Bllokadën e thyejnë vetëm bllokuesit

Analisti politik Xhemal Ahmeti mendon se partitë politike nuk kanë më shumë se dy alternativa: ose të shkojnë në zgjedhje ose të bëjnë helvetizimin e qeverisjes: T’i ndajnë ministritë sipas përqindjes së fituar dhe secila parti ta nominojë kryeministrin e vetë në rotacion, për një vit. Për VV-në thotë se ende nuk është pjekur për të marrë përgjegjësi qeverisjeje.

ZËRI: Shenjat që së shpejti të debllokohet shteti në Kosovë duken larg. PDK thotë se do ta çojë sërish lëndën në Kushtetuese nëse nuk votohet njeriu i tyre si kryeparlamentar?

Ahmeti: Shumica e eksponentëve të partisë më të votuar kosovare duken të vendosur: o edhe ata në pushtet o shkohet në zgjedhje të reja.

ZËRI: Para dhe gjatë zgjedhjeve ju preferonit një model të këtillë, siç e quanit “helvitizim të politikës kosovare” dhe madje manifestonit një simpati të hapur për AAK-në dhe partitë që sot janë koalicion?
Ahmeti: Ishte analizë e situatës në terren. Pas kthimit nga Haga Ramush Haradinaj sillej si më racionali i politikës. NISMA përdorte një garë të shkëlqyeshme demokratike dhe me kulturë pluralizmi. LDK arriti të bind me programin e saj ekonomik. Të gjitha luanin ferr dhe me një angazhim si kurrë më parë. Me helvetizim mendoja kyçjen e të gjitha partive kryesore në qeverisje për mandatin që vjen – me apo pa PDK – në – me synimin për të luftuar bashkë anomalitë, sepse nuk ka eksperiment tjetër politik të suksesshëm në këtë drejtim.

Pas zgjedhjeve mirëpo Haradinaj u bë më irracional se Hashim Thaçi në disa faza kryeneçe të tij. Fiksimi në postin e kryeministrit dhe retorika ekskluzioniste ndaj partisë me më së shumti vota (çka implikon përjashtimin edhe asaj grupe votuesish) na nxorën në shesh një makiavelist e jo një njeri që donë me çdo kusht vendin. Ndërkohë u thyen aq shumë parime pa arsyetime relevante saqë qytetari nuk di më kë ta besoj. Prandaj gjithçka edhe flet për zgjedhje të reja. E kjo është edhe një terror plus për qytetarët, vazhdim i ngërçit, i hutisë, Kosova humbë për çdo ditë më shumë në diplomaci, ekonomi e gjithandej.

ZËRI: Koalicioni mirëpo i përjashton zgjedhjet?
Ahmeti: Nga frika. Në fakt bllokimi i funksionimit të demokracisë, shtetit nis qysh para votimit. U manipuluan votuesit. Secila parti doli me parimet e veta, të cilat janë të veçanta dhe jo të njëjta me ato të tjetrit. Tash papritmas me dy tri muhabete klubeve të kryeqytetit qenkan ato ndër veti kompatible? Si ndodhi kjo? Nuk ka ndodhur. Çdo votues e sheh se lidhshmërinë e bën vetëm privilegji i integrimit në pushtet dhe asgjë tjetër.

Përveç kësaj votuesit i zgjodhën partitë tjera për të dalë nga “ngërçi” se mendonin PDK ta ushtrojë atë me vite e jo për ta vulosur atë. Pastaj arroganca, ultimatumet, kërcënimet e eksponentëve të koalicionit dëshmuan një akulturë politike me të cilin nuk donë më të identifikohet kosovari i shekullit 21, e këta janë ajo shumica që votuan për subjektet brenda koalicionit.

ZËRI: Do të ishte ndryshe po që se marrëveshja të kishte ndodhur para votimit?
Ahmeti:Po, krejtësisht ndryshe. Partitë në garë premtonin por edhe garantonin suksese më të mëdha se ç‘ korën. Nëse partitë, sot në koalicion do ta kishin bërë një marrëveshje të këtillë para zgjedhjeve, harta partiake – politike e Kosovës do të ishte krejt ndryshe; AAK nuk do ta kalonte pragun, NISMA po ashtu jo dhe LDK do të dilte shumë më e dobët. Po u shkua në zgjedhje do të ndodhë ky skenar.
Të huajt kanë frikë nga VV, e cila donë të modifikojë dialogun me Serbinë, të cilin ajo vazhdimisht e ka sabotuar ose ka kërkuar të ndërpritet?
Jo të huajt nuk kanë frikë nga VV. Përkundrazi ata qëmoti janë të bindur se VV i takon asaj kategorie lëvizjes psudorevolucionare që sapo i fut në qeveri “emancipohen”. Pra integrimi i paqëson. Frikë nga VV kanë amerikanët. Jo për dialogun, porse besojnë në të të jenë infiltruar më shumë rryma anti-amerikane, religjioze se sa duhet. Amerikanët janë të bundur se flirtimi i VV-së me radikalistët e islamit politik është shumë i rrezikshëm për Kosovën. Kjo është analizë e tyre që duhet verifikuar.

ZËRI: Gjithçka e bllokuar, sipas mendimit tuaj si të dilet nga kjo krizë?
Ahmeti:Përtej acarimit dhe mbetjes në bllokadë institucionale – sepse PDK nuk do të lëshojë pe – ekzistojnë vetëm dy mundësi reale:
PDK -LDK-AAK-NISMA të ulen në tavolinë edhe për mandatin e ardhshëm t’i ndajnë ministritë sipas përqindjes së fituar me vota. Kryeministrin ta zgjedhin në rotacion, pra çdonjëra parti ka kryeministrin për një vit deri në zgjedhjet e ardhshme. Ky model i jashtëzakonshëm do të kursente vendin nga bllokadat dhe zgjedhjet e shpeshta, në kohën kur Kosova humb kohë.
Të shkohet në zgjedhje duke rrezikuar o dhënien e pushtetit një partie me shumicë absolute ose edhe më shumë fragmentarizëm të opsioneve dhe rikthim në pozitat e njohura, ku partia e madhe me një partner koalicioni i lë tjerat në opozitë.
Çdo manovër tjetër aktualisht nuk sjell gjë pozitive përveçse humbjekohe dhe rrezikim të demokracisë dhe shtetit.

ZËRI: E LVV?
Ahmeti:Sipas mendimit tim LVV ende nuk e dinë qartë çka donë. Luhatja e vazhdueshme e parimeve substanciale për Kosovën manifestojnë një papjekuri që nuk mund të lejohet në qeverisje. Dhe ndoshta amerikanët dinë më shumë se ne: flirti me xhihadistët edhe si doktrinë e LVV-së (kanë qëndrimet e njejta me ekstramajtistët francezë që madje edhe sheriatin ua kishin lejuar si të drejtë speciale të tyre brenda shoqërive sekulare) është problem që ata duhet sqaruar thellë e përgjithmonë para opinionit.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.