Të festosh apo protestosh pavarësinë!

Dita e pavarësisë është festë e të gjithëve. Protestat i organizojnë tri partitë opozitare. Nëse të fundit protestojnë pikërisht në ditën kur kujtohet çlirimi i vendit nga dhuna e një shteti tjetër, plotë kanë të drejtë të besojnë se opozita ka problem me pavarësinë, shtetin dhe ekzistencën e Republikës së Kosovës dhe kishte preferuar një kujtesë tjetër!

17 SHKURTI – është dita kur kujtohet dhe festohet pavarësimi i Kosovës. Dhe jo vetëm kaq. Është ritual falënderimi ndaj të gjallëve, të rënëve që sakrifikuan aq shumë për atë ditë. Është falënderim edhe ndaj të huajve që ndihmuan. Është dita kur shqiptarët e rajonit, respektivisht Republikës së Kosovës definitiv u çliruan nga dhuna e një shteti që i vriste dhe i dhunonte. Një pakicë ishte ajo që këtë ditë nuk e përjetoi aq mirë. Shumica mirëpo atë ditë vazhdon ta kujtojë si ditën e çlirimit të tyre.

Tashmë kjo ditë festohet si e «shenjtë» nga shumica e qytetarëve të Republikës së Re . Është bërë copë dhe ngjarje që përbën identitetin e kosovarit me shtet. Kjo ditë i takon kësaj shenje, semantike, perceptimi. Kjo kërkon respekt!

PROTESTA – Fjala është latine (protestor/ari) dhe etimologjikisht e sot e kësaj dite nënkupton: «shprehjen verbale ose nonverbale kundër ngjarjeve, situatave të caktuara ose ndaj një politike të gabuar, të keqe. Pra refuzim nëpërmjet rezistimit të një gjendje të caktuar». Më 17 shkurt mirëpo kujtohet pavarësia, nuk zgjidhet presidenti as vihet në praktikë marrëveshja e asociacioneve, është në shenjë të saj dhe deshi dikush apo jo protesta de facto ndodhë kundër saj; në zemër të saj. E opozita e semibashkuar nuk është kundër festimit të pavarësisë apo?

PROTESTUESIT – Ja mund edhe kështu mund të mbrohen organizatorët e protestës. «Atë ditë protestojmë për ta mbrojtur atë pavarësi nga korrupsioni, qeverisja e keqe». Bëjeni 363 ditë tjera se kush nuk iu ndal. Protestat (e pa dhunshme) janë mjet normal i demokracisë. Po çështja themelore nuk është kjo, por pyetja: cila shumicë ua dha mandatin t’ua tjetërsoni këtë ditë, t’ua kurmëzoni, ndragëni kujtesën me politikë të ditës? Ata që mbështesin partitë më të mëdha jo. Aksione qytetare neutrale nuk kemi regjistruar. Kush? Me një fjalë ka plotë ditë tjera për këngëmorte politike.

LUFTA NË DITË FESTE – Lufta për pushtet është legjitime. Ajo është madje në të mirë të gjithëve kur ndodhë legalisht, nëpërmjet institucioneve që i ka demokracia pluraliste. Kur janë pa dhunë madje ndodhë mrekullia vetë. E nëse ajo luftë ka kauza të sinqerta dhe ka pas veti shumicën e demosit nëse jo sot nesër do të sjellë në pushtet pak më të mirët dhe do të hap shpresa të reja.

Një luftë mirëpo që shkel brutalisht mbi kujtesën dhe festat e të gjithëve, madje edhe të rënëve demonstron mospërfilljen dhe aversionin ndaj asaj që u bë dhe kësaj që është – folur pa dorëza dhe ashpër. Prijësit e asaj lufte, me akte të këtilla, bindin se nuk kanë respekt ndaj asgjëje tjetër përveç realizimit egoist politik për të ardhur sa më shpejtë në pushtet – me çdo kusht e pa i bërë llogari dëmet.

Këto protestat e opozitës që kanë filluar të mbahen ditëve të festave të të gjithëve na duken sikur shkelin me çizme mbi të drejtën e të gjithëve – natyrisht duke u thirrur në të mirën e atyre të gjithëve që nuk ua respektojnë festat – dhe si e tillë rezulton të jetë demagogji, veprim paradigmaboshësh.

MONOPOLIZIMET – Dita e pavarësisë së Kosovës nuk është e opozitës, as e qeverisë e as klubeve të shumta që ato mund ta përdorin për kauza pa pasur mandatin e të gjithëve bashkë. Shteti, institucionet dhe gjithë këto e kanë për detyrë ta respektojnë kujtesën në mënyrën sa më racionale, por jo ta përvetësojnë atë me qëllimin sherreplotë t’i zënë masat në zgrip. Parasëgjithash kjo sjellje e bën shumicën depresive edhe atëherë kur duhet të festojë: i dëshmon se edhe kundërshtarët e politikës së keqe politikë edhe më të keqe bëjnë.

Pasi që kam respekt ndaj shumicës, të gjallëve  e sidomos të rënëve unë nuk protestoj por do të festoj më 17 shkurt!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.