Mrozheku që nuk u pa!

Donika Dabishevci
Donika Dabishevci

Me ndonjë përjashtim të rrallë inskenimet e kryeveprave botërore nga teatrot kosovare, as për së afërmi nuk i janë ofruar madhështisë dhe nivelit të tekstit origjinal.

 

Njohësit e ekzistencializmit dhe teatrit të absurdit tek krijimtaria e Sartrit, Kamysë, Joneskos, Beketit, por edhe Mrozhekut presin të shohin shpërfaqjen e dilemave esenciale jetësore, fatin e individit të zhgënjyer, të tëhuajsuar apo rebeluar, refleksione filozofike për qenien, format e lirisë, zgjedhjen apo kushtëzimin e tyre, humbjen e fillit të të arsyetuarit logjik, përhumbjen në rrafshe metafizike, transcedentale. Presin të shohin personazhe të cilat sikur se ndjejnë kufirin mes jetës e vdekjes, që refuzojnë një realitet e synojnë tjetrin. Presin diskurs të fortë satirik, presin ironizimin dhe stigmatizimin e sistemeve totalitare, fenomeneve shoqërore, kastave politike, e tekefundit presin edhe parodinë.

Një të tillë pritje, e ka patur secili njohës apo lexues i Mrozhekut tek është nisur për ta parë komedinë “Policët” , premierën e fundit në Teatrin Kombëtar për këtë vit.
Mirëpo, me ndonjë përjashtim të rrallë inskenimet e kryeveprave botërore nga teatrot kosovare, as për së afërmi nuk i janë ofruar madhështisë dhe nivelit të tekstit origjinal. Në të shpeshtën e rasteve përshtatjen e kanë bërë regjisorët që identifikohen veç me vetëbesimin e kurajon prej snobësh, ngase të paktë janë ata që përveç njohjes së zanatit të regjisë zotërojnë edhe kulturën e aftësinë e të shkruarit.

Edhe regjisori Imer Veliu, ia kishte lejuar vetes komoditetin e të adaptuarit të Mrozhekut në, siç potencoi ai, kontekstin kosovar, duke ia mveshur, siç ka thënë vet ai “raportin e sistemit të njerëzve që instalojnë rendin dhe ligjin, pra misionarët e huaj në raport me institucionet tona, duke e ditur që ne jemi në vend që po kalojnë nëpër tranzicion”.

Nga një deklaratë e tillë nuk arrihet të kuptohet asgjë, mirëpo përçapjet e tij verbale nisin të kthjellohen me të hyrë brenda sallës së teatrit. Mes rekuizitash skenike flinte një pikturë naive e një ure qyteti që më vonë kuptohet se shenjuaka Urën e Ibrit në Mitrovicë. Uniformat e ca policëve që parakalonin po ashtu ngjasonin me karabinierët e EULEX-it, ndërsa pas kujdesit për të zënë ndonjë figurë logjike brenda tekstit arrihet të kuptohet se misionarë regjisori i paska quajtur punëtorët e një misioni, që dukej të ishte EULEX-i, ndërsa kontekstualizimi në rrethanat e realitetit tonë mbaronte me këtë identifikim.
Mirëpo, aventura e adaptimit fatkeqësisht nuk përfundonte aty. Teksti vazhdonte të ikte nga Mrozheku duke marrë ngjyrat e Veliut, derisa doli duarsh komplet në skenën e parafundit, kur stërzgjatjet e përdhunshme bënë që të këputet tërësisht filli i intrigës.

Por, nëse flitet për një temë të tillë të angazhuar, pro e kundër një misioni, ku dashtë e padashtë duhet të pozicionohesh brenda një qasjeje ideologjike, asesi nuk duhet lejuar vetes që pa përgatitjen e duhur t’ia mësyshë një aventure të tillë. Jo pa e lexuar mirë e mirë Mrozhekun, jo pa i lexuar një dyzinë librash para tij e jo pa e patur edhe një informacion të pjekur e një vetëdije të formuar politike. Ose ose lëre Mrozhekun të pastër ashtu çfarë mrekullisht është, mos e rikonteksualizo fare! Teksti, fjalia janë të pashpirta, edhe ato më të thjeshtat e nxjerrin në pah gjithë kulturën, leximin e formimin e një personi.

E zhgënjyer me nivelin kërkova për ndonjë punë tjetër të regjisorit, mirëpo u ndesha poashtu në deklaratën e tij, se me këtë shfaqje ai është debutant në regji. Se kjo qenkëshka shfaqja e tij e parë ku ai merr përsipër detyrën e përgjegjësinë e regjisorit. Dhe direkt e në Teatër Kombëtar. Në institucionin më të lartë teatror të këtij shteti. Me këtë rast duhet përgëzuar përzgjedhësit e shfaqjes për besimin që ia kanë ofruar dhe për riskun që e kanë marrë, mirëpo poashtu do të duhej t’ua kujtonim se janë edhe ca teatro tjera qytetesh , teatro alternative, teatro të rinjsh ku fillestarët mund ta shfaqin talentin, e të pjeken dalngadalë profesionalisht.

Jashtë problematikës së adaptimit të tekstit, aktorët fatmirësisht nuk na kanë lodhur me patetizma, ishin solid brenda karaktereve të tyre e vende vende edhe kanë shkëlqyer.

Rekuizitat ishin tejet të thjeshta sa që linin përshtypjen e një improvizimi në minut të fundit, ndërsa pamjet e shfaqura me videoprojektor që mbulonin pjesën ballore në skenën e improvizuar si sallë gjyqi linin përshtypjen e një mungese totale të kreativitetit skenografik, pasi që për buxhet të varfër nuk mund të flitet – rreth 30 mijë euro janë mjetet e alokuara për këtë shfaqje nga Ministria e Kulturës.

Megjithatë, shfaqja mund të përgëzohet se u ka ikur disa prej klisheve të stërpërdorura tematike e ideore që ka kohë që torturojnë shikuesit. Mungon aty karakteri i budallait me të cilin tentohet të vjedhet e qeshura e publikut. Mungon akti i dhunimit që domosdoshmërisht se kush e ka vlerësuar që duhet të jetë prezent në çdo film e shfaqje kosovare të pasluftës dhe mungon edhe interpretimi i akullt, patetik dhe i njëtrajtshëm i aktorëve. Ndoshta duhet të mjaftohemi me kaq!/KultPlus.com

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.