Çka lyp Qosja?

Qenka tmerruar akademik Qosja. Nuk është hera e parë. Ai tmerrohet shpesh. As Isa Mustafa nuk reagoi si intelektual: edhe ai tmerrua keq. Dy veteranë të epokës jugosllave në Kosovë grinden ndër veti. Për historiografët mund të jetë vetëm mirë, për gjeneratat e reja kjo zhurmë shkakton sigurisht dhimbjekoke e për ata që ikin është një shkas më shumë që të mbërrijnë sa më shpejtë në anën tjetër të globit.

Qosja është tmerruar se Isa Mustafa paska qenë në funksione në kohë të këqija të Kosovës. Pse, ku ishte Qosja? Në kampin e Burrelit? Mbron etërit e Kosovës jugosllave që nga Fadil Hoxha e deri tek Vllasi për ta sulmuar tjetrin që megjithatë në fund të karrierës me fletarrest kërkohej gjithandej si „separatist“. Kërkohej edhe Qosja? Pse nuk kërkohej Rexhep Qosja? Sepse nuk e njohën paramilitarët serb në po atë tren ku gjendeshin Agani dhe disa intelektualë tjerë që as sot nuk dihet se ku i kanë eshtrat?

Megjithatë jo paradokset e kësaj polemike shqetësojnë gjithaq. Kodet që përcjell akademiku në mentalitetin e masave janë nxitëse. „Ia dhuroi“ Thaçi Qeverinë Isës, thotë ai. Sikur të ishte koha kur Lenini ta shpallte pasardhësin Stalinin. Apo sikur Kim Il Sung i parë t’ia dorëzonte çelësat Kim Il Sung-ut të dytë. Qosjes ose i paska ikur faza e demokratizimit të Kosovës dhe zgjedhjet i paska përjetuar nën hipnozë ose nxit qëllimisht: t’i varrim në litar gjithë ata që kanë funksionuar brenda sistemit jugosllav (edhe ai vetë), pavarësisht se a kanë qenë intelektualë, figura statike të një sistemi apo edhe shefa institutesh. Gjithë në litar? Nuk i dhurohet qeveria një të tilli – apelon ai. Ose mos deshi të thotë: PDK dhe Thaçi duhej të mbronin çelësat qoftë edhe me luftë. Si dikur, para luftës qytetare në Shqipëri

Çka donë Qosja kur shohim se nuk reagon nga parimi i të qenit kundër atyre jugosllavëve me funksione të larta sepse shumicën bashkë me veten i mbron?

Vetëm kokën e Isa Mustafës? Nuk besojmë. Ai donë më shumë: që kur të flasë ai jo vetëm demokracia të suspendohet dhe njerëz të linçohen, por po qe nevoja edhe realiteti (lere më historinë) të falsifikohet.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.