Ecce homo alienatus

Ne nuk kemi pra asnjë bazë të flasim në formën rezultative mbi tëhuajësimin tërësor të individit por vetëm për: Tendencën për shkatërrimin, pezullimin e lidhjeve individuale, grupore apo shoqërore me faktorët e natyrshëm identitarë (gjuha, tradita, kultura, zakonet) për të konstruktuar një identitet tjetër!

Problemi

Vala e presionit të tëhuajësimit përfshiu fillimisht Shqipërinë: shkrimtarë që copën më të madhe të jetës e çjetuan llogorove të diktaturës moniste, nisën të shpartallojnë urrithshëm «defterë», relikte, shpiknin pseudogjenealogji për të gjetur qoftë edhe një semifakt sadopak aparent për ta arsyetuar jopërkatësinë identitare që kishin kultivuar deri para daljes nga qelitë. Të ikurit, sapo i shpëtuan përmbysjes deteve, me ta lëshuar këmbën e paçoraptë rrërave bregdetare të Greqisë e Italisë filluan t’i ndërrojnë emrat, datat, pamjen. Përtej gardhit të parashtetit, ku masat në gurgule donin të translokojnë me vete edhe përmendoret, varret, ëndrrat, andej, përtej Shqipërisë, të njëjtit për nga origjina kishin hall tjetër; shpëtimin nga diktati i tiranisë së huaj. Këta, skllavët e rraskapitur, në mbrojtje të po atij identiteti «hyjnor» që të tëgjakut e tyre andej Korabit e nëpërkëmbnin, nuk pyesnin për shkaqet, por nga pozita e Patrator-ëve «me tapi» dhe pa përdëllim gjykonin, dënonin, denonconin, fyenin të «përdalët e kombit», «tradhtarët» të përavullonin linjën historike të shqiptarit, kontinuitetin, mbijetesën mu në «sekondat e fundit para shpëtimit».

Pas 1990 gdhiu 2008-ta. Shkurt pas mëvetësisë së Kosovës edhe këndej çoi kokë dukuria e tëhuajësimit: dëshirës së pafré të tjetërsimit!

Në fazën e parë të tij, fenomeni dukej si nihilizmi i intelektualëve të perëndimit industrial pas hipirevolucionit të Woodstock-ut. Po si ajo periudha e curriculumit evropian kur autorët gjermanë, austriakë, zviceranë, anglezë strehoheshin në Paris dhe i poshtëroje po i pyetje për përkatësinë nacionale; ishte periudha kur kosmopolitizmi internacionalist kishte vetëm dy antagonistë megaintelektualë, liberalët Raymond Aaron dhe Artur Köstler.

Në fazën e dytë të dukurisë, dallga e tëhuajësimit u kap nga menaxherë agjencish ksenofile, teopolitike që kredhën xhami, shoqata bamirësie, portale dhe grupe të ndryshme qytetarësh të painformuar. Edhe më masivisht se ç‘ ndrruan identitetin skamnorët e Vlorës tok me zonjat e paperspektivë të Fierit, tëhuajësimi i shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Luginë e gjetiu është më radikal, ngase ai nuk bëhet vetëm sa për optikë e formalia akomodimi material, por është më i thellë, ngase nuk refuzon vetëm aktualitetin real por mëton ta falsifikojë edhe retrospektivën deri në datën më të thellë të saj – natyrisht irracionalisht. Këta alienatë (të tëhuajësuar – nga latinishtja) janë sot në shënjestër të shumicës absolute: «mjekrat», siç i thirrin me neveri radikalinskit e sotëm islam, këta qenkan demonët që rrezikuakan identitetin kolektiv shqiptar në shekullin 21.

Se sa masiv në të vërtetë është ky realitet le të mbetet hall i instituteve hulumtuese që bëjnë statistika, ne na intereson më shumë arsyeja, origjina, shkaqet, pseja e dukurisë, nga motivohen individë e grupe t’i hynë një procesi të tillë? Pse kaq shumë të kësaj epoke përpiqen të zhveshin identitetin e tyre. Pse pikërisht tani gjithëkaq njerëz duan të ikin nga identiteti i tyre, nga vetvetja?

II. Parakushtet

Historia humane ka plotë shembuj e faza me të cilat mund ta ilustrojmë suksesshëm atmosferën psikopolitike, privilegjuese të tëhuajësimit. Ndër kronikat më të spikatura për ta bërë krahasimin është ajo e «Depresioni i Madh» amerikan i viteve 1929 – 1933 – kjo për shkak të trajtimit të tij në të gjitha fushat e dokumentueshme.

Letërsia, Filmi, Teatri, Muzika, dmth. artet, si zakonisht na ndihmojnë edhe vizualisht, pa mjegullime ekstrateorike të krijojmë empatinë e duhur për tu zhytur në fiziologjinë e dukurisë, ato na mundësojnë mjaftueshëm të futemi nën lëkurën e subjekteve me presionin e tëhuajësimit dhe të konstruktojmë procesin mundësisht sa më autentik. Lekturë interesante rreth kushteve që çojnë në prafullimin e alienatit, gjysmëfabrikatit ontologjik në kërkim të vetërealizimit është proza e John Steinbeck-ut «The Grapes of Wrath» (Frytet e Zemërimit: 1939. Filmi: 1940), respektivisht rrëfimi i fatit dhe jetës së familjes fermere Joad.

Rrëfimi në linja të kondensuara: Kohë e depresionit të madh. Oklahomë. Pas një thatësie të gjatë klimatike familja Joad nuk mund t’i paguajë kreditet ndaj pronarëve të tokave. Si shumë familje tjera fermerësh edhe ata dëbohen. Të rrasur në një kamionetë gjysmëfunksionale, dy gjenerata nisin odisenë drejt perëndimit; gjyshërit, çifti Joad, djemtë, vajza me barë, dhëndri Connie, fëmijët. Kryefamiljari thyhet që në mile-t e para. Nga këtu dirigjon Zonja e parë . Rrugës vdesin të moshuarit: gjyshi dhe gjyshja – patjetër se nga tmerri, poshtërimi, detyrimi në emigrim. Dhëndri dhe njëri nga djemtë ikin nga familja. Në Kaliforni, në vend të punës, familja e përgjysmuar përballet me; uri, armiqësi, përjashtim, nënçmim, stigmë.

Situata eskalon kur Tomi, (i biri – njëherë i dënuar për vrasje) në demonstrata vret njërin nga trupat e pronarëve të tokave. Këtë e bën në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e mikut të tij, predikuesit shëtitës Jim Casy (Steinbeck vetë). Në fund kryefamiljarit të dërmuar nuk i ka mbetur asgjë përveçse të vë re skenën gjersa vajza e tij i jep gji një burri të uritur në grahmë.

II.1. Ekskurs kontrafaktik

Të prishim qëllimisht ambalazhin e personelit dhe të futurizojmë kronologjinë e rrëfimit të Steinbeck-ut për një eksperiment tonin: Joad-ët i pagëzojmë me emrin Kryeziu. 1990. Bie socializmi real. Kryefamiljari humb vendin e punës. Nis lufta. Pas kthimit – gjithçka e djegur. Asgjë nga prona private nuk ka mbetur. Nga rrethi shikohen me sy të keq për shkak besimit në sistemin e vjetër, pa punë, të poshtëruar, të stigmatizuar. Çka të bëjnë kryefamiljari ose i biri tij – si në rastin e Tom-it steinbeck-ian – para se të përjetojnë se si vajza, motra e tyre i derdh gjiun mbi fytyrë një të huaji, jo patjetër para vdekjes, por për shpëtimin e vetes nga skamja? Të ri-emigrojnë?

III. Mentaliteti i improvizimit permanent

Drama të këtilla – si në atë të Depresionit të Madh amerikan – janë masivisht evidente edhe ndër shqiptarë, mirëpo me një epilog krejt tjetërfare. Përkundër kushteve të rënda, shqiptarët bëjnë pjesë ndër ato shoqëri me funksionalitet paramodern fisnor (pa individualizimin ekstrem të shoqërive postindustruiale) të organizimit social, pra ku nuk mungon solidariteti kolektiv (diaspora etj.), e si të tilla nuk i decimojnë as krizat më të egra ekonomike. As nuk i sjellin në pozitën e Joad-ëve të Oklahomës së viteve të 30-ta. Përveç kësaj, për nga mentaliteti lirisht mund t’i numërojmë tek popujt me temperamentin e shquar të «improvizimit permanent» (koncepti letrar i John Cheever-it) si mjet mbijetimi fizik. Në situatat edhe më tragjike, tirqebartësit ia dalin disi. Janë këto dhe shkaqe tjera që shqiptarët do të kenë shpëtuar historikisht nga epidemitë e urisë, siç i njohim në zona tjera të globit.

E përbashkëta e dy rrëfimeve, asaj amerikane dhe kësaj shqiptare, janë kushtet socio-ekonomike, gjendja identike ekzistenciale. Dakord. E njeriu? Ç’ndodh me psiken, shpirtin, frymën e tij?

Vazhdojmë matej me një roman tjetër, të së njëjtës kohë me të njëjtën temë për të ecur edhe sferave intime të njeriut.

Me Steinbeck-un pamë se cilat mund të ishin kushtet faktike që çkompaktësojnë grupin, familjen, shoqërinë, përmbledhshëm: dekompozojnë atë: aty mësojmë për ndikimin e presionit të jashtëm (diskriminimi, përjashtimi, stigmatizimi) në tjetërsimin, respektivisht deformimin e njerëzve mirëpo aty pak raportohet se ç’ndodh në zonat mentale, ndiesore të protagonistëve. Pastaj alternativat nuk kanë asnjë konkurrencë; mungon elementi kontrafaktik i rrëfimit. Për shembull: cilat mund të ishin alternativat për t’i ikur kulminacionit të dramës, çka do të ndodhte nëse Joad-ët do të kërkonin vetërealizimin dhe shpëtimin në ndonjë mënyrë tjetër jetese, ndoshta nëpërmjet ndonjë improvizimi mbijetues, duke braktisur profesionin e tokëpunuesve; duke kërkuar lehtësim në opiate; duke emigruar në Alaskë apo duke u rekrutuar në Legjionin francez të të huajve? Pse Joad-ët në gjithë atë dramë dhe paperspektivë emigrojnë aq larg për të mbetur të njëjtët?

Gjersa Steinbeck nuk ndihmon për t’i provuar këto dilema hapim romanin «Bullet Park» të shkrimtarit të mbiquajtur «Çehovi i paralagjeve», John Cheever (1912 – 1982), i cili poashtu brumin e opusit të të tij e ka nga e njëjta dramë – depresionin e madh amerikan! Cheveer, peizazhin e brendshëm të subjekteve të zhgënjyera nga «ëndrra e madhe» amerikane na e sjell duke filozofuar rrëfyeshëm: aty ai instalon teorinë e «improvizimit permanent» si teknikë ikjeje individuale nga depresioni i madh. Ja si i ikë vetvetes njeriu cheeverian.

Rrëfimi: Në pjesën e parë të romanit bëhet fjalë për familjarin Eliot Nailles. Ky bën jetë monotone. Për ta duruar monotoninë e përditshmërisë hanë me grusht medikamente, nga të cilat është bërë i varur dhe mu për këtë ka probleme me familjen. Në harmoni mirëpo duket të funksionojë me rrethin, për shembull me fqinjin e tij Paul Hammer. Të fundit e njofton në Kishë. Hammeri, bir jashtëkurore i një sekretaresheje braktis shtëpinë e një plaku që vrau veten duke ulërit „nuk duroj më“, dhe zhvendoset poashtu në paralagjen fiktive të New Yourk-ut, „Bullet Park“. Hammer është Gin-Alkoholik. Dhe kjo është vetëm ana e ekspozueshme e njeriut që përveç veseve anti-konvencionale zihet edhe përsëbrendi se konsideron të ketë humbur çdo gjasë vetrealizimi sidomos në atë kohë të mposhtjes së ëndrrës së madhe amerikane. Pas udhëtimeve bizare nëpër hapësirat e veta mentale, shpirtërore Hammer sajon recetën se si do të shpëtojë nga „zbrazëtia asgjësuese“ dhe „se si do t’i hakmerret“ thyerjes së ëndrrës së madhe pikërisht në ditët më të mira të tij. Ai do të vrasë në kishën Eliot Nailles-in (më vonë edhe të birin e tij Tony). Pse? Pas arrestimit të tij nga policia, pasi që i dështon vrasja e tretë rituale Hammer kallëzon arsyen: „Desha ta tërmetojë botën, ta zgjoj atë“. Hammer prangohet me diagnozën: kriminel psikopat!

Për çka donte ta zgjojë, ta shkund botën John Cheever? Donë ta mondalizojë faktin se ëndrra amerikane është një shaka infektive, afektive që mund të plasë për çdo çast si ballonë, pasi t’i ketë dalë gazi nga ndonjë vrimë e padukshme? Pikërisht këtë kumt deshi ta transmetojë Cheever.

Morali i dy rrëfimeve nga letërsia amerikanë është ky: Zhgënjimi është porta e çdo emigrimi jofizik. Atëherë kur thyhet ëndrra pason shthurja e grupit. Individi i mposhtur, i zhgënjyer fillimisht zbrazet nga besimi, kuptimi në idealet kolektive, hapat e parë të tjetërsimit i bën duke shkelur demonstrativisht normat shoqërore. Po në këtë proces progresiv dismorfik ai fillon përpilimin e planit konkret të hakmarrjes ndaj botës, jetës, shoqërisë, shtetit, grupit, familjes, identitetit ku bën pjesë. Të rrallët shuajnë veten (vetëvrasjet – pseja qëndron tek natyra egoiste e njeriut), shumica zhbën tjerët. Si Hammeri i Cheeverit.

Sa mund ta bartim këtë model amerikan për të shpjeguar zhgënjimin, shpërthimin dhe tjetërsimin e individit apo në këtë rast tendencën e tëhuajësimit të kategorisë së alienatëve shqiptarë?

IV. „Ëndrrat e mëdha“ shqiptare!

Është e gënjeshtërt teza e rënies së diktaturës në Shqipëri. Ajo nuk ka rënë, por ngadalë e me zor po zbret shkallëve nga mendësia dhe jeta shqiptare. Poaq sa është e gënjeshtërt edhe saga rreth çlirimit të Kosovës: vetëm ikja formale (nga sundimi politik) e serbëve nga Kosova nuk garantuan çlirimin, metanojën dhe lirinë. Kosovarët ende mezi marrin frymë brenda sferës mentale ku sundon radiokracia e së djeshmes (udba, lufta, titistët, komunistët, enveristët), ata ende veprojnë me monizëm të fragmentarizuar (mungesa e demokracisë nëpër parti, organizata) e jo me pluralizëm dhe diversitet për kualitet. Kështu se shqiptarëve gjithandej nuk iu tha – si në Kosovë ashtu edhe në viset tjera qoftë nga politika e qoftë nga inteligjencia – se vetëm me rënien e Partisë e së Punës dhe largimin e tankeve serbe nuk bëhet liria, as demokracia e asgjë tjetër. Atyre iu implantua në tru e shpirt dita zero prej ku mund t’i hynin realizimit të „ëndrrës së madhe shqiptare“: lirisë së pakufishme, mirëqenies dhe demokracisë dhe atë subito, pra u krijua iluzioni se shqiptari i kafazuar deri atëherë mjaftonte t’i ngjitej anijes, ta kalonte detin, të marrë udhët e botës (po si Joad-ët e Steinbeck-ut) dhe t’i bënte të gjitha. Kosovarit i ishte ligjëruar me dekada se sapo të ikë çizmja e fundit serbe Adami, Eva dhe Mutalipi e Iliri munden lirisht të kthehen në parajsë (në Bullet Park-un e Cheever-it) ngase zoti do ndryshojë mendje. Se që të gjithë mund të bëhen ministra, kryetarë, të hapin fabrika dhe pufe sa t’iu zë syri. Pas euforisë, dalldisë dhe vërdalljes edhe më i trashi kuptoi se ëndrra e madhe shqiptare ishte hiçgjë më shumë se sa një gënjeshtër e madhe.

V. Rënia e „kullave prej letre“

Përpos zhveshjes së gënjeshtrës ndodhën edhe këto: Para 25 viteve nuk filloi të rrënohet vetëm monizmi. Me startimin e rënies së sistemeve politike u përdhènë (këto më ortekshëm) edhe shumë kulla e piramida tjera: U tha historia të jetë konstrukt rrëfimesh të imagjinuara komunistësh faraonik; besimet të ishin drynosur për tu fshehur skeletet e klerikëve intelektualë e në udhë të drejtë; u konstatua se vetëm përtej sferave shqiptare njeriu mund të realizonte veten si autoprojekt me dinjitet; u «dokumentua» vizualisht ditenatë se patria protestas e ligjëruar nga Kanuni, patriarkalizmi shekullisht i lapidarizuar shqiptar, ai pushtet atëror nuk vyeka për hiçgjë më shumë veçse për inçeste e për të vrarë vëllanë; u parashtrua zëshëm e me këmbëngulje pyetja legjitime se si kishte mundësi që një racë e popull kaq fisnik, kaq heroik, kaq i ngritur kulturalisht të mos ishte në historinë e tij kurrë në gjendje ta organizojë, gjenerojë lirinë e tij? Shumë nga këto apori të lindura pas cezurave radikale nga viti 1990 e këtej edhe sot e kësaj dite kanë mbetur pa përgjigje të mjaftueshme.

Njeriu shqiptar i „periudhës së tranzicionit“ i përngjan atij artistit të papërmbajtje të filozofit italian Giorgio Agamben sepse edhe ky vetëm zbraz veten duke prodhuar pyetje, dilema, tema mirëpo nuk kompensohet me përgjigje. E në situata të këtilla, njeriu ashtu siç është për nga natyra nuk mund të jetojë si ato statujat e zbrazëta të perandorit kinez Quin (259 – 210) që besonte se një ditë do të çohen si armata më e fortë e botës, por ata janë ousia që nuk bëjnë dot pa essentia-n; njerëzit kanë nevojë t’ia gjejnë kuptimin prezencës së tyre në botë. Ky presion i kërkimit të kuptimit shpesh në histori i ka detyruar të rreshtohen para kioskave të shumta pseudokozmogonike, syresh që i ofrojnë ideologjitë e panumërta, teofabrikat tradicionale, sektet, religjionet, gurutë, partitë parapolitike dhe çdokush që me idenë e tij mund të bëj para apo të fitojë pushtet.

VI. „Tëhuajësimi“ në praktikë

Gjenerata më e re, kjo e tranzicionit erdhi në një kohë ku gjithçka kishte dështuar dhe asgjë konkrete nuk dukej në horizont. Shkollat dhe mediat mezi mbijetonin duke u përpjekur të imitonin keq gjithçka nga perëndimi. Njeriu në huti frymore, pa siguri ekonomike, një pjesë e madhe e tyre (e privilegjuar apo edhe si skamnorë me një lloj respekti dhe kujdesi) edhe nën stigmën e „heronjve të ri të revolucionit demokratik apo të çlirimit“. Situatën e detektuan teofilët dhe u vërshuan xhamive për ta prodhuar njeriun e ri: Ekstrafetarin. Xhamive filluan ligjëratat që nuk ofronin vetëm vendin në parajsë ku dhjetëra hostesa sakrale e të virgjëra do ta presin të riun shqiptar, por edhe asistencë integrimi në një kategori, një grup të veçantë. Shenjat e para të tjetërsimit ishin semantike: (nga masa) rritja e mjekrës pa mustaqe – e cila edhe pse kërkohen nga shumica e dijetarëve islam si shenjë devotshmërie, ajo dekadave të fundit është ngritur në simbol politik të muxhahedinit njëjta si shamia -, pas mjekrës pasoi rikonfigurimi i emri me një ul, al, ib apo zarzavate tjera dekorative si finale mediave dhe vendeve publike primatët e agjencive, xhamive dhe grupeve shpaluan edhe doktrinën komplete të tyre, e cila përgënjeshtronte komplet atë që e kultivojnë shumica shqiptare si histori, traditë, synime. Gjithë ky proces tjetërsimi nga shoqëria shqiptare perceptohet si tëhuajësim në favor të një identiteti të huaj: ai herë është arab, herë turk pra siç argumentuam jo vetëm për nga zona eksterne e individëve dhe grupeve, por edhe nga ajo interne, sepse edhe besojnë të jenë ndryshe, pra lirisht mund të bërtasim sërish si Nietzsche por ndryshe: ecce homo alienatus!

Në gjithë këtë e kemi një problem kapital: vetë të „tëhuajësuarit“ refuzojnë t’i kategorizojmë të mos jenë shqiptarë! Ata thonë se mbi të gjitha kanë fenë (çka domosdoshmërisht sakralizon edhe pushtimin osman), por megjithatë mbeten shqiptar! E këtë nuk e bëjnë se vërtet janë patriotë, porse nuk munden ndryshe. Nga një ekskursion shkollave filozofike rreth tëhuajësimit ndoshta e kuptojmë dilemën e shqiptarëve që s’duan të jenë shqiptarë, por që nuk munden ndryshe!

VII. Historia dhe e tashmja e një nocioni

Nocioni i «Tëhuajësimit», ngase i përshkuar dhe përdorur nga të gjitha shkollat e mundshme filozofike është tëhuajësuar edhe vetë deri në pafundësi. Ciceroni, Liviti dhe Taciti foljen alieno, alienare, alieanatus e përdorin përherë kur duan të shprehin tëhuajësimin e ndjenjave, mendjes. Cicero (në veprat: Finibus, Inventione, De re publica, Legibus, In Catilinam) tëhuajësimin (alienatus) e përdor gjithandej kur bëhet fjalë për mutacione metafizike, atëherë kur subjekti braktis qëllimisht normat, elementet identitare sociale, kulturore e politike për ta veshur një tjetër, ndryshe dhe të huaj nga ai i «natyrshmi» (me këtë nënkuptohet ai i origjinës). Me këtë term ai akuzon pjestarët e Senatit saherë që ata të veprojnë në interesa të kundërta me ato që përfaqësonte Roma.

Skolastikët (Akuini, Okham, Boetius) e mesjetës e deri tek ata të kohës se re (Descartes, Kierkeegard, Leibniz) konceptin e tëhuajësimit e transcendojnë për ta funksionalizuar në interes të religjionit (gjithë ata që nuk ishin me Zotin konsideroheshin të tëhuajësuar). Jean Jacques Rousseau ia huq komplet kur tëhuajësim e konsideron emancipimin, zhvillimin, qytetërimin e njeriut, largimin e tij nga brutonatyra, egërsia. Marksi e redukton konceptin në pikë kritike kundër kapitalizmit, duke thënë se njeriu tëhuajësohet nga produkti dhe vetvetja e tij për hir të profitit. Postmarksistët dhe Postmodernistët e përdhosin edhe njëherë nocionin duke ngatërruar rëndë dhe qëllimisht koncepte e shkolla të ndryshme në konto të tezës: «Subjektiviteti ka nevojë për tëhuajësimin» (Achim Trebes) ose «Tëhuajësimi është e vetmja mënyrë për ta ruajtur identitetin» (Jean Baudrillard). Kjo linjë diskursi është fare kotë sepse rikthen debatin në stadin e gabimit rousseau-nian duke shpërfillur dallimin ndërmjet zhvillimit (dimension historik – koha e botës) si proces të përparimit modernizues pa deformuar përdhunshëm identitetet e veçanta (diversitetin, hibriditetin – koha e njeriut) dhe tëhuajësimit si akt fraktal demonstrativ dhe të shpejtë – pavarësisht optikave perceptuese se konsiderohet intern apo ekstern thyerja konstatohet edhe nga pozita neutrale sepse mëton të zëvendësohet një identitet faktik, edhe material me një tjetër.

Defekti tjetër i postmarksistëve dhe postmodernistëve të sotëm është keqkuptimi ose falsifikimi i teorive të tëhuajësimit në funksion të empatisë (pa të cilën nuk ka fluiditet interkulturor) siç janë; vetja tjetër (Aristoteli), jotjetri (Nikolaus von Kues = „De Non Aluid“), intersubjektiviteti (Fichte), bashkëqenia („Mitsein“, Heidegger), koekzistencën fizike (Marleau-Ponty), involvimin i tjetrit (Habermas), alteriteti (Derrida), tjetrin absolut (Levinas), për ta finalizuar thirrjen absurde të «pezullimit të tjetërshmërisë» (Gadamer), çka pra nuk shkon sepse aludon në krijimin e subjektit absolut njëdimensional. Vetë tendenca e njeriut të sotëm për tu rilokalizuar si rezistencë ndaj globalizimit flet kundër teorisë së pezullimit të identiteteve, ngase, siç nënvizon profesori gjerman Norbert Bolz: «Kultura e mbron njeriun nga kompleksiteti i kësaj bote» Ajo folur me Nietzschen dhe Freud-in e emancipon atë për të mos qenë kundër vetes dhe e mbron nga natyra. Nga ky eksperiment i yni me „depresionin e madh amerikan“ dhe „depresionin e madh shqiptar“ (1989 – 2015) shohim se sado që të transformohet njeriu kultura bazë është kusht për të shëtitur nëpër tjerat dhe mbetet dominuesja pavarësisht konstruksioneve dhe tëhuajësimeve kozmetike për t’u grupuar me një habitus të një kulture tjetër identitare. Si Joad-ët, ashtu Hammer-i, Resulët, Kryezitë dhe shqiptarët që janë veshur për ISIS ndoshta jo se nuk duan, porse nuk munden të mohojnë origjinën e tyre totalisht.

Ne nuk kemi pra asnjë bazë të flasim në formën rezultative mbi tëhuajësimin tërësor të individit por vetëm për: Tendencën për shkatërrimin, pezullimin e lidhjeve individuale, grupore apo shoqërore me faktorët e natyrshëm identitarë (gjuha, tradita, kultura, zakonet) për të konstruktuar një identitet tjetër! Gjë siç thamë është e pamundur. E pamundur nga njëra anë sepse alienët nuk e mohojnë dot origjinën e tyre – pra s’ka tëhuajësim total, por kombinim fragmentesh kulturash të ndryshme për ta ndërtuar një individuale, e në këtë kontekst një të qëndisur në favor të terrorizmit proilsamik – dhe nga ana tjetër sepse ngarkuesit e tyre kërkojnë që ata të jenë misionarët e tyre në kulturën nga duan të ikin.

VIII. Për fund

Tëhuajësimi i të ashtuquajturve „mjekra“ edhe pse është kozmetik patjetër se shkakton tërmete kohezive në shoqëritë shqiptare, sepse ai del të na jetë si ai Hammeri i Cheever, i cili vetërealizimin beson ta arrijë vetëm me zhdukjen e tjerëve. Shumica e tyre as që e dinë se tëhuajësimin e kanë të pamundur dhe se doktrina me të cilën janë të hipnotizuar nuk ka të bëjë me sistemimin e tyre pozitiv në botën tjetër apo në këtë në depresion, por ju shërben agjencive teopolitike e kseonofile për të instaluar pushtetin e tyre atje ku duan.

Tashmë është vonë që shoqëritë shqiptare të mundohen t’i resocializojnë nëpërmjet ndonjë programi a aktiviteti sekular të „tëhuajësuarit“. E vetmja rrugë ka mbetur xhamitë me personel tjetër mundohen t’i dehipnotizojnë alieantët shqiptarë, duke ua bërë të qartë se të zhgënjyer nga iluzioni i ëndrrës së madhe shqiptare kanë rënë viktimë e iluzionit të ëndrrës së madhe „islame“ që del të jetë edhe ma boshe se e para.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.