Metaforat e linçimit

Gjatë zgjedhjeve ka shumë racizëm. Jo pak parti dhe politikanë operojnë me difamime, linçime në baza grupore, etnike. Gjersa ata e kanë vetëm për votë, njerëzit infektohen ndoshta përgjithmonë me viruset shpejtëpërlarës e rëndë të shkulshëm të urrejtjes!

Degradimi i tjetrit si të paaftë, pa kapacitetet e nevojshme për të qeverisur është pothuaj mesazhi i çdo metafore elektorale që përdorin partitë gjatë garës së tyre për pushtet. Asgjë e re dhe aspak tipike ballkanike. Partitë e mëdha sferës perëndimore të kontinentit shërbehen po me të njëjtën teknikë manipulimi të masave: hiperbolizim i përparësive të programit personal në disfavor të konkurrencës. Deri në fillim të viteve të 90-ta edhe «difamimet» dhe përshkrimet më të rënda të tjetrit e tjetrës nuk kalonin vijat e kuqe të kulturës së komunikimit publik: d.m.th. ato nuk ishin të personalizuara; nuk diskriminonin dhe fyenin në baza biogjenetike, kulturore, sociale e të ngjashme.

Pas viteve të 90-ta, me etablimin e partive kryesisht të djathta, neokonservative dhe nacionaliste, hapësirat e komunikimit publik u shndërruan në fabrika të përjashtimit, nënçmimit, poshtërimit, diskriminimit. Jo vetëm shtabet qeveritare dhe ato të OJQ-ve i zuri paniku, por edhe mediat, të cilat madje bartnin gjysmën e fajit në procesin e ndotjes masive të diskursit politik me racizmin në të gjitha format e tij manifestative, atë që e transmetonin nga retorika e ksenofobëve për në trutë e qytetarëve.

HISTORIA

Problemi është po aq i vjetër sa edhe vetë politika. Dhe ai nuk është vetëm produkt i urrejtjes që buron nga primitiviteti i dykëmbësorëve gjatë mundit të tyre për t’u humanizuar, por është programatikë që përbën një filozofi në vete; herë si teknikë, herë si botëkuptim e herë si metodë e djallëzuar manipulimi për skllavërim të masave. Madje baza e strategjisë së ekskluzionit vjen nga kuzhinat e atyre kryekokave që ne i konsiderojmë të jenë gjenitë e qytetërimit, atyre që i riprodhojmë pandërprerë edhe sot e kësaj dite. Aristoteli në kapitullin e 6-të të librit të 7-të të veprës së tij «Politika» jep recetën, e cila do të vlejë si formulë e gjitha aventurave të mëvonshme kolonizatore eurocentriste. Aty, ai duke bërë një kategorizim thotë se popujt e zonës së acartë (hapësira sibirike e karpateske e Evropës deri në vendet e sotme nordike) janë trima mirëpo trushkretë, prandaj shpejtë e fitojnë luftën mirëpo dalin të padenjë për t’i sunduar fqinjët. Popujt aziatikë sipas tij, janë plotë art në shpirt, mirëpo shpirtofrikacakë kështu që mund të ekzistojnë vetëm si skllav dhe në shërbim të tiranëve. Grekët (e cila sot merret si baza frymore e Evropës) mirëpo i kanë të gjitha vetitë për t’i sunduar të tjerët.

Ky program aristotelian do të bëhet inspirimi qendror edhe i Makiavelit për të zgjeruar doktrinën me përpikëri (Princi) në favor të intrigës, teknikës së përsosur e djallëzore për kapjen e turmave. Në këtë vijë do t’i ndërtojnë metaforat e tyre të ekskluzionit edhe ata të anës së kundërt (tejoksidentale). Metafora e «Pallatit të kristaltë» të Fjodor Dostojevskit në romanin «Shënime nga nëntoka [bodrumi në fakt]» (1864), nëpërmjet së cilës ai përshkruan «Ekspozitën Botërore» të Londrës së 1851 si seli të demonëve perëndimorë është e kësaj mendësie. Ekspozimi i perëndimorëve, në metaforë, si klub ekspansionistësh që nëpërmjet parasë duan ta përfytin botën i përkon kësaj tradite ekskluzioniste të paraqitjes së tjetrit si defektiv, rakitik, si destrudo dhe e keqja e lirisë.

Kjo formë metaforizimi, në kushtet e shoqërive ballkanike, natyrisht se edhe sot, në shek. 21, prodhon format më të egra të racizmit dhe linçimit publik, sidomos për shkak se ideologët, partitë dhe politikanët ende përdorin teknikën e militarizimit të ndjenjave të varësve të tyre nëpërmjet elektroshokëve bioetnikë, racorë e të ngjashme..

PRAKTIKA

Si duket kjo formë e difamimit të tjetrit në realitet: Kur X politikani thotë «Y» konkurrenti i tij të jetë enverist apo titist në kokën e shumicës së shqiptarëve shpërthen një ortek imazhesh e parafytyrimesh që u kujtojnë varfërinë, kampin e Burrelit, Spaçit, Idrizovës, Goli Otokut, vuajtjen për bukë, izolimin, ndalimin e gjuhës, flamurit, burgosjet e të tjera të këtij lloji. Edhe pse e dinë se gjitha këto nuk kanë të bëjnë me personin konkret metafora e kryen efektin dhe perceptuesi krijon paragjykimin; tjetri të jetë rreziku i mirëqenies dhe lirisë së tij, frika për identitetëhumbje dhe demobilitet ia heq dheun ndër këmbë. Edhe më brutalshëm ndikojnë metaforat e tilla kur u adresohen grupeve, kulturave, shtresave. Nëse agjitatorët e një partie strategjinë e tyre elektorale e ndërtojnë mbi difamimin e një grupi, ta zëmë, turqit në Maqedoni (qëllimisht merret një grup jo i shumicave) dhe thotë: «Për shkak të tyre nuk mund të hyjmë në BE, sepse ata mbajnë demonstrata pro shteteve të huaja, kundër demokracisë dhe qeverisë sonë, akuzojnë duke gënjyer të mos i gëzojnë të drejtat elementare, duan që kryetari ynë të flas turqisht dhe se vetëm uniteti ynë i le jashtë politikës», atëherë në kokat e të papunëve, të kufizuarve në ecje botës pa viza, automatikisht krijohet fajtori i gjendjes ku mezi gjallojnë. Fajtorë, që në vijim do të jenë edhe prodhuesit me fytyrë konkrete e frikës për ardhmëri, për «turqizim» të shtetit, për humbje identiteti, për mos-hyrje në BE, NATO e kështu deri në pafundësi.

Gjersa synimi i politikave është – qoftë drejtuar individëve e qoftë grupeve – që nëpërmjet këtyre metaforave t’ua marr votën njerëzve dhe pastaj të nisin pushimin, gjendja e të infektuarve dhe të atakuarve përkeqësohet: diskriminimet, urrejtja, frika nga tjetri, ekseset, mosdurimi i verbërojnë, bllokojnë njerëzit, i bëjnë masat të paafta për të korrigjuar qeveritë dhe politikat në favor të të drejtave dhe mirëqenies së tyre.

Në këtë «rreth djalli» gjenden shoqëritë ballkanike sot.

Si e zgjodhën tjerët këtë problem?

ZGJIDHJA

Paralelisht me sallonizimin e ekstremit të djathtë qeverive të Perëndimit u aktivizuan edhe qendrat akademike në analizim të arsyeve që sollën tjetërsimin proracist diskurseve publike politike. Brenda 20 viteve të fundit janë bërë qindra studime të afirmuara rreth natyrave të shumëllojshme të përjashtimit. Një përmbledhje kompetente e rezultateve të këtyre studimeve dhe preferimeve gjendet në vëllimin e dy profesorëve politologë të Universitetit Chemnitz Eckhard Jesse dhe Tom Thieme me titullin «Ekstremizmi në shtetet e BE-së» (Wiesbaden: 2011). Aty mësojmë për faktorët që normalizuan gjendjen këtyre pesë viteve të fundit. Faciti i veprës shkencore është deprimues, sepse jo preventivën e shpall si shkakun kryesor në iluminimin e politikës që mos të jetë fabrika e urrejtjes, përjashtimit dhe difamimit, por sanksionimin, ligjet. Që nga viti 2005 e deri më sot pothuaj të gjitha vendet e perëndimit i kanë ashpërsuar ligjet mbi racizmin edhe si delikt verbal.

Vetëm në Zvicrën – si më të dalluarën në këtë drejtim – e stërdemokracisë brenda 5 viteve janë shqiptuar dhjetëra dënime, sanksionime e vërejtje ndaj partive, politikanëve dhe mediave të kenë shkelur ligjin kundra racizmit. Dhe situata vërtet ka ndryshuar pozitivisht. Çka nuk do të thotë se janë çrrënjosur frustrantët që janë në çdo shoqëri, porse dënimet arkazbrazëse të partive dhe politikanëve ndikuan aq shumë saqë partitë që politikën dinë ta bëjnë vetëm duke prodhuar metafora urrejtëse kanë filluar të flasin në atë mënyrë saqë as vetë nuk i kuptojnë fjalët e veta.

Duke pasur parasysh gjendjen në shoqëritë e posadalura nga diktaturat e luftërat dhe duke njohur përvojat e tjerëve se si u sollën me këtë problem, atëherë e para gjë që BE është dashur të kërkoj si kriter themelor nga këto shoqëri është «ta vënë gojën e tyre nën kontroll» dhe atë nga frika mos i kap ligji i ashpër kundër racizmit. Ndryshe njeriu duket nuk mësuaka as lindjes as perëndimit, as jugut e as veriut.

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.