Iluministë e iluminatë

UEFA, EULEX, Evropa. E para një klub gatiprivat pseudomagnatësh të sportit. I dyti një aparat burokratik, i përzier me të deleguar nga të gjitha vendet anëtare të Bashkësisë Evropiane. E treta; kontinent në të cilin jetojnë afër 50 shtete, rreth 750 milionë banorë dhe qindra identitete e kultura.

Kur UEFA e Michel Platinit dënoi padrejtësisht shqiptarët, mllefi ishte tifozerik, ekstrem mirëpo i arsyeshëm. Justifikativ ishte reagimi sepse racizmi dhe arroganca serbe që përlau me ditë tëra mediat e deri në kryehierarkinë shtetërore ishte gati programatike, tradicionale dhe e gjithë bota e perceptoi si dasmë lugetërish mesjetarë. Jo vetëm shqiptarët reaguan. Mediat gjithandej botës poashtu dënuan vendimin e Platinit dhe stafit të tij. Vetëm zëdhënësja e baroneshës Ashton, Kojançiç morri qëndrim proserb –për tu bërë referencë pozitive e Beogradit, e njëanshme dhe pa nevojë fare.

Disa javë më vonë ish prokurorja Maria Bamieh nëpërmjet “Kohës ditore” plasi skandalin duke akuzuar funksionarët e EULEX-it për korrupsion; lidhje me nëntokën kosovare dhe bashkëpunim të ngushtë me shërbimet sekrete serbe. Gjëra që dihen më shumë se një vit dhe që frymëzënë funksionimin e EULEX në Kosovë dhe raportin e tij me qendrën në Bruksel tas e dy vite. Nga shumë njohës të aparatit hetues të BE-së, thuhet se shpërthimi i Bamieh do t’i bëjë mirë këtij institucioni tashmë aq të rrjetëzuar dhe pjesërisht sektaresk, sepse ose do ta minojë si të pasuksesshëm ose do ta pastroja nga tumorët e shumtë.

Mediave dhe rrjeteve sociale plasi një debat i ashpër, në të cilin secila ideologji, fé, parti e mendësi tentonte të përfitoj sa më shumë pika për kauzën personale.

ILUMINATËT

Si në ofensivë vërshuan internacionalistët e gjelbërt. Ata që mezi presin «të ngulet Evropa» në ndonjë skaj nga ndonjë «përfaqësues» i saj, për të kërcyer me «imperializmin» që po eksploaton Kosovën materialisht (?!) e në frymë; ata që çdo gjë «perëndimore» saora e me pak citate nga bodrumet e revolucionit të tetorit e determinojnë si komplot klubesh konspirative të kozmosit kundër kësulbardhëve dhe gjithë kombeve të kuqe globit. Internacionalistë të gjelbër, sepse po të njëjtët janë kryesisht edhe apologjetët e hipotezës; myslimanët në Kosovë të jenë të diskriminuar, duke e ushqyer këtë fantazmë me teorinë e ndonjë plaku dandi, ndonjë filozofi ekzotik të Parisit që duket si relikt i viteve të 68-ta. Konkretisht; e kanë ruajtur internacionalen veçse doktrinën marksiste e kanë koktejizuar me islamin politik kështu duke u bë bartës të një «paradigme» aq paradoksale, naive saqë as të qeshësh është banalitet (ateizmi komunist mbron religjionin??).

Ky grup diskutantësh jashtëzakonisht aktiv mirëpo është si magnet. Ai kanalizon shumë shpejtë, qëllimisht padiferencueshëm, mllefin e momentit drejt një ksenofobie, racizmi drejt Evropës si simbol të imperializmit, antishqiptarizmit, antimyslimanizmit. Edhe pse është absurde adresat dhe skandalet që përmendëm lartë t’i plasosh apriori si Evropa vetë – pjesë e së vilës janë edhe shqiptarët.

«ILUMINISTËT»

Nga ana tjetër bënë hatanë «antinacionalistët, kozmopolitët». Në një mënyrë këta, brenda këtij debati shpikën një nacionalizëm të paqenë, keqinterpretuan qëllimisht mllefin dhe revoltën fare provizore shqiptare si të tillë (sepse nacionalizmi është edhe program, traditë e cila manifestohen me simbolikën e “Shqipërisë së Madhe”) për t’iu ligjëruar shqiptarëve se cilat qenka parimet e Evropës iluministe. Studiuar gjithë kampanjën, debatet, tekstet dhe deklarimet i tronditur përballesh me injorancë që asnjë fije lidhje nuk ka me ato çka sot në perëndim konsiderohet si «vlerë evropiane» e mos të flasim që asnjë indikacion minimal, asnjë shenjë dijeje nuk manifestojnë nga paradigmat tashmë historike rreth po atyre vlerave dhe atë duke filluar nga Kanti, D’Alambert, Lichtenbergu, Smith, Locke, Tindal e deri tek Raynal. Nuk kanë njohin as paradigmat e «Frankfurtit» , as të neomarksistëve të «Parisit» e hiç debatin aktual intelektual mbi ato vlera. E natyrshme sepse për këto probleme flasin publicistë e jo ekspertë. Edhe nëse flet njëri ik se i shpifet diskutimi.

Nga kjo analizë e debatit të radhës ndoshta mësojmë se pse çdo debat shqiptar mbi kulturën identitetin, nacionalizmin dhe çdo tjetër izëm është i paradënuar të dështoj. Të dyja palët nuk kanë brengë temat që trajtojnë por duket se duan të imponojnë rrugë kah duhet të ecin shqiptarët, udhë që kurrë vetë as me imagjinatë nuk paskan qenë.

Universalistët (inekzistent – dhe herën tjetër mbi këtë temë)  e kemi fjalën jo si mendimtarë të ndonjë drejtimi të ri, por si çelësa universal mendojnë se mund ta hapin secilën derë, vetëm se dikush ua botuaka çdo halucinacion. Muhabet kot mes diksutantësh edhe më kot mbi tema aq të rëndësishme për shoqëritë shqiptare.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.