Civiliteti si pushteti

Iluminizmi evropian, sekularizmi dhe shumë tjetër me të cilat humaniteti krenohet të ketë ecur vertikalisht, nuk janë vepra monarkësh, tiranësh e pushtetesh, por elitash rebele kundër tyre.

Çdo (r)evolucion, bërthamën e ka pasur në masë, në aortën e saj, e cila ka qenë parakushti dhe promotori i çdo shpërthimi që u ka mundësuar subjekteve të rebeluara të realizojnë projektet e tyre. Grekët i thoshin politiké koinonia (shoqëri publike), latinët e quanin societas civilis. Adam Fergusoni teorinë e tij mbi civil society e materializon po mbi këtë bazë. Domosdo në këtë vijë hapëron dhe ecejaket divizioni i filozofëve dhe sociologëve të demokracisë deliberative (Bessette, Benhabib, Bohman, Cohen, Elster, Fishkin, Gutmann, Habermas dhe Thompson: 1980 – 2013) të cilët kanë shkruar biblioteka të tëra për të bindur se pasmodernja do të jetë epokë jo e partive por e shoqërisë civile. Ideali në fakt nis nga formulimi i skllavit, autorit të mimave dhe sentencave Publilius Syrus kur tha: “Deliberandum est diu quod statuendum est semel” (Gjatë kohë duhet menduar për të vendosur mbi të përhershmen). Parim që hyri në të drejtën romake si ligj e që njihet si Deliberandi ius – e drejta e participatore e qytetarëve në refelektim, diskutim dhe vendimmarje rreth çështjeve me rëndësi të përgjithshme e kapitale.
Çdo pushtet – e sidomos autokratët, liderët e partive, minitiranët, pseduodemokratët, kuazipatriotët dhe megadespotët – bëjnë çmos për të vënë nën kontroll pikërisht atë, societas civilis-in, qoftë për ta korruptuar apo si instrument për sigurimin dhe mbajtjen e pushtetit pa revoltime të organizuara masash, pa kokëçarje.
Si sillen pushtetet shqiptare në këtë kontekst?

SHOQËRIA CIVILE
Mediet, Kishat, Bashkësitë islame, Sindikatat, shoqatat që merren me të drejtat dhe liritë e njeriut, unionet e punëdhënësve, sportit, ekonomisë, lobistët e firmave, organizatat e majta, të djathta, ato të kulturës, hobeve e të ngjashme përbëjnë shoqëritë civile shqiptare. Rigrupueshëm këto faktorë ndahen në më pak kategori; në konfesionale, qytetare (kryesisht si “Single issue groups”), ekonomike, politike dhe kulturore. Nëse analizojmë radiusin e ndikimit të tyre do të konstatojmë se mediet, konfesionet dhe oligarkët kanë flamurin. Të parët nëpërmjet lexuesve, të dytët nëpërmjet religjionit, të tretët nëpërmjet kapitalit me të cilin mbajnë për fyti të gjithë e kë të duan. Viteve të fundit, për shkak të asistencës materiale e fizike të organizatave të ndryshme ndërkombëtare, u faktorizuan edhe shoqatat e lëvizjet për të drejtat e grave, burrave, fëmijëve, shtresave e subkulturave të ndryshme. Asociacione që hiperbolizojnë ndikimin e tyre (shumica janë vetëm zyra që menaxhojnë mirë me mediet) për shkak të valencës në treg, mirëpo që megjithatë janë shumë të vyeshme, sidomos në rrafshin simbolik të manipulimit publik, sepse sugjerojnë faktorin e barazpeshëm juridik me shtetin dhe mediet edhe pse përballë tyre në realitet janë si miza përballë elefantit – kur kemi parasysh megastrukturat operative të shtetit dhe fuqinë e medieve në sajimin e opinioneve.

PSEUDODELIBERATËT
Veçanërisht gjatë “aferave” publike si ajo me Erdoganin, e soldnerëve në Siri, e problemeve mbi statusin e BIK-ut dhe predikuesve e profesorëve ekcesiv pamë se pushteti ka nën kontroll absolut konfesionin më të madh të vendit. Kush ka ndjekur aleancat e oligarkëve të caktuar – jo patjetër që merren me politikë – ka vërejtur labilitetin e ashpër të (ri)orinetimit herë pro e contra pushtetit të “ekonomisë private”. Sa herë që hulumtohet një relacion i këtillë dhe aq konfuz duhet të fiksohemi se cilët tenderë, çfarë kontratash dhe cilat projekte i synojnë oligarkët dhe kuptojmë dinamikën; kurdoherë që pushteti bindet se i duhen oligarkë të caktuar, ai shtrin ca kontrata të majme mbi tavolinë dhe aq. Politikisht, dimensioni kulturor i shoqërisë civile është i pranguar nga ministritë që dirigjojnë atë ose ai korruptohet me ca çmime për libra e ekspozita që nuk kanë asnjë ndikim e vlerë serioze.
Aderimet e fundit të ca “eminentëve” të civilitetit shpaluan strategjinë e pushtetit (edhe partive) për t’ia prishur edhe kotecin e fundit shoqërisë civile (më shumë simbolikisht sepse siç thamë ato janë aksione vetësocializuese të minigrupeve të ndryshme). E fundit ndodhë sepse tashmë edhe të paktët ndërkombëtarë të mbetur tërhiqen ngadalë dhe arkat tashmë kanë filluar të japin grahmën. Megjithatë kryeakti i dramës qëndron diku tjetër: edhe pse pro forma Deliberandi ius-i është i shkruarkanuneve ligjoresh qiptare ai nuk hynë në përdorim. Sepse duket që vetëm disa e fare pak personalitete janë intelektualisht në gjendje që të plotësojnë kushtin e Publilius Syrus-it, i cili kërkoi mendim të thellë, debat publik e të gjatë për çështje ekzistenciale të shoqërisë. (S)ka idealistë. E intelektualë edhe më pak.

Çka mbeti? Të pakorruptuar ende kanë mbetur grupacionet gati të kota ideologjike që vetëm rrjeteve sociale lëshojnë ndonjë virus mental dhe ndonjë medie. Më shumë jo.

SUBJEKTI SI AUTOPROJEKT
Ndërsa Hashim Thaçi bën punën e vet. Kryeministri kosovar ka kuptuar diçka themelore dhe në trend; jo partitë dhe ideologjitë janë e ardhmja dhe burimi i pushteteve por integrimi (kupto kapja për kushtet shqiptare) i strukturave të shoqërisë civile dhe përqendrimi i tyre në një rrjet instrumental pro politikës së tij. Nëpërmjet zënies së kuaziprimatëve të shtresave, grupeve të interesit, komuniteteve integron defaktorzueshëm shoqërinë civile në politikën e tij dhe e shfrytëzon atë për të siguruar votat e nevojshme për qeverisje. Eliminon korrigjuesit e mundshëm. Matematikë “legale” sunduesish e deficit dramatik shoqërish që nuk dinë t’ia gjejnë portën lirisë. Ose angazhimin në socialitet e besojnë ashtu siç e ekspozon piktori Hippolyte (Paul) Delaroche në punimin e tij (shih pikturën lartë) “Fituesit e bastilles para hotelit De Ville” (1839), ku çdonjërin revoltues e paraqet si subjekt me vullnet e fanatizëm për të hyrë në pushtet.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.