Zeniti dhe drama e AAK-së

ETOMETRI SHQIPTARE (I) / Ramush Haradinaj, respektivisht AAK ka ndryshuar komplet. Strategji e re politike? Jo thonë shumica: është veprimtari afektive, e frustruar e një lideri që me çdo kusht donte pushtetin. Historia dhe tashmëria e një partie në krizë! 

«Dashuria dhe frika nuk shkojnë bashkë. Po u desh të vendosim ndërmjet këtyre dyjave, shumë më e sigurte për ne është të na frikohen se sa të na duan», kështu njëra nga makiavelianat që del të jetë këshillë e amshueshme sidomos për personat që bëjnë çmos për pushtet.  Pse e përdorim këtë citat paramodern në kontekst me AAK-në? E hapim etogramin me këtë maksimë ngase biografia e partisë së Ramush Haradinajt duket të ketë kaluar nga dashuria dhe përkushtimi për vendin në operime irracionale, jokoherente, në veprime që sugjerojnë sikur ajo qëllimisht të biznesojë me frikën dhe kërcënimin. Historikisht jo pak grupe, parti e personalitete edhe e kanë marrë pushtetin me këto mjete, mirëpo se sot, në rrethanat mbizotëruese globale dhe kushtet kosovare një sukses i tillë është iluzioni më vetëvrasës i mundshëm, e din çdo student i keq i politikologjisë.

Pse dhe si erdhi AAK në këtë gjendje?

HISTORIATI – Haradinajt janë njëra nga ato familjet që sakrifikuan shumë për këtë liri aktuale kosovare. Nga ky fakt buronte edhe simpatia e madhe e masave të pasluftës ndaj Ramushit dhe kullës së Haradinajve. Integrimi i Ramush Haradinajt në politikë çau në dysh edhe një monolit tjetër prej akulli: pranimi i tij për të qeverisur me pacifistin Rugova hapi një etapë shpresëdhënëse të pajtimit të taborëve të armiqësuara politike si ai i «luftës» dhe ai «kundër luftës». Aq sa qëndroi si kryeministër i vendit dëshmoi se dinë dhe mundet të qeverisë.

Përkundër gjithë asaj propagande të madhe mediale e grupesh [brenda, jashtë e sidomos në Zvicër] rreth «divizioneve të haraçit» Dukagjinit e gjetiu Ramush Haradinaj, me gatishmërinë e tij për tu përballur me Hagën duke braktisur postet e gjunjëzoi edhe diplomatin më kritik dhe skeptik ndaj tij. Gjithëve ju kujtohen fondet vullnetare në favor të tij, masat fanellëbardha me portretin e tij që mbushin Prishtinën edhe më me freneteizëm se sa ato kroatet në mbështetje të Gotovinës. Edhe nga Haga, me asistencën e dy figurave kyçe dhe luftarake (por racionale dhe pragmatike) si Ardian Gjini dhe Burim Ramadani AAK ruante brendavendit pozitat dhe autoritetin e një partie, kthimin në pushtet të cilës e dëshironin jo vetëm anëtarët e saj. Hyri në Kosovë duke hapëruar tepihut të kuq qeveritar. Ashtu siç edhe shkoi: me qëndrimin dhe pjekurinë e një burrështetasi.

Dhe këtu nis teposhta. Qysh para zgjedhjeve fillon defaktorizimi i brendshëm i figurave qendrore që kishin mbajtur gjallë partinë gjatë mungesës së Ramushit. Distancohet Burim Ramadani; ulë intensitetin e veprimit Ardian Gjini. Ikë edhe ai që për interesa personale më së shumti hendikepoi partinë: egocentriku Blerim Shala. Profili publik i AAK-së sot keqvizatohet nga persona që mezi ua gjen ndonjë simpatizant.

CEZURA/THYERJA – Gjatë zgjedhjeve shumë eksponentë të shoqërisë civile e mbështetën Haradinajn pikërisht duke u nis nga profili i skicuar lartë. Përveç kësaj ishte i vetmi me programin më rigoroz dhe pa kompromise sidomos në çështje akute të kohës si laiciteti, përballja me ekstremizmat, rrugën evropiane, identitetin dhe shtetin dhe plotë çështje kapitale të natyrës. Hyrja e partisë në koalicionin VLAN është çasti kur partia nis me përdhunimin e ekuilibrit, profilit, identitetit të saj. Ramush Haradinaj hoqi dorë nga vetja e mëparshme. Fiksimi këmbëngulës «unë do të jem kryeministër­» me çdo kusht ia dogji për disa muaj gjithë atë autoritet të ndërtuar që nga dita e parë e veprimit ne organizatat ilegale të diasporës e deri në ditën e kthimit nga Haga. Partitë tjera opozitare e shfrytëzuan maksimalisht në dy drejtime: për ta demoluar autoritetin e «armikut, haraçembledhësit kriminel» të dikurshëm, duke e reduktuar (sot) në një falangë pararojë dhune dhe kërcënimi dhe në anën tjetër duke e instrumentalizuar dhe fiksuar atë në mendësinë e masave si filiale të tjerëve, me synime krejtësisht të kundërta nga vetë programi zyrtar i AAK-së, me një fjalë duke ia shkatërruar profilin e një alternative të mundshme.

Edhe një transformim tjetër shumë i rëndësishëm duket sikur ka zhgënjyer edhe përkrahësit më të flaktë të partisë:  shkelja e parimeve pro laicitetit. «Kumanova» ndryshoi komplet qasjen e Haradinajve ndaj religjioneve. Kthesa madje mund të ndiqet kronikisht me një precizitet të lartë analitik: dhe atë që nga fotografitë e para të Daut Haradinajt me të birin e njërit nga dëshmorët ekstrareligjiozë, përjashtimin e Ernest Lumës për shkak të tendencës së tij «për ta prezantuar partinë si jo religjioze (D.H),  nëpërmjet kërkesës për tu paguar hoxhallarët e deri tek pranimet ceremoniale të Koranëve dhe tepsive Mitrovicës, Gjilanit e gjithandej. Më shumë se sa nga ndonjë urrejtje, jotolerancë ndaj religjioneve reagimi aversiv i masave ndaj AAK ndodhë për shkak të «shitje-blerjes së idealeve» si në tregun e lakrave të Tetovës.

Sot këdo ta pyesësh se cili mund të ishte shkaku i këtij transformimi eutanazik të AAK-së të thotë; «frustrimi nga moshyrja në pushtet». Sipas këtij versioni AAK, respektivisht Ramush Haradinaj është në gjendje të djeg e shfaros  për t’u hakmarrë për mashtrimet që ia bëri Thaçi dhe të tjerët duke mos e lënë të bëhet kryeministër. Vërtet është kështu? Pamundësia për t’i arsyetuar ndryshe plotë dukuri të shfaqura pas zgjedhjeve të detyrojnë t’i besosh këtij versioni. Sjellja, kështu siç është në asnjë mënyrë nuk mund të kualifikohet si dashuri ndaj vendit, për ta shpëtuar atë nga bandat apo ndonjë politik destruktive që nuk është e mangët, ngase ajo është plotë urrejtje dhe poshtërim edhe në momentet kur vendi ecë ndërkombëtarisht para.

PROGNOZA SI DËSHIRË – Në AAK-në e djeshme shpresonte shumëkush. Këtë të sotmen e donë rrallëkush. Përveç atyre që s’kanë ndonjë alternativë tjetër ose që janë të lidhur me Ramushin në një mënyrë apo tjetër askush më nuk shpreson në ringritjen e partisë. Megjithatë a do ta mbijetojë këtë inter-krizë AAK pa u bë klub farekoti në skenën politike kosovare si disa ish-parti e organizata? Duhet të mbijetojë se ajo i duhet Kosovës. Megjithatë gjithçka varret nga Haradinaj. Dëshira që AAK t’i rikthehet vetes dhe të luajë rolin e një opozite të vërtetë është ende e përhapur, jo vetëm tek ata që janë të lidhur personalisht me AAK-në, por edhe tek shumë të tjerë, qytetarë që shpresojnë në kthimin e atij Ramushit që më shumë prirej nga maksima konfuciane «nëse vërtet e doni të mirën (vendit), s’ka shteg që populli juaj mos të bëhet i mirë (ndaj jush)» se sa nga ajo makiaveliania e frikës dhe kërcënimit!

Haradinaj
Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj

 

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.