Shoqëria, si projekt intelektual

Cili është projekti individual i politikanit ose i intelektualit shqiptar në favor të përparimit të shoqërisë kosovare, shqiptare?

Kjo pyetje buron nga parafytyrimi: Njeriu që merret me politikë apo ai që vret mendjen për të mirën e vendit, shtetit, demokracisë, lirisë rri natë e ditë ulur në tavolinën e tij private të punës, me dritë e pa të, studion, lexon, krahason, llogarit, mendon thellë e gjatë dhe përgatit konceptin e tij personal të veprimit në favor të atyre për të cilët angazhohet politikisht apo si intelektual.

Skena të këtilla nga historia kemi mjaft. Iluministët për shembull. Francezi Didero me vite sajoi projektin e tij për masivizimin e dijes, e cila atëbotë ishte e rezervuar vetëm për aristokratë, klerikë e monarkë. Rousseau dhe Dickens-i gati me dekada vunë gjithë potencialin e tyre intelektual në shërbim të së drejtës së masave në arsimim human, të barabartë.

Reformatori Martin Luther ia kushtoi gjithë jetën po ashtu projektit të tij të proletarizimit të religjionit, duke sjellë si bonos bashkë me këtë edhe gjuhën e sotme standarde gjermane. Si në rrafshin universal po edhe në atë lokal (etnitë, kulturat, kombet). Shembujt e këtillë janë ndër kapitujt më të rëndësishëm të historisë humane.

Në historinë moderne shqiptare personalitete (lokalisht) që shihet të kenë vepruar me këtë sistem (pra jo si liderë kauzash të gjata, konceptesh tradicionale e proceseve që për kusht kanë rastësinë “të jesh në kohën dhe vendin e duhur”) mund të numërohen: Faik Konica (iluminizmin kulturor) dhe Gjergj Fishta (Alfabeti, Monumentalizimi identitar- epi, koekzistenca fetare etj.), tek veprimtaria e të cilëve qartë shihen konturet e një sistemi të menduar formëprojekti. Tjerë? S’ka rëndësi. Si është puna sot tek shqiptarët?

Politikani

Pjesa dërrmuese e politikanëve sot rekrutohen dhe angazhohen sipas këtij sistemi: nëpërmjet afërsisë rajonale, fisnore, miqësore, lidhjeve dhe të interesit personal ata aderojnë në një parti politike. Sapo shfaqen publikisht varrosin individualitetin. Nëse ua analizojmë deklaratat publike konstatojmë lehtë se paragrafët e programeve partiake që i belbëzojnë gjithandej ose janë abstrakte (se nuk ua dinë origjinën) ose e kundërta e tyre. Po ua bastisëm agjendën e aktiviteteve mësojmë se asnjë ide konkrete nuk e kanë se si të ndihmojnë elektoratin dhe zonën që përfaqësojnë. Nuk kanë projekt personal për përgjegjësinë që kanë fituar nëpërmjet votave. Ose premtojnë e sjellin ide që nuk përputhen me të mundshmen, të realizueshmen, sepse nuk e njohin as vendin e as problemet që duan t’i zgjedhin. Në vend të studimit dhe thellimit në problemet përreth shërbehen me tema të mëdha si: religjionet, dijen, demokracinë, lirinë, identitetin, çështje këto që nuk trajtohen e zbërthehen dot nga shumica prej tyre, sepse nuk ua mundëson as habitusi e as kapaciteti që vitrinizojnë.

Kjo vlen edhe për primatët e partive politike. Ideologjitë e derdhura në programet e tyre politike janë formula tashmë të demoduara të partive tradicionale e historike të Evropës e përtejoqeanit, si ish të shabllonit majtas-djathtas, kapitalizëm-komunizëm e të llojit. Janë prodhime absolventësh të freskët të shkencave politike që si duket kanë mësuar paradigmat përmendsh dhe nuk i njohin as minimal realitetet kulturore, autentike, autoktone të vendit ku funksionojnë punëdhënësit e tyre. Me një fjalë janë përkthime të pavlershme doktrinash e sistemesh të huaja që gjenden në një stad «shekujsh» parashqiptarëve e që nuk ndezin në shoqëritë që sapo kanë parë dritën e vetëqenies dhe lirisë.

Në dialogun me Serbinë si asnjëherë tjetër u pa se Kosova politike nuk disponon me intelektualë të mprehur brenda vetes. Bisedimet ishin njëdimensionale dhe vetëm në favor të projektit të BE-së dhe atij serb. Nga kronika e bisedimeve, protokolleve dhe ngjarjeve lehtë bindemi se të tjerët kanë shkrirë energji intelektuale dhe strategjike për të realizuar synimet e tyre: me finesa, truqe, teknika, po si në një lojë shahu, ku mjeshtrit u lënë kundërshtarëve të manovrojnë vetëm e zhurmshëm me «bujqit», të cilët të parët nisin ofensivën e po të parët gëlltiten lehtë nga «kërcyesit», «dama», «mbreti».

Intelektuali

Intelektuali. Flasim për atributin më inflator në gjuhën e shqiptarëve. Po vazhdoi kështu, nuk zgjat edhe shumë kur njerëzit do të shprehin aversion sapo t’iu themi të jenë intelektualë. Çdo shkronjës, vjershëtor, autor i ndonjë libri, gazetar, publicist, absolvent fakulteti, moderues, deputet e quan veten dhe e thirrin intelektual. Kjo ndodhë në shoqëritë me atë stad arsimimi që ende nuk mund të bëjë dallimin ndërmjet dy sferave shumë të rëndësishme: nuk dallojnë përshkrimin e situatave, multiplikimin e tezave të moçme, protokollimin e realitetit, citimin nga mendimi i thellë, autentik, origjinal, i cili citimet e përshkrimet i përdor vetëm si ilustrim e jo si maskë për të fshehur padijen dhe mungesën e autoritetit brenda një teme të caktuar. Intelektuali dijen e fituar e përdor si instrumentarium për të provuar idenë e tij origjinale retrospektivit e aktualisht e jo si vers të ndonjë libri të shenjtë me kërkesën: shihe Marksi ka thënë kështu dhe hajt të bëjmë gjithë njëjtë.

Nga gjithë ato libra që kemi lexuar (dhe ne nuk i kemi lexuar të gjitha), artikuj, paraqitje autorësh, diskurse nuk e gjejmë për ta identifikuar e lokalizuar një mendimtar shqiptar që nëpërmjet publicistikës (serioze e kam fjalën), letërsisë, arteve tjera, ta ketë ndonjë segment projekt (si ata që përmendëm lartë; arsimin, dijen) të vetin intelektual, apersonal në favor të shoqërisë. Jo të llojit të fiksuar në temat e ditës (punë komentatorësh medialë), por të atillë që një dukuri, proces e kanë bërë projekt personal mendimi, reflektimi e kërkimi të zgjidhjeve dhe vepron konkretisht në atë drejtim. Nuk mund të ketë veprim të njëmendtë intelektual tek shqiptarët se përndryshe shqiptarët e shek. 21 nuk do të kacafyteshin ende me konceptet identitare të shekullit 19, respektivisht të (ri)lindjes së tyre kombëtare; nuk do të flisnin të gjithë për shtetin e keq pa pasur lidhje çka është shteti i mirë; nuk do të shkruanin për dashurinë, duke urryer veten më së shumti; nuk do të ulërinin për lirinë, duke dëshiruar prangosjen e tjetrit; po të ekzistonte fryma operuese intelektuale as ne nuk do ta shkruanim këtë tekst, por do të deshifronim me kujdes veprimtarinë e intelektualëve për t’i transmetuar ato tek masat.

Ndoshta shqiptarët nuk janë populli i privilegjuar i frymës universale. Ndoshta, ata kurrë nuk do të nxjerrin nga vetja Goethe, Hegel-ë, Diderot-ë e të kalibrit, ndoshta ata do të ishin të lumtur po të kishin të tillë në miniaturë; minididerotë, minidickens-ë, intelektualë që kapacitetin e tyre do ta përqendronin për të mirën lokale, rajonale të tyre e ku ta dish donë muzat dhe nëpërmjet lokales bëhen modele të aplikueshme për universalen. Më mirë diçka se hiç!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.