Për shumë mot Krishtëlindjet

Dy nga mesazhet më të shpeshta që si fije e kuqe përshkojnë gjithë filozofinë e kinezit Konfucio (500 para erës sonë) janë nderimi i të parëve dhe respekti ndaj tjetrit. E dyta është e akumuluar në këtë maksimë: “Mos u bën të tjerëve diçka që nuk donë të ta bëjnë edhe ty”. Natyrisht se edhe para Konfucios, dikush diku mund ta ketë thënë të njëjtën gjë, mirëpo askush para tij nuk e zhvillon këtë qëndrim në filozofi veprimi konkret me synimin për të qenë në “harmoni me gjithësinë”.

Për së dyti herë në historinë e njerëzimit shfaqet edhe një tjetër po me të njëjtën filozofi. Ky është më radikal, do të ketë shumë më shumë ndikim se sa i pari. I dyti ishte ai që hebrenjtë e thirrin Jehoshua, myslimanët Isa e që të greko – latinizuar e njohim të gjithë si Jezu Krishti. Ishte profet, filozof, zot apo vetëm njeri, kjo për ne, kësaj radhe, në këtë tekst, nuk ka rëndësi. Jo me qëllimin për të delegjitimuar të drejtën e milionave që besojnë në të, por më shumë për tu përpjekur që të kuptojmë se pse ai, i linduri në kasolle kafshësh, me fëmijëri në arrati i thanë të jetë Zoti i bërë njeri!

Rreth ekzistencës së tij si njeri sot nuk ekziston më asnjë dyshim. Jo se na thotë bibla, porse flasin edhe kronikat e kohës dhe kundërshtarëve të tij. Është ai pa filozofinë e të cilit (Dhiata e Re) ndoshta as bota oksidentale nuk do të njihte tjetër alternativë për të respektuar perënditë përveçse në stilin “sy për sy”, “gjak për gjak”, me duar-prerje e gurëzime. Pa diktumin e tij “Mos gjykoni, për tu mos i gjykuar, mos mallkoni për të mos u mallkuar, falni që të faleni (L. 60.36)” dhe pa maksimat “Duaje tjetrin si ty vetë … doni armiqtë tuaj” nuk do të kishin asnjë mundësi as themeluesit e filozofisë mesjetare (kishtare) që nga Augustini, Boethius, Alberti i Madh, Akuini e Okhami që tu afrohen Aristotelit dhe Platonit në arabishte për ti domiciluar sërish brenda frymës së kontinentit. Këta ishin detyruar që t’i duan edhe armiqtë e për t’i dashur duhej t’i njihnin. As Dekarti më vonte nuk do të bërtiste dot “cogito ergo sum”, as Lajbnici nuk do t’i gjente “monadat” e as Kanti nuk do përvetësonte ndoshta Jezu Krishtin me imperativin e tij: “Vepro vetëm sipas asaj maksime, që ti do ta dëshiroje si ligj për të gjithë, universal” (1785). A do të mundej Marksi të parafytyrojë shoqërinë komuniste pa e pasur si bazë (mostër) komunitetin e parë të Nazareanit? Filozofia e dashurisë për tjetrin e Jezu Krishtit bëri edhe Erazmin e Roterdamit dhe shumicën e etërve pasues të humanizmit. Se bota ec në shpatulla edhe me një alternativë të dashurisë, paqes dhe harmonisë ndërnjerëzore është kontribut i Jezu Krishtit.

Ky ishte njeriu i tokës. Ky Jezu Krishti. A ia vlen të festohet ditëlindje e një qenieje të tillë? Patjetër, sidomos nga njerëzit!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.