Manifesti i shoqërive pa vlera

Gjatë festave, përkujtimeve, riteve lexohen më së miri vlerat e një shoqërie. Gjatë përkujtimit të ish presidentit Ibrahim Rugova besojmë të kemi lokalizuar arsyen se pse harta mentale dhe emocionale e kosovarëve është kaq toksike dhe e zymtë: atë e dominojnë muzikantët e apokalipsit!

I.

Edhe ndër shqiptarë duhet të përfundojë kjo fazë posttraumatike e besimit të verbër ndaj statujave, heronjve, të gjallëve dhe primatëve. I verbër është sepse i njëanshëm, fals, fyes, urrejtjeprodhues, i gërditshëm, irracional deri në trans.

Këtyre ditëve gjersa përkujtohej Ibrahim Rugova përdhunohej në mënyrën më të egër imazhi i njeriut në shtrat; atij tjetrit që 28 vite kaloi jetën pas grilave të kafazit jugosllav. Ithtarët e Ibrahim Rugovës në luftë me ata të Demaçit: kjo ishte atmosfera që do të shënohet nënvizueshëm e jo vetë kujtesa për njërin apo për tjetrin.

Natyrisht se këto dy figura ndër kapitalet e historisë më të re kosovare edhe vetë me sjelljet  e tyre kanë kontribuuar pjesërisht që të kenë falanga, të përkujtohen e festohen nga «turma» që aq i bukur i definoi gazetari Uran Krasniqi me diagnozën: «Personat e tillë e duan vetëm personin e tyre dhe problemin me vetveten në raport me Demaçin e kamuflojnë si dashuri për Rugovën» (FB: 22.02.2016). Dhe anasjelltas. Patjetër se një ditë kur do të përkujtohet ky «i burgjeve» do të përdhunohet ai i victorias së «dy gishtave». E sigurt.

Në esencë pra nuk kemi të bëjmë gjithaq me curriculumet pozitive a negative (në kontekst me fatin e shoqërisë, masave) të dy figurave, por ajo që ne duhet ta analizojmë janë natyra e grupeve të tilla tifozerike dhe hapësira që ata zënë në hartën mentale e emocionale të masave dhe kohës.

II.

Ku kapen të frustruarit për të shfryer mllefin e akumuluar më shumë nga përditshmëria se nga vetë historia e dy figurave: ato thirren në fragmente të izoluara të habitusit të liderëve të tyre; akuzojnë njërin të jetë «zgërdhirë dorështrëngueshëm me tiranin që donte t’i zhbënte shqiptarët», shajnë tjetrin për akuzat e pandërprera ndaj të parit dhe se kohëve të fundit ka shfaqur ide vazhdimisht kundra-efektive për kauzën e lirisë dhe shtetësisë së kosovarëve. Gjitha këto i bëjnë nga pozita e të qenurit të lirë, d.m.th. tiradat psikotoksike i ushtrojnë të shtrirë mbi qilimin e idealeve të realizuara të të dy figurave në fjalë– njërit të ndjerë, tjetrit në shtrat. A nuk kaloi Adem Demaçi 28 vite burg për këtë Kosovë siç është sot? A nuk ishte ideali i Ibrahim Rugovës, kjo Kosovë e pavarur dhe demokratike siç mbijeton me zor sot? Mbijeton me zor jo për shkak të tyre, por për shkak të pikërisht psikozave që i krijojnë këto grupe sot, këto «turma» e «kasta politiko-mediale» që fajin e paaftësisë së tyre tentojnë ta depozitojnë trastave e xhepave të idhujve të tyre.

Konkretisht, historikisht dhe për nga rezultati: Demaçi dhe Rugova ishin dy faktorë përplotësues që garantonin koherencë dhe kontinuitet konform proceseve, kohës dhe etapave nëpër të cilat duhej të kaloj dhe të zhvillohet kauza kosovare deri në sigurimin e lirisë që finalisht edhe e fitoi.

Ekskurs dhe me disa fjalë: nuk bëhesh dot ballist kur të vetmen përkrahje e ke nga komunisti (Demaçi në fillime) dhe nuk bëhesh dot komunist kur miqtë që mund të të shpëtojnë preferojnë demokracinë pluraliste, liberalizmin apo diç tjetër (Rugova). Kësaj i thonë pragmatizëm, oportunizëm pozitiv. Nuk i futet me grusht as tiranit e as demonit kur gjithë bota të beson si pacifist (Rugova) dhe e sheh se ke sukses në favor të kauzës që përfaqëson. As nuk kërkon minimumet kur donë të nxjerrësh të mesmen, më të mirën të mundshme nga «pazaret» globale (Demaçi).

III.

«Kur bien ose nuk janë institucionet» – thotë filozofi Norbert Bolz (2012:21) – «vlerat mbeten pa strehë». Në mungesë të reprezentatives në shumicën e segmenteve kulturëbërëse të shoqërive shqiptare publisferat i dominojnë «muzikantët» e apokalipsit, ata që çizmojnë vulosshëm trurin dhe frymën e shoqërisë duke e shndërruar atë në thertore të kujtesës, arsyes, duke ia paravrarë asaj çdo mundësi pluraliteti brenda trashëgimisë, historisë e sidomos duke ia ekzekutuar shansin për një të ardhme paqësore – së paku në stadin e ansamblit të kujtesës dhe trashëgimisë.

Mendësia e këtyre falangave pra sheh vetëm defektet. Ajo është e mbyllur hermetikisht, e paaftë për të regjistruar vlerat edhe atëherë kur ata përbëjnë 95% (nëse mund të mateshin) të biografisë së një figure, lëvizjeje, aksioni.

E kush nuk i sheh vlerat por vetëm defektet? Njerëzit pa vlera me siguri. Kjo fjali, ky konstatim i fundit madje duhet të shqetësojë të gjithë, edhe ata që mendojnë se dinë t’i detektojnë, regjistrojnë vlerat; si është e mundur që pikërisht pseudodiskurset e llojit të jenë alfa dhe omega e mënyrës së infobërjes së mediave?

IV.

Problemi nuk janë Adem Demaçi e Ibrahim Rugova, përkundrazi mirë që shqiptarët i patën dhe kanë atëherë kur ishte/është më së shumti nevoja, problem dhe kancer brenda hartës mentale, asaj emocionale, frymës dhe mbarë qenies shqiptare janë falangat e pamandat, ato që sillen si instanca që nuk munden pa llapur për shkak të mllefit që kanë dhe injorancës që i mundon, ata pra që bërtasin kryesisht për çështje për të cilat s’janë as të thirrur e as të dëshirueshëm –dhe ky soj do të ekzistojë përherë, së paku deri atëherë kur shumica të jetë ndryshe e mos t’i konsiderojë timonë të frymës së tyre.

Mob

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.