Me Granitin kundër primordialëve

Ti nuk je në gjendje as qytetin e prindërve të tij t’ia çlirosh, që ai të ketë ku të kthehet lirshëm në atdheun e prindërve të tij dhe e akuzon për tradhti? Valon Behrami, Xhakat dhe tjerët nuk janë ata që bëjnë shtete e kombe, por ata që luajnë futboll. Dhe këtë e bëjnë aq shkëlqyeshëm saqë i donë çdo komb i botës!

Skënderbeu nuk ka luajtur futboll.
Nëse po, aherë në mënyrë të horrortë.
As «Rilindasët», e asnjëra nga lëvizjet e organizatat e njohura shqiptare nuk e bënë sportin segment, mjet, kusht për realizimin e idealeve nacional-politike!
Megjithatë: kush ka mundësi dhe nuk luan për kombin e vet (politik, etnik) vuloset si tradhtar!
Stadiumeve, rrjeteve sociale e pjesërisht edhe mediave të «zonës gri» lexojmë fyerje, akuza, ulërima që edhe «Les Misérables»-t  e Victor Hugo-s do t’i bënin të triumfojnë, duke gërthatur: paska njerëz edhe më të prishur se ne!
Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri e kanë ndier edhe subkutanshëm efektin e kësaj përdhosjeje primoradialësh të shekullit 21.

II.

Kështu nuk është vetëm tek shqiptarët. Gjitha shoqëritë dhe kombet me koncept primordial ndaj identiteteve veprojnë sivëllezërisht!
E pamë se ndaj këtyre rrymave, turmave nuk është e çliruar as Zvicra, kombëtarja e së cilës, sipas mediave të vendit, është kompletuar me njerëz të origjinave të ndryshme; afrikane, shqiptare, kroate, boshnjake, por jo, oh ç’fatkeqësie, nuk përbehet pra nga ata me rrënjë të staneve e alpeve thëmbore ku ende fryma e Wilhelm Tell-it shkakton erërat kryesore mbi eterin helvetik. Buleverdesket dhe të majtat si e përditshmja «Blick» e kompani gati sa i linçuan lojtarët me origjinë kosovare kur atdheu i prindërve të tyre u pranua në UEFA, FIFA. Veç pas presionit të madh u dorëzuan dhe në shenjë «pendimi» na kënaqën pastaj duke e shkruar, respektivisht përkthyer veten keq e shqip.

III.

Loja ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës i tërboi, i përzjarri edhe më tepër megapatriotët kryq e tërthor hartës së leckosur së etnisë së plisave. Tërbimi le edhe të kuptohet, disi të arsyetohet pas humbjes së tri pikëve. Është reagim i natyrshëm humbësish me temperament. Ajo që gërdit është se për këtë humbje nuk u fajësua pafuqia e kombëtares, por «tradhtarët», pra ata që luanin për kundërshtarin, ose siç i pagëzuan padrejtësisht disa media ngucakeqe e që jetojnë nga provokimet «kosovarët e Zvicrës». Gjë e pavërtetë. Në kombëtaren zvicerane luajnë po aq shqiptarë nga Tetova e viseve tjera të Maqedonisë sa edhe nga rajoni i sotëm gjeo-politik: Republika e Kosovës.

Ky tërbim frikëson kur kemi parasysh se si do të reagojnë këto rryma ekstreme nëse i bie që Kosova të luajë kundër Shqipërisë, sipas rregullave të UEFA, FIFA-s e kompani? Do ta prishin shtetin para se të vijë deri tek ky moment? Do të bashkohen me Shqipërinë, me tokat  e viset e Maqedonisë – o perëndi që jeni aq të shumta, ua jepni sa me hov edhe viset tjera, se po na doli ndonjë lojtar edhe nga Mali i Zi, Lugina, Kalabria, Sicilia, Çamëria… e drama nuk u hiqet shqiptarëve kokës as edhe për shekuj! Apo do t’i vrasin lojtarët? Apo primordialistët janë skuadra e fundit e mizërisë mentale-politike e shqiptarëve të shekullit 21? Kjo e fundit do të jetë. Pse?

IV.

Përkundër këtyre histerikëve, ndoshta për herë të parë në historinë e futbollit që nga anglezët e këtej, dy vëllezër në dy kombëtare të ndryshme e shkëlqyen dhe mahnitën botën me sjelljen e tyre: Xhakat u bënë simbol i sportit të mirë, fair dhe vëllazërues e jo kërcënues, siç na e ekspozojnë divizionet primitive të skuadrave të ndryshme tifozerike lartë poshtë globit. Lojtarët shqiptarë brenda kombëtares zvicerane dhe asaj shqiptare i dëshmuan botës se ata nuk janë si politikat e korruptuara, të prapambetura, vete asgjësuese të tyre, por për nga kultura dhe sjellja qëndrojnë edhe mbi ato të konsideruarat kultura të mëdha sot.  Po tifozët shqiptarë që me sjelljen e tyre të mrekullueshme, të cilët e shndërruan Parisin e zymtë në hare shtynë edhe policët rrugëve ta bëjnë dykrerëshen? Po Kulla e Afelit që u bë flamur shqiptar?

Nga kjo frymë kanë dalë Xhakat, Behrami, Shairët, Xhemajlët e jo nga ajo që në vend të kupave kërkon shpatën e Skënderbeut. Kjo për fat sot është shumica shqiptare. Jo futbollerët shqiptarë janë kompetentë dhe përgjegjës për bashkimin, sajimin apo demolimin e kombeve, por më së shumti këta që i shajnë. Bëjeni bashkimin dhe pastaj flasim: deri atëherë askush nuk ka të drejtë ta akuzojë dikë pse luan për vendin ku ka lindur e jo për atë imagjinativin nga ku kanë ikur zbathur e me frikë prindit e tyre.

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.