Kthetrat e kleptokratëve

Luftë për liçensa e tenderë. Oligrakët rrezikojnë tregun e lirë. Demokracia e kapur nga plutokratët. Shteti – klub grykësish. Askush i pakooruptuar. Shoqëria civile si parashkollë zombi-karrieristësh. Opozitë harraçi dhe kulaçi. Parlamenti përshkruhet si një hordhi piratësh që me dhëmbë e thonjë grushtohet se kush do ta kap kockën më mishëplotë.

Shteti kosovar, me këto përshkrime, kushtimisht të çon mendjen te anija e Captain Jack Sparrow-it në filmin «Pirates of the Caribbean…». Ky imazh sugjerohet përditë – nga mediat, qytetarët, rrjeteve sociale, nga partitë politike dhe seancave të shpeshta të të akuzuarve me profesion politikani. Është ky një zhvillim normal? Edhe tjerët kanë probleme, madje edhe ata që konsiderohen mustra për të «pazhvuilluarit». Demokracitë si ajo italianja dëshmojnë se shqiptarët nuk janë as të parët e as të fundit që saora nuk ndërtojnë dot shtet. Mjafton një Berluskon që ta shndrrojë shtetin dhe hapësirën publike në big-brother –bordel. Mjafton një klub fare i ngushtë plutokratësh (Blocher, Frey, etj.) që për më shumë se një dekadë ta rrezikojnë sistemin, kulturën politike deri tani të demokracisë më të qëndrueshme helvetike. Le Pen-i saherë zgjohet keq e turbullon «grand nationin»-in me racizmin e tij mesjetar. Skandinavisë qëmoti ulërijnë përbindsha flokëpërpjetë sikur të donin t’ia kalojnë vetë Hitlerit për nga retorika dhe mendësia. E kapja e shtetit nga koncernet, multimilarderët ekscentrik, sektet dhe xhonglerët financiarë nuk është as gjetje e as mundësi shqiptare – është problem global që fillon të bëjë traditë. Dallimi ndërmjet shtetit kosovar dhe tjerave qëndron në një pikë tjetër esenciale: tek tjerat shteti bën luftë me grykësit e tyre të bordelizuar, kapjet episodike dhe vazhdimisht arrin të shpëtojë, ta mbajë gjallë ligjisënë dhe shpresën për më shumë barazi, mirëqenie e humanitet. Ky kosovari ndërsa as që ia ka nis njëherë të bëhet shtet. Domethënë nuk i lufton dot fenomenet e këqija sepse fenomen qenka vetë. Se Kosova gjendet në këtë stad nuk janë vetëm oligrakët dhe plutokratët fajtorë natyrisht, mirëpo – sidomos provinienca e majtë kështu – janë më të egërit në thithjen e resurseve shoqërore për interesa të veta. Sa e vërtetë mund të ishte kjo tezë?

II.

Atë që e besonin dhe predikonin Vulgata, Rousseau, Marx-i, Saint-Simon sidomos në shoqëritë pa shtet të konsoliduar del superutopi. Këta ishin kategorikë demokracia të jetë e «vërteta e çdo politike» dhe se industrializimi (mirëqenia, zhvillimi) do ecë në funksion të zgjedhjes së problemit ekonomik, ku ndarja e punës do të evitohet dhe do të krijohet shoqëria e lirë dhe e barabartë për të gjithë. Të drejtë kishte më shumë (së paku deri tani) si duket Ati i liberalizmit ende aktual Aron Raymond që iu jepte të drejtë makiavilstëve kur thoshte: «Asnjë sistem politik nuk mund të parafytyrohet pa oligarki» (Demokracia dhe totalitarizmi: 1970. F.92). Aron nuk besonte se njerëzit do të humanizohen aq sa nuk do të kenë më regjim të prirë nga pak njerëz (=oligarkia), sepse sipas tij është vetë natyra e politikës e tillë ku vendimet merren PËR shumicën e jo NGA shumica. Pra Aron nuk besonte se një ditë modeli i demokracisë së drejtëpërdrejtë (Zvicra) ku shumica voton dhe vendos për çështjet substanciale të shtetit do të përqafohet nga shumica e shteteve. Ai mbështeste të kundërtën, pra se demokracia konzervative gjermane (ku qytetari vetëm voton njiherë në katër vite dhe aq) është ajo që do të jetë stadi që maksimalisht mund ta mbërrijnë kombet. Tërthorazi ky qëndrim manifeston mosbesimin në arsyen e njeriut. Ose është një teori a la «homo homini lupus» (Plautus+ Hobbes) e formuluar me më shumë instrumente shkencore.

III.

Në Gjermani nuk ka mundësi që pakica sunduese të vë diktat sbsolut, për shkak të mbrojtjeve ligjore dhe shoqërisë së fortë civile. Në vendet tjera ndodhë kjo oreçast. Në Kosovë është edhe më keq: pamë vazhdimisht se pushteti ishte jo në duar të një pakice, por si tepër shpesh u bë pré e disa personave. Do të ndodhë deri në pakufi. Asnjë qeveri me këto klasa politike nuk ofron garanci. Këta oligarkë vunë nën kontroll edhe tregun gjysmëlegal me ca plutokratë (sundimi i të pasurve), shumica e të cilëve (bashkë me politikanët) nuk u bënë nga diku tjetër ose me rrogat njëmijë euroshe të tillë por brenda vendit të dërmuar nga skamja. Kemi të bëjmë, në fakt, me një klub prej disa personash që kanë monopolizuar tregun për shkak se kanë shtetin dhe nuk i bëjnë llogari ligjet. Dhe siç pamë së fundi; integrimi i të rebeluarve ndodhë nëpërmjet integrimit në klub e nuk është asfarë politik.Shteti? Shoqëria? Kosovari i sotëm del si viktimë e dyfishtë; e plutokracisë globale dhe kleptokracisë lokale. Kleptokraci (qeveri hajdutësh) për arsye se pasurimi i gjithë këtyre asnjëherë nuk mund të ketë ndodhur brenda njhë tregu të rregulluar me ligj, të barabartë dhe ku do të kishin drejtë kyçjeje të gjithë e në formë legale. Tenderët, liçensat na e zhveshëm metodën si kurrë më parë.

 

Kjo tezë ndoshta na e demonstron edhe arsyen se pse asnjë parti nuk e prek sistemin konzervativ gjermanik të demokracisë kosovare për të kërkuar më shumë për bazën. Nga ana tjetër shihet se vetëm me një presion të civilitetit (që mungon absolutisht si protestë dhe korrektore qytetare) mund të ndodhë shteti, ndryshe jo. Shpresëdhënëse janë aksionet dhe vendosshmëria e shumë eksponentëve politikë brenda të gjitha partive e sidomos brenda bllokut të ri që kanë fokusuar me të drejtë luftën kundër kleptokracisë, sepse pa mbytjen e saj s’ka shtet, ska ligje e demokraci e liri edhe më hiç. Ajo qeveri që do ta mbys kleptokracinë do të jetë ajo që në histori do të jetë ajo e lirisë më shumë se tjerat!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.