Loja me fé

Tetovë, janar – MacDonald, Holiday, Gold quhen firmat që rrethojnë vendparkimin ku kolegët tanë norvegjezë e amerikanë presin informantin e tyre. Shumica e veturave kanë targa zvicerane, gjermane ose zyrtare. Nga kjo copë disa metrakatrorëshe duket sikur kulturat lokale të Tetovës t’i ketë përpirë globalizimi. As globalishtja nuk mungon: “Good evening” – na përshëndet i prituri. Nëpër qytet zbulojmë sërish atë arkitekturë epokash të shkuara me arna moderne e të para 30 viteve, të asaj faze pra kur qyteti kishte famën të jetë “vatër e nacionalizmit dhe irridentës” shqiptare. Një lloj minisarajeve. Nga dera e secilës punëtori, ëmbëltore, qebaptore del një gjuhë tjetër; turqisht, “boshnjakisht”, arabisht, maqedonisht dhe shqip. E fundit më rrallë.

“Strategjia është e qartë”, nis përgjigjen informanti – i cili ushtron një post të lartë në shërbimet e inteligjencisë maqedonase – ndaj pyetjes; “se çka është duke ndodhur kohëve të fundit?” Cila strategji?

ME ARABOFILI KUNDËR ORTODOKSËVE

Diplomatë të huaj në republikën ende të paemër madje shpesh kanë shprehur habinë për “zemërgjërsinë” e qeverisë maqedonase ndaj investimeve turke e arabe dhe atë jo vetëm në ekonominë e vendit ish-jugollsav, por edhe në sistemin shkollor, atë religjoz. Kryesisht në viset e banuara me shqiptarë etnikë. Ekspertë të huaj e vendës në këtë veprim të qeverisë së Gruevskit shohin strategjinë e tij për dobësimin demografik e kulturor të etnisë realisht më kompaktes në vend – asaj shqiptare.

“Sidomos me plasjen e kauzës së fshatrave ortodokse, të cilat vendosën të deklarohen si shqiptare, qeveria mendon se nëpërmjet turqizimeve dhe myslimanizimeve do të sforcojë multietnicitetin, respektivisht defragmentimin brenda identitetit të etnisë shiptare. Me synimin që ajo për nga përmasat mos ia kalojë asaj sllave që deklarohet “maqedone”. E kjo e fundit ecë tkurrjes. “Shumica këndej ka marrë shtetësinë bullgare”, na thotë ofiqari strumicas N. Konstadinov.

Rrëfimi i dy burimeve tona, i cili gëlltitet me rezervë, duket fare logjik dhe sqaron pse qeveria maqedone ka lejuar turqit që të zhyten me aq shumë shkolla e orgnaizata “kulturore e bamirësie” vetëm në rajonet e populluara me shqiptarë. E njëjta koincidon edhe me metodën e predikuesve radikalë islamikë (kryesisht nga Shqipëria, Kosova dhe vendorë që kanë absolvuar në Prishtinë dhe Damask). Ata në programin e tyre pas rekrutimit (veshja, mirëmbajtj, informimi) dhe para “angazhimit konkret” kanë pagëzimin me emër “kuranor”, që “i shkon shehidit” më mirë. “Kjo bëhet atëherë kur kandidati të ketë mbrrirë stadin total të mohimit të kombit dhe të internacionalizimit islamik të tij”, na thotë imami B.L. që edhe vetë ka dikur për çështje financiare ka punuar për organizata të tilla e sot gjendet si azilkërkues në Zvicër.

LOJA ME FÉTË

Gjersa qeveria maqedone paska një strategji konkrete se pse vetëm sa për fasadë lufton rrymat paraterroriste e radikale. Cili qenka interesi faktorit politi shqiptar që hesht? Pse nuk njoftohen qytetarët me këtë “komplot” turko-maqedon në disfavor të identitetit shqiptar”, siç e quan informanti ynë situatën e krijuar në Maqedoni? Sipas imamit të ikur: “Vetëm kryesia e Bashkësisë Islame e Shkupit qëllimisht është aktivizuar me shkrime e “derse” të potencojë të drejtën e të qenurit shqiptar dhe mysliman, pra se këto dyja nuk e përkashtojnë njëra tjetrën. Partitë sillen sikur të mos e marrin seriozisht këtë fenomen”. Vërtetë? Në fakt BDI nuk vepron fare në këtë drejtim. Partia tjetër PDSH edhe është eksponuar se ka afinitet për “dova” edhe para varreve të atyre figurave që tërrë jetën kanë refuzuar religjionet (Menduh Thaçi).

Këtë e nënvizon edhe komentatori B.T.* i një gazete tüe Shkupi nën frikën e identifikimit të plotë: “Partitë edhe janë bërë të paafta për të operuar në këtë. Ata (islamistët politikë) manipulojnë më pak me ideologji se sa me pare. Njerëzit joshen me 200 – 300 euro shpejtë, kur nuk kanë të ardhura nga askund tjetër, pa punë dhe të lënë pa asnjë përkujdesje sociale. Ata kanë hall, nuk janë si disa intelektualë që marrin shumë më shumë dhe e bëjnë një veprimtari të vetëdishëm”. Po i besuam këtij analisti, atëherë shqiptarët e Maqedonisë shitkan identitetin e tyre fare lirë? Ç’të bëjmë atëherë me ata persona që i njohim si të pasur dhe megjithatë investojnë në këtë drejtim? Problemi duket edhe më i komplikuar. Cili është preokupimi i qeverisë shqiptare apo asaj kosovare kundër decimimit të qëllimshëm të bashkëkombasve të tyre në shtetin fqinj? Parasëgjithash kush luan me fétë në dëm të shqiptarëve?

Sipas disa mediave vendore deri më tani emrat i kanë arabizuar e turqizuar më shumë se tre mijë persona. Dhe kur shteti e mbështet një dukuri të tillë dhe partitë në koalicion heshtin, atëherë ai edhe do të rritet.

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.