Pragmatizmi racional si çelës suksesi?

Intervistë e Lirim Gashit me Jon Lekën. Intervista është zhvilluar „live“ në facebook me datën 3 dhe 4 prill 2015.

10153931_754001881285050_3951933544849851514_n
Intervistoi Lirim GASHI

Lirim Gashi: I nderuar Jon, cili është perceptimi yt ndaj ekzistencës në përgjithësi, dhe cilin vend e mban atdheu në ranglistën e prioriteteve tuaja nëse e posedon një të tillë?

Jon Leka: Për mua nuk ka ndonjë koncept të qartë se çka duhet bërë me qenien saktësisht, ashtu siç nuk pati edhe për Heideggerin, Sartre-in dhe ekzistencialistët e tjerë. Përpiqem ti mbetem besnik versionit epikurian të jetës: Carpe diem – përpiqu ta jetosh ditën sa më mirë, duke e pasur poashtu maksimën e humanistëve parasysh: mos u bën keq tjerëve, respektivisht angazhohu edhe për tjerët.
Atdheu është toka, që lidhet me gjuhën, me përjetimet e para, me prindërit pra me shumë segmente konkrete që ti i bartë në vete.
Atdheu tjetër është ai i formimit tënd si njeri. Lidhja me atdheun është një nga vlerat kapitale. Në një rang-listë do të gjendej në majë natyrisht, është pjesë e origjinës, habitusit tënd.

Lirim Gashi: Nëse do ta përshkruaje Jon Lekën si do ta bëje këtë?

Jon Leka: Problemi më i madh është ta përshkruash vetveten. Ndaj të tjerëve mund të jesh objektiv, ndaj vetes jo. Megjithatë do të përpiqem… Si një altruist që hidhërohet shpesh me botën, jetën, ekzistencën, njerëzit, por sapo e zë pasqyrën e parë dinë ta shoh tjetrin para vetes dhe bindet shpejtë se ai, tjetri, ka vlerë dhe se ti nuk je i përkryer.

Lirim Gashi: Gjendja e gjithëmbarshme në viset e banuara me shqiptar është e rëndë. Cilat janë shkaqet objektive dhe subjektive që e stimuluan një ecuri të tillë?

Jon Leka: Shqiptarët janë nga popujt që më mirë jetojnë në gjendje presioni se sa në liri. Kur e kanë të fundit me çdo kusht duan të spostohen te ajo e tjerëve, sepse nuk duan të djersiten shumë.

Nuk i kemi kapacitetet e nevojshme as intelektuale, por as si shoqëri s’kemi shumë vullnet për të qenë më ofensiv në bërjen e jetës sipas dëshirave tona. Megjithatë vërehet një erë e re ndryshimi në mentalitetin shqiptar. Presim pushtete më të mira. Punët nuk i kemi për tu lavdëruar!

Lirim Gashi: Cilat janë sipas teje pengesat më të mëdha në rrugëtimin tonë, drejtë një ardhmërie më të mirë dhe cilat prej tyre i kanë rrënjët e shtrira, në të kaluarën tonë specifike ?

Jon Leka: Problemet më të mëdha janë mungesa e institucioneve të arsimit, shkollat, demokracia, sjellja ndaj lirisë dhe shtetit, të cilat ende nuk kemi nisur ti ndërtojmë me paramendim. Na erdhën të gjitha ashtu si në pjatë dhe bëjmë sikur t’i kemi këto qëmoti. Pa jetuar kurrë ne demokraci, pluralizëm u shpallëm demokrat – po kush na përgatiti për aty?
Të gjitha këto duhet të mësohen. Ndryshe si implementohen? Këtë nuk e bëri askush. Dhe ne mbetëm sikur me ta dhënë një aeroplan dhe hip e grahi – pa mësuar navigimin kurrë! Sidomos intelektualisht jo!

Lirim Gashi: Sikur të mund ta ktheje kohën mbrapa cilin vit do ta kishe zgjedhur si më të përshtatshmin për t“i inicuar nismat përmbajtsore kombtare?

Jon Leka: Në sajë të dëshirave, shqiptarët në çdo kohë dhe në çdo periudhë, kanë dëshmuar dhe iniciuar proceset për realizimin e vetes, lirisë, identitetit, kombit të tyre. Problemi ka qenë se nuk kanë ditur dhe nuk kanë mundur t’i realizojnë ato deri dje. Të tjerët të japin ose të tolerojnë aq sa ka aftësi dhe zgjuarsi për ato që i synon.
Pas LDB- së ka qenë momentumi më i përshtatshëm gjeopolitik që shqiptarët ta kapnin momentin e demokratizimit dhe formësimit nacional kompakt , mirëpo u iki nga duart se nuk dinin të bashkohen dhe nuk patën më shumë forcë. Megjithatë asnjëherë në histori shqiptarët nuk kanë përjetuar epokë më të përshtatshme se tani.

Lirim Gashi: Cilat janë sipas teje lëshimet më fatale politike gjatë dhe pas luftës së fundit?

Jon Leka: Nuk pati asnjë lëshim fatal. Gjithçka shkonte sipas një regjie (të pashkruar prej dikujt) në favor të shqiptarëve. Sikur një fuqi e mbinatyrshme të kishte vendosur pro shqiptarëve edhe kur ata grindeshin. Po të ishin bashkuar, do të ishte gabim fatal. Pra po të bashkohej „krahu i luftës“ me atë „pacifistin“, nuk do të ndizte strategjia sepse ishin dy fronte të domosdoshme për ta përvetësuar perëndimin në interes të kauzës shqiptare. Në njërën anë forca që ndizte terrenin e në anën tjetër politika e rezistencës paqësore dhe diplomacia – të cilat përplotësonin njëra tjetrën në mënyrë të përkryer strategjike. Gabimi shqiptar për luftën nuk ekziston

Lirim Gashi: E pas luftës?

Jon Leka: Pas luftës ndryshon situata në disfavor të shqiptarëve…Problemi qëndron tek ajo që thash më lartë. Pas luftës shqiptarët vendosën për sistem politik pluralist, vendosën te jenë demokraci, mirëpo në këtë e sipër u ndeshën me dy probleme dramatike: e morën të imponuarën, dëshiruarën pa asnjë kusht duke menduar se me të mund ta zëvendësonin të vjetrën, autenticitetin e tyre, madje ndaj të fundit duke u sjellë me një nihilizëm infantil, çka nuk shkon.

Lirim Gashi: Situata e krijuar nuk zbriti nga qielli e as nuk u strehua pas reve nga dielli. Si erdhëm këtu ku jemi? Nëse ti do të ishe kryetar i qeverisë së parë të pasluftës ku do t’i kishe vendosur gurët e parë në themelin shtetndërtues?

Jon Leka: Në ligjësi, siguri, arsim dhe tregun e lirë (e jo të zi) do të kisha orientuar gjithë energjinë e fillimit. Pa ndërtimin e përpiktë, rigoroz të këtyre segmenteve nuk ecë askund, dhe as s’ka se si ecë, siç shihet. Nuk është investuar sa duhet dhe me seriozitet.

Lirim Gashi: Sikur të kishe qenë kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, cilën strategji do ta kishe përdorur ndaj Serbisë së gjunjëzuar dhe cila taktikë në raport me Serbinë do të ndikonte sipas teje në mënyrën më efikase në tejzgjatjenn e agonisë së saj dhe natyrisht në pamundësimin e këndelljes së saj?

Jon Leka: Absolutisht nuk do të kisha investuar energji për lënien e Serbisë në agoni. Apo për të bllokuar atë për diku. Edhe shteti i ish agresorëve të shqiptarëve ka të drejtë për ditë më të mira, si çdo vend tjetër. Shqiptarët janë zemër-mëdhenj e jo hakmarrës. Nga an tjetër do të isha i ashpër. Do të kërkoja para çdo rihyrje në kontakt dëmshpërblime, kthimin e pasurisë së vjedhur, dokumentacionit dhe shumë gjërave tjera. Nuk do të kisha lejuar të bëj dialog pa kushte parimore siç u bë më vonë. Jo patjetër njohja, por së paku pa kërkuar falje për krimet. Precedentë për këto ka historia gjermano-franceze dhe shumë raste tjera. Qeveria shqiptare hyri e papërgatitur fare dhe më së keqi pa integritet.

Lirim Gashi: Serbia u këndell me një shpejtësi të jashtëzakonshme nga agonia pas luftërave të humbura. Sa ndikoi Zoran Djindjić në përshpejtimin e këndjelljes së saj sipas teje?

Jon Leka: Ka ndikuar shumë pozitivisht në favor të serbëve. Pra ishte një kohë kur serbët bënin çmos që t’i rikthejnë miqtë e humbur dhe reputacionin, ndërsa shqiptarët përlaheshin kush të marrë më shumë tenderë dhe nuk u interesonte politika shtetërore e jashtme se mendonin që të huajt ua kryejnë të gjitha. Madje po të ishin shqiptarët më intelektualë atë kohë, do të përfitonin shumë nga qenia e Zoran Djindjić në udhëheqje. Ai ishte moderat dhe me vizione të njëjta siç i ka Rama sot për Evropën dhe për demokracinë, shtetin juridik e të ngjashme!

Lirim Gashi: Nëse në historikun e marrëdhënieve shqiptaro-serbe të pas luftës së dytë botërore ka ekzistuar një epokë tejet e volitshme për ndryshimin konstruktiv të perceptimit të elitës politike serbe ndaj shqiptarëve cila ishte ajo sipas teje?

Jon Leka: Përveç periudhës së Zoran Djindjić, i cili vërtet filloi të ndërtojë një perceptim korrekt dhe me respekt ndaj shqiptarëve, fatkeqësisht asnjëherë më parë nuk ka pasur një gatishmëri nga ana serbe. Ndërsa shqiptarët kanë dëshmuar shumë herë se kanë vullnet koekzistence. Sidomos elitat serbe kanë qenë ato që kanë bërë çmos që shqiptarët të perceptohen si të egër, si të rrezikshëm dhe të pabesueshëm.

Lirim Gashi: Çka ngjallin në kujtimin tënd emrat Marko Nikeziq dhe Latinka Peroviq?

Jon Leka: Yje liberale të shuara shpejtë, që nuk arritën te ndikojnë fare ne mendësinë serbe dhe për të ndikuar në atë shqiptare ishte tepër vonë.

Lirim Gashi: Cilat ishin ndryshimet më destruktive të BE-së dhe USA në perceptimin e tyre ndaj raporteve Serbi-Kosovë?

Jon Leka: Këtu është problemi më i thelluar. BE është një strukturë e cila nuk ka koncept dhe qëndrim – dhe nuk e ka pasur kurrë – të qartë rreth shtetit të Kosovës. Mos harrojmë se jo pak shtete brenda unionit, por edhe shoqëritë si ajo gjermane dhe franceze kanë qenë aktivisht kundër bombardimeve të NATO-s. SHBA të përndryshe janë të vendosura se shtetësia e Kosovës nuk do të vihet kurrë në pikëpyetje. Këtu shqiptarët bënë gabim me lëshimet e tyre kronike ndaj BE -së. Edhe sot e kësaj dite BE operon me politika dyanëshe, perfide që vënë në pikëpyetje shtetin e Kosovës, në vend se të flas qartë me serbët se ka mbaruar puna e tyre në Kosovë. Kjo situata mbjell shpresa në Serbi dhe mban te tensionuar situatën nder dy shtetet. Pa SHBA-të, Britanikët dhe me këto qeveri Kosova do të kishte humbur shumë.

Lirim Gashi: A ishin të metat tona politike dhe diplomatike arsyet që i shërbyen faktorit ndërkombëtar si alibi për ta ndryshuar negativisht esencën e perceptimit ndaj raportit Kosovë-Serbi?

Jon Leka: Pa asnjë dyshim se politika e pazgjuar kosovare ka dëmtuar shumë perceptimin konstruktiv të të huajve ndaj Kosovës. Kosovarët u desh të jenë më pak dorëlirë ndaj BE-së.

Veriu është rezultat i kësaj politike joserioze! Mirëpo edhe faktori ndërkombëtar, respektivisht, pjesë të tija nuk mësuan nga historia dhe bënë dëm me lejimin e Veriut. Nuk duhej të lejonin krijimin e një zone të tillë, sepse ishte e qartë se serbet do ta shfrytëzojnë atë si portë për të krijuar sa herë që të duan probleme.

Lirim Gashi: Nëse bariu i dobët e sjellë ujkun në torishtë si e vlerëson faktin që politikës sonë zyrtare iu vërsulën me dhjetëra barinj direkt nga malet e fushat, me zellin e ujqve

të uritur për gjah institucional ?

Jon Leka: Fatkeqësia e Kosovës, mendoj pas shpalljes së pavarësisë po edhe para qëndron në faktin se as në shkallët dytësore të organizimit të pushteteve nuk u inkuadruan intelektualë elitarë, por njerëz që vetëm patriotë, pa përgatitje, pa asnjë përvojë të duhur për ta ndërtuar pushtetin. Partitë që vepronin në formë bajraqesh i zunë pozitat dhe fare nuk u interesuan për ndërtimin kualitativ të institucioneve.

Lirim Gashi: Sistemi i tanishëm prodhon mediokër. Sa do të ishte i domosdoshëm sistemi vlerësues meritokrat?

Jon Leka: Po një sistem pa institucione arsimi, pa shtet të konsoliduar nuk prodhon gjeni ose individë që me merita avancohen. Për të qenë meritor duksh duhet të dijë se si vihet deri tek meritat. Veç pas një emancipimi të nevojshëm mund binden partitë se politika nuk behet me djemtë e axhës, shokët e klasës, por me kuadro të forta, tek të cilat duhet të investohet.

Lirim Gashi: Si do ta përshkruaje konkretisht udhëtimin më racional drejt meritave?

Jon Leka: Shkollim – profesionalizimin – mirënjohje – dëshmim – meritë.

Lirim Gashi: Si e vlerëson faktin që as eksodi i popullsisë nuk e ndalë diskutimin rreth çështjeve periferike?

Jon Leka: Ndoshta sepse opinioni shqiptar është bërë imun ndaj eksodeve. Me një fjalë ka parë e përjetuar edhe më keq. Nga ana tjetër këtu mund të flasim edhe për kualitetin e mediave dhe kualitetin e prioriteteve të shoqërive shqiptare, të cilat herë pas herë sillen në mënyrën më të çuditshme, çka për mua është shenjë e një dezorientimi psikosocial, duket si një masë që ka humbur orientimin dhe nuk di kah t’ia mbajë.

Lirim Gashi: I nderuar Jon nëse në shumë parametra negativ jemi kampion a ke shpresë që fantazia jonë e përkryer për realizimin e synimeve të mbrapshta mund të transformohet në fantazi të përkryer për realizimin e synimeve të mbara?

Jon Leka: Fantazinë mund ta rikonfigurojnë elitat, mediat, shkollat, iluminimi, prandaj edhe ulërima ime për diskurs sa më dinamik, për angazhim me gjithçka që të rinjve t’u jepen së paku shenja që të bëhen optimistë, që të fillojnë të besojnë në lirinë e vendit të tyre, të fillojnë të besojnë se edhe aty, në ato vende është e mundshme jeta e të qenit i lirë, jo skllav, por i vlerësuar dhe respektuar! Se edhe aty ka mundësi prosperimi, e jo vetëm nepotizmi e krimi janë trastat e paevitueshme të jetës shqiptare! Po për këtë na duhet një qeveri si ajo në Gjermnainë e Pasluftës së Dyte Botëore.

Lirim Gashi: Nëse perceptimi pivotal i Hashimit lindi si rezultat i evoluimit të tij ,,intelektual“, atëherë pse rezultatet e qeverisjes së tij po përjetohen nga shumica e popullsisë si pasoja reale?

Jon Leka: Evoluim ,,intelektual“? E ndjek si figurë, mendoj, ia analizoj sjelljet dhe ngjitjet e rëniet prej se ka dalë në skenë. Evoluim intelektual nuk vërej. Atë çka vërej është zotërim gradual i zanatit të pushtetit, të politikanit që ka mësuar finesat e kapjes së shtresave të duhura për t’i fituar votat. Qeverisje kualitative do ta quaja një që së paku do t’i kishte stabilizuar disa nga institucionet më të rëndësishme, çka ai nuk i ka bërë. Perceptohen si pasoja sepse ashtu janë: çka u soll konkretisht për këto dy mandate që pati? Premtime për mandatin e tretë? Më shumë jo. Gjithçka që zhvillohet më shumë është e iniciativës private se sa asaj shtetërore ose shumë pak! Radari vlerësues i masave është i drejtë: Kosova jeton në pasojat e krijuara nga politika.

Lirim Gashi: Shkëndija e xixëllonjës nuk shndrit sa një yll prandaj nëse e ndjekim pas mund të përfundojmë në pyll. A e sheh i nderuar Jon të ndonjëra prej partive tona politike një shkëndijë të tillë që ka potencial të mjaftueshëm që të transformohet në yll, për ta“a ndriçuar rrugëdaljen tonë nga kjo errësirë dhe labirint i pafund?

Jon Leka: Çdonjëra parti ka edhe njerëz tek të cilët besoj të kenë potencial, mirëpo asnjëra parti si e tillë nuk me jep shkas të pres diçka prej tyre se do të jenë nesër ajo shkëndija që do të na bëj dritë në mal. Secila prej tyre mund të shndërrohet shpejt në një të tillë poqëse arrin të akumulojë energjinë dhe kuadrot e nevojshme për një veprim të vendosur. Kosova ka njerëz të fortë por jo parti të forta që mund ta nxjerrinn nga labirinti.

Lirim Gashi: Nëse Albin Kurti do të zgjidhej kryeministër i ardhshëm, çka do t’i sugjeroje?

Jon Leka: Të ndërrojë stafin këshillues dhe drejtues të partisë, të hyjë me kuadro profesionale e jo me partizanët e tanishëm.

Lirim Gashi: Pse mendon që këshilluesit e tanishëm janë partizan?

Jon Leka: Jo në kuptimin klasik të fjalës si partizanë të luftës së dytë, por si partiakë. Janë figura nervoze dhe më me shumë demagogji se sa duhet. Nuk kanë pragmatizëm dhe do të çonin në kollaps çdo qeveri!

Lirim Gashi: Këtu të prita pra te pragmatizmi racional. Në hartën time mentale ideologjitë i trajtoj si të tejkaluara prandaj edhe jo sa duhet të denja për përballimin efikas të kompleksitetit problematik modern. A mendon që pragmatizmi racional në kombinim me atdhedashurinë përmbajtësore do të ishte çelësi i duhur për daljen nga labirinti i lartpërmendur?

Jon Leka: Pragmatizmi racional është çelësi që e kanë gjetur shoqëritë e zhvilluara, mendoj këto si Zvicra, Gjermania. Ky është kombinimi i vetëm i mundshëm jo vetëm filozofik si teori, por edhe si alternative e vetme që mundëson real-politikën në interes të barazisë sociale, ekonomisë së shëndoshë dhe forcimit të demokracisë pa qenë vazhdimisht në konflikt me tjerët dhe veten. Problemi është se si ne ne dy që besojmë ta njohim çelësin ua bëjmë të qartë këtë mediave, shkollave, inteligjencies së përgjumur, politikanëve?

Lirim Gashi: Asnjë komb evropian nuk i shfaq deklarativisht ndjenjat atdhedashëse sa ky i yni, ndërsa kur duhet të kontribohët përmbajtësisht dhe praktikisht në sendërtimin e tij, shumica e preferojnë largimin prej tij dhe kontributin e natyrës familjare, klanore dhe fisnore përmes donacioneve nga puna në mërgim. Sa është i rastësishëm fakti që edhe një pjesë e elitës sonë politike dhe institucionale rehatimin e familjes, dajave, miqve dhe farefisit e ka prioritetin kryesor ndërsa postet zyrtare i trajton si burim material për furnizimin e këtij prioriteti përmes vetëshërbimit nga manipulimet me tenderë, donacione të jashtme, korrupsioni etj.. ?

Jon Leka : Ky qëndrim, kjo sjellje ambivalente e shqiptarit ndaj atdheut e ka një histori të veten, të cilën unë e kam trajtuar në disa ese, më shumë jo për ta shpjeguar, por për ta kuptuar, për ta kap pra paradoksin e këtij modusi ekzistencial që sidomos kohëve të fundit bëhet edhe më i çuditshëm: ikja nga atdheu duke ulëritur të jesh i gatshëm të vdesësh për të!

Më herët ikjet masive por edhe shtresore arsyetoheshin me kushtet e shtypjes, robërisë, mungesës së lirisë autonome. Sot ato justifikohen sipërfaqësisht me mungesën e konsolidimit ekonomik. E vërteta, mirëpo sot, mendoj unë se ka më shumë karakter antropologjik, ka të bëjë historikisht me „kulturën“ e shqiptarit: nuk i beson vetes! Nuk beson se mund t’ia dalë me forcat e veta dhe kërkon strehë të socializohet atje ku tjerët e kanë kryer punën e sigurimit të ekzistencës dhe mundësisht nga atje të veprojë për të mirën e vendit, nga distanca. Këtu duhet ta kërkojmë edhe arsyen e mosfaktorizimit historik të shqiptarëve dhe të parëve të tyre; pse janë i vetmi popull që nuk arritën kurrë të organizohen si të tjerët e rajonit, por mbetëm gjithmonë më të vonshmit? Se janë popull hyjnor?! Jo. Por se janë mendjelehtë, joserioz në ndërtimin e vetë dhe s’kanë vullnet t’i shtrëngojnë dhëmbët deri në fund.

Lirim Gashi: Sa Serbi duron Kosova procentualisht dhe a pajtohesh me mua që pranimi i kompromiseve të negociuara pa kushte e kritere në Bruksel është në fakt dorëheqje nga një pjesë e sovranitetit?

Jon Leka: Kosova politikisht, si çdo shtet tjetër sovran në botë, dobësohet me lejimin që qendra tjera pushteti të vendosin mbi fatet e saja. Kjo ka të bëjë edhe me egoizmin e shteteve nacionale për të favorizuar sa më shumë veten. Konflikt me të cilin sot jeton edhe BE në rrethin më të ngushtë të saj. Në rastin e Kosovës në raport me Serbinë problemi bëhet dramatik, sepse ka të bëjë me një fqinj që nuk është i interesuar të ekzistojë shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës. Këtë e dinë ndërkohë edhe eskimezet. Negociatat në Bruksel do të rezultojnë si faza kulmore e dështimit intelektual dhe diplomatik në historinë e shqiptarëve. Jo fillimi i negociatave, që duhej patjetër bërë, por përmbajtja e tyre dhe paaftësia e palës shqiptare për t’i shfrytëzuar ato, në një atmosferë dhe në ato kushte kur të gjitha yjet ishin në anën e tyre është devalvim total i kauzës. Ky dështim intelektual i palës kosovare çoi në humbjen ose vënien në pikëpyetje të sovranitetit të Kosovës, sepse nuk u luajt me kartën e BE dhe serbëve por me tundjekokën e pakompromis. Kur them nuk u luajt me kartën e BE së dhe serbëve mendoj në atë të të drejtave të serbëve në Kosovë: Ato kërkonin të drejta ekskluzive për serbët, pra majën e kartave të të drejtave të Njeriut, pse atëherë Kosova nuk tha se të njëjtat i duan për gjithë kosovarët, për gjithë sistemin dhe ta vinte BE- në përballë të një detyre që ende nuk e ka zgjedhur as vetë. Pse një komunitet të jetë ekskluziv kur gjithë qytetarët mund të ishin të tillë? Me këtë dua të them se pala kosovare vetëm lexonte propozimet, i përfolte deri në pagjumësi totale nëpër hotele dhe kthehej me ca korrigjime që nuk ia vlenin marrë parasysh as si pika e presje e lere më për diçka më shumë.

Lirim Gashi: Jetësimi i bashkimit territorial të komunave serbe në veri është vetëm çështje kohe ndërsa pranimi i ingerencave monstruoze të listës serpska në kuvendin e Kosovës çështje e kryer. Sa bllokadë institucionale mund të duroj shtetësia jonë e brishtë dhe si mund të evitohet rreziku që këto komuna një ditë mos t’i bashkangjiten Serbisë?

Jon Leka: Lista Serbe është prodhim i dështimit politik të qeverive kosovare. Askush nuk mund të të përcaktojë ty rregullat e shtëpisë nëse ti nuk lejon dhe nuk ofron gatishmëri për një gjë të tillë. Në cilin shtet të botës, në cilën demokraci arrin një parti e tillë e vogël, minoriteti ta bllokojë gjithë sistemin? Askund. Bllokadat do të vazhdojnë deri në atë moment kur të jetësohet shteti, kur të instalohet vetëdija politike e vendit sovran me një qeveri që respekton dhe ekzekuton ligjet e veta. Që nga ai moment çdo mohim, sabotim apo shkelje ligji sanksionohet, atëherë kur çdo regjistrim partie a pranim kandidati për deputet bëhet me parakushtin e betimit të njohjes së shtetit, kushtetutës së vendit, këto janë shenjat e para që duhet të jepen.
Komunat nuk do të munden t’i bashkëngjiten Serbisë për shkak të kushteve gjeostrategjike ndërkombëtare. Po u lejua një lëvizje e tillë NATO dhe të tjerët e dinë dhe madje nuk do ta pengonin më as rivizatimin e kufijve. Luginasit, shqiptarët e Maqedonisë mezi presin të ndodhë një gjë e tillë, sepse janë lodhur. Efekti i ashtuquajtur domino s’ka se si mos ndodhë. Serbia madje e dëshiron këtë., Edhe shqiptarët. Ndërkombëtarët mendojnë se kjo duhet të ndodhë nëpërmjet integrimit evropian, par një rikthim në zonat e natyrshme me proces paqësor. Për momentin duhet të shkohet në versionin e kombit me shumë shtete dhe njëri shtetformuese nëpër vendet përreth. Së fundi është edhe multiplikim faktorësh ndikimi në politikat e rajonit dhe kontinentit në favor të shqiptarëve.

Lirim Gashi: Kush është Jon Leka dhe nga e ka prejardhjen inspirimi i tij permanent për t’iu qasur realitetit nga shumë këndvështrime kohore dhe hapësinore? A është kërkimi dhe gjetja e përgjigjeve të nevojshme që do t“a ndihmonin sfidimin e problemeve të ndërlikuara shoqërore te ne dhe më gjërë burimi i këtij inspiracioni, apo uria kronike e kurreshtjës së tij për ta kuptuar të panjohurën?

Jon Leka: Unë kam mbaruar Historinë e Arteve, Religjionet, Historinë kontemporane, Gjermanistikën, Shkencën e Mediave, Filozofinë, pra flas për këto që kam tituj shkencorë, mirëpo në shtëpi ndihem më shumë në shkencat që i kam përvetësuar në mënyrë autodidakte si shkencat e letërsisë, psikologjia e të ngjashme. Çka më thotë kjo? Se jam një student i përjetshëm. Nuk njoh një periudhë pa projekt personal të mësimit, studimit; bëj një plan-program personal studimi në një shkencë dhe pas gjashtë deri nëntë muajve mundem lirisht të ulem të prish dhëmbët me ekspertët. Pse kjo? Për ta gjetur përgjigjen pse jam, kush jam, cili është synimi dhe shkaku i ekzistencës sime? Ndoshta. Por më shumë më duket se është një „mallkim i dëshiruar“ për të deshifruar problemet e botës, për t’i kuptuar njerëzit, proceset, dukuritë, për t’i kap ato. Ka muaj që kacafytem me idenë e kompatibilitetit të kulturës shqiptare me një grumbull parimesh universale që sipas meje do të çonin në një sistem jo-utopik social e shtetëror dhe që do të bënin demokracinë shqiptare ndryshe, të veçantë. Ide të tilla nga njëra anë më japin inspirim e nga ana tjetër më detyrojnë t’iu rikthehem shkencave të mëparshme apo të mësojë të reja. Pra inspirimi shkaktohet nga idetë e ato janë „mallkimi im i vërtetë“, sepse i japin jetën sime një kuptim jo vetëm për ta angazhuar veten, por edhe për të shpresuar se mund ta ndryshojmë botën, nëse jo krejtësisht atëherë pjesë pjesë e nga aty ku jemi.

Lirim Gashi: Korrupsioni është një sëmundje kronike sidomos e shteteve dhe shoqërive transitore. Ballkani Juglindor është regjioni më i kapluar nga kjo anomali në Evropë, ndërsa Kosova udhëheqëse e pakontestueshme e ranglistës së shteteve më të korruptuara evropiane. Kur kësaj ia shtojmë faktin që te ne korrupsioni përveç dimensionit institucional ka edhe dimension kulturor dhe edukativ atëherë na bëhen të qarta përmasat alarmante të shtrirjes së tij në kohë dhe hapësirë. Nëse preventiva është mbrojtja më efikase ndaj sëmundjeve ndërsa diagnoza precize udhërrëfyesi më i mirë i terapisë, cila do të ishte sipas teje terapia më efikase e shërimit të kombit tonë nga ky botëkuptim i mbrapsht?

Jon Leka: Korrupsioni është sëmundje kronike e botës. Jo vetëm e vendeve në tranzicion. Italia është kulmi i këtij shembulli, por edhe vendet me zhvillimin më të lartë, shtetet e konsoliduara nuk përjetojnë vit pa procese gjyqësore në këtë drejtim. Me këtë dua të them se duhet t’ia heqim vetes iluzionin se dikur do ta krijojmë një shoqëri pa korrupsion fare. Problemi i Kosovës dhe shqiptarëve në tërësi është se ata tërë sistemin e kanë të korruptuar. E kjo ka edhe një arsye historike: si kemi funksionuar në sistemin ish – jugosllav për të ardhur deri tek shërbimet e nevojshme? Shqiptarëve u është dashur të shesin tokën për ta shëruar të birin apo vajzën, për të ndërtuar ndonjë punëtori diku nëpër jugosllavi, për ta marrë letërnjoftimin a pasaportën që mos pres deri sa të thinjet e kështu deri në pafundësi. Pra shqiptarit nuk i ka mjaftuar vetëm përulja, nënshtrimi ndaj pushteteve të huaja, por edhe korruptimi për të mbijetuar. Kjo kulturë e krijuar që nga ditët e para të osmanëve e deri sot nuk hiqet aq shpejtë. Është natyra e kësaj sjelljeje asociale, siç thonë “ sa t’ia hapesh dyert“, pastaj mos pyet për përmasat, që përbën bazën e problemit. Pra korrupsioni tek ne është edhe probleme mentaliteti që kërkon terapi të organizuar mirë, gjendje që kërkon shtet dhe institucione të forta.

Lirim Gashi: Si e definon në botëkuptimin tënd termin religjion? Çfarë roli luan religjioni në jetën tuaj dhe ku përfundon dobishmëria e tij për njerëzimin e ku fillon dëmshmëria?

Jon Leka: E din se si e shpjegon Kritias, i cili supozohet të jetë daja i Platonit, shpikjen e religjioneve? Në dramën e tij „Sizifi“ ai e rrëfen kështu; ishte një kohë njerëzit hanin njëri tjetrin. Nuk kishte fuqi që i ndalte nga të bëmat e këqija, vrisnin (kujto Leviathanin e Hobbesit këtu), shkatërronin, përdhunonin, vidhnin, vandalonin e kështu me radhë. Një koke të mençur i ra në tru se vetëm frika nga zotërat mund t’i mbajë nën kontroll ata bisha të egra dhe filloi të mbajë ligjërata agorave antike se çka do ta gjej atë që vret dhe si do ta dënojnë zotërat; me vetëtima, me bubullima, me degie malesh, se ku do të përfundojnë shpirtrat e tyre pas vdekjes e kështu me radhe. Edhe pse Kritias (403 p.e.s.) parodizon këtu çka në thotë se edhe para mijëra viteve ka qenë i njëjti konflikt ndërmjet njeriut racional me atë irracionalin, pra atë beson në Zot. Historia e humanitetit deri vonë ka qenë nën sundimin e religjioneve, pra të fuqive irracionale, të religjioneve dhe nuk mund të themi se gati sa e bëmë parajsën. Përkundrazi ishte në ferr. Pse? Se religjionet nuk janë për punë tokës por përbuzin këtë botë, këtë jetë si të defektshme, si të mallkuar, si me plotë mëkate në favor të një tjetre, pra asaj ku sundon paqja absolute. Po ç’të bëjmë që njeriu edhe këtu donë të jetojë në paqe e mirë? Pra iluministët e sajuan një model jete t’i thuash që nuk kërkon ekzekutimin e religjioneve por që detyron ata të pranojnë paqen edhe në këtë botë para se të udhëtojnë për në atë botën tjetër. Këtë „marrëveshje“ paqeje e pranuar disa religjione, pra u emancipuan më këtë sepse edhe brenda tyre pati reforma dhe evolucion, disa të tjera duan të bëjnë luftë deri sa të vetëvriten që të mbërrijnë sa më shpejtë atje ku duan.

Është detyrë e racionalit se si të sillet me religjionet. Kjo donë të thotë që ai duhet të respektojë ekzistencën e tyre, besimet e njerëzve dhe vazhdimisht të kërkojë modele koekzistence pa i përbuzur, pa i demonizuar, pa i stigmatizuar, thjeshtë për shkak se bëhet fjalë për njerëz, për të cilët poashtu vlejnë parimet universale të mbrojtjes, të respektit dhe të dinjitetit. Shtetet duhet të dinë se sillen me ekstremët në preventivë.

Në jetën time religjioni ka luajtur një rol të imponueshëm. Si i vogël kam vizituar mektepin, shkollën e Kuranit. Edhe sot e kësaj dite di përmendsh pjesë të koranit, këngë e të ngjashme. Braktisja ndodhi sapo lexova Kuranin e parë në gjuhë të kuptueshme; në serbo-kroatishte, të përkthyer nga boshnjakët. Pastaj jam njohur me të gjitha versionet e religjioneve abrahamite dhe ato indo e hindusite, sektet e ndryshme. Dikur i studiova edhe si shkenca deri në shkallë postdiplomike. Religjionet janë pjesë e historisë njerëzore, por jo pjesa e ndritshme e saj, siç thash më lartë. Unë sot dalloj religjionet nga besimet. Të parat duhet mbajtur nën kontroll e të dytët, besimtarët duhet respektuar maksimalisht si ushtrues të së drejtës dhe lirisë së tyre.

Lirim Gashi: Çfarë roli luan edukimi, kultura dhe arsimi në jetën tënde dhe si e vlerëson nivelin e kulturës dhe arsimit në atdhe?

Jon Leka: Njeriu – edhe unë – kur lind, fillon të rritet i hynë një programimi shoqëror. Një programimi sipas konditave dhe versioneve të shoqërisë dhe rrethit ku jeton. Veç edukata dhe arsimimi nis ta çprogramojë atë drejt një qenieje pa telekomandim ekstern në një biografi dinamike autonome. Pavarësia e individit nis me shkollimit. Liria nis me edukimin.

Niveli i arsimimit luan rol shumë të madh sa i përket emancipimit të njeriut me rregullat, kondicionet mbizotëruese në shoqëri. Përndryshe nga e merr vesh njeriu çka do të thotë imperativi i Kantit apo se çka janë të arriturat e iluminizmit në kontekst me të drejtat e njeriut dhe sende tjera të rëndësishme si këto. Deri vonë shqiptarët jetonin dhe ende jetojnë në një sistem ku jo këto vlera kishin rëndësi dhe ju mësoheshin njerëzve, por eksperimente të dështuara ideologjike, histori të kamufluara ideologjike, tashti ultranacionale, religjioze, gjithçka e hiperbolizuar deri në alivanosje. Pra njeriu shqiptar deri tash u rrit duke u edukuar me rrena. Tash kur është kthjellur nuk e dinë se çka është rrenë çka është realitet nga e shkuara e tij, e prindërve, gjyshërve të tij. Në këtë gjendje habitjeje, shoku, irritimi, dezorientimi ia ngjet doktrinës së parë për qafe që i del para, jo se është e mirë, porse nuk është e tija, ajo e gënjeshtërta. Tash le të pyesim se ç’nivel kulture e arsimimi mund të këtë një njeri në këtë gjendje dhe cila mund ta shpëtojë atë nga situata? Një shtet, një shoqëri që i njeh këto probleme dhe vendos ta ndihmojë qytetarin vetë. Po kush ta ndërtojë atë shtet kur të gjithë në këtë gjendje janë? Këtu mund të luajnë rol të madh ata që janë formuar jashtë, ashtu siç ishte Fan Noli.

Lirim Gashi: Gjatësia e hundës së Pinokios varret nga sasia dhe cilësia e gënjeshtrave të prodhuara. Sikur ky parim të vlente edhe për politikanët tanë në pushtet, a thua sa do të ishte gjatësia e hundëve të tyre të radhitura pas njëra tjetrës? Sa autostrada Ibrahim Rugova apo sa ajo Hamburg-Mynih?

Jon Leka: Sa rruga e qumështit në Kozmos.

Pragmatizmi racional si çelës suksesi?Nuk kam asnjë interes minimal për sportin e komercializuar. Bëj fitnes tri herë në javë. Cigarja tash më ka mbetur si i vetmi mëkat. Pas një bashkëjetese të rregullt dhe mbi 15 vjeçare me Scotsch-in.

Lirim Gashi: Pse quhesh në ndërkohë Jon Leka dhe a është ndryshimi i emrit tuaj i natyrës fetare, rezultat i mishërimit tënd me kulturën evropiane apo i humbjes së një basti? Nëse më lejon që ta shprehë mendimin tim, atëherë unë mendoj që e ke marr sepse tingëllon bukur.

Jon Leka: Marrja e pikërisht këtij emri është se tingëllon shumë bukur. Vendimi për ta ndryshuar emrin dhe mbiemrin janë histori e gjatë. Fisi im, familja ime në Dobërdoll thirren Leke. Ashtu si fiset tjera: Pangjellët, Gjonket, Licet, Stepet, pra emra me orgijinë ende të paosmanizuara. Babi im i ndjerë quhej Zeqir Leka. Në Maqedoni ka pasur disa valë ndryshimesh me dhunë të emrave, çka ka çuar edhe në emërimin e shumë shqiptarëve edhe me prapashtesën ovski ose ov që është kryesisht e bullgarëve origjinalë dhe atyre të maqedonizuar.
Unë shpesh e pyetja babën tim se çka është kjo punë dhe sidomos ku janë varret e të parëve se vetëm babën e tij e gjenim. Dhe ai më thoshte mos ia çajë kokën, kur rritem e marr vesh. Dhe unë u rrita dhe kam hulumtuar shumë rreth strukturës demografike të Pollogut dhe fiseve atje. Deri shumë vonë nuk kanë qenë të islamizuar. Po kjo s’ka rëndësi, asimilimet janë pjesë e historisë njerëzore, duhet t’ia marrim, njohim e respektojmë njerëzit kështu siç janë.
Kohëve të fundit u shfaq tendenca për arabizimin e emrave në Maqedoni. Dikush i ka mashtruar njerëzit se arabizimi, turqizimi i emrave i bën mysliman më të mirë. Ky rast më bëri të intensifikojë edhe më shumë synimin tim për ta determinuar identitetin tim, një proces që e kam nis me romanin tim „Paranoja“. Çka jam unë? Shqiptar, zviceran? Dhe për një njeri që e konsideron veten hibrid, pra universal, në një formë kozmopolit është ngarkesë të merret me gjepura të llojit. Megjithatë arab nuk jam, mbiemrin ma ka ndërruar me detyrim, dhunë. Pse të mbetem qoftë

edhe simbolikisht relikt, simbol i atij përdhunimi të të drejtës së njeriut për ta përcaktuar identitetin e vetë sipas vullnetit të vetë dhe kështu vendosa ta ndërrojë emrin sipas dëshirës sime. Sot quhem me krenari dhe vetëdëshirë Jon Leka dhe zviceranët, francezët nuk më thonë sapo ua tregoj emrin; jeni nga Algjeria, Egjipti, Tunguzia por presin që tua them vetë se nga e ka origjinën emri.

Lirim Gashi: A e sheh vetën në politikën aktive në një të ardhme të afërme dhe nëse po në cilin resor?

Jon Leka: Jo. S’jam unë për politikë. Çka më ka shkruar mendja njëherë ka qenë kjo: të më lusë një qeveri, të mi japë nja 15 bashkëpunëtorë që i kisha zgjedhur vetë, të ma jap një qendër, shtëpi me ca zyra dhe të më thoshte bën projekte për shtetin, për shoqërinë – natyrisht me garancinë që ma lejon realizimin urgjent të tyre. Si ta them ta udhëheq një fabrikë trunore për zgjedhjen e problemeve shqiptare dhe zhvillimin e shteteve sipas radaksës sime.

Lirim Gashi: Për shkak të natyrës spontane dhe të drejtpërdrejtë të intervistës disa komentues kureshtar më lutën që ta parashtroj një pyetje mekatare: A je i përcaktuar ideologjikisht?

Jon Leka: Në fakt pyetja se a jam i përcaktuar ideologjikisht në kuptimin klasik të termit është mëkatare. Madje këtë pyetje nuk do t’ia kisha parashtruar edhe atij që këmbeduar donë ta pyesësh ashtu. S’ka ideologji më në kuptimin iu majtë, i djathtë, marksist, neoliberal. Njeriu i shekullit 21 është mozaik mobil fragmentesh kulturore, ideologjike, antropologjike nga gjithandej, mendoj është finalja e një procesi që ka nisur me varkën e Noas që shfaqet tek epi i Gilgameshit, nëpër bibël e ka ka mbërritur si sagë edhe tek fisi më së fundi i „qytetëruar“. Ka prioritete, siç thamë në fillim të kësaj interviste. Njeriu i priorizon ca prej tyre për materializuar identitetin që ia sjell domosdoshëm gjuha, tradita, historia, kujtesa për të qenë i njëjtë me grupin që i takon. Mirëpo ideologjia, doktrina në kuptimin klasik të fjalës nuk ekziston: në çështje sociale kam elemente të socialdemokratëve, në atë të ekonomisë kam liberale, në atë ekologjisë jam i gjelbërt e kështu me radhë…

Lirim Gashi: Si e vlerëson rolin historik të Presidentit të ndjerë dr. Ibrahim Rugova dhe cilat ishin ato atribute të dinjitetshme që i dhuruan karizmës së tij autenticitet dhe prestigj të veçantë ndërkombëtar si dhe vlerë të posaçme kombëtare.

Jon Leka: Si ta vlerësoj Rugovën? Po e nis me një kontrafaktum që e kam eksperimentuar mendërisht vetë: Si do të zhvilloheshin negociatat në Bruksel po që se atyre iu printe Ibrahim Rugova. Pa as dyshimin më të vogël në favor të Kosovës. Pse? Do të hynte si lypës. Do të dhuronte gurrë. Do t’ia shtrëngonte butë ca sekonda dorën Ashtonit apo Mogherinit. Do ta dëgjonte duke i buzëqeshur sa që tjetra do të fillonte të dridhej nga gjunjët e përpjetë, me ndjenjën përballë ta ketë Mahatma Gandin apo ndonjë hyjnor të dehur. Dhe që nga momenti kur nis të flas Rugova përfundon gjithçka. Mogherini dëgjon si shkollare se flet mësuesi, i urti, i buti. Asaj i vjen rëndë ta nis fjalinë sepse para vetes beson ta ketë Sokratin. Kjo ishte natyra e Rugovës. Kjo e bënte çdo burrështetas ta ndiej veten fare të vogël para atij humanisti gjigant që më shumë nga natyra ishte personifikim i paqes së realizuar në njeri.
Me gërdi i shikoj tendencat për ta sakralizuar figurën dhe rolin e tij në stilin e kishave që ikonizojnë çdo të vrarë e të ikur të kombit. Kjo e falsifikon identitetin e vërtetë, atë të të udhëheqësit të dytë pas Gandit që përvetësoi botën perëndimore në favor të kauzës së popullit të tij me filozofinë e paqes aktive.
Roli i tij në sigurimin e lirisë së Kosovës është kolosal. Historia ka shumë punë. Por jo në këtë drejtim siç ka nisur, me rrena dhe veshje idioteske që për të ardhmen më shumë e minimizojnë.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.