Një ndodhi në Helveci

Për tre ditë rresht në kryeqendër të Zvicrës komedia e Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” mbush përplot e përtej karriges së fundit teatrin. Aty flitet shqip e kuptohet në të gjitha gjuhët e mundshme falë mjeshtërisë së lartë të aktorëve!Ata erdhën dhe fluturojnë mbi teatrin zviceran. Jashtë, në kryeqytet, disa minuta para nisjes së shfaqjes kosovare, u zhvillua një spektakël gjigant dritash që pallatin e parlamentit zviceran e shndërroi në kullën e Ajfelit. Vetëm për disa sekonda. Ajo u shemb para syve të mijëra shikuesve. Njëjtë si pjesa paraprake e suksesshme autorit  kosovar Jeton Neziraj me titullin «Shembja e kullës së Ajfelit».  Nga ky spektakël drejt qytetit të vjetër, për në adresën tashmë kryesore të kulturës post-68, të kryeqytetit, në «Schlachtahaus Theater»  ku, ka tri ditë (31, 1, 2 nëntor) që komedia e Jeton Nezirajt “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës” mbush përplot e përtej karriges së fundit teatrin.

SKENA DHE KRITIKA

Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Anisa Ismaili, Adrian Aziri dhe Ernest Malazogu flasin shqip. Ata nuk kanë nevojë madje të flasin hiç. «Ata i luajnë rolet e tyre aq të përshpirtëruara saqë vetëm nga mimika, lëvizjet, pozat dhe interaksioni e rrëfejnë tekstin e Nezirajt në mënyrë të shkëlqyeshme», thotë kritiku Ingo Starz që ka udhëtuar enkas nga Bazeli për të parë komedinë. Gativeterani i skenës Bajrush Mjaku mjafton të thyej kurrizin e të lakohet, të çojë dorën apo të përdhos flokët për të inskenuar, personifikuar përnjëherë e bashkë antagonistin, arkaikun, romantikun për ta sjell finalizueshëm antiheroin e postmodernës. I shkëlqyeshëm për ta prodhuar çdo tip antropologjik të rajonit. «Shtriga», e megazgjuar Rozi (Anisa Ismaili) që detyrohet proforma të flijohet në mision për artin (ekzistencën e artistëve skamnorë) tek ministri pervers (Adrian Aziri), censori dhe shteti në një, i cili vitrinizon mrekullueshëm mentalitetin semifedual, patriarkal gati universal ndaj femrës. Regjisori (Ardian Morina) bashkë me Jamesin (ernest Malazogu) që me avion donë t’ia imponojë botës pavarësinë e vendit të tij presin fjalimin e kryeministrit, presin po si Godoja deri në çastin kur…

«Një komedi si kjo e Jeton Neziraj që aq thellë e aq pastër e përshkruan dramën e vendeve në tranzicion ende nuk kam lexuar e parë. Regjisorja fantastike, autori fantastik dhe aktorët sikur me qenë protagonistët real vetë e jo t’i kenë role», flet e fascinuar kritikja gjermane e ardhur nga Stuttgart Elisabeth Maier. Regjisorja Blerta Neziraj ka mundur ta bëjë një skenë kaq të suksesshme ndoshta edhe sepse autori  «shikon aq thellë dhe përimtësuar në thellësitë e njeriut» siç konkludon kritiku austriak i teatrit vjenez Wolfgang Kralicek.

E vërtetë rezulton edhe ajo çka vërejti kritikja italiane Anna Maria Monteverdi (La Republica, Itali) kur shkroi se komeditë e Jeton Nezirajt «janë arma më fenomenale për të demoluar klishetë dhe konvencionet (…)» retarde shoqërive të sotme. E kjo bëhet vetëm kur autori, regjisorja dhe aktorët të kenë mbrritur në atë pikë nga ku me lehtësi artin e funkasionalizojnë si shprehje dhe motor të situatave shoqërore jo vetëm për ti ekspozuar por kur janë negative edhe për t’i demoluar.

PERCEPTIMI

Komedia e Jeton Nezirajt u shfaqi edhe në Itali e Slloveni ku pati poashtu sukses.

Ajo ironizon pavarësinë e Kosovës, jo si akt, si ngjarje por më shumë si spektakël shtresash e dukurish që më shumë e devalvojnë atë se sa e nderojnë ose e bëjnë aktin historik të shqiptarëve dinjitoz. Se komedia e Nezirajt shkaktoi aq shumë neveri te pushtetarët është krejt e natyrshme, sepse ata janë subjektet (bashkë me romantikët fluturues) që i thumbon, kritikon, destrukton Jeton Neziraj me veprën e tij.

Raritet ishte se ajo u zhvillua në gjuhën shqipe – me mbitituj të përkthyer – në kryeqendrën e Zvicrës, me një audiencë kryesisht të huaj (dhe shqiptarë) në mesin e të cilëve asnjë nuk e gjeje të mos kishte kuptuar diçka, përkundrazi «ishte një përvojë e re, fantastike të përjetosh një pjesë me njerëz të huaj që flasin në një gjuhë të huaj, mirëpo që i kupton aq thellë, aq bukur në gjuhën tënde si njerëzit e tu. Fenomenale», thotë një çift zviceran që gati kanë vendosur ta mësojnë shqipen, sepse «tingëllon aq bukur, aq muzikale, aq dinamike aq gjallë». Arti e bën edhe këtë: e depërton aortën e një kulture, gjuhën, edhe kur e kritikon shoqërinë deri në qelizat më të thella subkutane të tij.

 

Legjenda

 

Skenë nga komedia dhe autori Jeton Neziraj

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.