Kosova tregon dhëmbët

Nervozë në Beograd. Në Bruksel poashtu. Qeveria e re kosovare transmeton shenja të një kursi të ri diplomatik: moderate mirëpo tregon dhëmbë.

Jo më si deri tash?

Deklaratat e fundit të ministrave të ndryshëm kosovarë rreth krimeve serbe në Kosovë u perceptuan si sinjale të qarta: Prishtina nuk do të vazhdojë matej t’i bëjë amin çdo trysnie qoftë nga miqtë e më hiç nuk do t’iu gjunëzohet presioneve të kundërshtarëve kushtëzues të pavarësisë.

Që nga deklaratat paradoditëshe të ministrit të jashtëm u pa se Qeveria e Isa Mustafës ka krejtësisht kurs tjetër sa i përket dialogut.

Ka vendosur të jetë pragmatike, konkrete dhe të ngulë këmbë në reciprocitet.

Ky është një zhvillim shumë i mirë, ndonëse Serbia duhet të paguajë haraç shumë më të madh si autore gjenocidesh e shkatërrimesh.

Deklarata e Ministrit të Brendshëm Skënder Hyseni i përkon kësaj strategjie.

Ai flet me shifra, fakte të verifikuara që e pozicionojnë Kosovën në anën e së drejtës.

Deri tashti Kosova vetëm nënshkruante dhe jepte amin-in për çdo gjë, gjë që dëmtoi të gjitha palët ngase serbët vazhdojnë të sillen sikur të jetonin ende në Serbi.

E sa të jetë kështu çdonjëra palë le të harrojë integrimin diku dhe stabilitetin.

Ashtu siç e kanë zakon lobet do të bëjnë presionet e mundshme që të vazhdojë politika e deritashme, njëkahëshe, e integrimit sa më të shpejtë të Serbisë në BE.

Nëse Prishtina mbetet e “kulturuar”, e matur dhe argumenton si ministri Hyseni aktualisht, diplomacia e saj do të triumfojë.

Ishte absurde si deri më tani: t’i kërkosh viktimës, të pushtuarit mbi të cilin u ushtrua gjenocidi Gjykatë speciale e pushtuesin as mos ta kesh nën kontroll se ç’bën me kriminelët e tij.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.