Kur shoqëria shpëtoi shtetin nga kolapsi

Janë arrestimet spektakulare të imamëve dhe radikalëve qimeçartur që do të dominojnë kronikën e vitit që ikë? Apo hadesi i pritjes gjashtëmujore, ai modus mortus-i që primatët grindavecë ia detyruan vendit do të jetë monumenti monolit i copëkujtesës me numrin 2014? Dronin në kryeqytetin serb sigurisht se nuk do ta harrojë kush, madje dyshojmë se fluturakja e tifozit kuqezi do të avancohet në legjendë me potencialin për të banuar me shekuj në mbamendjen formëkonzervë të sojit të romantikëve.

Kosova e re ia shtoi vetes edhe një vit pleqërie. Urtësohet apo matufoset? Varet nga bilanci i këtij viti: ndodhi diçka që vërtet hap shpresa apo u përballëm në pasqyrë sërish e shpesh me veten e depresionuar, të paforcë, edhe më eshtragrumbulluar, strukur se sa në kohën kur kishim aq shumë arsye t’i kenë fajet tjerët që na mbanin rob.

POLITIKA është sfera nëpërmjet së cilës shqiptarët justifikojnë çdo dështim të tyre. Këtë konstatim nuk e fitojmë vetëm kur veshët na bëhen viktimë e zhargonit irracional të romantikëve që nuk i gjeti as lufta e fundit, por sa herë kur qytetarit nuk i konvenon diçka ose dështon gjithë kohën kur është zgjuar, ai ka fajtorin në xhep: SHTETI, partitë, politika janë satanokracia që përmbys gjithçka. Dhe fajtori nuk është imagjinar. Ai, shteti, nuk është përgjegjës edhe për ata qytetarë që gjithçka presin në pjatë, mirëpo për dështimet e veta patjetër. Ashtu siç është kontribuuese qeveria e tij edhe për sukseset e ndryshme.

Politika i doli premtimit të saj për të ofruar zgjedhje demokratike zot- në planin e sigurisë dhe „fair playt“ gjatë votimit la shembullin e vendit më të përparuar të rajonit. Përkundër grindjeve shpesh vulgare mediave ato nuk eskaluan në dhunë masive objekteve jku votohej. Arrestimet, ekseset dhe incidentet që i planifikonin grupe të caktuara radikale u menaxhuan mjeshtërisht nga organet e sigurisë.

As këtë vit qeveria nuk arriti të të artikulojë qëndrimet e saja, rolin e saj në kontekst të politikës rajonale dhe globale. Ajo më shumë doli si një filial egosh të huaja se sa një qeveri me objektivat dhe strategjitë për favorizimin e interesave të veta. Për shkak të mosluftimit të korrupsionit shtetëror, paaftësisë për t’i përmbushur katalogjet me kushte të BE-së dhe shumë organizatave të tjera sforcoi izolimin e vendit. Imponoi eksod të ri. As në këtë mandat qeveria nuk deshi të ecë as vijave më të trasha të hartës së mjerimit kolektiv për të përmirësuar diçka: të varfrit janë edhe më të varfër, të sëmurit nuk shërohen për ndihmohen që të vdesin më shpejtë dhe shkollat janë vendet ku të rinjtë as si azile nga katastrofat natyrore nuk duan t’i shfrytëzojnë.

Teposhta në fakt nisi që nga shpallja e zgjedhjeve. PARTITË u sollën si një shtab improvizimi permanent të politikës serioze. Ato harruan premtimet, planet dhe idealet dhe gjithçka reduktuan në maksimën kush do të jetë i pari i fisit. Lufta ndërpartiake e 2014 do të hyjë në kronikë si ajo e subverzionit të self-made men -ëve të Frederick Douglass- it (1818) në disfavor të shoqërisë kosovare.

EKONOMIA me gjithë kanceret që mafiozojnë shumicën e gjymtyrëve të saj nuk rezulton e nivelit që le të vdesin për bukë shtresa të caktuara të shoqërisë. Përkundrazi: ndoshta pikërisht tregu i zi, panormëzimi ligjor, korrupsioni përditësor i të papushtetëve (qytetarëve) ua siguron atyre ekzistencën minimale. Në raste të veçanta edhe më tepër: Përndryshe si do të ishte i mundshëm financimi i ikjes së skamnorëve drejt botës? Si do të ishte i mundshëm financimi i gjithë atyre radikalëve të ushtrojnë terror apo të delegojnë martirë në luftëra të huaja pa qenë të pakorruptuar, jashtëligjor? Edhe një pjesë milionash që derdhet nga diaspora në familjet e vendit, pa zonat gri nuk do të ishte e mundshme, sepse një pjesë e tyre nuk frekuenton kanaleve legale dhe të normëzuara të vendeve nga mbërrijnë. Këtë kanal, edhe më me rrezik e përdorin edhe ca subjekte (parti dhe shoqata) që marrin injeksione financiare nga grupe parapolitike të diasporës.

Gjersa ky korrupsion përdoret si i vetmja mundësi mbijetimi ai që ndodh në politikë është i natyrës totalisht mafioze: Janë të rrallë ata politikanë që nuk lobojnë, punojnë apo janë të lidhur ilegalisht ngushtë me biznese të ndryshme, ku më shumë operojnë jashtë ligjit se sa në suaza të tij. Çdo ministër, drejtor është bërë multimilioner brenda një kohe fare të shkurtër. Askush askujt nuk i jep llogari për veten por secili përpiqet të tregojë se pse dhe çka ka tjetri, gjë që duket sikur bëhet me plan: sa më shumë spekulime ndaj tjetrit aq më shumë spekulime ndaj meje dhe në fund banalizohet e hiperbolizohet aq shumë saqë qytetarët binden se s’ka të vërtetë.

Përtej këtyre dy grupeve (qytetarëve dhe politikës) megjithatë ekziston një ekonomi tregu e ndërmarrjeve të mesme që ecë. Është më shumë kontribut i këtyre që drama nuk është edhe më e thellë dhe që lënë një portë hapur se vullneti ekziston dhe shpresat duhet ekzekutuar fare. Këto si duket krijojnë balancën dhe ruajnë situatën nga eksplodimi total, sepse sidomos nga rajonet rurale dhe semiurbane kanë krijuar një strukur modeste jete për njerëzit ku operojnë.

KULTURA e ka më së keqi. Ishte vit temash diplomash të falsifikuara, profesorësh, rektorësh të instaluar jo për shkak të kualitetit por në sajë të servilitetit. SHKOLLAT – siç thamë edhe më lartë – drejtohen, menaxhohen nga akrobatë politikë që jo vetëm me arsimin nuk kanë lidhje, por mundësisht do të ligjëronin për shefin e partisë e pa libra. Librat e mësimit nuk janë të tilla, por kolazhe insinuatash ideologjike, pa sistem, pa efekt ose të prira për ta shndërruar nxënësin në defekt irracional. Ministria e arsimit merret me politikë e as vitin që shkoi nuk diti ta bëjë një ofensivë vendeve të pasura për ti sanuar së paku shkollat kryesore, për të fituar asistencë në konceptimin e mësimit sipas standardeve të botës e të ngjashme. Universitetet vazhdojnë të jenë kazermat për dëbimin e trurit aktiv. Shkenca? Çka donë të thotë kjo në Kosovë? Shteti edhe për këtë vit dëshmoi se është i pakulturë. Ai nuk qe i aftë as reliktet, muzetë dhe institucionet tjera t’i reformojë sa për të qenë atraktive për qytetarët dhe botën e lere më shumë. Gjithçka çka bën është ngarendja për ti përqafuar (edhe si të vetat) arritjet e individëve në fushën e sportit dhe shpërndarja e çmimeve për tezet e ministrit.

Përtej zyrave të shtetit kanë ndodhur disa ngjarje që flasin për potencialin e shoqërisë që ta mbajnë gjallë dinamikën kulturore. Janë botuar plotë libra – edhe pse pjesa dërrmuese pa ndonjë vlerë relevante. Në shtyp u shfaqën disa analiza mbi shoqërinë, letërsinë, artet edhe në një vit kur shumica e mediave sikur të kishte vendosur t’i bëj atentat kulturës. Mediat vazhdojnë që showbiz-in ta shesin me çdokusht si kulturë e kulturën si rubrikë për zbavitje një klani minor primitivësh. Po në këtë drejtim ecin e dhe televizionit, të cilat në masë kënaqin publikun me saga orientale, ato kopjet e shëmtuara të serialeve amerikane si Dallas, Dinastia të viteve të 70-ta. Debati kulturor në media nuk ekziston. As përshkrimi i veprave, ekspozitave dhe ndodhive tjera të drejtimit.

SHOQËRIA të ishte aktive Kosova do t’i kishte punët shumë më mirë se ç’janë bilancet në fushë të ndryshme të kësaj analize të zymtë. Përkundër kësaj një dritë shpresëmbjellëse brenda shpellës duket. Gjatë fushatave të ndryshme polemizuese për probleme të caktuara dhe gjatë zgjedhjeve mirëpo doli në shesh një shoqëri tepër e pjekur (më rezistuesja e rajonit) karshi sidomos grupeve që çdo gjë donin ta shndërrojnë në krizë kombëtare, revolucion dhe atë vetëm nëpërmjet nxitjeve paushall se sa nëpërmjet ndonjë doktrine serioze u treguan „refuzues estetik“ edhe atë par exellance. Shoqëria kosovare me gjithë problemet e rënda nëpër cilat kalon nuk doli nga shtrati i paqes nëpërmjet histerive nacionaliste, destruktive siç bënë ca të tjera e siç ua mveshën ca vendas të tyre publik. Ajo ruajti gjakftohtësinë sikur më shumë se çdokush nga politikanët, analistët dhe publicistët të kishte kuptuar haraçin që do ta paguante vendi i tyre nëse përlanin rrugëve, madje duke zgjedhur edhe rrugën e ikjes para asaj të demolimit, vanadalimit.

MEDIAT për nga puna shkëlqyen: Portali „Express“ duke thyer tabu pa kompromis dhe duke informuar shpejtë dhe vizualisht bukur për çdo ngjarje të rëndësishme (dhe të parëndësishme). Muajve të fundit ajo morri timonin e mediave më të lexuara online të gadishullit dhe menjëherë pas kësaj ka filluar të stabilizohet edhe në aspektin kualitativ të informimit me komente e analiza që lirisht mund të krahasohen për nga profesionaliteti dhe niveli me ato të mediave të mëdha evropiane. Po serioze dhe profesionale rrin gazeta „Zëri“ që prijnë për nga hulmtimi i temave në kulturosferën shqiptare. Me editorialet dhe reagimin e shpejtë profesional ndaj temave online dhe në print ajo ecë në drejtimin për tu bërë ndër referencat më të mira dhe të besueshme ballkanike. Ajo në pjesën e dytë të vitit ka ndikuar shumë „Agenda Setting“-un e shoqërisë, politikës. „Koha ditore“, dikur gazeta më elitare dhe objektive ballkanike që shërbente si referenca numër një e diplomacisë, mediave të botës ka pësuar luhatje; e para për shkak të luftës agresive, totalisht të njëanshme ndaj politikave e pro partive të caktuara dhe e dyta për shkak të joserioziteti të një pjese editoriale të saj. Kohëve të fundit si duket rikthehet në „misionin e saj“ të informimit dhe analizës objektive. KTV dhe KlanKosova me pjesën e tyre debatuese nuk dallojnë nga TV-të e mëdha serioze, evropiane. Në segmentin filmik, të dokumentarëve janë e keqja e vetes. Në aspektin e sportit: shkëlqejnë brenda mundësive që kanë. Në aspektin informativ (prezantues) u përngjajnë ditarëve të socializmit me moderues sikur zë ishin ata ushtarët e viteve të 70 që në perëndim prezantonin motin: çalime në gjuhë, artikulim katastrofal temash e lajmesh dhe pa asnjë fantazi kreative gjatë ekspozimit. KlanKosova ecë në këtë drejtim. Të tjerat jo.

ÇKA MUND TË NDODHË? -Ka qeveria e sapozgjedhur për vitin 2015 një agjendë, resurse intelektuale dhe mundësi reale që ta menaxhojë ndryshe? Po. Ka resurse, asistencë, njerëz dhe një shoqëri që duron shumë. Do të arrijë ajo që të thyej çelësin e hekurt të ndarjes së pushtetit sipas partive dhe do të bind individë me potenciale të ndryshme që të angazhohen për vendin e tyre? Ende nuk dihet. Tash për tash nuk lëviz ende në këtë drejtim. Bilanci siç e vizatuam lartë nuk duhet të përsëritet. Po u përsërit dhe kushdo që të jetë faktori kryesor do të jetë ai që do ta vrasë lirinë, do ta rrezikojë ekzistencën e shtetit dhe do të hyjë në histori edhe më keq se shumë tiranë, idiotë dhe dandi të historisë së deritanishme kosovare.

Do t’ia kthejnë mediat borxhit kulturës? Do të ashpërsojnë rregullat e tyre për sigurimin e kualitetit të tyre. Po vetëm nëse pavarësohen edhe më shumë nga xhepi i pronarëve të tyre, pra nëse arrijnë që të sigurojnë kafshatë vetë. Kualiteti është i mundshëm dhe edhe pa lexues „kuriozitetesh bioseksuale“ mund të përparojnë në lexueshmëri e shikueshmëri. Më të mirat se të tjerat e rajonit janë qysh tash.

Ekonomia varret shumë nga politika. Nëse ajo nuk është e korruptuar, një vend i vogël si Kosova nuk e ka rëndë të bëjë edhe një diplomaci paralele ekonomike që vërtet mund të bëj „mrekullia“.

Shoqëria civile nuk mund të japë edhe më shumë se deri tash. Ajo i plotësia të gjitha kushtet e një shoqërie, të civilizuar, demokratizuar që është e detyruar të mbijetojë edhe me truqe të zonave gri.

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.