Harraçi i subjektivitetit

Shumica absolute e teksteve, në mediat shqiptare, duke filluar nga titulli e deri në legjendën e fotografisë ulërijnë nga emocionet, preferencat, perspektivat dhe interesat personale të autorëve. Gjë kjo e lejueshme për autorë librash e opinionesh farekoti mirëpo jo për media dhe institute të dijes. A mund të jetë gazetari shqiptar objektiv?

A është e mundur të jesh shqiptar dhe objektiv? Të mundesh të përshkruash ekstremizmin e një grupi njëkohësisht duke ekspozuar dhe alarmuar kundër tendencës për stigmatizimin e mbarë grupit; të shpalosh defektet e një partie duke mos harruar edhe anët pozitive të saj; të lavdërosh kauzën e një shtrese duke mos harruar edhe defektet e saja; a është e mundur të hedhësh teza, hipoteza, antiteza në një tekst të vetëm pa u shpallur guru, pa të listuar përkrah militantësh semimediokër si vëlla tarafi e misioni; pa të proklamuar si ndjekës shtrigash apo censor, inkuizitor, që duhet kërcënuar me vdekje, që duhet fyer me farë e fis, me të lindur e të palindur? A është e mundur të mbetesh neutral brenda një mentaliteti, i cili me përjashtime minimale vepron sipas formulës bipolare heraklitiane të shabllonit bardh-e-zi dhe nuk le shteg për asnjë alternativë tjetër të mundshme, pa mes e anë pra?

Kush ndjek shtypin dhe mediat tjera shqiptare dy viteve të fundit do ta grushtojë tavolinën triumfueshëm duke garantuar: s’ka laps objektiv shqiptar!

Vërtetë është problem ta lokalizosh një autor që në kontinuitet jep maksimumin të mbetet objektiv, madje edhe kur temat, polemikat, debatet ia involvojnë me dhunë personalitetin, dinjitetin, integritetin dhe nuk u ik dot flluskave kundërsulmuese subjektive në shkrim.

Është keq që shqiptarët janë të «paradënuar» me një temperament kaq eksploziv apo mirë? Po ç’na duhet objektiviteti?

 

PARADIGMAT

As termi «objektivitet» nuk ka mbetur i virgjër nga reflektimet dhe definimet maratonike pothuaj në çdo shkencë e fushë të dijes humane. Ranke, Gervinus-i, Marks-i e deri tek Droysen (Historika: 1858) që e trajtonin nocionin nga perspektiva e filozofisë së historisë mendonin se shpëtimi nga debati qysh atëherë i mërzitshëm dhe virulent do të ishte afirmimi dhe pranimi i një metode universale (ballafaqimi i njohur i argumenteve pro et contra para conclusios) të aplikueshme zyrtarisht në të gjitha institutet e dijes. As kjo paradigmë droyseniane mirëpo nuk mundësonte llogore për t’u mbrojtur nga manipulimi subjektiv i metodës. Pikërisht atë problem që e shpërfaqi edhe Charles Sanders Peirce kur shkruante se «asnjë objekt nuk mund të kapet objektivisht sepse mediumi që interpreton atë është përherë subjektiv». Max Weber-i i vuri vulën versionit të bashkëkohësit të tij duke thënë se çdo metodë – sado teknike të jetë ajo – materializohet (dekorohet) po me ato argumente (favorizuese) të perspektivës së subjektit që trajton temën (Weber. Werke: 1991 Stuttgart). E ky i fundit do ta formuloj edhe përfundimin në sajë të vlerave që i mendon vetë si më të mirat. Qenka objektiviteti iluzion? Po thonë edhe Niklas Luhmann i cili madje nuk sheh asnjë dallim ndërmjet objektivitetit dhe subjektivitetit por i konsideron terme të njëjta në sisteme të ndryshme (hajt po luajmë teze) dhe që varen nga perceptimi i shoqërisë, pra causa publica-ve, mainstream-it. Mohikani i fundit i shkollës së Frankfurtit Jürgen Habermas (Mercur: 1965) – në një trajtesë anti-Hans-Ulrich Wehler hedhë poshtë ekzistencën e objektivitetit dhe gjithçka që kërkon është «bërja transparente e metodës dhe interesave të «hulumtuesit». Përkthyeshëm donë të thotë kjo: një institut që merr të holla nga Partia X mjafton vetëm të bëjë transparente se për interesat e kujt e ka bërë anketën (pra të partisë X) dhe u kry. Çka pastaj? Muhabet kot.

Vërtet është i pamundur objektiviteti? I mundur është, por pse jo në Ballkan ende, si në pjesët tjera të kontinentit?

GADISHULLI SUBJEKTIV

Nuk është çudi që po këtë defetizëm karshi dualizmit objektivitet-subjektivitet e vërejmë në gjithë letrarinë shqipe dhe ballkanike (dhe gjithandej në vendet postsocialiste). Shoqëritë shqiptare, respektivisht elitat e tyre të pakta kryesisht janë të formuara gjatë periudhës së monorealitetit realosocialist. Një nivel dijeje që përfundon tek Marksi, Peirce dhe vazhdon me Luhmann, Badiou e kompani (neokomunistët) dhe tek një pjesë tjetër vazhdon si alternativë zëvendësuese teoria e Max Weber-it (neoliberalët). Të dyja këto rrugë shpijnë mirëpo në Romën e njëjtë. Dallimi i vetëm në mes tyre është cilave prej të dyjave është më kategorike në mohimin apo banalizimin e objektivitetit. Këtu filozofët ndoshta duhet edhe të kërkojnë pamundësinë e një komunikimi paqësor ndërmjet ideologjive, doktrinave, etnive, kulturave të Gadishullit sepse ato janë të formuara me besimin e mosekzistencës së objektivitetit racional – ata frymojnë, kalkulojnë, ëndërrojnë dhe luftojnë vetëm subjektivisht, duke u nisur nga e xhungla e emocioneve në stomakun të tyre e jo nga pasioni për ta gjetur zgjedhjen, kompromisin koekzistencial dhe human.

SHQIPTAR DHE OBJEKTIV?

Në letrarinë shqiptare nuk ekziston fare (ose rastësisht, aksidentalisht) ndonjë indikacion që do të na jepte shenjë për ekzistencën e kokave që njohin edhe ofertat teorike të racionalizmit kritik të nisur nga Karl Popper (1902 – 1994), të përhapur e të definuar formëformule në të gjitha akademitë perëndimore si «pavarësi e mendimit dhe gjykimit nga perspektiva e subjektit, nga situata, preferencat, interesat e tij personale». A është e mundur të jesh publicist, autor shqiptar dhe të jesh objektiv? Po. Shqiptarët nuk janë më të paaftë apo me gjenialë se tjerët. Mediat dhe institutet e dijes duhet të mësojnë nga homologet e tyre perëndimore ku është ndryshe, ku së paku ekziston një standard se si të sillen me problemin e objektivitetit – veçanërisht në sferën e raportimit, informimit dhe seleksionimit të relevancave ditore mediat ende nuk ia kanë nisur punës.

 

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.