Përparësitë e Thaçit dhe defektet e Kurtit

INTERVISTË / Na ndajnë edhe pak ditë para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Kosovë, të cilat zhvillohen më 8 qershor. Fushata tashmë ka hyrë në një fazë të nxehtë, ku edhe përplasjet verbale nuk kanë munguar. Lidhur me fushatën, pritshmëritë dhe zhvillimet apo parashikimet e mundshme, kemi pyetur analistin Xhemal Ahmeti.

Albeu.com: Si po zhvillohet fushata zgjedhore, parë në syrin tuaj?

Prsesioni që kanë partitë duke ecur nateditë fshatrave edhe më të thella rurale; synimi e liderëve për të takuar sa më shumë njerëz personalisht, nervoza dhe përpjekja që nëpërmjet mediave të caktuara (që i kanë përvetësuar) të premtojnë sa më shumë, por edhe sa më konkretisht manifestojnë perceptimin, bindjen e drejtë të partive se nuk është më si dikur apo si në ndonjë vend tjetër përreth, kur me parulla, eufori romantike mundeshe të sigurosh votat. Gjitha këto flasin për një masë të emancipuar në kontekstin e demokracisë pluraliste dhe përgjegjësisë sociale, e cila nuk ta dhuron votën kot, por kërkon përgjegjësi para se të të votojë. Ky është një hap i madh që në Kosovë u dëshmua edhe gjatë zgjedhjeve komunale.

Megjithëkëtë vetëdijësim të partive ato nuk kanë arritur të ofrojnë atë çka pritet. E para për arsye se asnjëra – pa përjashtim – nuk disponon me kapacitetet intelektuale e të nevojshme dhe e dyta sepse të gjitha iu bashkangjitën metodës konkurruese të partisë në pushtet, PDK-së. Domethënë përqëndruan gjitha energjitë në figurën e liderit, çka do t’iu kushtojë jo vetëm partive por edhe vetë vendit, sepse u harruan shumë tema tjera edhe më të rëndësihme për shoqërinë, të cilat sidomos në kohë fushatash mund të afirmohen më së miri.

Albeu.com: Si mendoni se po performojnë me pak fjalë, sipas mendimit tuaj, liderët kryesorë, Thaçi, Mustafa, Haradinaj dhe Kurti?

Thaçi ka natyrisht përparësi në këtë drejtim, sepse ai ka imponuar rregullat e lojës dhe ia ka nisur kur tjerët ende ecejakeshin zyrave të tyre. Edhe nga aspekti i karizmës ai është në përparësi. Pas tij vjen Haradinaj. Mustafa nuk ka asfare karizme. Përkundrazi ai ndikon keq për shkak të curriculumit të tij si pjesë e nomenklaturës ish titiste dhe tipit teknokratik të tij. Pa të LDK do të ecte shumë shpejtë dhe më sigurt drejt fitores. Kurti idolizohet nga militantët e tij dhe urrehet nga gjithë tjerët, kjo nuk ka të bëjë me të personalisht, por me sistemin e pereceptimit të lidërve ideologjikë nga masat. Ai edhe sillet në paraqitjet e tij me një arrogancë të theksuar, jo vetëm ndaj konkurrencës por në përgjithësi ndaj të gjithëve që nuk e cin vijës së tij. E kjo do t’i kushtojë edhe kësaj radhe VV-së.

Megjithatë mendoj se koha e liderëve ka perënduar, së paku në Kosovë, dhe njerëzit do të votojnë në baza utilitare – kush është më i bindshëm në premtimet e tij ai merr pikë.

 

Albeu.com: Ndalemi tek lideri i Vetëvendosjes, Kurti, i cili në një intervistë për Zërin e Amerikës ka shpjeguar edhe mënyrën si do veprohet drejt bashkimit kombëtar. A mendoni se është një ide që mund të besohet apo bashkimi është një premtim që tërheq vota?Këto janë pikërisht defektet e VV-së dhe Albin Kurtit. Romantizmi në kohë të homo rationalis-it ndez vetëm në kohë konfliktesh me tjerët, por jo edhe ndërmjet vetes. Kosovari i këtij shekulli – shumica – e ka tejkaluar si duket fazën e pubërtetit etnokratik dhe përpiqet që në kuadër të sistemit panevropian të sigurojë mirëqenien e tij. Po ky kosovar i vitit 2014 e dinë se temat si «bashkimi kombëtar», «riplanifikimi i ekonomisë me diktat të shtetit», «përcaktimi i valutës» janë tema gjeostrategjike të diplomacisë dhe ekonomisë globale që nuk mund t’i imponojnë shtetet madje as me demokraci të konsoliduar e lere më këto që janë raste sociale dhe nuk ia dalin dot pa Bankën Botërore, emigracionin dhe tjerët. Gati çdo i shkolluar në kosovë e dinë se tema të tilla, premtime të tilla janë kot dhe shumica si duket nuk donë pushtet njëpartiak siç proklamon VV, e cila paralajmëroi se preferon të qeveris vetëm me pakicat (serbe, turke). Prandaj unë mendoj se tema e «bashkimit kombëtar» nuk tërheq vota sepse përceptohet si e parealizuesshme dhe kështu siç don Kurti me potencial konflikti me Bashkësinë Ndërkombëtare.

 

Albeu.com: Cili subjekt politik mendoni se fiton zgjedhjet dhe cili mund të jetë kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës?

Nëse ju besojmë analizave të të huajve dhe nëse cilim terrenit kosovar, aktualisht duket sikur LDK e ka fitoren të pakontestueshme, jo si zgjedhja më e mirë, por për shkak të potencialit të trashëguar. Do të prijë me një dallim fare të vogël nga partia e dytë, e dyta nga e treta e kështu me radhë. AAK duket të ketë siguruar votëdhënien edhe në rajone që deri më tani nuk janë konsideruar si «bastione» të saja. Pastaj NISMA do të befasojë në favor të saj. Kështu që do të kemi një problem për LDK-në, sepse ajo nuk do të ketë dallime aq të mëdha ndaj tjerave dhe do të detyrohet të bëjë koalicion me një gati të barabartë, çka ajo sipas Isa Mustafës nuk e donë. Dhe i cili duke rrezikuar suksesin e LDK-së ëndrron të bëjë koalicion me AKR-në e Pacollit, e cila parti, siç tha analisti Adrian Çollaku është një klub biznismenësh në gjueti pas tenderëve dhe kapjes ekonomike të vendit. Dhe atë edhe me investitorë jo të mirë për Kosovën.

Albeu.com: A mendoni se këtë herë do të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike në Kosovë?

Pa asnjë dyshim. Kosova krahasuar me vendet e rajonit prijnë si shembull. Nuk është ende në stadin e nevojshëm, mirëpo ka përparuar shumë. Dhe në zgjedhjet komunale madje u pamundësu edhe vjedhja e votave. Kështu do të jetë edhe kësaj radhe. Gjithçka flet de loja do të jetë fer.

Albeu.com: A prisni ndryshime në Kosovë pas 8 qershorit?

Ndryshimi do të ndodh. Për këtë janë të vendosur kosovarët me të drejtë. Ata e kanë kuptuar se pa ndryshim në qeverisje nuk ka ecje nga status quoja, nga vendi – në çdo aspekt!

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.