Çka tash pas Parisit?

Do të ndahet hermetikisht oksidenti nga orienti? Apo arsyeja do të triumfojë, duke luftuar terrorizmin në atë mënyrë për të mos e ushqyer edhe më si deri tash!

Parisi në flakë. Qindra njerëz vdiqën e tjerë vazhdojnë të vdesin. Politika ulërinë me parulla të pashpresta e plotë patos për Francën e Madhe, Parisin e Dritave dhe Qendrën e Qytetërimit Europian. Gjitha këto na ishin njëherë. E ç’iu duhen krekosjet që nuk ringjallin njerëzit, gjithë ato shpirtra të pafajshëm që u larguan nga ne pa e ditur pse? Shkakun e gjithë kësaj duhet kërkuar që në anijet e para ekspansioniste europiane të stolisura me kryq e shpatë për ta ndryshuar botën. Franca deri dje ishte kolonizatore e egër vendeve arabe. Edhe sot e kësaj dite është vendi që mban legjione gjysmëlegale që i angazhon në veprime gati kriminele.Në historinë e re CIA ua mësoi talibanëve përdorimin e armëve. KGB poashtu. Huntington ua skicoi projektin. Dhe ja ku i kemi – terroristët që vrasin qindra e mijëra njerëz bashkë me veten. Që nga 11 shtatori e këndej perëndimi sulmohet brutalisht nga më të pafuqishmit e botës. Parisi nuk do të jetë stacioni i fundit. ISIS-ët do të vazhdojnë të vrasin.

Putini dhe Erdogani do t’i sponsorizojnë natën dhe do t’i shajnë e bombardojnë ditën. Obama do të humb diktatin ndaj ushtarakëve të tij. Vendet europiane do të hermetizojnë kufijtë dhe do t’i shtrijnë aparatet e survejimit mbi çdo dykëmbësor që është mysliman, ka qenë mysliman apo sillet sikur të ketë lidhje me islamin. Krimi masiv dhe tmerri do të vazhdojnë; nga të dyja palët? Deri kur? Jo edhe gjatë në këtë formë, por edhe më keq! Shteti Islamik mund të ekzistojë vetëm edhe disa javë, maksimalisht edhe disa muaj. Kjo pasi rusët dhe turqit nuk i ndihmuan për atë që besojnë ata por për t’i përdorur si instrument për politikat e tyre ekspansioniste. „Budallenjtë as që vlejnë për më shumë“ – tha së vonti një gjeneral rus.

Dilema që qeverive perëndimore u rrokulliset në kokë është; si t’i heqim qafe ata që gjatë gjithë historisë tentuam t’i bëjmë si ne? Ata që jo se nuk bëne si ne por u tërbuan kundër nesh. E ka gjithë kjo urrejtje shkatërrimtare burimin tek eksploatimi i egër ekonomik që perëndimi dhe rusët ua bënë atyre popujve dhe që edhe sot e kësaj dite ua ruan diktatorët dhe tiranët sikur t’i kishin sytë e ballit? Jo nuk duket kështu. Nuk është ky arsyetimi i fanatikëve islamë. Ata nuk e kanë në flamur hakmarrjen për çështje materiale dhe se perëndimi i eksploatuaka. E as për faktin se ua paskan prish identitetin kulturor. Ata luftën e bëjnë në emër të Allahut dhe në bazë të vargjeve, fragmenteve dhe urdhëresave kuranore. Ndryshe do të ishte edhe më kontradiktore se sa që u lejohet me gjithë nivelin që kanë: materialiteti nuk mund të jetë esenca e luftës së tyre për arsye se vetëm parajsa e ofron kulmin e mirëqenies dhe paqes e bota, kjo botë është e kalbur dhe duhet të shembet.

Ka ardhur koha që perëndimi të mbyll dyert dhe mos të lejojë as zogjtë nga Lindja e lere më njerëzit, refugjatët? Kombe të ndryshme veçse kanë filluar t’i ndërtojnë murret e tyre. Dhe atë jo vetëm përreth por edhe brenda. Akademikët e teorive preventive së shpejti do të mbeten pa punë. Fjalën do ta marrin gjeneralët, të cilët qëmoti kërkojnë që egërsimi i lindorëve të mos shihet si dukuri, por si kancer që kërkon operim. Dhe kanceri do të operohet, për këtë tashmë nuk ka asnjë dilemë. Se a do të mbytet ai përfundimisht nuk mund të garantojë askush.

Pasoja e gjithë kësaj: së paku edhe për një kohë të gjatë bota do të ndahet me gjëmba në orient dhe oksident. Orientalët brenda oksidentit do të detyrohen o të ikin o t’i nënshtrohen asimilimit total – ndryshe perëndimorët nuk i besojnë më askujt. Vazhdojmë të jetojmë në rrethin e djallit. Leviathani është mbreti, i gjithëpushtetshmi edhe i postmodernës. S’ka paqe. Kjo është një tablo zi. Por njëkohësisht më e bardha e mundshme. Dhe po e përsërisim: vetëm nga ajo ditë kur humaniteti do të tërbohet njëjtë përballë 100 kufomave ruandeze, arabe, afrikane, parisiene, amerikane, e jo kështu, jo të shpallë apokalipsin kur vriten njëqind e më shumë francezë e të heshttë si në varr apo mos të regjistrojë fare kur vriten edhe dhjetë herë më shumë diku tjetër, vetëm nga ajo ditë mund të shpresojmë se fituam mbi barbaritë, terrorizmat dhe krimet tjera. Parisi u dogj. Ishte haraç apo jo nuk ka rëndësi: krimi mbetet krim dhe po nepërmjet tij do të shuhen autorët e tij të sotëm, të djeshëm dhe të ata që pretendojnë nëpërmjet tij t’i zgjedhin problemet. Derisa t’i kategorizojmë dhe diskriminojmë edhe të vdekurit iluminizmi nuk ka triumfuar!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.