Thanks and stay here as friends

EKSKURS – MIQËT NË RADISOKOPI / Shqiptarët i duan shumë amerikanët, europerendimorët sepse i shpëtuan. Edhe më shumë se veten. Meritueshëm. Tash ndoshta është koha që të fillojnë ngapak ta duan edhe veten.

Pa çoroditjen e Millosheviçit, pa këmbëngulsinë e amerikanëve dhe vendeve tjera perëndimore për t’i shpëtuar civilët nga gjenocidi, Kosova nuk do të ishte në këtë formë që është. Maksimalisht ajo do të ishte njësi me autonomi fragjile brenda një shteti që i ka urrejtur gjithmonë banorët e saj. Natyrisht se ka grupacione, lëvizje, parti që zhvillimet historike duan t’i përvetësojnë si merita ekskluzive të tyre. Pa të drejtë. Jo se nuk kanë luftuar e punuar, por se anagzhimi i tyre nuk ka mjaftuar asnjëherë. Ose ka ndikuar (UÇK) që tjerët të kuptojnë se ishte fundi i bashkëjetesës serbo-shqiptare. Kështu thonë faktet. Asnjëherë në histori kontributi i shqiptarëve nuk ka mjaftuar që ata ta imponojnë lirinë, formën e jetës së tyre politike apo kombëtare ashtu siç donin e ëndrronin. Gjithçka çka kanë sot është rezultat i lëmoshës, tolerancës, mëshirës së tjerëve. Kjo dëshmon paralelisht jo vetëm se ata se nuk kanë ditur të bëhen ekspansionistë, por se nuk kanë pasur madje as zotësinë e sigurimit të lirisë së tyre. Ky është realiteti historik. Realiteti sot mos është më optimist?

Sot dy shtetet shqiptare nuk janë më të këqija se tjerat përreth. Madje në segmente të ndryshme që janë në dorë të civilitetit shoqëria kosovare ka ecur shumë më para se disa fqinjë. Qeveria e Kosovës dhe shumica e qytetarëve u besojnë më shumë miqve të stacionuar aty se sa vetes. Nganjëherë kjo sjellje rezulton jo aq e mençme, mirëpo shqiptarët për nga natyra – përkundër vetëmallkimit në modë – nuk mund të jenë bukëpërmbysës. Më hiç ndaj amerikanëve dhe vendeve të tjera që aq me ngulm u angazhuan për t’i shpëtuar nga deplacimi kolektiv dhe vrasjet edhe më masive.

Debati rreth «Tribunalit» mirëpo shkaktoi një tërmet të këtij relacioni miqësie. Edhe ithtarët më të flaktë të gjykimit të të korruptuarve janë ambivalent. Ata duan t’u hiqen nga politika të korruptuarit, mirëpo krijimin e gjykatës – edhe atëherë kur nuk e pranojnë – e përjetojnë si padrejtësi të rëndë. Si shuplakë fytyrës. Rreshtimi i amerikanëve, britanikëve, gjermanëve në taborrin e atyre që me çdokusht e qëmoti sajojnë tribunalizimin e luftës së kosovarëve zhgënjeu në masë.

Prapseprapë ky çrregullim relacional duket të jetë i mbijetueshëm. Pikërisht sepse premton të ndikojë në ngulfatjen e deridikushme të korrupsionit dhe anomalive tjera. Për këtë arsye shumica e kosovarëve në heshtje e me zë u luten zotërave të tyre që mos ikë EULEX e sidomos më i lënë në baltë amerikanët, sepse duket të jenë të bindur se vetë ende nuk kanë mbledhur veten sa duhet për ta bërë shtetin ashtu siç e dëshirojnë.

Gjersa «afera» rreth Tribunalit nuk arriti t’i armiqësojë shqiptarët me amerikanët – disa ende shohin ëndrra në atë drejtim – dhe miqtë tjerë zgjedhjet parlamentare që pasojnë duket sikur të jenë më të përshtatshme për thyerjen. Jo nga frika se do të përsëritet delegimi i nominimeve nëpërmjet sms-ave, por për shkak të një sjelljeje antagonike të instancave ndërkombëtare në «asistim» të demokracisë kosovare. Burgosen primatë politikë disa herë për t’u liruar të pafajshëm, por të defaktorizuar politikisht. Jo se kjo nuk duhet të ndodhë, por kur kjo praktikë bëhet serike është enigmatike. Nuk janë të paktë ata që këtë formë «asistimi» e marrin si favor të klasës në pushtet. Përjashtimi i njërës nga partitë më të mëdha të vendit nga konsultimet ndërmjet ndërkombëtarëve dhe partive të vendit nuk perceptohet si aversion apo konflikt interpersonal por më shumë si mohim i së drejtës në pjemarrje demokratike të elektoratit të saj. Vetëm arsyetimi korridoreve diplomatike se vetëm parti të caktuara janë garancë që mos dështojnë marrëveshjet e shumta serbo-shqiptare e Kosovë-botë janë të pamjaftueshme. Nuk e justifikojnë përjashtimin e fragmenteve të faktorshme të shoqërisë arsyetimet në kurriz të demokracisë. Demokraci nuk mund të bazohet vetëm në personel të (pa)përshtatshëm për interesa eksterne, por parasëgjithash ajo duhet ta dëshmojë veten brenda.

Kosova asnjëherë nuk do ta mësojë demokracinë dhe shtetin juridik me një asistencë që vetë bëhet shembull i përjashtimit dhe eliminimit pa dëshmuar asnjëherë atë që pretendon.

Shqiptarët i duan shumë amerikanët, europerendimorët sepse i shpëtuan. Edhe më shumë se veten. Meritueshëm. Tash ndoshta është koha që të fillojnë ngapak ta duan edhe veten. Të bëhen më dinjitoz në rrugën e tyre dhe mos të lejojnë eksperimentime që nuk kanë më të bëjnë me miqësinë e me domkracinë dhe lirinë edhe më pak, por me eksperimente për të cilat ata më së paku kanë njohuri.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.