Vetëvendosja (nuk) është komuniste!

Dilema që u rishtrua se a është komuniste sepse nuk lejon konkurrencë për shef partie del e kotë, sepse forma e zgjedhjes shfaqet tek të gjitha partitë shqiptare, të cilat ende nuk ndahen dot nga stili i trashëguar i veprimit politik patriarkal.Vetëvendosje! improvizoi demokracinë sepse i ofroi bazës së saj vetëm një kandidat: Visar Imerin.

Pandehjet dolën si rafalë: komuniste; organizatë që nuk duron diversitetin, konkurrencën, procesin inter-demokratik dhe (para)gjykime tjera tashmë të njohura.

„Kampanja“ nuk është e re dhe as prodhim vetëm i keqdashësve të partisë së mbiquajtur e Albin Kurtit. Ajo me sjelljet, veprimet dhe dizajnin që eksponon sugjeron të jetë parti e e ekstremit të majtë.

Anëtarët e saj më aktivë janë ithtarë të Çe Guevara-s dhe semiozave tjera brenda arsenalit ideologjik internacionalist. Për nga programi, temat kyçe mirëpo është shumë më tepër se vetëm kaq.

Profili politik i Vetëvendosjes është i komplikuar sepse le përshtypjen e një doktrine të qëndisur nga ideologji të shumta, shumica e të cilave kategorikisht përjashtojnë njëra tjetrën. Cili është profili i saj në të vërtetë:

MËNYRA E ORGANIZIMIT: Partia përbëhet, organizohet dhe financohet nga votuesit, anëtarët dhe donatorët nga fusha e biznesit. Pra është parti popullore jopërjashtuese ndaj të gjitha shtresave, kjo mirëpo vetëm sa i përket raportit së saj me bazën. Deri më tani ndikimi dhe vetoja e Albin Kurtit e kanë shquar edhe si parti lideri.

Struktura dhe hierarkia e brendshme e partisë funksionon – ashtu si shumica – sipas shablloneve të mësuara në ish LKJ-në jugosllave. Nëpërmjet komisarëve mbahen fraksionet nën kontroll,  rekrutohen të rinj e eliminohen të rebeluarit sipas nevojës (ka disa dëshmitarë tashmë). Flitet se në eliminimin e „mendjeve të acaruara“ përdoren edhe intriga të përmasave të mobbing-ut.

PERSONELI: Shumica e eksponentëve të hierarkisë së VV-së nuk fshehin idealet e tyre për një shtet ku ata do të ishin fuqia absolute dhe e dalë nga vullneti i popullit që do të qeveriste drejt. Partitë tjera në një situatë të tillë do të ishin dekor pa ndonjë rëndësi participimi në sistem.

Ata nuk deklarojnë haptazi se preferojnë modelin socrealist të shtetit sepse nuk duan të djersiten duke shpjeguar se sistemi i tyre do të ishte ndryshe nga ata që deri dje dështuan dhe dështojnë gjithandej. Një komunizëm i modifikuar pra që nuk do përjashtonte as ultranacionalizmin e organizatës që e ka sapo zhytet nga sfera e internacionales në terren, në vend.

MËNYRA E TRAJTIMIT TË SYNIMIVE POLITIKO-SHOQËRORE: Në politikën e jashtme partia pothuaj në shumicën e deklarimeve (programatike) shpreh aversion kundër sistemit neoliberal sepse e konsideron të kapur nga multikoncernet e klubeve kapitaliste të perëndimit (sagë e vjetër dhe e qëndrueshme pjesërisht), pra refuzon ndikimin e politikës globale në atë vendore. Retorika ashpërsohet aq shpesh sa që domosdo ka efekte izolatore.

Njëra nga temat kyçe të politikës së saj të brendshme është „bashkimi i shqiptarëve në një shtet“, pra luan me kartën etnonacionaliste (uniteti në bazë të gjuhës, gjakut dhe racës brenda kufijve natyrorë etnikë) dhe mohon shtetin në parlamentin e të cilit bën pjesë dhe refuzon simbolet e tij, çka e radhit praktikisht me serbët që e bëjnë të njëjtën.

Karshi religjioneve nuk vepron sipas preferencës së Karl Marksit se religjionet janë opium për popullin, por mbështet, konkretisht bëhet avokate e shfaqjeve ekstremiste të islamit në Kosovë. Dhe për më shumë koketon haptazi me eksponentë të tyre.

Pas këtij përshkimi ç’profil na kristalizohet: Dizajnin, simbolet dhe aksionet „spontane“ (protestat, revolta) ika majtiste. Në politikën e jashtme më shumë izolatore. Në politikën e brendshme më shumë nacional-religjioze, për nga mënyra e organizimit më tepër lidereske me struktura të disiplinuara njëdimensionale.

Për nga idealet e shumicës së eksponentëve kryesorë del komuniste e modifikuar. Kemi të bëjmë me një organizatë që është e arnuar me fragmente nga të gjitha ideologjitë e mundshme. Se si mundet ajo që nga ky mikst fragmentesh kryesisht të dështuara si forma veprimi politik (për nga historia dhe aktualiteti) të krijojë një model qeverisjeje të shëndetshme e dinë vetëm ata që deri sot nuk e thanë – ideologët e partisë.

Vetëvendosje! pra e dinë mirë çka donë të thotë pluralizmi, konkurrenca, diversiteti, tregu i lirë dhe demokracia prandaj s’kemi pse i mbajmë leksione. Ajo i dinë aq mirë saqë s’ka fare nevojë për to sepse i konsideron joadekuate për të organizuar lirinë e shqiptarëve.

Dilema që u rishtrua se a është komuniste sepse nuk lejon konkurrencë për shef partie del e kotë, sepse forma e zgjedhjes shfaqet tek të gjitha partitë shqiptare, të cilat ende nuk ndahen dot nga stili i trashëguar i veprimit politik patriarkal.

Të gjitha e kanë nga një lider të përjetshëm me një bazë që vepron sipas direktivave.

VV së paku e bën me qëllim sepse për nga fryma beson të jetë komuniste, respektivisht social… e për nga veprimi gjithçka nga pak.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.