Arshi, sllavët, Pipa dhe fashistët

Arshi Pipa konsiderohet ndër kritikët më të mëdhenj shqiptarë? Ai një numër autorësh klasikë e të sotëm i shihte si fshatarë të pagdhendur, fashistë, të kotë. Sa kishte të drejtë?

Ag Apolloni e bëri një status në facebook ku postoi tri fragmente nga vepra e Arshi Pipës: “Albanian Literature: Social Perspectives”[München: 1978] me  kualifikimin përmbi: “Disa konstatime nga kritiku më i madh shqiptar, Arshi Pipa”.

Përveç autorit Eduard Frrokaj nuk cicëroiasnjë nga letrarët, poetët, shkencëtarët që popullojnë listën e miqësisë në profilin e Apollonit. Pse? Nuk dinë, nuk duan apo kanë frikë të ngatrrohen me Ag- lapsëshigjetën? Nuk e dimë. Irrelevante. Kështu është përherë. Sigurisht flladiten.

Fragmentet e shkëputura në të shumtën e rasteve nuk thonë shumë sepse falsifikojnë kontekstin dhe sintezën e autorit, në rastin e Arshi Pipës mirëpo Ag Apolloni ka të drejtë, ato shpesh mund të merren si induksioni i temës, materies, librit. Dakord, Arshi Pipa nuk është nga ata autorë që meritojnë siglën e “eloquentia et eruditio-s”, mirëpo ky nuk është problemi që duam të trajtojmë këtu. Falsiciteti i sintezave të tij na intereson, nëpërmjet të cilit aksion besoj se madje mund ta provojmë po si Johann Caspar Lavateri, jo duke ia skicuar portretin  fiziognomik por atë si kritik. Sidomos për të parë se sa i madh është Arshi si kritik letërsie.

Ti rilexojmë dromcat, të cilat Agu na i risolli si transfuzion telepatik që nxitën perceptimin tonë:

Sinteza e parë e Arshit:“…Elementi subjektiv i Fishtës është sllavofobia. “Lahuta e Malcís”, e cila filloi si një poemë e vërtetë epike në ekzaltim të trimërisë së malësorëve gegë, përfundon si një groteskë llafazane, në të cilën historia dhe mitologjia i mbivendosen njëra tjetrës, folklori keqpërdoret dhe tradita ngushtohet”.

Pseudosinteza jonë e parë:Elementi subjektiv i Homerit është grekësia.Epi “Iliás” i tij që nga shkronjat e parë hyjnëzon “zemërimin e Akilit”. Ajo që fillon si një ep, ku historia dhe mitologjia i hipin njërës që nga lindja e deri në perëndim,përfundon si një mësonjtore llafeplotëpër humanitetin oksidental me mllef, urrejtje, hakmarrje, dhunime, përdhunime, përbindsha. Keqpërdoren folkloret dhe mitet me të cilat kanë kontaktuar grekët e vjetër e tradita përdhunohet në favor të hyjnizimit të grekësisë.

Sinteza e dytë e Arshit: “…Një vend më i madh u kushtohet fshatarëve në veprat e këtyre dy shkrimtarëve më të rinj ortodoksë (L. Poradecit e Mitrush Kutelit). Nuk është e rastit që të dy vijnë nga shtresa të ulëta shoqërore dhe prejardhje joshqiptare, praktikisht qytetarë të rangut të dytë, një lloj mërgimtarësh të brendshëm”.

Pseudosinteza jonë e dytë: “…Një vend i madh u kushtohet fshatarëve ukrainas e daçë në veprat e këtyre dy shkrimtarëve ortodoksë (Bulgakov, Pasternaku). Nuk është e rastit (Kiev dhe Peredelkino) që të dy vijnë nga shtresa të ulta me prejardhje joruse, praktikisht qytetarë të rangut të dyrë në Rusinë e Re, një lloj mërgimtarësh të brendshëm.

Informata e parë e Arshit:…Migjeni lindi në Shkodër, në një familje me prejardhje sllave.

Informata jonë e parë: …Einstein-i lindi në Ulm të Gjermanisë, në një familje me preardhje hebreje.

Sinteza e tretë e Arshit:…Poradeci, një poet i vërtetë lirik, e humbi damarin e tij, i joshur nga lajkat e admiruesve që shihnin tek ai një kundërvënie ortodokse ndaj Fishtës. Ai shkroi vetëm çorbë poemash, pas “Valles së yjeve”, veprës së tij rinore. Koliqi, vëllimi “Tregtar flamujsh” i të cilit shënon një prag në zhvillimin e tregimit, shkroi vetëm mediokritete pas lidhjes së tij me fashizmin. Poezia e Siliqit mori tatëpjetën kur ai pranoi të bëhej këngëtar zyrtar i partisë.

Pseudosinteza jonë e tretë:Naimi, një poet i vërtetë lirik, e humbi damarin e tij, i joshur nga lajkat e admiruesve të tij që shihnin tek ai një kundërvënie myslimane ndaj Mjedës katolik. Ai shkroi vetëm çorbë poemash bukolike dhe turbofolklorike pas vjershave të para rinore. Pablo Neruda shkëlqeu edhe më shumë diellin e tij poetik pas dashurisë me komunizmin dhe shkroi perla. Poezia e Ezra Pound u bë edhe më e fortë pas shkrirjes së tij me idetë fashiste.

Siç vërejmë si tezat e Arshit ashtu edhe tonat mund të aprovohen, lejojnë falsiscitet (si çdo teori tjetër e kësaj bote) ose mund të refuzohen, natyrisht me argumente të arsyeshme. Veçanërisht në një vepër si ajo e Pipës “Letërsia shqiptare – perspektivat sociale”, sepse trajton habitusin social të autorëve, përshkrimi i sojit është i domosdoshëm. Ku qëndron problemi atëherë?

Problemi qëndron aty ku Arshi mëton të deklasojë nivelin e artit letrar të autorëve për shkak të origjinë së tyre gjeografike, klasore apo idologjike:

Parafrazim i tezave të Arshit:Groteskë llafazane sllavofobe katundarësh gegë (pse si janë qytetarët gegë, si t’i këndohej një dhunuesi të lirisë së shqiptarëve të asaj kohe, me sllavofili?); ep ku bëjnë seks historia dhe folklori (pse kush i ndanë dot këto dyja); tradita ngushtohet (sikur me qenë autostradë). Një vend i madh iu kushtohet fshatarëve (e sa copë vend iu kushtohet qytetarëve shqiptarë të asaj kohe, cilët ishin?). Shkrimtarë që vinin nga shtresa të ulta shoqërore (cilat ishin shtresat e larta shoqërore tër asaj kohe?), me prejardhje joshqiptare (po nisëm pak më herët përshëndetemi me majmunët, hunët, kozakët, ç’rëndësi ka kjo për një kritik që jeton në SHBA?). Poetë, shkrimtarë që koketuan me fashizmin (sa vjersha e tregime i kanë këta kushtuar Duçes, idesë fashiste?) e të tjera të llojit.

I bëmë krahasimet për të shfaqur diçka që ndoshta edhe donte ta provokojë Ag Apolloni (?): fragjilitetin e veprës së Arshi Pipës. Kotësinë e argumenteve në raport me kualitetin artistik të autorëve. Dhe atë,  nuk e kemi fjalën për veprën në fjalë, por për mbarë  opusin e tij. Pa luftën e mërzitshme relacionale  Unë-Ty-Ti-Mua  që përshkon veprën e Arshit ndoshta do të kishim në duar tekste të shkëlqyeshme brenda kritikës letrare shqiptare e veçanërisht rreth aspektit social të saj. Por jo Arshi Pipa na la një vepër që e piedestalizon atë si poetofag, shkronjës gjakhelmtë, paradoksal, shkapërdarës kripe plagëve, eterizues uthulli e hidhësire, gjakhelmtë e si i tillë kurrë, asnjëherë nuk mund të jetë kritik i madh. Dhe si referencë edhe sot e kësaj dite ndikon në poshtërimin,  gërditjen dhe përarnditjen e studiuesve të huaj.

Ai nuk ishte objektiv por mëkeqas subjektiv se sa mund të ishte Fishta ndaj sllavëve. Arshi Pipa metodën shkencore e vuri në favor të urrejtjes së tij personale dhe i ndezi, sepse edhe ai nuk trajtohet objektivisht por ose nga ana ksnofile ose nacionaliste e ky fakt tregon më së miri se ka dështuar dhe s’ka vepër që mund të na mësojë diçka!

Dhe kush është fashisti tash këtu?

  • See more at: http://prmagazine.info/arshi-sllavet-pipa-dhe-fashistet/#sthash.axmX0LJk.dpuf
NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.