Popi, plisat dhe pluralizmi

Demokracia pluraliste nuk qenka sistem për shqiptarë. Ata munden të funksionojnë vetëm duke u lidhur pas Njëshit: kushdoqoftë ai e çkadoqoftë ajo. Historia e një keqkuptimi!

Shoqëritë shqiptare në disa aspekte kanë ecur. Në sferat elementare, substanciale, të përparimit mirëpo kanë ngecur. Ata kanë pranuar demokracinë pluraliste, shumëpartishmërinë, lirinë brenda tregut të ideve, mallrave, alternativave e identiteteve si formën më të përshtatshme të organizimit shoqëror pa i mësuar as si hyrje parimet themelore të saja. Ndër to edhe pa e kuptuar mekanizmin kapital që e mundëson funksionalitetin e një sistemi të tillë: aftësinë për të menaxhuar diversitetin edhe në kushte konfliktualiteti. Se në këtë drejtim asnjë cep i hartës etnike të shqiptarëve nuk është më i avancuar se tjetri dëshmon kjo kronikë e ngjarjeve të fundit.

IRINEJ BËN AGJENDËN

Në një ceremoni interortodokse në Tiranë ishte ftuar edhe kryepopi serb, patriarku i kishës ortodokse serbe Irinej. Në botë kleriku në fjalë njihet si profashist, ultranacionalist dhe njëri nga më aktivët në ikonizimin dhe divinizimin e gjithë atyre të dënuarve për krime lufte në «profetë» të serbizimit. Etiketimet negative që i renditëm lartë popi Irinej i ka merituar si epoleta nga gjithandej, sidomos për shkak të antiboshnjakizmit, antikroatizmit edhe për antishqiptaizmin e tij.

Këtyre ditëve ai ishte në Tiranë dhe tha «Kosova do të jetë gjithmonë Serbi». Një grup të rinjsh shpaluan flamurin serb në shenjë nderimi ndaj tij. Reagimet, konform provokimit qenë të ashpra, pati edhe sysh më të egra se sa vetë ëndrra paranojake dhe areale e popit të Nishit. Kryeministri i Shqipërisë e qortoi publikisht të kishte keqpërdorur mikpritjen dhe ceremoninë fetare për të shpaluar qëndrimet e tij të njohura politike dhe shoviniste.

Po kush e thirri popin në Tiranë? Pse morri pjesë krye-elita pushtetore në ceremoni duke njohur listën e pjesëmarrësve dhe duke ditur se Irinej ka atë qëndrim dhe se është e drejta e tij të shpreh mendimin vetë – sado psikodelikat të jetë – rreth çdo çështjeje. Shikuar nga aspekti intershqiptar problemi nuk është se kush është ai, por shpërfaqet dukuria e paaftësisë së kapuçbardhëve nga njëra anë se nuk dinë si të sillen ndaj pluri-alternativave dhe nga ana tjetër se nuk janë të aftë të kuptojnë të drejtën edhe të psikopatit në mendimin e tij. Poqëse shqiptarët do të kishin kuptuar dy kritere themelore të pluralizmit dhe diversitetit nuk ia kishin kushtuar popit dy tre ditë të diskursit publik, por vetëm do të ishin zbavitur për ca sekonda me ndonjë karikaturë të mirë të ndonjë gazete e cila për subjekt do të kishte leshtakun e Kishës serbe.

DEMOKRACIA E NJËSHIT

«Ne do të fitojmë – të tjerët janë kriminelë, injorantë, tradhtarë» – ky është refreni kryesor dhe më banal i zgjedhjeve në Kosovë. Më tepër se banal sepse edhe defektuoz, arrogant, njëdimensional dhe në thelb transmeton e riprodhon shpifjen si përmbajtjen më relevante, kryesore të garës politike për pushtet. Shpifje sepse kundër tjerëve nuk ekzistojnë gjykime legale për atë që pandehen, arrogante sepse beson në vetëzotësinë e manipulimit absolut të masave dhe defektuoze për demokracinë, pluralizmin dhe diversitetin sepse indoktrinon; Njëshi të jetë zgjidhja e vërtetë e çdo problemi e jo kolegjiumi i deleguar nga demosi dhe shoqëria në parlament dhe organet e shtetit. Ky perceptim i tjetrit, kjo qasje narcisoide e menaxhimit të lirisë edhe pse praktikisht (sistemi e pengon) e pamundshme megjithatë fabrikon depresionin brenda të cilit qytetarit i urdhërohet ose më voto ose më urrej. E jo se unë kam programin dhe projektet më tokësore dhe të realizueshme nga të tjerët.

Nga multiplikimi apo taborrizimi i këtillë pastaj kemi disa grupe sociale e politike që duan t’ia hanë kryen njëri tjetrit dhe nuk arrijnë dot asnjëherë konsensuse dhe kompromise, pa të cilat as që mund të funksionojë demokracia pluraliste. Prandaj mendojmë se liderizmi – votimi në sajë të liderëve – është kontraproduktiv për shqiptarët e kryesisht për shoqëritë në tranzicion sepse mendësia e farkuar në komunizëm vazhdon me një mjet tjetër: dhuna fizike zëvendësohet me atë psikike.

EKOLOGËT E ARMATOSUR

Partia «fituese» dhe në koalicion shqiptare BDI ka urdhëruar degët e saja të paraqesin kandidatët për ministra në qeverinë e Gruevskit. Demokraci brendapartiake për t’ia pasur zili? Jo, si duket. Ja arsyeja: «Mexhiti ka kaluar filtrat partiake për postin më të fuqishëm ekzekutiv shqiptar, falë miqësisë dhe përkrahjes nga kryetari i komunës së Kërçovës Fatmir Dehari, i cili është njeriu më i afërt me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti» (INA). Edhe po ulëriu partia në fjalë deri në qiell të mos veprojë në baza miqësore, të nepotizmit dhe korruptimit strukturor asnjëri prej nesh nuk do ta merrte seriozisht, sepse «tanët jemi» dhe e dimë se si funksionojmë. Se ky model është disfunksional, jokualitativ dhe paaftëson shoqërinë në një sektor konkret ja shembulli: si ministër të Ekologjisë partia në fjalë donë ta emërojë Hazbi Likën, një ish të burgosur politik – rastësisht- i grupit tim, i cili gazetarinë e kreu në Tiranë tek Aurel Plasari dhe «amerikani që ligjëronte me qen», luftoi në Shipkovicë dhe hyri në politikë si ministër pa portofol, perfekt e kështu me radhë. Hazbi Lika është njeri inteligjent, nuk u bë gazetar, mirëpo ç’ka të bëjë ai me ekologjinë? Kjo e fundit është ndërkohë një shkencë natyrore e ekzakte, komplekse që para vullnetin politik kërkon njohuri të fushës. Po kujt i intereson kjo punë – dega vendos!

Nga ky ekskursion hartës etnike shqiptare shohim se në veprim shqiptarët dhe demokracia pluraliste janë dy pole që përjashtojnë njëra tjetrën. Jo se ata nuk dinë se nga t’ia nisin më në fund mësimit të sistemit që kanë preferuar, porse janë më shumë grykës se sa idealistë.

 

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.