Neofitët e Katilinës

Në aferën e historisë me Turqinë dolën në anën a saj sepse historia vërtet duhet të revidohet. Në kontestin rreth shamisë u rreshtuan krah atyre grusht zonjave që kanë të drejtë të vishen si të duan. Gjatë aferës me „UEFA“-n sulmuan Evropën, gjatë skandalit me EULEX-in sulmojnë po të njëjtën, tash ambasadorja amerikane iu dha shansin të zbaviten me temën më të dashur të tyre „imperializmin amerikan“ – që ua ka vënë syrin kërpudhave të Bahtirit. Analizë veprimtarisë së një rryme politike neofitësh katilinistë që më së paku sot Kosovës i duhen!

Ka muaj që Kosova nuk drejtohet nga qeveria e saj, por më shumë nga konstrukte imagjinative analistësh të pashkolluar për probleme adekuate. Partitë politike qëmoti janë në bankën e të akuzuarve dhe po i bëre një ta japin Katilinën. Shoqërisë gati i këputet gishti po si Ciceronit që e akuzonte psikopatin e Sulës për incest, plaçkitje dhe vrasje të farefisit. Ciceroni nuk pati sukses kurrë. Saherë që i bëhej gjyqi katilit Katilina ai qeshte. E dinte që konsujt e senatit do të ndërhyjnë dhe do ta lirojnë. Dhe ashtu ndodhte përherë deri sa e shkoqën me shpata në betejën e Pistoria-s. Katilinët shqiptarë madje janë të sigurt se as në betejë nuk do t’i shtrijë kush përdhé. Ata vetëdijshëm e pa të nuk mbrohen vetëm nga kolegët, konsoji dhe tiranët e tyre, por paradoksalisht ata shpëtohen edhe nga pseudociceronët e shoqërisë kosovare, ata të cilët me këmbë jo se jo por as me mendje e mendësi nuk e kalojnë e pragun e odës së burrave ku janë formuar, sikur t’i kishte gozhduar historia për murrit të kullës së gurtë. Pse?

1.

Jo vetëm rusët në Ukrainë, izraelitët dhe sidomos shumë vende afrikane e arabe mezi presin fqinjët e tyre të dalin jashtë sistemit, pa qeveri, në protesta e «revolucione», për të ndërhyrë që ta shpëtojnë pakicën e vetë nga lufta qytetare, nga «masakrimi». Nëse nuk kanë kënd aty luajnë me kartën e stabilizimit të rajonit, ruajtjen e paqes apo për të mbrojtur sigurinë e vendit nga depërtimi masiv i refugjatëve e të ngjashme.  Kjo praktikë është gati e përditshme. Pas blic-hyrjes pastaj duhen miliona orë, konferenca, ndërmjetësime me synimin pa efekt për të sjell një lloj ujdie, e zgjidhje problemi jo se jo. Çka e mbron Kosovën nga një ndërhyrje e tillë serbe?

Një revue si histori për ata që harrojnë me qëllim:

  1. Përkundër kontakteve të regjura të CIA-s dhe MI6 me rezistencën e organizuar kosovare kundër regjimit serbe qysh në fillim të viteve të 90-ta edhe politika e dy vendeve të shërbimeve ishin të lidhura pas idesë për shpëtimin e ish-Jugosllavisë.
  2. Me instalimin e politikës së Millosheviçit rezistorëve shqiptarë (të dyja krahëve asaj ushtarake dhe asaj diplomatike – siç i ndanin të huajt ata të krahut të luftës me ata të LDK-së) iu shtuan gjasat për të bindur jo vetëm shërbimet por edhe diplomacitë e disa vendeve se më serbët nuk ka koekzistencë në paqe.
  3. Përkundër mospërcaktimit definitiv të politikës amerikane e britanike se si do t’ia dalin me Serbinë shërbimet e përmendura bashkëpunonin me UÇK-në dhe e trimëronin për të bërë luftë në terren që më vonë – për çdo rast ndërhyrjeje – t’i kenë qoftë edhe si alibi.
  4. Kosova u çlirua nga forcat e NATO-s pas ushtrimit të etnocidit nga ana e qeverisë së atëhershme serbe.
  5. Para, gjatë dhe pas intervenimit ishte një betejë diplomatike – edhe më e rëndë se sa ajo Pistoria-s ku u masakrua Katilina – e anglosaksonëve me BE-në dhe shumicën e shteteve evropiane që kishin marrë turr për ta shpëtuar Jugosllavinë. Këtyre në asistencë iu dolën bashkë edhe forca intelektuale vendore. Mos të flasim për luftën me Rusinë, Kinën, vendet arabe dhe Turqinë dyfytyrëshe.
  6. SHBA-të, Britania e Madhe dhe Gjermania janë vendet që kanë mbetur konsistente në këtë linjë që nga fillimi i viteve të 90-ta e deri sot. Ato edhe sot bëjnë luftë me pjesë të BE-së dhe me pakte tjera që ende nuk heqin dorë nga bllokimi apo rikthimi i Kosovës në „djepin e saj“ serb.
  7. Prezenca e «ndërkombëtarëve» në Kosovë garantohet, sigurohet për çdo ditë, me sakrifica, me luftë diplomatike e prapaskenore po nga këto vende.
  8. Me të gjitha dështimet e EULEX-it janë po këto vende që më së shumti e mbështesin dhe sponsorizojnë këtë mekanizëm të dalë udhé kohëve të fundit se duket të jenë të sigurt se krimin e organizuar dhe krimin politik në Kosovë, shqiptarët, vendorët nuk janë në gjendje ta mundin vetë. Për këtë jemi të bindur edhe ne.

2.

Këto janë arsyet se pse Serbia as që mund të ëndërrojë aktualisht për t’i mbrojtur «të vetët saherë» që politikanët kosovarë me muaj grinden duke harruar shtetin, stabilitetin, sigurinë, me një fjalë qenien e Kosovës. Po mos të ishte kjo siguri Nikoliçi dasmë do të kishte bërë nëpër Kosovë me xhandarët e tij e Vuçiçi telefonin nuk do ta kishte lëshuar prej dorë duke qarë në telefon për viktimat, kishat e djegura, serbët e vetmuar, të përballur me egërsinë e njerëzve me bisht në «Kosmet». Këtë shanse Serbia nuk e ka. Nuk do ta ketë derisa Jacobson me kolegët e saj do të munden të thonë nga zemërplasja edhe publikisht „Mos e dhini punën“! Po si dekodohet mesazhi i ambasadores amerikane? Çka donë të thotë ajo me këtë: „mos na detyroni të ju lëmë në baltë, të ikim, mos u tallni me durimin tonë se mjaftë probleme tjera kemi“, ky është përkthimi. S’ka tjetër. Kështu do ta kenë kuptuar të gjithë ata që racionalisht pranojnë historinë e bërjes dhe arsyet e qenies së Kosovës kështu siç është: shtet dhe e pavarur. Vetëm neofitët nuk duan kështu. Kush janë neofitët e Kosovës? Ata që i janë kthyer dhe janë pagëzuar në religjionin e tyre të vjetër, atë të robit, duke punuar kundra lirisë së tyre, pa e ditur ndoshta as vetë se pse?

3.

Brenda spektrit politik kosovar ka një rrymë, e shpërndarë gjithandej partive politike e sidomos që vazhdimisht denoncon amerikanët si imperialist kolonizatorë. Ky term perceptohet dhe agjitohet ashtu siç e thotë çdo fjalor – e sidomos ata skamnorët në shqipe: «tendencë e një superfuqie e cila pushton një vend a kulturë tjetër për të zgjeruar zonën e ndikimit në aspektin politik, ushtarak dhe ekonomik».

Kontrafaktet: Amerikanët nuk erdhën vetë në Kosovë. Bashkësia Ndërkombëtare me plotë anëtarë brenda saj që madje kanë aversion ndaj «pax americana»-s u angazhuan në përzënien e ushtrisë serbe. Ishin parimisht arsyet politike, të imponuara nga shqiptarët/shqiptaret që bindën amerikanët dhe britanikët t’i shpëtojnë nga asgjësimi. Ndodhi etnocidi.

Çfarë profiti ekonomik mund të ketë një superfuqi si SHBA-të në Kosovë? Disa milionë për firmat e Madeleine Albright, e cila jo se fitoi por doli edhe përlyer në fund? Kërpudhat e Bahtirit të Mitrovicës? Miellin që nuk ia donë Kosovës as binjaku i Skraparit?

Teza rreth imperializmit është aq zbrazët dhe infantile saqë mund të përdoret vetëm kur njeriu nuk gjen send tjetër për t’i demonizuar amerikanët dhe prodhon gjepura të tilla.

Skandali rreth «UEFA», veçanërisht lapsusi i Kojançiçit-s dhe rasti «EULEX» na ekspozuan po të njëjtët agjitatorë, protestues protestave imagjinare që sapo konkretizohen përfundojnë me ndonjë militant elefant që flenë para Kuvendit i vetmuar ose të shoqëruar me ca miq pinë çaj dhe shanë proletariatin e paguximtë. BE, «EULEX go home», ky ishte mesazhi. Ose i maskuar pak me diplomaci: „Ose le të japin rezultate dhe të jenë pa korrupsion ose le të ikin“ (pse kush i korruptoi individët dhe kush nuk bashkëpunon me ta saqë asnjë akuzë nuk e realizojnë dot)?

Tani po pyesim kthjellët: ja po na braktisën EULEX-i, BE, NATO, Jacobsoni ikë se s’donë të përdorë me fjalorin adekuat për të vlerësuar politikën siç është? Të njëjtët do të bëjnë protesta. S’ka qeveri. Partitë përlahen striptizklubeve snobeske të kryeqytetit plot gropa, pa ujë dhe me shkolla protestuese, situata do të dalë duarsh dhe? Kush është me logjistikë, ushtri, kapacitete luftarake nga fqinjët e në gjendje të ndërhyjë për ta ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon? Shqipëria me 2000 kallashnikovë të prodhimit kinez? Maqedonia me përmendoret idiote në vend të tankeve? Mali i Zi me peshqit e Ulqinit dhe muxhiburrahmanët e saj? Kush? Serbia natyrisht.

Askush nuk mund t’i akuzojë «antiimperialistët», «antieuropianët» e rinj kosovarë për politikë të kthimit nën Serbi, sepse ata janë neofitë të pavetëdijshëm, qoftë edhe kur rrjedhin nga familjet tradicionalisht „projugosllave“ (edhe ky rezonim ndaj individëve aktivistë është bioracist) ata nuk e kanë atë qëllim, veprimi politik iu tyre (i analizuar tash e dy vjet) mirëpo ecë drejt synimin të agjenturave serbe të cilat punojnë natë e ditë që ta sjellin Kosovën në atë pikë kur nuk e sigurojnë amerikanët, «posthitlerianët» dhe britanikët e demonit «Toni Blair» që ua prishën ëndrrat e këtij shekulli. Ky është realiteti. Neofitët e Katilinës duhet ta kuptojnë një gjë shumë elementare; Se Pistoria kosovare është për momentin siguria e saj e jo ksenofobia qesharake ndaj po atyre që i urren edhe Serbia se janë aty ku janë.

Legjenda

Ku gjendet ky grafit: në Prishtinë apo Beograd?

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.