Shteti pa kulturë

ARTET NË KAFAZ I /Me katër ese udhëtojmë hartës së problemit: Pse shqiptarët nuk figurojnë fare apo vetëm aksidentalisht apo rastësish kanuneve të arteve universale? Esetë «Shteti pa kulturë», «Puritani, perversion apo hile», «Frika nga diskurset e vetëzbulimit» dhe «Vrasrësit e muzave», të botuara në «Zëri» kërkuan përgjigjen dhe nuk nxitën diksurs!

Ç’bën shteti për kulturën? U shpërndanë çmime autorëve të këqinj që ta gjejnë udhën? Ose: babai i tregon të birit se ç’ është vaji i ullirit. Këto janë asocimet më të popullarizuara, sa herë që të pëshpëritet a shkruhet mbi raportin kulturë-shtet.

Patjetër se këto paragjykime reduktojnë dhe paushalizojnë një relacion shumë më të lëmshuar midis dy sistemeve interdependente siç janë kultura dhe shteti, mirëpo ato, stereotipat nuk mund as të diskualifikohen vetëm si fabrikate mediash fantazimbarsëse, sepse as shtetit për kulturë nuk i bije në gjurmë konceptit. Ose, po sulmuam me arsenalin e nihilistëve: po e ka një që është pakultura vetë.

Llogaritur për gjatë, forma e këtij konstelacioni ndër dy sistemet në fjalë është ndoshta paradoksi më themelor, bllokues dhe destruktiv për Kosovën si shtet me kulturzonë dhe identitet të veçantë. Me këtë nuk aludojmë në shpikjen apo konstruktimin e zorimtë të ndonjë versioni identitar kulturor, por më shumë mendojmë në universalizimin e vlerave të kësaj kulturosfere nëpërmjet të eksportimit të prodhimeve të saja frymore, materiale e politike – ashtu siç janë, qofshin ato hibride, «homogjene» apo individuale.

Mungesa e konceptit të shtetit për kulturën duket të mos jetë vetëm defekt i një qeverie të paaftë, i një ministrie që funksionon në sajë të ofertave, sugjerimeve dhe preferencave klanofisnore, por më shumë ai manifeston edhe vegjetimin e inteligjencies ose operimin inflativ të faktorëve që konsiderojnë të jenë kulturëbërës.

Ndoshta edhe më mirë do t’ia arrinim t’i afrohemi problemit nëse paraprakisht analizojmë se ç’nënkuptojnë shqiptarët (bazuar në diskurset publike) me kulturë dhe si vepron shteti në këtë drejtim.

 

  1. Njerëzit me bindje neoliberale kërkojnë që kultura të jetë sferë me të cilën zbaviten mecenati, firmat që nuk dinë se çka të bëjnë me buxhetin e tepërt dhe ata që kanë kompleks dandizmin. Ekstremi tjetër – neokomunistët, nacionalistët, etnokratët – mallkojnë shtetin se pse nuk ndanë aq buxhet sa që jep për ushtrinë dhe policinë. E ashtuquajtura «industri kulturore» koordinohet dhe kontrollohet nga individë intelektualoafinë, të cilëve e gjithë veprimtaria u del si autoprojekt vetëafirmimi për konsolidimin e ekonomisë private – më tej as që mendojnë.

Idealistët kanë mbetur të skllavëruar brenda njërit paragraf të teorisë së T. S. Eliot (Shënime drejt përcaktimit të definicionit „kulturë“: 1949) i cili kulturën e koncepton si pronë a çështje të një aristokracie elitare, mirëpo e cila në fakt e praktikë te shqiptarët më shumë është brum për akuzën e Walter Benjaminit që pandehte pikërisht këtë shtresë të fetishizojë dhe inventarizojë kulturën për qëllime të rekompilimit në favor të banalizimit dhe deformimit të saj – asaj kulture pra që Georg Simmel, në kuadër të konceptit të tij «cultura culturans» e kupton vetëm si «kopsht që duhet kultivuar» e jo instrumentalizuar për biznese jashtëkulturore.

Po e futëm këtë analizë lartë tash në kategorizimin e njohur të Raymond Williams (Eseu mbi historinë semantike e kulturës: 1970), i cili flet për tri lloje të perceptimit dhe praktikimit të kulturës në shoqëri, pra në: reziduale (në shuarje e sipër), dominante (që mbizotëron si kapital historik, tradite e legjitimimi) dhe emergjente (në formim e sipër), atëherë detyrueshëm realiteti na përplas syve diagnozën: shqiptarët nga paaftësia dhe falsifikimi deformojnë deri në shuarje të qenurën (rezidualen dhe dominanten) gjatë eksperimenteve për ta përkryer apo përparuar atë (emergjenca) sepse kulturën e instrumentalizojnë, tjetërsojnë dhe hyjnizojnë apo mohojnë për interesa të ngushta, të përkohshme, politike, klanore, individuale. Historizëm holist bëjnë.

E bëjnë këtë se janë novatorë apo autodestruktorë? As njëra as tjetra. Akultura e tyre vjen nga mungesa e inteligjencies që do të kishte lexuar dhe vepruar sipas formulës më efektive deri më tani dhe që është e ngritur në konsensus shkencor universal e që thotë se: Kultura e një vendi – e cila kontinuitetin e saj e siguron nëpërmjet gjuhës, riteve, kapitalit frymor e material, historisë – është tërësia ekzistuese, e gjallë, e sotme e arteve, normave, ideve, botëkuptimeve ideologjike, religjioze…! Këto nga të cilat vendet e përparuara nxjerrin majat për të kontribuar në përparimin e humanitetit.

 

  1. Shqiptarët në këtë drejtim, në tregun universal të kulturave nuk janë konkurrencë. Marrin e japin rrallë e përmallë. Prandaj edhe paragjykimet aq të shpeshta e të shumta dhe raciste që sugjerojnë shqiptarët të jenë të pakulturë. Ose gjallojnë vetëm si të integruarit e një kulture tjetër (Sport, Shkencë etj.). Për arsye të monopolit mbi buxhetin, diplomacinë, infrastrukturës logjistike e të ngjashme detyra e zhvillimit të politikave kulturore, veçanërisht sa i përket konkurrencës në ekspozetë ndërkombëtare është e shtetit.

Ky duhet të studiojë, akumulojë vlerat e shoqërisë dhe t’i subvencionojë e asistojë ato në depërtim dhe afirmim, madje edhe për shkaqe substanciale që kanë të bëjnë me njohjen e Kosovës. Të shohim konceptin veprues, të analizojmë strukturën e Ministrisë së Kulturës për të mësuar se ç’bën vërtetë, se a ka koncept: Ajo «merret» me sport, me rininë, me integrime evropiane (?!), merret gjithashtu edhe me kinemanë, teatrot, muzetë, arkeologjinë, reliktet dhe ja edhe Departamenti i Kulturës (tjerat s’janë të kulturës?).

Ky departament ndahet në dy divizione: në atë të arteve skenike-muzikore dhe pamore dhe në atë të promovimit. Pra koncepti kulturor i ngushtë është drama, filmi, kënga, piktura, skulptura, arkitektura? Jo edhe libri bën pjesë ama jo në divizionin e arteve por në të dytin si instrument promovimi. Më saktë interpromovimi.

Nëpërmjet çmimeve, shpërblimeve të para që u bën veprave, të cilave nuk ua gjen përparësitë inkurajuese në asnjë katalog të mundshëm vlerash që deri tani kanë prodhuar teoritë e shumta në shkencat e letërsisë. Ky është koncepti i shtetit kosovar mbi kulturën? Secili aq sa e ka kapacitetin – tha Arbeni i Mahmutit dhe ia mbathi botës! Me të drejtë. Arbeni ka më shumë kulturë se sa që mund t’ia kapë shteti nga i cili ikë.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.