Gropat e injorancës shqiptare

Dështimi i paraprogramuar i pseudokomunizmit la pas një gropë të madhe dhe deziluzionuese në frymën e të arsimuarve të shoqërive shqiptare.
Ndodhi më pak për arsye të respektit ndaj ideologjisë së kuqe e më shumë për shkak se të rrallë njihnin alternativa të tjera.
Kjo ndikoi që shumica prej tyre pa përtypur fare «receta» sferash tjera intelektuale u strehuan nën kulmin gativirtual shqiptarocentrist: eufori për atdhe e parti! – kështu i ulërinin deri vonë mendjes shqiptare lokomotivat figurëlideri që sot gati sa nuk rrëgjohen faljekërkueshëm për padijen, misionet e vjetra dhe drejtimet e gabuara, të cilat e kanë fajin përse zgavrat e politosferave të «tyre» ua shtupuan të tjerët, ata që prej së largu ua mbollën arave të frymës doktrinat mijëra herë të dështuara e në antagoni me çdo lloj izmi pragmatik, racional e libertar.
Për çka e kemi fjalën konkretisht? Për primatët politikë (partitë, qeveritë) që për interesa fare afatshkurtra dhe mospranim të padijes i kanë hyrë një loje tepër të rrezikshme që destinon drejt një konflikti të rreptë ndër shtresa, religjione e opsione të ndryshme kuazispirituale – sikur shqiptarët ta kishin luksin plus edhe për devijime të tilla.

Historia
Është metodë e vjetër që humanitetit ia mësuan kolonialistët me anije si: Francisco de Almeida, Diego de Azambuja, Bartolomeo Dias (shek. 15) Christoph Kolumbus, Ferdinand Magellan (shek. 16) dhe gjithë ai divizioni (deri në shek. 20) misionarësh fetarë, eurocentrist e ekspansionist që me yll e hënë, me kryq në gjoks, me shpatë e sëpatë ua mësynin skutave të ndryshme të globit për t’i «shpëtuar primitivët» nga tjetërqenia, duke shkelur e asgjësuar kultura të tëra përtej e ndryshe nga Ötzi, mumia e Similaunit, që u gjet e konservuar në shkëmbinjtë e akullt të alpeve tiroleze.
Esenca arsyetuese e këtyre ekspansioneve (shek. 15 – 19) gjithmonë ka qenë «civilizimi nëpërmjet teomoralit» të njërës, së dytës apo së tretës mitosferë popujsh që kushedi pse nuk çlirohen as në këtë epokë hiperdigjitale nga morbobesimi të jenë të përzgjedhurit e perëndive për ta sunduar botën.
Në këtë kontekst, një konstantë i përshkon të gjitha aksionet ekspansioniste që nga para antika e deri sot: suksesin, efektin më të lartë e arrijnë në ato shoqëri o që janë vërtet maksimalisht analfabete o të çorientuara aq thellë saqë dyshojnë në çdo dromcë të kulturës së tyre. Shqiptarët – që nga rënia e Bllokut socrealist –gjenden në taborin e të fundëve.

Misionet për zotërat
Pse në Shqipërinë e ditëve të para postdiktatoriale agjenturat dhe misionet më të shpeshta «humanitare» ishin të karakterit religjioz? Evangjelistët, dëshmitarët e Jehovës, ortodoksët, islamikët dhe pothuaj çdo sekt ekzistent brenda religjioneve abrahamite pushtuan vendin që nga Saranda e deri në Valbonë për ta shpëtuar Njeriun nga mëkatet.

Në Kosovë ende pa u pastruar shtëpitë e para nga predhat serbe se ç’u vërsulën po ashtu të njëjtët në mision. Në Maqedoni saora nisi ndërtimi i shkollave turke, xhamive, mejtepeve (shkollave kuranore) dhe rekrutimi i çdo analfabeti funksional në shërbim të fesë.

Gjitha këto «misione» janë në shërbim të ideologjive të ndryshme, të cilat nuk dallojnë nga epoka e kryqëzatave, marinarëve pushtues portugezë dhe ekspansionistëve kulturorë të dy blloqeve të djeshme sepse në esencë priren nga strategjira tashmë të dëshmuara pan-nacionaliste dhe kulturocentriste. Të gjitha janë përpjekje masivizimi të një identiteti të caktuar në dëm të tjerëve dhe subversion në konstelacion me diversitetin dhe multikulturalitetin.

Se të tjerët veprojnë në formën e përfolur është amorale, mirëpo realpolitikë. Ata bëjnë të veten dhe kanë arsyet se pse me çdo kusht duan dominimin edhe mbi tokat e plisave të Ballkanit. Po si vepruan e veprojnë shqiptarët në këtë drejtim?

Manifestimet
Ka më shumë se dy vjet që «diskurset» shqiptare, gati për çdo temë, çekuilibrohen nga analistë, altoparlantë dhe gjojapublicistë që me çdo kusht duan të afirmojnë versionin e tyre të identitetit dhe detyrave të shoqërive shqiptare.
Imponueshëm e formëkampanje si në politikë ashtu edhe në kulturë janë instaluar hobiteologë dhe turboeuropianë që fabrikojnë aversion nga «paradigmat» dhe «teoritë» që përfaqësojnë: debatuesit proislamë ta shpifin islamin edhe pa e njohur fare, turboeuropianët që kanë ngelur në nivelin e dijes së Ferdinand Magellan-it dhe kanë keqkuptuar BE-në si projekt të krishterë (krejtësisht e kundërta është) ta gërditin kontinentin dhe ta bëjnë simpatik çdo religjion tjetër që nuk është i tyre.
Qëmoti masat shqiptare janë taborrizuar në këtë drejtim, jo nga kundërshtitë në “filozofirat” e ndryshme, por më shumë për arsye gjeoracizmi, padijeje dhe injorancë të thellë autorësh e mediash klandestine që rrogat i marrin ambasadave turke, arabe e gjithandej.
Ky lloj frymimi publik ka bërë që qindra të rinj shqiptarë t’ia mësyjnë hartave të injorancës religjiofanatike ose të mbijetojnë, duke iu bashkangjitur hallkave të korruptuara të politikës shqiptare.

Qeveritë e gropave të huaja
Qeveritë dhe politikat shqiptare mbajnë timonin e fatit të vendeve jo për ta ruajtur kompaktësinë e tyre, për të siguruar progresin kulturor e ekonomik, por siç shihet më tepër për t’ua ruajtur gropat hapur pan-nacionalizmave të gjithandejshme që ato të kenë vendin ku t’i deponojnë ëndrrat e tyre që janë 1400 apo 2014 vite të vjetra e jo aq të moshuara sa qytetërimi human.
Në kualitetin e debatit, diskurseve, nivelit të institucioneve të arsimit dhe sigurive shoqërore shihet se qeveritë dhe partitë shqiptare janë më injorantët e rajonit.
Sepse nuk kanë arritur as 30 vjet më vonë të krijojnë ligjësinë mbi shkollimin, gjuhën, mediat, antiracizmin, shkollimin, synimet diplomatike, ekonomike, sociale, nuk kanë – asnjëra nga qeveritë – një «doktrinë» konkrete mbi shqiptarët siç është dhe mbi shqiptarin se si është i dëshiruar brenda sistemit që i mbajnë meshë për çdo ditë – pa e kuptuar fare!
Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet shumëkush mendoi apo shpresoi se nga Tirana do të na përlajnë motorët e një frymë të re progresive, konkrete e përparuese dhe çka doli deri tash asgjë më shumë se grahje majtas e jo djathtas, por drejt po të njëjte humnerë.
Ose në mos ndonjëra nga qeveritë, elitat, partitë paskan filluar të mendojnë në këtë drejtim, që gropat t’i mbushin vetë? Jo. Shkupi është vetëm humnera pikënisëse. Tjerat gropa mund të dalin edhe shumë më të mëdha e më të kobshme.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.