Gra e fëmijë në ISIS – debati pis!

Arbana Xharra publikoi një studim rreth prezencës së grave shqiptare në ISIS. Të dokumentuar deri në asht. U përndezën: motra hoxhallarësh, akademike me ferexhe dhe aktivistë pseudomarksistë jo për të dëshmuar të kundërtën – nuk munden – por për të denigruar, devalvuar faktet. Pse? Janë me ISIS, por nuk kanë guxim ta thonë hapur? Historia e një kategorie nxitësish ordinerë!

A është Islami ISIS? A janë myslimanët shqiptarë shumica për sheriatin; a mendojnë ata se vërtet një sistem terrorist, kriminel siç është instaluar atje ku vepron i ashtuquajturi „Shtet islamik“ e që udhëhiqet nga një hierarki kanibalësh, së cilës nuk ia gjen paralelet as në etapat më të errëta të historisë njerëzore është sistemi i cili iu duhet? Përkundër dëshirës së islamofobëve dhe anti-islamikëve të rreptë që të ishte kështu, jo ISIS nuk është Islami as për nga reprezentimi numerik e as ideologjikisht edhe po ta çkontekstualizonim dhe dekonceptualizonim qëllimisht gjithçka që gjendet në Kuran. Pjesa absolute e librit që myslimanët e konsiderojnë të shenjtë nuk përbëhet vetëm nga urdhra për të mbytur njerëz. Jo, shumica e myslimanëve as nuk duan t’i asociosh me të bëmat e atyre terroristëve në vendet arabe.

Dakord kjo, po pse megjithatë është krijuar një përshtypje sikur ky version terrorist i interpretimit të Islam-it të gëzojë mbështetje brenda diskursit shqip. Është formësuar bindja sikur pa fije guximi njerëzor, por edhe pa heshtur grupe e njerëz të caktuar vazhdimisht transportojnë sinjale të simpatizojnë me ISIS-in respektivisht njerëzit që i bashkohen këtij grupi e që janë të origjinës e sojit të tyre.

Kur ndodhë kjo?

–       Kur njerëzit në mënyrë masive mbulojnë portretin e tyre me flamurin francez për shkak të masakrës që ndodhi atje e këta postojnë qëllimisht e atypëratyshëm fotografi para ndonjë xhamie të bukur, në Stamboll a Mekë, me ndonjë koleg të Shefqet Krasniqit e të ngjashëm. Dhe kjo assesi nuk del si aksion kundër «mainstreamit» (çka do të ishte e arsyeshme deridiku), pasi të gjithë kronikën e profilit, reagimet dhe komentet i kanë me përmbajtje animi direkt kundër akuzave ndaj ISIS-it. Je kundër sulmuesve të ISIS-it? Pse? Për të mbrojtur Islamin? Çka implikon kjo?

–       Kur reagojnë ndaj çdo artikulli, komenti, postimi që dënon sulmet terroriste me relativizime, me akuza ndaj autorëve pa trajtuar aspak faktet, argumentet e sjella aty, siç ndodhi këtyre ditëve ndaj hulumtimit tejet profesional të kryeredaktores së gazetës «Zëri» Arbana Xharra, një punë e mbështetur nga  nga Fondacioni «Erste» dhe Fondacionet e Shoqërisë së Hapur në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative, si pjesë e «Iniciativës së Alumnit të Bursës Ballkanike për Gazetari Cilësore». Një tekst, i cili shihet se është i punuar sipas standardeve më-profesionale. Kjo sigurisht ka ndikuar që teksti qysh si dorëshkrim të citohet jashtë më shumë se çdo tkest tjetër në këtë temë.

Sapo u botua teksti u shfaqën sërish motra filize hoxhallarësh, pseudomajtistë me biografi shumë aktive në këtë drejtim dhe lloj lloj fahidiotësh si në zonën e dijeve islame ashtu edhe në atë të arsimimit mesatar që me gjuhëshpatë donin të diskreditojnë të dhënat pa u marrë fare me faktin se ato gra, ata fëmijë gjenden në ISIS, janë atje dhe pa marrë qëndrim (pa fije guximi elementar) se e konsiderojnë pozitivisht apo jo popullimin e ISIS me njerëz të tyre. Po, pozitivisht e konsiderojnë ngase :

–       Është metodë infantile, e tejdukshme e propagandës posthitleriste të populistëve, fashistëve dhe racistëve të të gjitha ngjyrave se: një kauzë të diskredituar nga mendësia e masave nuk e ndihmon më duke ushtruar apologji direkte, pra me propagandë të hapur pro, por më tepër duke denoncuar, demaskuar dhe zhvlerësuar diskursin dhe akterët kundër tij. Me këtë metodë tinëzare racistët e çdo skuti të planetit besojnë të kenë efekt dydimensional: 1. të nxisin masat gjoja për diskriminimin e grupeve të caktuara dhe 2. të shumojnë simpatitë për kauzën që mbrojnë – pra në këtë rast të islamit radikal!

Në kushtet shqiptare këto tarafe mirëpo i kanë dy probleme. I pari problem: shumica prej tyre nuk e dinë se çka në të vërtetë ndodhë në vendet arabe; nuk njohin më shumë se tri katër sure kuranore (njëjtë si islamofobët që pretendojnë Kuranin ta shfaqin sikur të përbëhet nga pesë sure të dekontekstualizuara/ me të njëjtën metodë edhe Biblën, Epin  e Gilgameshit dhe shumëçka tjetër mund t’i shndërrosh në strategji luftarake për ekzekutimin e tjerëve) dhe i dyti problem: Shumica e të ashtuquajturve «islamofobë» medieve nuk kërkojnë ndalimin e Islamit, xhamive, por sulmojnë një adresë të caktuar, të izoluar: ISIS-in. Implikueshëm: të kundër-sulmosh ata je pro ISIS, pro terrorit – shteg tjetër nuk ka, pavarësisht nga forma se si e bën atë.

Shqetësuese në këtë polemikë pise, kaotike dhe pa fije parimi debatimi është se plotë prej tyre, të kësaj hordhie të pashkolluar as me leksionet elementare të humanizmit dhe civilizimit gjenden si punonjës mediash, haxhilerë televizionesh, funksionarë partish, redaktorë, asistentë organizatash hulumtuese, mësues shkollave e profesor katedrave ose sillen si guru grupesh studentore apo edhe më shumë.

Ky grup, kjo kategori është problemi dhe arsyeja se pse analizat e huaja thonë se ka një simpati të fshehur ndaj ISIS në kulturosferën shqiptare e jo se vërtet është kështu. Nuk është kështu se as myslimanët shqiptarë nuk duan të identifikohen me terrorizmin, është ky grup mendjeluadh bashkë me zuzarët heshtanakë që me sjelljet e tyre vulosin ata padrejtësisht si isisianë.

Teksti i cituar i Arbana Xharrës: http://zeri.info/aktuale/73479/grate-nga-kosova-ne-krye-te-kampeve-te-isis-it-foto/

Hulumtimi i zonjës Xharra në Zëri
NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.