Autopsia e një debati

Në debatin e Blendi Fevziut kësaj të enjteje, dy diskutues i bënë sintezën gjendjes së diskursit publik rreth kontestit të fundit Shqipëri – Serbi: Menduh Thaçit i ishte bërë »zemra mal« nga «droni» me kolazhin mbi pëlhurë të zezë, sepse ua kishte futur shërbimeve sekrete dhe shtetit serb duke valuar në qiellin beogradas dhe qëndrimi – refren disaditësh – i Fatos Lubonjës mbi retorikën fashiste, nacionaliste të Edi Ramës me tendencën për të fshehur problemet e rënda në vend.

Sapo u ngjitëm shkallëve drejt verifikimit të këtyre tezave se ç’na u shfaqën dy konteste (nga plot tjerat) të mëdha të mëdha historisë e kritikës letrare evropiane: Ka ekzistuar vërtetë „Le Fantôme de l’Opéra“ që e solli në jetë romansieri francez Gaston Leroux e që e monumentalizuan në pasmodernë Andrew Lloyd Webber, Richard Stilgoe e dhjetëra regjisorë e autorë të tjerë global apo jo? Kush është vërtet «Monstra» në tregimin gati të padekodueshëm të Alberto Moravias; autori vetë që shihte ëndrra horror apo macja e tij siameze që kapërdiu foshnjat e saj?

Kush u soll si nacionalist, fashist? Fantomi i katakombeve së teatrit parisien, sigurisht jo. Na e solli dikush «Shqipërinë e Madhe» apo e rigjetëm në mesin tonë si? Kronika është e ditëve dhe jo e historisë, prandaj ajo na ndihmon më së bukuri për të rikonstruktuar udhëtimin e monstrave dhe fantomëve tanë.

KRONIKA

SERBI. E martë, 14 tetor 2014. Që në mëngjes herët, mediave mori dhenë lajmi; në aeroport të jetë ndaluar edhe ambasadori shqiptar gjatë intervenimit që mos të pengohet hyrja e një grupi gazetarësh, shtetasish të tij. Portaleve serbe filluan tekstet që hidhnin pikëpyetje se cili ishte misioni i shqiptarëve që kanë mësyrë kryeqendrën, duke harruar qëllimisht se atë ditë zhvillohej ndeshja ndërmjet dy vendeve. Gjatë ditës kryeministri Vuçiç luan rolin e telefonistit, duke thirrur çdo qeveri; shërbimet e tij të inteligjencës ditkan për një provokim të rëndë shqiptar, i cili mund të shkaktoj trazira. Vjen ora e ndeshjes. Rrugëve të kryeqytetit plasin veshë sirenat e automjeteve me flamuj serb të të gjitha varianteve dhe ulërimat, të ngjashme me ato të pragluftës që synonin rekrutimin e vullnetarëve për në Kosovë. Në stadium këngët ishin të vjetra: «vritni shqiptarët», «leni kroatët pa vëllezër», të shoqëruara nga arsenali i njohur i retorikës porno-fekalstike çka shumicë e popujve jugosllavë e kanë ruajtur si relikt të përbashkët. Sjellja njihet që nga kohët e ish Jugosllavisë, kur kosovarët bërtitnin stadiumeve «Eho» (duke aluduar në Enver Hoxhën) e serbët montonin proceset gjyqësore që në kabinat e zhveshjes.

Ekipit shqiptar i mjaftojnë vetëm minutat e nxehjes për t’u bërë padron i ndeshjes. Rastet pro futbollistëve shqiptarë shumoheshin, kundërshtarët e tyre vërdalleshin sikur fushës të ishin dhjetëra topa e jo vetëm një. Fillimisht dukej sikur tifozët t’iu kërkojnë perëndive qiellit ndihmë. Mirëpo sa më shumë që fluturakja (droni) të ulej aq më qartë dukej se nga qielli lëshohet objekti, «monstra» që jo Moravia por Vuçiç do ta ketë parë në ëndërr që e shtyu të telefonoj gjithandej. Një lojtar serb kërcen e kap pëlhurën. Sytë e Lilës dhe Xhakës sapo njohin mjekrën e Ismail Vlorës, hartën e fryrë të Shqipërisë dhe koburen e Isë Boletinit sulen për t’i shpëtuar nga duart e armikut. Fushën e pushtojnë falangat e protobullgarit serb Ivan Bogdanov, të njohur si tmerr i stadiumeve të Evropës. Kërcënimet, fyerjet ndezin situatën saqë Andi Bushati – portretin e të cilit e shohim shpesh me Çe Guevarës në sfond – ndihet aq i frikësuar dhe kërcënuar të vdes si hero në Beograd.

Atë natë portalet serbe të nesërmen mediat unisono quanin shqiptarët «derra», «erdhën për ta pushtuar Serbinë me Shqipërinë e Madhe», «kriminelë, vrasës». Për ta bërë «sulmin shqiptar» institucional e involvuan emrin e të vëllait të kryeministrit shqiptar Olsi Rama. E njëjta retorikë ishte edhe institucionalja e korit Vuçiç dhe Nikoliç: «Evropa në rrezik nga Shqipëria e Madhe», «Shqipëria shtet jonormal», të ngjashme e të njohura!

SHQIPËRI, pa gdhirë mëngjesi i 15 tetorit: Mijëra tifozë presin skuadrën shqiptare në Tiranë. Rrjeteve sociale vlon urrejtja ndaj serbëve. Portaleve (jo)serioze po ashtu. Pritje gati frenetike e shpëtuesve të «flamurit» nga tifozët e kombëtares. Dolën tekstet e para të gazetarëve e publicistëve të njohur si të pakompleksuar ndaj serbëve, pjesëmarrës të frikësuar. Në linjë i përbashkon të gjithë: domosdoja për ripozicionim sepse serbët megjithatë nuk paskan qenë ashtu siç i kanë parafytyruar/njohur ata. Mediat shqiptare as për një gram nuk i imitojnë homologet e tyre beogradase; frustrime, akuza që serbët të kenë prish lojën; të kenë mbetur nacionalistë të pagdhendur si gjithmonë dhe urrejtës patologjik të shqiptarëve; megjithatë jo vrisni serbët; «shkau» nuk figuroi askund. Institucionalët (Kryeministria, ministria e jashtme) edhe më të matur: denoncuan parullën «Shqipërinë si makth serb», involvimin e Olsi Ramës si «idiotësi» dhe nënvizuan përsëritshëm se me këto akuza e retorikë serbe nuk shkohet në Evropë.

Dy eksponentë publikë të debatit shqiptar akuzën e postuar nga Vuçiçi dhe Nikoliçi të «Shqipërisë së Madhe dhe të nacionalizmit shqiptar» e pranuan ndryshe adresave të tyre. E përcollën me sukses gazetave, portaleve dhe televizioneve shqiptare si një monstër që vërtet është si ajo macja siameze e Moravias, me një dallim sepse maçoku shqiptar nuk donë t’i hajë të vetët por të huaj, serbët.

DEBATI NË KOSOVË

Në PRISHTINË debati vazhdon. Pothuaj shumica e autorëve, opinionistëve dhe gazetave kanë marrë qëndrim rreth kësaj çështjeje. Disa e konsiderojnë «dronin» simpatik, futje serbëve, disa vërtet rrjeteve sociale glorifikojnë aktin sikur shqiptarët ta kenë fituar betejën e Kosovës më 1389 atë natë të 14 tetorit e të tjerë e shënuan si akt individual i një «tifozi idiot», i cili nuk e kap dot domethënien e një aksioni të tillë dhe e bëri mëzi se ç’ishin raportet shqiptaro-serbe. Në Prishtinë, opinionisti i «Kohës ditore» Halil Matoshi qe ai që mori seriozisht akuzën nga Beogradi dhe vuri në flamurin e kampanjës së tij, duke demaskuar sjelljen shqiptare si pro «Shqipërisë së Madhe», nacionaliste fashiste. Reagimet ishin të pritura. U mobilizuan aktivistët «internacionalistë» kafeneve prishtinase për ta mbrojtur Halilin nga turmat që e quajtën proserb, jugo-nostalgjik dhe tradhtar.

Reagime serioze kundër tezave të Matoshit sollën kryeredaktori i të së përditshmes «Tribuna», Arben Ahmeti dhe profesori i filozofisë Blerim Latifi. I fundit tentonte me argumente t’i sqaroj Matoshit se pse tezat e tij de facto janë të ngjashme me ato të futuristëve italianë të kohës së Duçes (shteti estetik) që prireshin nga manifesti „Futurismo“ i Filippo Tommaso Marinetti-t (1907) dhe se «patrioti ligjor» është shpikje absurde dhe se nuk ka të bëjë aspak me «patriotin kushtetutar gjerman» të shkollave filozofike të pas LDB-së. Matoshi i njohur për reagimet e tipit komplotist «të ka shytrë kryeministri ta shkruash», devalvoi debatin dhe nuk dha asnjë përgjigje korrekte dhe të lexueshme. Përkundrazi ftoi biografinë e tij (jo atë të rinisë socialiste) si i burgosur i regjimit serb (dhe la atë se ka qenë ndër intelektualët me partitë që deri para bombardimit besonin në ripërtëritjen e një federate ballkanike) si argument pse edhe teorikisht qëndron. Nuk kanë kaluar ca muaj që Matoshi ra edhe në një kurth tjetër të natyrës raciste, duke quajtur jokosovarët në vend si elemente kontaminuese të lirisë aty.

Në TIRANË, në «Opinionin» e Blendi Fevziut Fatos Lubonja akuzoi Edi Ramën për fjalim fashist. Kjo mirëpo nuk doli poenta e tij, por diçka tjetër që e ka bërë bosht të paraqitjeve të tija publike kohëve të fundit. Citati: «Shihe Kosovën qe gjashte muaj pa qeveri; shihe këtë Menduhin këtu që dëshirojnë t’i nxjerrin sytë njëri-tjetrit me Ali Ahmetin; shihe Kuvendin e Shqipërisë pa opozitë. Dhe ne po kërkojmë një armik të jashtëm». Është kjo dhimbja e thellësive të frymës e shpirtit të Lubonjës pse u merr anë gjithmonë të huajve, nga mllefi; sepse partitë kosovare nuk bëhen një për ta bërë një qeveri, se partitë në Maqedoni nuk bëhen një për t’i dalë ballë shumicës sllave që „tallet“ me ta; se në kuvendin e Shqipërisë nuk bëhen një opozitë e pozitë? Nuk besojmë që Lubonja të jetë bërë kryenacionalisti monist që kërkon suspendimin e demokracisë pluraliste dhe konkurruese kah janë shqiptarët me qëllim që ata të bashkohen (citati e thotë këtë), po çka atëherë nëse ky nuk është argumenti i tij se pse konsideron «Shqipërinë e Madhe» si rrezik të rajonit dhe të fqinjëve? Cili shtet shqiptare ose cilat parti a lëvizje kryesore shqiptare, që nga viti 1950 e këtej e kanë ose e kanë pasur në program «Shqipërinë Etnike» përveç ca grupeve koti që nuk i mbledhin dot më shumë se njëzet veta sa herë që ulërijnë parullën. Faktet materiale nuk ekzistojnë as historikisht e as aktualisht.

Qeveritë shqiptare (Institucionet) dhe mediat reaguan me shumë kulturë ndaj akuzave jashtëzakonisht primitive të Serbisë. Ku bazohen Fatos Lubonja dhe Halil Matoshi kur bërtasin për rrezikun e «Shqipërisë së Madhe»? Tek droni? Sepse ai u glorifikua më shumë si gjest për tifozë rrjeteve sociale, sjellje që e gjen në çdo stadium të botës perëndimore apo në pritjen e lojtarëve të kombëtares? Lubonja do të bënte mirë ta marr Halilin për krahu dhe të vijnë këndej Zvicrës, Gjermanisë, Anglisë për të parë ç’është tifozerinë, sa ekstreme dhe brutale ajo. Edhe politike po. Megjithatë droni ishte mis en place, idiotësi, këtë mund ta thonë. Mirëpo ata nuk gjykojnë incidentin sepse ëndërr dy intelektualët, njëri në Tiranë e tjetri në Prishtinë kanë parë «Shqipërinë e Madhe» dhe nacionalizmin shqiptar e jo dronin katërcepësh me flamurin e qëndisur privatisht?

Për ne që merremi me krahasimin e nacionalizmave në Evropë është më se absurde që disa shpirtra të frustruar rrjeteve sociale t’i bësh bazë diskursi, temë nacionale mbi një dukuri që është edhe më fantom se ai fantomi i Gaston Leroux-së dhe «Monstra», zhgjëndrra e Moravia-s të jetë vrasës vetëm se nuk e di ku ta gjej viktimën konkrete. Matoshi dhe Lubonja janë shumë të vyeshëm për debatin brendashqiptar dhe duhet dëgjuar, mirëpo jo kur bëhen altoparlantë të një fiksimi të një nacionalizmi tjetër ekspansionist që është programatik, strategjik, institucional dhe shumë më i egër se nacionalizmi shqiptar joinstitucional, jostrategjik dhe i paaftë për ty bërë bashkë dy shqiptare në Maqedoni e lere më shumë. Jo aq destruktiv saqë serbët gjatë pledoajesë në UEFA ndoshta i cituan si material pro tyre. 

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.