Racistët ndër ne

Evropa racizmin e ka jo vetëm në gjak, por edhe në tru. Iluministët përveç përjashtimit kategorik të femrës nga e drejta universale – shumica e tyre – ishin këmbekrye, herës pas here edhe racistë. Në antikën famoze të lindjes së poliseve, demokracia nuk ishte ndryshe.

Barbaroit janë markë aristoteliane. Religjionet kryesore me misionin e tyre „hyjnor“ si të zgjedhurit e veçantë të Njëshit, si ashtu, vetvetiu implikojnë çmimin e ulët të të gjithë të tjerëve. Racizmi ka qenë dhe është gjithmonë ndër ne: si vetëdije, si program kuaziracional, si sjellje, si instinkt, si emocion.

Veprat me Prosperot dhe Calibanët si ajo e Shkespirit „The Tempest“ (1611); romanet „Two Thousand Seasons“ (A.K. Armahs:1973); „Roots“ (A. Hayleys: 1976); „Beloved“ (T. Morrison: 1987); „The Longest Memory“ (F. d’Aguiars: 1994), filmat si „Middle Passage“ (1990), „Sankofa“ (1993), Amistad (1997); studimet me tonelata që janë prodhuar pas Luftës së Dytë Botërore na fusin, shëtisin botës së racizmit duke na tmerruar me egërsinë, njëanësinë, brutalitetin e njeriut kundër njeriut.

Ato na sqarojnë mirë apo dobët se si ndodh racizmi në aksion, konkretisht, mirëpo jo edhe gjithaq nga vjen, ose na e vizatojnë sipërfaqësisht si konstrukt të injorancës humane, çka nuk qëndron. Ndoshta nga këtu edhe rrjedh pazotësia e shoqërive karshi përhapjes aq të shpejtë dhe kancerogjene të racizmit sa herë që grupet acarojnë gojët.

Para se të vërdallemi teorive ndoshta një biografi (vërtet) familjeje na ndihmon ta analizojmë më mirë natyrën, funksionalitetin dhe rezultatin e epidemisë:

DRITA DHE MARIA

Drita (emri është ndryshuar) kur erdhi në Zvicër i kishte 19 vjet. Pas tri viteve martohet kosovarja me Filipin, sllovak nga i ati dhe zviceran nga nëna, i lindur në Bernë. Pas tri viteve bashkë lind një vajzë. Vetëm tre muaj pas lindjes Drita dorëzohet në spital si paciente që vuan nga PTBS (posttraumatic stress disorder).

Bërtet në gjumë sikur mbrohet nga dhunuesit (paramilitarët serbë), ka paranojë ditën saqë shpesh e sulmon ndonjë polic duke e ndërruar atë me ndonjë dhunues të saj – për shkak të uniformës – dhe skena të rënda dramatike të kësaj natyre.

Filipi dhe familja e tij ka tre vite që janë bërë peng të kësaj situate. Balinti, i ati i Filipit, së fundi na rrëfeu të jetë i paditur nga serbja Maria P. Pse? „Po erdhi të kërkoj punë në ndërmarrjen time dhe…“. Çka ndodhi? „I thashë se janë racë e ulët dhe se të tillë kur nuk do të shkelin me këmbën e tyre kriminele në firmën time”, kështu damarëfryrë përsërit sllovaku Balint J., i ikur para dyzet viteve nga Çekosllovakia në Zvicër. Jo vetëm Balinti, Filipi, e ëma e tyre, por edhe miqtë zviceranë, ndër ta edhe anglezë, gjermanë, francezë dhe tamilë që i takuam rastësisht në një ndodhi manifestonin po të njëjtin qëndrim ndaj serbëve si kolektiv.

Të rikapitulojmë: Drama e Dritës së mitur, të dhunuar para shumë viteve, gjatë luftës së Kosovës, bëhet shkaku nga ku shpërthen urrejtja e familjes sllovako-zvicerane-kosovare ndaj serbëve. Gjatë interaksionit me miq, mjekë, të njohur kulturash po ashtu krejtësisht tjera, që konfrontohen me rastin e Dritës dhe familjes së saj përhapet mllefi dhe urrejtja ndaj serbëve si popull. Dhe urrejtja e akumuluar e gjithë këtyre njerëzve manifestohet ndaj asaj vajzës që kërkoi punë tek Balinti, dhe për çdo ditë ai ndodh sa herë që dikush t’i përmend serbët.

RACIZMI NË ILUMINIZËM

Me dramën e rrëfyer lart pamë se si lind dhe përhapet racizmi ndaj një kulture, grupi populli, tani parashtrohet pyetja: po pse gjithë të involvuarit urrejnë gjithë serbët kur e dinë se vetëm dy-tre paramilitarë kriminelë – që i gjen brenda çdo populli jo vetëm aq – janë autorët e shëmtisë? Sepse përveç Dritës asnjëri prej tyre as vijat e fytyrës së kriminelëve nuk i njeh, nuk i identifikon dot.

Kur mungon përgjegjësi konstrukto-konkret është në natyrën e njeriut që kap mostra nga kapitali i memories dhe dijes së tij për të shpjeguar dukuritë me të cilat kacafytet. Po ku i merr ai ato mostra? Gjithandej doktrinave, féve madje edhe vetë aty, në atë sferë ku ne evropianët e ditëve kemi shtratin e delirosjes nga elozhimi i vetvetes; në iluminizëm (vetëm sa për të argumentuar se as ajo epokë që ne e konsiderojmë kulmin nuk është e mbrojtur nga racizmi)!

Jo vetëm botaniku Carl Linné (1707-1787), i cili në përpjekje për të argumentuar tezën e tij mbi „homo europaeus“-in ndau globin në katër rasa (bardhë, kuq, zverdhur dhe zi), por kësaj teorie më vonë do t’i bashkëngjiten si të paradhënë edhe David Hume, William Petty, George Buffon, Jean-Jacques Rousseau, John Lock-u, Hegeli, Merksi, Voltaire (me teorinë e tij të poligjenezës) dhe i ati i ilumnizmit si program Imanuel Kanti. Këta brenda shtyllave kryesore të filozofisë së tyre si: Liria, barazia, vëllazërimi, drejtësia, arsyeja dhe pjekuria nuk përjashtojnë vetëm femrën si „qenie të dobët“, por edhe gjithë ata që nuk janë të bardhë.

Madje Kanti shkon aq larg saqë shpesh edhe thotë se ekzistenca e racave dhe popujve të ndryshëm të jetë e pakuptimtë: „Gjitha racat do të asgjësohen (Amerikanët e kuq dhe zezakët nuk e qeverisin dot veten dhe mund të mbijetojnë vetëm si skllevër) vetëm të bardhët jo“, thotë ai (Skica nga koha e kolegjit në Shkrime të zgjedhura, Berlin-Leipzig, 1923, F.878). Në të njëjtën vijë ecin pothuaj pa përjashtim gjithë bartësit iluministë deri në vitet e 50-ta të shekullit të kaluar. Diskursi kundër perandorisë filozofike iluministe të këtij drejtimi edhe sot është fare i paaftë (ndoshta edhe pse është sektaresk si feminizmi, postkolonializmi etj.) për të ofruar një drejtim konstruktiv drejt shpëlarjes.

Këndejpari i marrin edhe shqiptarët, sllovakët, anglezët, rusët, serbët, francezët mostrat e tyre kur kanë nevojë të shfryjnë urrejtjen e tyre, e cila gjithmonë ka një shkak dhe shkaktar konkret dhe mund t’i përplaset atij në fytyrë, mirëpo mungon.

Këtu edhe është poenta e kësaj eseje për të treguar se nuk ka recetë që do ta reduktonte përhapjen marramendëse të racizmit shoqërive shqiptare, përveç se ato të bëjnë çmos që krimeve t’ua japin fytyrën konkrete që kanë, të prangojnë kriminelët dhe të kujdesen sa më shumë për viktimat e tyre, duke mos i hedhur anash të plasin nga dhimbja dhe urrejtja dhe të shërbejnë si adresa justifikimi për masat që tekefundit mbysin veten me urrejtje e asnjë fije floku nuk ua trazojnë kriminelëve të njëmendtë.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.