Peshqit e Foster Wallace-it

Në fillim ishte fjala, në fund çka do të jetë? Ndoshta një robot i shtrirë mbi udhën e qumështit duke numëruar para?

I.

Latinët me «cultura» nënkuptonin punimin e tokës. Më vonë kultura u bë korrelat i natyrës. Sot, në postmodernë, asaj, kulturës, i vjen sërish era dhé. Jo si fjalë që në vete mbledh teknikat përkëdhelëse të trajtimit të dheut, por si logo e një depoje kadavrash të pavarrosshme, si tepricë që konservohet vetëm sa për modë. Industrializimi total i globit zëvendësoi sallonet mondane të damave të Parisit ku donkishotët jepnin e merrnin se kush mund të numërojë më shumë poetë, shkrimtarë, libra e filozofë me klubet e zombi-menaxherëve që garojnë se kush prej tyre ka ferarin, swatch-in më të shtrenjtë dhe modelen më të bukur në shtrat. Në Perëndim, shkruan revista zvicerane «Das Magazin»: Ne u japim poetëve tanë shpërblime, nënvizojmë në çdo rast se sa të rëndësishme për shoqërinë tonë të lirë janë arti, letërsia, mirëpo në të vërtetë askush nuk i dëgjon ata (08/2015)». Në Lindje është ndryshe pohon autori i një reportazhi mbi poetin ukrainas Serhij Zhadan, i cili ecën kryq e tërthor vendit duke recituar poezitë e tij para shitoreve, kazermave, hipur mbi tank para ushtarëve, ulur në shkallë para nxënësve, gjithandej. Është «Lindja» vërtet kështu, zona që shkrihet nga e me kulturë apo autori zviceran mezi e ka gjetur një fenomen për ta bërë xheloze kulturosferën e tij që të respektojë më shumë poetin, krijuesin, punëtorin e frymës, artin? Pandehim se aksioni i helvetikasit është klithmë e intelektualit oksidental për më shumë kulturë. Si është vërtet gjendja e kulturës në vendet përtej kombeve të stërindustrializuara? Cili është statusi social i poetit, shkrimtarit, arteve tek shqiptarët?

 II.

«Çka je me profesion?» e pyeti njëri. «Poet», i tha tjetri. Gjuhën nxori gati deri në fyt i treti dhe ktheu shpinën duke kërkuar shoqëri tjetër. Kjo skenë është reale. E rëndomtë në Tiranë apo Prishtinë. Me këtë gjest demonstrativ përballet jo vetëm poeti, por çdo i «kastës» që nuk ka mbaruar ekonominë, marketingun, informatikën, që nuk është biznesmen, pra gjithë ata që si mohikanët e fundit janë strehuar në shkencat humane dhe ngarkojnë buxhetet e shoqërive me projekte nga historia, letërsia, arti. Pse një sjellje e tillë edhe në vendet e varfra ku vetëm dy a tre ferarit, katër a pestë swatschët mund të mos jenë të vjedhur apo origjinalë. Përshtypja e helvetikasit që në «lindje» të jetë më mirë duket vetëm si paranojë e arsyeshme e intelektualit oksidental, ngase problemi është global. Implikueshëm: më hiç shqiptar.

III.

Në diçka tjetër, e jo enkas me industrializimin, ka dështuar humaniteti rrugës për të ruajtur kulturën. Ku dhe si? Profesori kalabrez Nuccio Ordine nis ta shpjegojë këtë në manifestin e tij  «Shfrytëzimi i të padobishmes – pse letërsia dhe filozofia janë të rëndësisë jetike» (L’utilità dell’inutile. Manifesto, Milano: 2013)». Ordine – si shumica pronarëve të deritanishëm intelektualë të kësaj teme – është i bindur bota ta njohë burimin e konfliktit prandaj edhe e honoron me një anekdotë kalabreze (dobësi lokaliste a la italianita) me një prift të quajtur Vincenzo Padula (1819 – 1893), të cilit i ati ia paska lënë urtësinë: «Në këtë botë të mjerë njeriu duhet pasur për të qenë. Kush nuk ka gjë është hiç» – të qeshim pak?

Pikërisht është kjo maksima, çelësi i gabuar i Ordines dhe gjithë programeve tjera filozofike oksidentale sepse kushtëzojnë integritetin ekzistencial të qenies me kapitalin material të tij. Ke je s’ke s’je është formula. Ordine pra e bënë të njëjtin gabim sepse na rrëfen sagën e njëjtë si Dante në Convivio (Gostia), si Petrarka te Canzoniere, si Shekspiri në The Merchant of Venice, si Arsitoteli, Platoni, Kanti, Haideggeri, si Pioncaré, si të gjithë emrat e mundshëm të historisë njerëzore që janë marrë me këtë konflikt. Na tregon (dëshmojnë) se bota është e keqe se është materialiste dhe se intelektuali, krijuesi, artisti duhet t’iu bëjë ballë furtunave duke mos u dorëzuar, qoftë duke bërë jetën e diogjenit, të qenit, të skamnorit, të padinjitetshmit, sepse ia vlen, ngase liria dhe progresi s’janë të mundshme pa arte, pa letërsi, liria e shoqëria pa këto qenka e pamundshme.

IV.

Në fakt Ordine çelësin e ka brenda në vepër, por e kontekstualizon gabim dhe në vend të prapët. Ndoshta për të mos u rreshtuar me utilitaristët që kulturën e shohin si skllave të mirëqenies materiale. Zgjidhja qëndron në anekdotën e shkrimtarit amerikan David Foster Wallace (2008) që më 25 maj 2005 ua rrëfeu studentëve Kenyon College – it: «Dy peshq duke notuar ndeshen me një më të vjetër. Ai kokëtundshëm thotë: „Mirëmëngjesi djelmosha. Si ju duket uji?“ Dy peshqit e vegjël notojnë ca dhe dikur njëri prej tyre kthen kokën në drejtim të tjetrit dhe i thotë: „çka dreqin është uji“?»

Çka na le si mesazh Wallace me këtë anekdotë? Se problemi nuk qëndron tek prezenca e stërbollshme e ujit (kapitalit), por tek mungesa e vetëdijes (trurit) tek peshqit se si të sillen me të. Këtu ia kanë huq filozofia, artet duke e demonizuar ekonominë, duke i shpallur asaj luftën e përjetshme të jetë mallkimi qenieprishës i qenies humane. Utilitaristët nga ana tjetër duke privilegjuar si alfa dhe omega të jetës paranë, pasurinë pa sjellë një mendësi të barabartë ndërmjet pasurisë dhe qenies e kanë kompleksuar negativisht edhe më shumë problemin.

V.

Shqiptarët janë pré e të njëjtit keqkuptim historik. Një shans më shumë se perëndimorët e kanë sepse ende nuk i kanë të dyja: as pasurinë, industrializimin total por as kulturën nuk e kanë përlloçur përvdekshëm. Nëse mësojnë nga tjerët mund edhe shembull të bëhen. Ku ta dimë?!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.