Zi, gropë ferr dhe…?

Duket sikur për shqiptarët të ketë vetëm politikë. E kjo e fundit është tmerr. Po sfera tjera të jetës a kanë shqiptarët si kultura, artet, ekonomia e mesme, privatësia, individët e suksesshëm? Pse shumica e shqiptarëve kanë vetëm një perspektivë; atë nga ferri drejt ferrit.

Një ditë mu fiksua ta bëjë një listë me shqiptarë të arritur botës. Doja të hulumtoj për të mësuar se pse i percepton bota shqiptarët siç i përshkruan; deshtë të dijë se pse vajtojnë shqiptarët aq shumë fatin e tyre, siç thonë në gropë, në hades, në ferr. E mbusha një faqe A3 me emra artistësh, futbollistësh, biznesmenësh, akademikësh, aktivësh në politikat e shoqërive të ndryshme perëndimore dhe nuk më mjaftojë. Janë shumë. Vetëm në Zvicër për shembull janë mbi 100 firma të suksesshme me pronarë shqiptarë. E nisa faqen e dytë dhe e lashë. Iu drejtova bibliotekës ngase atje mu kujtua ta kem një manuskript afro një mijë faqesh me emra dhe lëvizje shqiptarësh që kanë qenë madje edhe konstruktorë perandorish të mëdha, arkitektë megalagjesh që sot e kësaj dite njihen si monumente të historisë kulturologjike; aty janë emra ministrash, themeluesish letërsish, fotografë, piktorë e çka jo.

Ç’është kjo dukuri kështu?

Janë shqiptarët të deleguar në këtë planet për të qenë të vyeshëm vetëm për tjerët e për veten tmerr?Jo.

Shqiptarët asnjëherë në histori nuk kanë pasur shtetet e tyre ku të realizohen. Tash ia kanë dy madje. Dhe ato nuk ecin me shpejtësinë siç e kërkon temperamenti intensiv i plisbartësit. Natyrisht shtetet nuk janë kasolle që duhet të përfundojnë para se të nis bora. Ato janë sisteme komplekse që kërkojnë dekada, po edhe shekuj madje për tu konsoliduar drejt „përkryerjes“. Shihni Zvicrën: është demokracia më e vjetra në botë dhe e dini se kush i merr vendet më të mira të punës? Ata me „Vitamin B“, pra ata që kanë lidhje, të njohur, pra me nepotizëm. Edhe këtu ndodhë që shefi i bankës nacionale t’ia ndajë tenderin për rishitjen e devizave të euros gruas së tij (para 3-4 viteve). Dhe pasi këtu ka shtet ligjor – deri para dy tre dekadash as që është vërejtur kjo punë (lexo studimin më të ri të profesorit Ueli Mäder: Paraja dhe pushteti në Zvicër: 2016) – ndonjëri edhe dënohet ose dorëhiqet.

Me këtë dua të them se shqiptarët janë të prirë që nga foshnja të kërkojnë të drejtojë aeroplanin, të ngjitet në Hënë dhe mundësisht të prodhojë para për gjithë popullin. Kështu ngase edhe uluritësit më të mëdhenj nuk janë shembuj të mirë për shoqërinë, por sa kyçen në ndonjë post harrojnë moralin e djeshëm dhe vetëm vrapojnë nga bankomati në bankomat për të përjetuar trashjen e kontos.

E pa bërë çdonjëri të veten nuk ka shtet saora. Ose pa e ndihmuar çdonjëri në mënyrën e vetë gjendjen që është nuk ecet para.

Deri më tani nuk e lexova asnjë koment të hairit që shpërfaq diçka pozitive. Pse? Ngase e gjithë jeta e shqiptarëve duket të jetë politika, s’ka tjetër gjë: nuk ka ekonomi të mesme që ec përpara, nuk ka art, nuk ka kulturë, nuk ka sport, nuk ka individë të suksesshëm, nuk ka media më të mirat e rajonit (pa asnjë dilemë), nuk ka asgjë përveç se qeveri, politikë, gaz dhe marrëveshje të këqija. Pra ka vetëm parti, politikë dhe histori të falsifikuar për çështjet e politikave, sekteve, grupacioneve ditore.

Kjo është arsyeja pse është zi. Gropë. Ferr. Ngase shumica e shqiptarëve kanë vetëm një perspektivë; atë nga ferri drejt ferrit. Dhe pikërisht këtë perspektivë e shpërndajnë botës me tonelata: jemi keq, vuajmë , vdiqëm, jemi kriminelë dhe një ditë kur dikush pyet; po a ka edhe diçka të mirë në atë vendin e shkretë merr përgjigjen fenomenale të kretasit; gjithë kretasit rrejnë! Duke harruar se edhe vetë kretas është.

E vërtetë është se politika jo vetëm e ngadalshme për edhe tmerri i botës është, sepse nuk i shpall luftë vetes, pra strukturave të saja kriminele që i ka si pozita ashtu edhe opozita. Dhe këtë nuk do ta bëjë kurrë. Shoqëria, mediat, mirëpo e bëjnë nateditë dhe duhet kohë deri sa të binden masat që t’i shpor ato – ato masa që as vetë nuk do të jenë të po atij mentaliteti; ato masa pra që duhet bërë, „edukuar“, mësuar se si jetohet e punohet në mirëqenie pa vjedhur, pa ryshfet, pa privilegje, pa msitime për punë, tenderë, pa hyrje para rendit në spital, bankë, pa hedhur bërllok gjithandej.

Të kthehemi tek lista e fillimit; Kosova, shqiptarët kanë kapacitete, kanë njerëz. Këtë e dëshmojnë në shtetet ku jetojnë në numër. Atje ata përbëjnë më shumë se gjysmën e kombëtareve në futboll; janë me qindra laboreve shkencore; kanë ndërmarrje të suksesshme; janë të tillë ngase kanë gjetur shtetet ku veprojnë, ku ka më shumë ligj e drejtësi se në vendet e tyre të origjinës. Punojnë ne shtetet që ekzistojnë me qindra vite e jo qe disa vite. E kush donë që të ecë më shpejtë duhet ta nis nga vetja; ta bëjë vitin vetë; ta bëjë botën e tij vetë; politika nuk ka se si e ndal. Nuk e ka ndal dot as sa ishte në robëri se ndryshe nuk do ta kishte as këtë liri. Jeta dhe bota nuk janë vetëm qeveria dhe partitë, politika por parasëgjhithash jemi unë, ti, ai që duhet të gjejmë forcën për ta bërë jetën dhe botën si duam ne e jo si duan tjerët.

Kosovarët duke u rras një një kamionetë të policisë serbe për t’i sjellë në kufi me Hungarinë/ REUTERS/Marko Djurica (SERBIA – Tags: SOCIETY IMMIGRATION POLITICS)
NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.