ISIS me plis

Kërcënuan talibanët. Si na u duk? Si një shpullë idiotësh oqeanit me shpresën se do ta krijojnë në cunami, apo u tërbuam se ISIS flet zyrtarisht edhe shqip. Çfarë zullumi bënë shqiptarët se?

Nëpërmjet një videoje që dje u publikua në të gjitha mediat shqiptare,ISIS, respektivisht copa shqiptare e kalifatit, kërcënoi jobesimtarët e Ballkanit, respektivisht shtetet e plisave, se do t’i asgjësojë me eksploziv për shkak të zullumit ndaj myslimanëve.

Cilit zullum se?

Çka bëjnë shqiptarët pas këtij kërcënimi? Ua ka hutuar frika edhe molekulat më të fjetura subkutane; janë të tmerruar nga fakti se ISISflet edhe shqip; janë gërditur nga kërcënuesit sepse edhe kamerën e bënin me miza nga papastërtia? Vërtet, si ndihen qeveritë, shoqëritë civile, mediat, pas këtyre vrasjeve mizore nga shqiptarët e tëhuajësuar e të shndërruar në terroristë të tipit më brutal dhe më primitiv që nga Kanibali me të vëllanë Mago e deri sot? Të dështuar? Mos është dashtë qysh herët shqiptarët t’i detyrojnë myezinët e tyre të shndërrohen në rapsodë apo militantë të hipi-revolucionit të Woodstock-ut, thjesht në emër të ndonjë higjiene psikoakustike të dekretuar nga shteti për t’i ruajtur pinjollët e tyre qysh në fetus nga ndikimi i halakulave saharike? Mos është faji te pakujdesia e shtetit dhe shoqërisë ndaj të devotshmëve që i ka lënë të ushtrojnë trusjekokën mbi qilima ku miliona milingona nuk kanë as shenjë komunikacioni udhës për gjetur hundët e lira?

Çka bëjnë rekrutuesit, si ndihen ata? Edhe më interesant do të na bëhej po të kishim mundësi të pakufizuara empatike, telepatike e të futeshim në odën mentale të atyre imamëve që i rekrutuan, të atyre publicistëve që i arsyetojnë e mbrojnë e të shohim se ç’bëjnë, si ndihen? Bërtasin pazë: “Eu Allah, elhamdulilah, kuluvallah, më në fund bijtë tanë çojnë zërin“, apo edhe atyre u ka hyrë frika se në mos ndonjë raketë qorre e tyre kolateralisht i zë mu atëherë kur bythëpërpjetë e kokëpërtokë janë duke bërë namazin?

Çka duhet të bëjnë shqiptarët pas këtij kërcënimi? Ndoshta Ministri i Arsimit kërkon – menjëherë pas leximit të kësaj kolumne – që hoxhallarët mos ta rrëfejnë më historinë e Ibrahimit që dëshiron t’ia presë kryet Isakut sikur të ishte dhi e shterur, por atë të Pelopit, respektivisht atit të tij Tantalit, që pret në copa të birin, e zien dhe ua nxjerr për drekë perëndive për t’ua bërë një me zero. Apo Ministri bën përjashtim, se është gjendje e jashtëzakonshme dhe vendos njëherë e përmallë ta vë në funksion trurin dhe t’i ndalojë të dyja sagat me arsyetimin se nga sot as shkolla e as mejtepi nuk lejohen më ta sakralizojnë krimin, qoftë ai i perëndive, kishave, xhamive apo tempujve të manistëve. Basta. S’ka më përralla me shpata, topa, bajoneta, e as me shkopinj magjikë që çajnë dete e popuj. Nga sot gjithandej do të mësohen vetëm rrëfimet e Erastëve (të dashuruarit) dhe Eromenëve (të dashurve).

Me çka e merituan shqiptarët kërcënimin e Isisjanëve? Të rekrutuarit për në ISIS kanë mentorët, sponsorët dhe transportuesit e tyre. T’i pyesim ata? Për çfarë zullumi e ka fjalën brigada e tyre delirante para kamerave “Made in djalli” dhe rrjetet sociale “Made in hebreji” dhe me armët në dorë që nuk ka pasur shans t’i ketë në dorë as Abu Bekri, as Hazreti Aliu, e më hiç A. Muhamedi?

Shumë pyetje, supozime, propozime, sugjerime na dolën.

Në fakt, këtë kolumne mund ta zëvendësonim me një letër drejtuar shteteve ta ndryshojnë kursin ndaj feve me arsyetimin se dështoi toleranca ndërfetare shqiptare dhe se duhen ligje cezariane.

Dhe me një të fala talibanëve: Fys!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.