Coelho – shamani i pabesisë

Rrëfimi është banal. Figurat – si në shumicën e romaneve të Coelhos – janë pa gjak, statikë. Rrëfimi i përngjan një procesverbali ku Linda jo patjetër tregon për përditshmërinë e saj por operon me stereotipe aq të përhapura mbi gratë e paemancipuara. 

«Shkoj atje ku ujërat janë më së thelli». Me këtë citat të Lukës (Bibla, 5.4), Paulo Coelho hap romanin e tij të fundit «Adultério» (Shqip: Pabesia). Shkrimtari brazilian, rezident në Gjenevën zvicerane, i cili tashmë është përkthyer në 80 gjuhë, që në hapje të prozës premton, garanton thellim. Kemi të bëjmë me një prozë që nuk i përngjan më stilit të zakonshëm të tij; atij aq të thjeshtit deri e në djegie. Është «Pabesia» një rrëfim ndryshe, i tillë që djersit duke detyruar lexuesit të ecin sferave më subkutane të jetës, dashurisë, besimeve, kulturës, apo do të rezultojë në fund vetëm sa një premtim bosh e hiçgjë më shumë. Ta lëmë që fillimin ta thotë vetë:

«Ka mundësi të ju prezantohem?  Quhem Linda, 31 vjeçe, 1 m. e 75 e gjatë, me peshë prej 68 kilogramësh dhe falë zemërgjerësisë së burrit tim mund të vishem me teshat më të bukura dhe më të shtrenjta. Meshkujt më lakmojnë e gratë lakmojnë jetën time. Jam duke jetuar në një botë, të cilën shumica e njerëzve vetëm ëndërr mund ta shohin (…)».

Kështu, në këtë stil nis rrëfimin Coelho. I gjithë romani është shkruar kësisoj. As pyetja «qe kjo e gjitha?» e jetës, nuk shkakton ndonjë spirale, nuk shpërthen asnjë atom dramatik, nuk është porta drejt mistereve të jetës, fatumit dhe shpengimit. Me gjitha sforcimet proleptike, psikonarrative, proza duket e kafazuar brenda isokronisë horizontale të saj (Lindës kudo i ndodh e njëjta). 

PABESIA – Me njohjen, me përshkrimin e situatave komplekse, gjojatragjike të njeriut Coelho mëton të merret në çdo roman të tij: në njërin libër kërkon nga qenia humane t’u mbetet besnik ëndrrave («Alef»), në tjetrin përpiqet të nxisë frymën e letargjizuar, joprezente në tashmëri, që nëpërmjet dashurisë ta ndryshojë botën («Engjulli mbrojtës»); në të tretin sugjeron dedikimin absolut për të siguruar shpengimin («Triumfuesi mbetet gjithmonë vetëm»). Analizuar veprën e Coelhos në këtë linjë libri «Pabesia» duket si një kurorë e këtij rrugëtimi në kërkim të çelësit për çlirimin e njeriut pasmodern nga të gjitha pengesat që ia imponojnë modat e mondanitetit. Qenka pabesia, thyerja e kurorës, çelësi që shpëtuaka gazetaren Linda nga robotizimi i saj social? Kjo varet nga çasti fokalizues i autorit, pra se me cilin kanal përvojeje e dijeje autori e pasuron trurin, respektivisht retorikën e personazhit të tij. Dhe Linda herë flet e reflekton si një shkollare e ditëve të para në manastirin jezuit San Ignacio të Rio de Janeiro-s, herë si një hipi nën ndikim të drogës që s’ia var jetës, konditave, ligjeve e moraleve, herë si një shamane që kërkon shpërthimin nga një seancë në trans dhe ekstazë për të përjetuar magjinë – sidomos atë të zezën. Këto «mësime» të shpartalluara, e që burojnë nga jeta private e Paulo Coelhos  mirëpo nuk e realizojnë veten, nuk janë efektive, në asnjë skenë apo sekuencë të prozës në romanin „Pabesia“. Ato dalin e zhduken si flluska që recipienti sigurisht i pandeh si anomali ajrore jashtëlibrore. Ajo që vërtet përjetohet thellë, ndihet e parafytyrohet nga lexuesi janë aktet që pasojnë nga aty kur Linda vendos të tradhtojë, të kapërcej përtej telave të «normalitetit» , kështu ngase shkrimtari e bind kjo të jetë rruga e vetme nëpërmjet së cilës ajo do ta gjej lirinë dhe përfundimisht do ta vrasë monotoninë.

ORGJITË – Pas 200 faqeve ndodh mrekullia. Linda «rastësisht» takon shokun e saj të rinisë, biznesmenin Jacob König. Që në takimin e parë: pantallonat poshtë dhe Blowjob. Në takimin e dytë maçoja që apriori skllavëron çdo femër e përdhunon atë analisht. Dhimbje, epsh, qeshje të çoroditura dhe nga orgjia në orgji. Pas këtyre akteve të vetësakrifikimit vullnetar (sepse Linda ti thotë ashtu e jo se i ka përjetuar si çlirimi- këtu del edhe paradoksi) gjen protagonistja aftësinë të rimendojë. Ose më saktë ajo fillon ta kuptojë botën ndryshe. E nga dita kur në një kafene të qytetit takon shamanin kubanes, i cili e bind se «vetëm dashuria mund t’ia tregojë rrugën e një jete të lumtur» zbulon tempullin nga ku do të marrë energjinë t’i kthehet sërish po atyre konditave monotone nga të cilat me aq «sakrifica» iku.

A ha tregu edhe më banalishte se kjo? Po. Sipas gjitha prognozove edhe ky libër i maskuar si roman e që në të vërtetë «është një doracak banal ezoterik do të bëhet bestseller» (TAZ dhe dhe media tjera të hapësirës gjermanofone) do të përlajë top listat e bestsellerëve. Është stupiditeti çelësi i suksesit apo Coelho ka ndonjë recetë tjetër?

Që nga romani «Alkimisti», «Veronika…», «Mali i Pestë» Coelho ka krijuar jo vetëm komunitetin e tij të lexuesve në mbarë globin, por pothuaj në çdo gjuhë kryesore disponon me shtëpi botuese, të cilat bashkë përbëjnë një industri globale marketingu. Ai mban ligjërata, po në atë nivel të thjeshtë, këshillëdhënës mbi dashurinë, shpengimin dhe ikjen nga konvencionet «qytetare» drejt rebelimit dhe përdhosjes. Ka sukses. Nuk ka letërsi kualitative, art, por kjo nuk ka rëndësi edhe pse pjesa dërmuese e kritikës mendon që kësaj radhe autori e ka tepruar më shumë se duhet ngase fyen inteligjencën edhe të atyre që preferojnë literaturë të tillë, libra që nuk parakushtëzojnë as nivelin themeltar të arsimimit.

ANTIFEMËR – E thënë: Rrëfimi është banal. Figurat – si në shumicën e romaneve të Coelhos – janë pa gjak, statikë. Rrëfimi i përngjan një procesverbali ku Linda jo patjetër tregon për përditshmërinë e saj por operon me stereotipe aq të përhapura mbi gratë e paemancipuara që s’kanë detyrë tjetër frymore, intelektuale. Të atij soji që ndiqen shtrigërisht nga fantazitë e tyre pornografike, sadomazohiste, të sojit që veç një gjë i shpëton; seks në të gjitha pozitat më brutale të mundshme. Coelho e rrëfen këtë gjendje maniakesh seksuale si stad të natyrshëm të femrës «me gjitha të mirat» e civilitetit, qenka status universal, i dëshmuar, absolut: femra nis të mendojë vetëm kur të realizohet shoqërisht / materialisht dhe atë përherë në drejtim të asketoseksualizmit brutal. E fundit pastaj shfaqet si purgator të domosdoshëm për çdo qenie të përhumbur që donë ta kap psyché tou pantós -in ose „anima mundin“. Atë Shpirtin Universal të Dashurisë, të cilin e kap sidomos pas këshillave (që nuk i jep kurrë se si janë) që i merr nga ndonjë shaman ezoterik kubanes, qoftë edhe në Zvicër, vendin ku sipas Coelhos edhe lopët bartin armë, frynë mistrali e ka plotë djathë që prodhohet gjithandej mirëpo jo aty ku thotë autori brazilian. Pasaktësi të pafundme që edhe fiktives ia shpifin jetën.

Libri është i lehtë për lexim. Rrëfimin kështu siç është mund ta gjesh në çdo magazinë erotike apo pornografike dhe atë nga vitet e 60-ta e deri sot. «Pabesia» e Paulo Coelhos hynë në historinë e librave të guruvë që ligjërojnë receta për jetën, dashurinë, në bazë të një miksture doktrinash që përmenden vetëm sipërfaqësisht. Libri nuk është prozë kualitative, pra letërsi, art nuk mund të jetë kurrë. Megjithatë si mall do të shitet sepse ka tregun.

(Për këtë recension është lexuar versioni gjermanisht i romanit: «Untreue», Diogenes, Zürich 2014).

 

 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.