve të tyre. Ekonomia private nuk ekziston dhe aty ku është bën luftë për minimalen ekzistenciale të dy a tre vëllezërve të një shtëpie. Shteti nuk ndërton fabrike por përmendore. Edhe atëherë kur arka e shtetit sa për sy e faqe detyrohet të lëshojë ndonjë subvencion, ato mbarojnë në tenderë familjarësh ose konto partiakësh gurmanë që nuk ia dinë qoshin pasurisë. Pushteti jorrallë tallet duke thënë se edhe po deshtëm t’i përfshimë shqiptarët proporcionalisht në institucionet publike nuk gjejmë aq të përgatitur sa duhen – dhe kjo fatekqësisht qëndron, madje edhe më keq: sapo sigurohet njëri ka mundësi ta ketë diplomën të blerë.

Summa summarum: S’ka shkollë, s’ka shoqëri me kulturë, s’ka infrastrukturë, s’ka punë për votuesin konkret – asgjë. Pse nuk ka? Edhe sepse elektori duket të korruptohet lehtë qoftë me parullat euforimbjellëse, qoftë me do euro apo me ndonjë vendpune që do ta humb apo nuk do ta marrë pas zgjedhjeve. 

PROJEKTE KONKRETE E JO LLAFE

Po çka të bëjë votuesi? Ne nuk shesim receta, por vetëm mund të përshkruajmë se ku ndodhi ndryshe dhe në drejtimin e duhur. Gjatë zgjedhjeve të kaluara në Kosovë – sidomos nga mediet – u instalua fillimisht mendësia e votimit të njërzve, individëve dhe jo partive. Këta individë garues iu nënshtruan një radioskopie mediale, të cilat nuk lejonin dhe atë në mënyrë rigoroze (shembulli i KlanKosovës dhje tjerave) parullat boshe për atdhe, flamur, nahi e gjini, por kërkonin kategrikisht oferta konkrete nga kandidatët: për ujin, për shkollën i X fshatit, për kinemanë e filan qytetit, për vendet e punës në qytetin Y e të ngjashme. Vetëm ata që bindën të kenë projekte konkrete, të kapshme, të besueshme për vendin, njësinë, rajonin ku kandidonin fituan e jo ata që i sigjeronte Hashim Thaçi, Isa Mustafa (ky edhe vetë humbi madje), Ramush Haradinaj apo ndonjë tjetër, jo ata të cilëve iu mor zëri duke bërtitur për të bindur se sa patriotë, sa të mençur dhe sa të bukur janë. Kështu nisi për herë të parë funksionimi i demokracisë së njëmendtë në Kosovë. Dhe vetëm kështu mund të nis edhe në Maqedoni. Ndryshe nuk ka. Më së paku sot shqiptarëve të Maqedonisë iu duhet angullima për fe, parti, flamur e atdhe. Ndryshe ose kështu siç është vepruar deri tani do të shkojë Hata do të vijë Hita dhe anasjelltas dhe problemet do të mbesin të njëjtat dhe do të mbijetojë ai që do të jetë më i shpejtë për t’ia ngrënë kokën tjetrit e do të humbin votuesit – gjithmonë dhe në çdo sezonë elektorale.

 

 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet në Filozofi dhe Histori dhe poststudimet në Filozofi dhe Teologji (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Aktualisht merret me studimin e Religjioneve dhe Rendeve Politike në të ashtuqujaturin Global South. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Ka ligjëruar në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermanishte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.