Si të lexohet formula „Bashkim shqiptar“ në kuadër të BE-së

Çka ndodhi në Pallatin e Kongreseve në Tiranë? U vunë themelet e bashkimit shqiptar apo kemi të bëjmë vetëm një spektakël retorik? Anti-unionistët i ka kap paranoja e pro-unionistët inati! Parulla një tokë, një popull, një ëndërr megjithatë qoftë simbolikisht është një premtim i fortë në favor të Bashkimit. Më shumë hë për hë skanë çka presin asnjëra palë!

Ditë e zezë sot duket për anti-unionistët. Për ata që kombin me shumë shtete – qoftë edhe si version tipik shqiptar – e përjetojnë si traumë, si diçka të keqe, rakitike për rajonin dhe për Evropën. Tezat e kësaj kategorie mbështeten mbi ekzistencën e dy mentaliteteve në politikë, kulturë e sfera tjera ndërmjet shqiptarëve dhe shqiptarëve kosovarë. Çka edhe qëndron. Teza formëgogoli se me bashkimin ndërmjet dy a më shumë „shqiptarive“  do të egërsohet nacionalizmi shqiptar nuk faktëzohet dot as atëherë kur „Plisat“ – de fakto të „babë Sulltanit“ -bëjnë eksese me flamuj të zi dhe kuq stadiumeve lokale.

Ditë gri duket edhe për pro- unionistët. Këta thonë se gjithçka është kozmetikë. Mbase  në esencë kanë të drejtë pak a shumë, mirëpo as këta nuk dinë të kthjellojnë sa duhet mllefin e tyre – u mungojnë argumentet objektive. Kjo sjellje i shpalon më shumë si inatçorë se sa analizues real politik: duken sikur më shumë të kenë frikë mos iu grabitet tema bosht nga kundërshtarët e tyre politikë se sa vërtet të kenë kuptuar ndonjë gjë. „Bashkimin“ per express siç e trumbetojnë ata vetë, asnjëherë nuk arritën ta vizatojnë që ta kapin edhe vetë se si duan ta bëjnë.

Ditë me shi e mjegull edhe për mediat. Këto sepse për analistë kryesorë kanë ata që saherë përmendet „Bashkimi“ i shqiptarëve fillojnë të ekzekutojnë me fjalë  edhe më keq se Vuçiqi e Nikoliçi në ditët më depresive të tyre. Pra nuk analizojnë por bëjnë propagandë pro fiksimeve të tyre.

E çka ndodhi vërtet: Të hënën në Pallatin e Kongresit Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan 11 marrëveshje bashkëpunimi që nga arsimi, bujqësia, siguria e deri tek bashkëpunimi në përfaqësimin diplomatik e të ngjashme. Të gjitha këto marrëveshje që nënshkruan sot burrështetasit shqiptar janë katalog i Bashkëpunimin Rajonal të Politikave të BE-së që u kërkohen shteteve në BE dhe atyre që duan të aderojnë në BE. Marrëveshje të tilla kanë qëmoti Franca, Gjermania, Belgjika, Italia, pjesërisht Anglia, Skandinavët dhe të gjithë. Në rastin e shqiptarëve del puna më pak specifike për shkak të gjuhës së njëjtë, dëshirës për bashkëpunim special e më të thelluar, mirëpo asgjë në kundërshti apo përtej kufijve që lejojnë politikat e Brukselit. Madje në plan afatgjatë dhe si objektiva të BE bashkëpunimet të tilla edhe do të dalin demode (këtu mund të flitet për një paradoks tjetër) sepse në shumicën e segmenteve ndërshtetërore synohet, dëshirohet një politikë e centralizuar kontinentale.

Gjithçka që këtë ngjarje e bëri speciale dhe më shumë se ç’është rezultoi nga retorika e burrështetasve për ta shitur si pikënisje konkrete, ceremoniale për në bashkim kombëtar. E bënë për marketing të brendshëm politik. Megjithatë bashkimi do të bëhet, në Evropën e nesërme, atëherë nëse me referendum dy  popujt e shteteve vendosin diçka të tillë ose të kundërtën. Kjo nuk nuk do të ishte në kundërshti të asnjë konvente të OKB-së (përkundrazi) e as të BE-së. Ashtu edhe në të kundërtën. Sot është herët dhe joserioze të flitet për diçka më shumë. Paranoja e analistëve por e kundër më shumë ka të bëjë me fiksimet e tyre se me atë çka ndodhë.

auto_te_gjithe1427108790

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.