«Frajerët pa brekë»

Si pozita ashtu edhe pozita nuk ofrojnë plane konkrete se si do t’i zgjedhin gjithë ato probleme që kanë shqiptarët. Partitë dhe grupet e vogla as që kanë kapacitetin për të premtuar diçka të besueshme. Kush dhe si pra do të nxjerë nga pashtegësia votuesit shqiptarë në Maqedoni?

Maqedonia është njëra nga vendet e rajonit me ndikimin minimal nga jashtë. Organizatat supranacionale sillen sikur ta kenë dorëzuar qëmoti. Ashtu edhe BE, e cila për çastin ende duket e lehtësuar me ekzistencën e problemit të emrit: «Deri më tani më tepër është diskutuar për vizionet tona se si të integrojmë ndonjë vend përtej Bosforit në BE se sa FYROM-in», thotë njëri nga diplomatët e ngarkuar me analizimin e politikës në vendin e çorientuar ballkanik. Po vajtje – ardhjet e emisarëve dhe deklarat e tyre? Protokolle, shou dhe kamuflim të prezencës e asgjë tjetër? Ashtu duket. Ka ndryshuar diçka kësaj radhe? «Tani kemi kërkesa konkrete që politika e BE-së të jetë më dinamike, më konkrete», thotë i njëjti. Nga kush? «Nga pjesë të opozitës dhe shoqëria civile» pyetjes sonë se sa ndikon zëri i shumicës së dytë në këtë drejtim i përgjigjet troç: «Shqiptarët? Ata janë sinkron me fjalimet dhe referatet asgjëpremtuese qeveritare që vijnë e na tregojnë se janë shumë para gjithë të tjerëve dhe se hyrja në BE dhe NATO është „çështje minutash“, sikur ata të vendosnin e jo instancat e apostrofuara». Këtë forme politikëbërjeje më së miri e kanë pagëzuar pollogasit me epitetonin «frajera pa brekë».

Për të kuptuar se pse qeveria e Gruevskit sillet në këtë mënyrë mjafton një ekskurzion përmendoreve, kryqave, projekteve dhe kampanjave diskriminuese antiminoritare, politikë që shpalon syvrasshëm kahjen etnocentrike e izoluese që ia dëshiron dhe bënë vendit. Pyetja e parashtruar aq shumë herë nga jashtë e brenda se pse shqiptarët sillen sipas kutit të Gruevskit është sqaruar herë me korrupsionin, shpesh me tradhëtinë ndaj elektoratit të vetë e herë me padijen e xhunglës partiakopolitike të tyre. Çka qëndron?

POZITA

Revolucionet, lufta nxjerrin trima, guximtarë por rëndom jo intelektualë e vizionarë. Ata ose bëhen me kohë ose akumulohen pas sigurimit të idealit ose nuk bëhen fare. Si zakonisht, historikisht e realisht asnjëra shoqëri postluftarake deri më tani nuk ka realizuar kapërcimin. Kjo sigurisht se ka të bëjë me «revolucionarët» që zënë pozitat dhe të cilët pastaj as me tanke nuk i heq dot nga pushteti – për këtë arsye edhe devalvimi ose poshtërimi aq i shpejtë i pushteteve në sytë e masave, sepse të fundit nuk kanë as arsyen minimale të besojnë luftëtarët të kenë pasur për synim e ideal e madhor lirinë e popullit. Se kjo tezë nuk demantohet lehtë tregon edhe situata në Kosovë e Maqedoni.

BDI – në kuadër të një projekti euroamerikan të mbështetur si vazhdimësi të çështjes kosovare – qe protagonistja kryesore e «luftës», mirëpo që në hapat e parë të integrimit dëshmoi se operon pa resurset e nevojshme intelektuale. Për të konfirmuar këtë, mjafton çdo vizitë pak më profunde hartës së biografive personale të eksponentëve të BDI-së. Dy shkaqe kapitale do të jenë prodhuesit e kësaj gjendjeje të integristëve: Njëri është aderimi i mëhershëm i shumë personave të shkolluar në PDSH dhe i dyti, sipas vetë disa anëtarëve të saj, del të jetë vetë refuzimi në mos edhe përjashtimi i intelektualve nga shtabet e partisë. BDI për shkak të mungesës së potencialit të nevojshëm intelektual  vepruaka – sipas analistëve të shumtë vendorë – si formacion kuantitativ e asessi kualitativ. Nëse qëndron kjo tezë, mungesa e kuadrove të jetë «politikë konkurrence» e partisë, atëherë më lehtë kuptohet dështimi i partisë sidomos në analizimin dhe reagimin e shpejtë të saj ndaj disa politikave qeveritare që rezultuan kundër interesave të elektoratit që përfaqëson ajo. Dhe po vazhdoi kështu nuk ka nevojë për një opozitë gjithaq të fortë për të hyrë në histori si PPD apo Partia e dikurshme popullore. Po doli kështu, kush do t’i zëvendësojë? Cilat janë alternativat?

OPOZITA

Nga ana tjetër faktori kryesor i opozitës PDSH tkurret e dobësohet në çdo palë zgjedhje mëkeqas. Kritika më së shpeshti i adresohet kryesisë së ngushtë të kësaj partie, për të cilën thonë se është bllokuar nga kryteari i saj kokëfortë e kategorik për të ruajtur postin Menduh Thaçi. Po në këtë vijë argumentojnë publikisht struganët në kuadër të kësaj partie, por edhe eksponentë tjerë të rëndësishëm degëve e nëndegëve ku shtrihet absorbuesja e dy partive të dikurshme PP dhe asaj PPD. Megjithatë, analizuar edhe më thellë e kronologjikisht ngritjet dhe rëniet e kësaj partie, atëherë faji nuk mundet të parkohet vetëm brenda selisë së ngushtë të partisë, sepse ai shtrihet gjithandej dhe edhe mbi supet e një pjese të madhe të kuadrove që ushtruan detyra të ndryshme gjersa bashkëqeverisnin.

Tashmë sinjalet se ekzistojnë biseda të fshehta ndërmjet VMRO-süe dhe PDSH-së për të ndarë «pushtetin» (bashkë me ca parti tjera të vogla) duket të mos jetë vetëm spekulim çajtoresh, por më shumë. Nëse vërtet PDSH i bashkohet Gruevskit, pa kushtet që ka proklamuar tash e sa është në opozitë (brendashqiptare), atëherë analistët intern e ekstern mendojnë se ky manovrim do të jetë i fundit jo vetëm për Thaçin, por edhe për partinë që kryeson. Krahasuar qëndrimet e qeverisë me kërkesat e shqiptarëve (të cilat i ka pronësuar së fundi partia në fjalë) aherë pa ndonjë zgjuarsi të madhe në diagnozë e prognozë mund të pranohet teza se PDSH shpejtë do të ikë bashkë me hierarkinë e saj qëndrore nga politika. As PDSH nuk qenka alternativë?

RDK+

Përtej taboreve që mbajnë ende nën kontroll dy partitë e mëdha veprojnë edhe parti tjera minore dhe organizata që shfaqen, pushojnë e rishfaqen enkas në kohë krizash, sigurisht me shpresën se pa djers mund të kapin ashtu shpejtë e ngutazi ndonjë copë të kulaçit politik. Asnjëra e këtyre iniciativave nuk ka gjetur mbëshetetjen e nevojshme në masë, jo ndoshta vetëm nga mungesa e kohës së gjatë për njohje të mjaftueshme nga elektorati, por ato as që kanë shkëlqyer me programe, vizione e plane se si do të nisnin zgjedhjen e problemeve konkrete e të shumta të njerëzve dhe shtresave të ndryshme sociale në Maqedoni. Aktualisht është RDK që gjallon veçmas në pjesën e pollogut. Partia udhëhiqet nga ish-tribuni popullor Rufi Osmani, i cili hyri si legjendë me mbrojtjen e flamurit nacional të shumicës së dytë, mirëpo pas një sabatikoje, pushimi të gjatë nga politika u kthye me stilin e profesorit, çka nga shumica, ndoshta edhe padrejtësisht perceptohet si mendjeshitës fjalëboshe. Rikthimi në qeverisje të Gostivarit, sipas disa analistëve vendorë të tij ekspozohet si dështim dyermbyllës, i cili ia preu shansin e profilimit në mbarë hapësirën e Maqedonisë. Tjetra shpresë elektorale që dështoi ishte edhe zotimi i tij se do të arrijë të mbledh rreth vetes intelektualë të shumtë të vendit në kuadër të partisë së tij. Nuk ndodhi. Ose ndodhi që me RDK-në të flirtojë ndonjë shkrimtar si Kim Mehmeti, figurë publike, ekcesive, pa kapital intelektual, i njohur si llafazan simpatik  por jo aq serioz në deklaratat dhe akuzat e tij. Më shumë jo.

As kësaj partie nuk i besohet roli i një alternative të mundshme.

ALTERNATIVAT?

Nëse tezate përmbledhura në këtë anlizë janë faktet reale në relacionin parti politke – masa tek shqiptarët e Maqedonisë, atëherë më së paku dalin problem qeveritë e djeshme e të sotme – edhe pse ato edhe për interesat afatgjate të vendit duhej të vepronin konfomrë në barazie qytetare – e më shumë vetë shqiptarët pa potencial politik për ta organizuar veprimin e tyre politik ashtu që shteti të detyrohej të përparoj në drejtim të garantimit të barazisë sociale, politike dhe ekonomike përt të gjithë e jo për etni të caktuara. Më e keqja në këtë kontekst është nëse vërtetë – siç thota analiza – alternativat serioze nuk ekzistojnë ose kanë dështuar që në provat e para të tyre. Se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë kohë të bëjnë lojën e «maca miut» me partitë e tyre, këtë e dinë madje edhe largë, atje në Bruksel ku thonë «votuesit në fund të fundit duhet të bëhen më agresiv në kërkim të së drejtës së tyre legjitime për alternativa, madje duke vepruar edhe vetël». Po si? Kë ta pyesim e ku t’i kërkojmë përvojat? Të mërkurën tjetër!   

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.