Doktrina e gjarprit neoliberal

Psikopolitika neoliberale (pra jo e represionit, burgosjeve, rrahjeve) e Thaçit futi Kosovën politikisht në pasmodernë – me të mirat dhe të këqijat që bartë me vete. Radhën tjetër ndoshta mësojnë edhe tjerët. Pas katër viteve!

Enigma ka mbetur e paprekur: si rezultoi e mundur që partitë më të difamuara të vendit fituan shumicën e votave? Kuturu, argumentehiç u sferëzuan ca «arsyetime» si: «partitë i kanë kapur pjesët më vitale të masës» ose; «populli injorant mashtrohet përherë me premtime sa do boshe të jenë» e të natyrës. Këto arsyetime edhe pse gatilogjike dalin triviale sepse përdoren për shkak të thjeshtësisë narrative që përmbajnë në vete dhe puthin më lehtë dinamikën e raportit politikë-masë, e jo se janë fituar si teza pas ndonjë studimi të proceseve. Nuk janë pra as pikazero e temës, nëse dukurinë duam ta shpjegojmë me instrumentariumin e analizës shkencore.

Ç’ndodhi vërtetë? Me ç’strategji ia doli Hashim Thaçi, që përkundër imazhit të tij prej «shefit të rrjetit të politikanëve dhe oligarkëve më të korruptuar të rajonit»; siç e sugjerojnë shumica e mediave, të «jetë kryedëmtuesi i shoqërisë dhe lirisë së vendit», siç e kanë vulosur partitë tjera dhe pjesë të mëdha të shoqërisë civile, ta mbajë partinë e tij si më të fortën e vendit? Pse Isa Mustafa aq i demonizuar si «titist, nepotist, oligark, politikan me biografinë e dështakut (Prishtina) dhe prind i të birit që korrupton rininë në favor të partisë ku shefon i ati i tij», arriti që ta ripozicionojë LDK – në e rrasur në letargji dhe pa orientim konkret në vendin e dytë? Përdorin partitë shqiptare ndonjë formë represioni siç i njohim nga kohët e vjetra apo merren me hipnozë, manipulime perfide të shpëlarjes së trurit?

II.

Është me rëndësi,  mos themi detyrë e inteligjencies së një kulture të përpiqet të përshkruajë format dhe metodat e aparateve politike se si ato përvetësojnë, kontrollojnë dhe manipulojnë masat. Ky «obligim qytetar» është madje pjesë e atij iluminimit që aq lehtë e rrokullisin nëpër dhëmbë «elitarët» e sidomos publicistët, analistët dhe moralistët. Pse nuk e bënë dhe pse nuk e bëjnë këtë punë?

Deri tashti diskursi dominohet nga kuazihipotezat të tipit të komplot-teorive të gazetares kanadeze Naomi Klein që i solli me pamfletin e saj «The Shock Doctrine» (2007). Aty Klein donë ta universalizojë metodën e psikiatrit nga Montreali të CIA-s, Dr. Ewen Cameron si universale – pra se e vetmja formë e sigurtë dhe që të gjitha qeveritë e bëjnë fshehtas qenka trajtimi i rebelëve nëpërmjet elektroshokëve dhe në panoptikume. Pra eksperimenti i atij psikoptatit Ewen Cameron që kishte mbyllur dhjetëra njerëz për 30 ditë dhe përpiqej që nëpërmjet elektroshokëve t’ua fshijë atyre memorien dhe t’ua implantojë një fanatike, neoliberalë amerikanë qenka pak a shumë brutaliteti se si operojnë sundimtarët. Logjike për Lindjen demode për Perëndimin.

Në fakt nuk është vetëm dobësi e publicistes Klein që s’dinë matej, ta shpjegoj infrsatrukturën e teknikave pushtetore ndaj qytetarëve. As yjet e filozofisë aktuale që merren me studimin e teknikave të pushtetit si Agamben, Sloterdijk, Brown, Badiou nuk na morën asnjëherë si duhet në ekskursion anatomisë së „elitave“ sunduese, respektivisht doktrinave të tyre të manipulimit, për të na demonstruar kapshëm se si funksionon trushpëlarja sot. Këta transmetojnë alarme, parulla, definime mirëpo pa argumente konkrete. As Ati i këtij domeni, referenca absolute e neomarksistëve dhe intelektualëve të rinj Michel Foucault nuk ndez më: Ai na tregon se që nga shekujt e fundit e këtej nuk ka efekt më metoda «vrasjes ekzemplarike» të sunduesit për të manifestuar pushtetin absolut (Vullneti për dije: 1977 /F.162) dhe se shoqëria disiplinohet nëpërmjet «survejimit dhe ndëshkimit» (1976: 175), mirëpo sot nuk është koha e burgjeve propolitike. Kjo teori, sidomos në neoliberalizëm, as për gjysmë nuk na ndihmon tu vihemi në gjurmë teknikave të sunduesve të postmodernës. Nga studimet e mëhershme, ose në linjë me Foucault-në është Gilles Deleuze (Postscriptum mbi shoqëritë e kontrolluara: 1972 – 1990) ai i cili na i dhuron së paku dy kafshë që koincidojnë dhe si bionatyra në përshkrimin e BigData gjeneratës pushtetore, neoliberalëve perfidë. Deleuze përdor urithin dhe gjarprin (Diferenca dhe përsëritja: 1968) për të bërë ecjen e mentalitetit sundues nga moderna në pasmodernë: Urithi gropon në thellësitë e individit, grupeve, qenies, objektit, subjektit dhe nga labirinti i tij tunelor shkatërron sipërfaqen për ta hequr për këmbe në gropë civilitetin. Kjo sipas Deleuze është modernia. Ndërsa gjarpri përdor një teknikë krejt tjetër, njëjtë si në «Gjenesis»-in biblik ai është djallëzor, josh, është i pakapshëm, elegant, intrigues, prandaj edhe shumë më i rrezikshëm se urithi që dështon saherë që subjekti t’ia shtyp kokën me çizmen e rëndë të revolucionarit. Që nga vitet e 80-ta e deri më sot sundon gjarpri, jo ai i Deleuze-s, por ai që në vend të militantëve partiakë për ushtri ka konsumtaorët, liket, follow me-të dhe komunitetet për akëcilën kauzë difamimi, grupimi etj. Gjarpri është logoja, vula metoda, teknika përvetësuese e neoliberalit pasmodern. Po ku e mësuan primatët shqiptarë këtë se?

III.

Edi Rama nuk përdori aq thellë psikoteknologjitë neoliberale të joshjes, integrimit, kapjes dhe optimimit në favor të sigurimit të pushtetit. Dizajni, performanca e përkryer e ekspozimit ishte demonstratë estetike e stilit të tij, arsyet e fitimit të pushtetit nuk shkojnë në konto të strategjisë së «gjarprit neoliberal» por burojnë nga dështimi total i paraardhësve të tij. Shtabi propagandistik i Thaçit ndërsa punoi komplet sipas kësaj formule – duke përfituar herë pas herë edhe nga metoda e urithit në penalizimin e kundërshtarëve. Jo aktivë vetëm në përdorimin optimal të rrjeteve sociale për agjitmin e „Misionit të RI“ por edhe në leximin kontinuitativ të psikogramit kolektiv. Valët e kampanjave shihej se dalin si kundërefekt i një protokolli të dalë nga BigData e një qendre të caktuar. Kjo u pa sidomos në kontrollin psikopolitik të tij mbi mediat dhe opinione dhe atë në tri valë konkrete kampanjash / shok-esh të paramenduara:

A – VIKTIMA:  Gjatë tubimit të opozitës – gjithë kundër Thaçit – jo vetëm se u plasua suksesshëm botës virtuale dhe mediave roli i viktimës, por edhe u luajt mjeshtërisht nga vetë Thaçi nëpërmjet sjelljeve, heshtjes, gjestikës dhe lutjeve; «hajt të qeverisim krejt së basku». Gjë që edhe tek aktivistët militantë të taborit të kundërt shkaktoi një ndjenjë të tipit «këta tjerët nuk janë më të mirë», «Thaçi më shumë e donë vendin se këta tjerët që vetëm pushtetin e kanë në zemër» e të ngjashme.

B – LUTËSI: Nga kjo pozitë e «lypësit të braktisur»  bisedonte fshehtas, gjarprisht joshte konkurrencën për bashkëqeverisje. Paralelisht nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit portretoheshin kundërshtarët si snobë, njerëz të sëmurë për pushtet dhe jokompatibël në kontekst me marrëveshjet kosovare me botën dhe serbët. Si të paaftë për shtet.

C – BURSHTETASI:  Sa më shumë që sigurohej mbetja në pushtet aq më burrështetas (i matur megjithatë) shtatëzohej dhe as kërcënimet nuk i linte mangët sidomos ndaj atyre të cilët as që i kishte llogaritur partnerë që në fillim.

D – TRIUMFUESI: Shpalli koalicionin me LDK-në me asistencë të të huajve dhe tash do të konfigurojë qeverinë sipas strategjisë.

IV.

Nëse këtij fragmenti ( i një analize shumë më të gjatë) ia bashkëngjisim shpalljen e partisë (vetes) «neoliberal», vox suplementarin e PDK-së që nga fillimi (Remin i cili „profetizonte“ për të përgatitur masën e LDK-së për shokun) si argument atëherë modeli i gjarprit del i përkryer. Nga shpejtësia për manovrim komunikativ për të manipuluar me psikogramet kolektive pamë se dikush i Thaçit ka BigData-n e vetë nga ku bën shpartallimin e informatave, modifikimin e opinioneve sipas fazave dhe nevojës. PDK disponon me ndonjë profesionist të dorës së parë, një manipulator par exellance. Gjithë kjo pavetëdijshëm nuk ka mundur se si të ndodhë. Psikopolitika neoliberale (pra jo e represionit, burgosjeve, rrahjeve) e Thaçit futi Kosovën politikisht në pasmodernë – me të mirat dhe të këqijat që bartë me vete. Radhën tjetër ndoshta mësojnë edhe tjerët. Pas katër viteve!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.