Fëmijët azileve, vetë në psikiatri

Asnjë i çmendur nuk na zuri derën. Qendra Psikiatrike e Münsingenit është një kompleks gati sa një fshat. Nën tavanin e njërës nga godinat më të vjetra të qendrës e takojmë Mark D.* (35). Reparti quhet TAM dhe shërben si qendër rehabilitimi për të varurit nga alkooli, drogat e të problemeve tjera.

Shefi i qendrës Dr. Soldatoviç na paralajmëron: „Tragjedia e Markut, nga rrethi i Gjakovës është e tmerrshme dhe e komplikuar“. Të njëjtën na thanë mjekë tjerë (plot me origjinë shqiptare) të kësaj qendre edhe për shumë të rinj nga Maqedonia dhe Kosova, banorë gati të përhershëm të qendrave të tilla. Kryesisht të gjeneratës së dytë në Zvicër.

„Sa të dal prej ktuhit do ta djeg parlamentin. Do t’ia heq kryet kunatës“ – thotë Marku. Kërcënime, mllef, lot. Dhoma e tij si duhanishte: dredh cigare me një shpejtësi që edhe tavolinën e rëndë prej druri e bën të kërcëllojë. Ka pesë muaj që Mark D. nuk i ka parë katër fëmijët e tij. Ata janë të shpërndarë azileve të shumta zvicerane për të mitur. Pse?

Akuza dhe burokratë

Disa metra përballë QP-së gjendet KESB – Enti për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rriturve. Nëpunësit sillen si agjentë të ndonjë policie sekrete. Duhet nënshkrimi i dy prindërve. Ua tregojmë.

Nëpunësja na shikon plot dyshim. Hap dosjen dhe krahason sinjaturat. „Çka doni të dini“. Ne ia bëjmë me gisht drejt dosjes. U telefonon shefave. Na kërkon edhe njëherë Press-kartat. Na e shtyn me nervozë dosjen në tavolinë. Nuk ik. Rri aty ulur si gardiane burgjesh. Lexojmë. Akuzat janë skena të rënda dhe nisin me dhunën në familje dhe përfundojnë me dyshimet për incest. Kërkojmë fakte brenda. S’ka ekspertiza mjekësh. Nuk ka akte ligjore, vendime, hetime. Vetëm letra. Me një dërguese të vetme: kunatën Mira P.* „Mjaftojnë letrat e një personi për ta shpartalluar një familje?“ – e pyesim.

Ajo kap telefonin dhe me një cinizëm burokrateje i thotë anës tjetër në telefon: „Duan të dinë më shumë, a lëshohesh poshtë“. Pas pak vjen një zonjë tjetër. Më me kulturë se e para. Na sqaron: „Mark D. është alkoolik eksesiv, delikuent i regjistruar në polici“, sapo ne rihapim dosjen për të shfletuar ajo „nuk janë aty dosjet policore. Ne kemi të drejtë t’ua hapim vetëm tonat“ dhe kap një dosje tjetër edhe më të trashë. Nxjerr një kërkesë për veprim të organeve nga bashkëshortja e Mark D.

Letrat e kunatës

Zvicerania Anna* D, e shoqja e Markut na pret sypërlotur. „Na prishi familjen alkooli“. E pyesim për akuzat e dhunës dhe incestit. Tund kokën plot nervozë: „Asnjëherë. Janë halucinacione të motrës sime“. Vazhdon të rrëfejë pa u ndalur më se një orë. Mark D. i do fëmijët mbi gjithçka. Problemi i tij është konfrontimi i rregullt me policinë. Në policinë e kantonit ku banon Mark D. na japin të njëjtat informata dhe na konfirmojnë se të gjitha akuzat përveç rrahjeve, vjedhjeve nuk janë të dëshmuara sa për të hapur hetime.

Dy kate më lart jeton kunata Mira* P. Çdo pyetjeje tonë ajo i përgjigjet, njësoj, si papagall: „Ajo familje shpëton vetëm nëse Marku shporret nga jeta e tyre“ dhe urdhëron burrin e saj t’ia sjell edhe një gotë vere të bardhë. Alkoolike? „Keni ardhur të flisni për Mark -un apo për konsumimin tim të alkoolit“. „Për të dyja“ – i themi dhe ajo na lut të largohemi se do t’i vijnë mysafirë.

Azileve për të mitur

Na zihet fryma derisa ngjitemi shpatit të malit mbi qytezën Spiez ku gjendet azili për të mitur. Aty qe disa muaj banon vajza e madhe e familjes D. „Jo, jo nuk ka incest aty. Ajo vuan rëndë sidomos për babin e saj“, na thotë shefi i qendrës dhe: „ajo rri kështu tërë kohën në dritare dhe qan“, sapo na hap derën e dhomës së Ilires* (14) dhe dy kolegeve të saj. Ne pyesim ajo ka vetëm një refren: „Wann kann ich Papi endlich sehen?“ (Kur mund ta shoh më në fund babin). Qan. Fshin lotët me mëngë. Kur kthejmë kokën shohim se edhe nëpunësja e qendrës dhe dy shoqet e saj qajnë. Të gjithë qajnë. Ne shtrëngohemi të mos bëhemi edhe ne pjesëtare të orkestrës së vajtimit. Bernhard Eichenberger, i azilit ku jeton Ilirja, thotë se shpreson shumë në „luftën“ e Dr. Zoran Soldatoviç-it që është duke e bërë me organet dhe beson se familja do të bashkohet shpejt.

Mjeku në ofensivë

Dhe mjeku me origjinë serbo-boshnjake është i vendosur. I sigurt: „Rasti i familjes D. është eklatant dhe as që duhej të ndodhte. Ka raste ku vërtet mungon preventiva e organeve dhe ajo fatkeqësisht vjen si zakonisht e vonuar. Mirëpo, më të shumta janë rastet ku veprimet – sidomos kur janë pyetje shtresat e ndjeshme sociale – organet veprojnë saora dhe shpesh huqin detyrën e tyre“, thotë kryepsikiatri i QP-së së Münsingenit, e cila ka një histori shekullore dhe ku jo pak personalitete të kulturës zvicerano-gjermane edhe kanë shkruar kryeveprat e tyre aty, siç na përshkruan drejtori i kompleksit Rolf Inneichen institutin e tij, duke na konfirmuar se “në PZM ka më pak pacientë nga viset shqiptare e më shumë mjekë të shkëlqyeshëm”.

Dhoma e Mark-ut duket më e rregulluar. Ai ka hequr edhe mjekrën dhe nuk kërcënon si herën e parë: «Sapo u ktheva nga KESB. Më thanë se të shtunën mund t’i vizitoj fëmijët”. Edhe një lajm të mirë ia japim ne. «Dr. Soldatoviç-it sapo i kishte ardhur një letër nga organet dhe informohet se më së fundi në fund të tetorit fëmijët kthehen në shtëpi”. Mark D. Fillon të qajë. Ulet, gjunjëzohet, falënderon zotin e tij dhe gulçon me zë. Fundi i një drame? Ndoshta po. Ne i vihemi pas tjetrës. Janë shumë.

Emrat e shënjuar me * janë ndryshuar nga redaksia me kërkesë të familjes 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.