Good morning little Britain

Brexit – është kësti i fundit i shuarjes së një ish- superfuqie. Dora vetë do të sjell Britaninë e Vogël nga një anëtare me të drejta të plota edhe të refuzimit të proceseve të shumta brenda BE-së në një penge bilateralesh jotransparente (si Zvicra) për të mbijetuar!

Pas votimit, njëri nga promotorët e idesë së shkëputjes, ikjes së britanikëve nga Unioni, Nigel Farage u tha votuesve të vetë: «Good Morning Britain – ju kam mashtruar»! Analistët kundër braktisjes së BE-së mezi pritën: «Ja ç’të bën veprimi irracional i masave, tirania e shumicës tocquevilliane». Për të trashur tezën e vetë, autorët i publikuan mediave të botës argumentet e tyre, aq shumë sa një enciklopedi: a nuk ishte irracionale shumica e Hitlerit; ajo e Musolinit; ajo e Millosheviqit që edhe sot kësaj dite nuk jep shpirt; ato masa heshtëse lartë e poshtë tiranive të sotme që me frikën e tyre irracionale mbajnë gjallë diktaturat vetëasgjësuese, a nuk janë këto fakte të mjaftueshme për të folur edhe për psikologjinë destruktive e të manipulueshme të masave, saherë që nga muzetë del ndonjë misionar i armatosur me mite, legjenda që rindezin emocionet këtij apo atij kombi për cilindo qoftë synim politik?

Tjerët, ata me tezën rreth hyjnisë së gishtave të demosit po aq të flaktë thirrën në ndihmë parimin bazë të demokracisë si koncept: verdikti i shumicës duhet të respektohet! Më shumë nuk kanë ç’ka thonë.

Të dyja palët kanë të drejtë. Veçse të parët kanë më shumë argumente, ngase shumicat nuk mbijnë si fije bari shkëmbinjve të mendësisë humane; ato bëhen! Kush e bëri këtë shumicë kundër Bashkimit Europian? Asessi ultranacionalisti gënjeshtar Farage. Ai vetëm se mllefin anti – BE (që mbizotëron edhe në vende tjera) e kanalizojë si zë për ta çliruar një ish – perandori nga një bashkësi ku ajo de facto e seriozisht as që kishte qenë kurrë.

REAGIMET
Reagimet më të ashpra, gati apokaliptike apo triumfuese erdhën nga kandidatët që presin anëtarësimin në Bashkësi. Gjersa ata të linjës me sy kah Rusia si neoqendra e pansllavizmit kërcenin tango, të tjerët demonizuan tradhtarin e idesë së madhe europiane. Si e përbashkëta e reagimeve të këtyre poleve dominonte mosnjohja e BE-së, e zanafillës së saj, zhvillimit, identitetit dhe gjendjes së saj dje e sot. Në grupin e të fundëve ulërinë edhe shqiptarët. Kryeministri shqiptar e shkroi një kollumnë- si mesazh për rolin e Shqipërisë në këtë «krizë». Deputetë lapsashkretë e gjetën fajtorin: gjermanocentrizmin! Në sferën e kandidatëve sundonte frika se me daljen Anglisë nga BE erdhi përgjigja ndaj pyetjes së publicistit holandez Geert Mak: «Wat als Europa klapt – Çka nëse dështon Europa?» (2012).

Edhe më brutalisht reagoi kampi i intelektualëve të majtë lartë poshtë oksidentit: Oswald Sprengler me teorinë e tij të «përmbysjes së oksidentit» paska pasur të drejtë. Po aq vizionarë paskan qenë edhe Paul Valery me «krizën e frymës», Martin Heidegger-i, Hofmannstal, Mann, Unamuno, Toynbee dhe gjithë skeptikët e mëdhenj e idesë së një Evrope të bashkuar. Radhitja edhe e autorëve rusofil në këtë listë do të ishte e tepërt.

Po për ç’ide e ideal europian e kemi fjalën? Për cilat vlera?

BE – HISTORIA
Çeliku dhe qymyrguri janë të mira materiale për zhvillimin e industrisë dhe kapitalit të një vendi apo një bashkësie. Mirëpo ato nuk janë as humanizmi, as iluminizmi, as demokracia, as barazia sociale, as paqja. Kjo BE u ngrit mbi një projekt 38-rreshtash të skicuar në tren nga biznesmeni Jean Monnet e të prezantuar (si kërkesë nga britanikët dhe amerikanët) si «Plani i Shumanit» më 10. Maj 1950 dhe që për esencë kishte: «Qeveria franceze propozon që prodhimi francez dhe gjerman i çelikut dhe qymyrgurit t’i nënshtrohet një administrate të lartë të përbashkët, një organizate e cila do të jetë e hapur edhe për vende të tjera, kështu për të krijuar bazat e përbashkëta të zhvillimit ekonomik – etapën e parë drejt një federate europiane». Një federate ekonomike, tregtare si fillim bashkëpunimi për të parandaluar, siç kërkonin amerikanët dhe britanikët «mundësinë e përsëritjes së ndonjë lufte si ajo e dyta». Projektet më të suksesshme unioni që nga Walter Hallstein (1955-1969) e deri tek aksioni «Merkozy» i shpëtimit të Greqisë dhe tjerëve nga kolapsi paskan qenë të karakterit ekonomik, tregtar – kështu kritikët më të zëshëm të saj. Ndërkaq në aspektin ideor të demokratizimit, humanitetit, barazisë sociale, luftimit të varfërisë, luftimit të korrupsionit tek kandidatet, identitetit, kushtetutës, Unioni paska dështuar totalisht ashtu siç e përshkruan po ky Martin Schulz, sot kryetar i parlamentit europian në studimin e tij «Gjiganti në pranga – Shansi i fundit i Europës» (2013).

BE SOT
Është e vërtetë siç thotë Schulz dhe kritikët tjerë se BE ka dështuar të materializojë idenë përtej mendësisë së çelikut dhe qymyrgurit. Kjo mirëpo vlen vetëm sa u përket vendeve të zhvilluara dhe deri në mesin e viteve të 90-ta të shekullit të kaluar. Në vendet kryesore të BE-së organizata ka imazhin e një zhvatëseje për të paguar burokratë nga gjithë kontinenti dhe për të shërbyer si ent social për shtetet „dembele“ si Greqia e të sojit. Imazhi natyrisht nuk është i drejtë, mirëpo ky është. BE as që ka punuar që të ndryshojë këtë imazh ne Gjermani, Francë e gjetiu.

Vendimi i BE-së për tu zgjeruar edhe në vende të tjera të ish-bllokut «socialist» e detyrojë atë që kontratën e Maastrich-ut (07.02.1992) po aq tregtare e monetare si gjitha tjerat para saj, ta konsiderojë madje vetëm si një shtyllë (Kohl) dhe se konventat tjera të lirive, të drejtave të Njeriut, e sidomos vlerave të përbashkëta europiane duke i vënë në plan të parë e si kusht janë shumë të rëndësishme – veçanërisht për shtetet kandidate, të dala nga sisteme të çoroditura dhe me potencial kolosal konfliktesh që mund ta demolonin në rrënjë bashkësinë. Që nga koha e aderimeve të para BE tashmë disponon me një katalog kushtesh të qarta se kush meriton mirëseardhje në klub e kush jo.

Dështimi vërtet ndodhë mirëpo tek implementimi i kushteve të paracaktuara, të cilat fatkeqësisht shpesh janë të njëanshme (Kosova) ngase strukturat burokratike më shumë bazohen në interesat nacionale nga vijnë se në dispozitat e Komisionit Europian. Po aq e vërtetë është kritika rreth demokratizimit të Bashkësisë përtej qendrës – shtetet duhet të kenë më shumë informacion se ç’ndodhë atje dhe më shumë të drejta bashkëvote në çështje që ndikojnë në jetën e tyre.

BRITANIKËT
Në asnjë proces që ka pasur të bëjë me qarkullimin e lirë të europianëve, në asnjë marrëveshje për valutë të përbashkët apo për krijim të një kushtetute paneuropiane Britania nuk ka marrë pjesë. Përkundrazi ajo i ka vjedhur disa vite organizatës me rezistencën e saj. Se Gjermania duhej të marr timonin në shpëtimin e Greqisë dhe vendeve tjera, se ajo duhej të liderojë në kontratat e qarkullimit të lirë dhe zgjerimit nuk është dëshirë e saj por s’ka rrugë tjetër – si e vetmja me kapital dhe resurse dhe bartëse e çdo kontrate të bërë nga BE. Tjerët o s’kanë kapital as për vete o nuk kanë nënshkruar asgjë kontraktualisht detyruese. Si Britania dhe vende tjera skandinave. Politikisht pseudomonarkia gjithmonë ka qenë e orientuar me SHBA-të dhe ka refuzuar (me të drejtë apo jo) politikat e BE në drejtim të Lindjes së Mesme e të llojit. Britania e Madhe që nga fillimi e deri sot BE e ka konsideruar si klub për shpëtimin e marrëdhënieve franko-gjermane dhe si zonë tregtare ku mund të operojë e jo më shumë. Është pikërisht ky qëndrim permanent i Britanisë së Madhe që e solli rezultatin e të ashtuquajturit «Brexit» e jo ai Faragi që nuk besojmë të dijë se çka iu bë Britanisë me këtë votë: ajo nga anëtarja me të drejta të plota refuzimi të proceseve të caktuara pardje u shndërrua në penge të BE-së dhe para zhbërjes nga forma siç është. Irlanda, Skocia tashmë e thanë fjalën se ç’do të bëjnë. Anglia për të mbijetuar e përfituar brenda kontinentit ku jeton do t’i ndodhë fati i Zvicrës, e cila tashmë i ka mbushur disa mijëra hektarë deposh me kontrata të detyruara nga BE për të mbijetuar jo vetëm ekonomikisht edhe nesër, por edhe për tu mbrojtur në shumë drejtime tjera. Tregu përtej Europës është me fabrikë në Kinë dhe konsumentë në Bangladesh, çka donë të thotë papunësi dhe standard drejt humnerës.

Jashtë BE-së mund të mbijetosh vetëm duke qenë edhe më e detyruar ndaj BE-së, kështu praktika e derisotme. Qeveria e dinte këtë, prandaj as që donë të marrë më përgjegjësi pas këtij votimi.

ZGJERIMI
Euforia e shkaktuar në vendet kandidate ishte e kotë, ngase doli nga mosnjohja e problemeve me Britaninë e Madhe. Brexit ka rëndësi për BE-në dhe kandidatet aq sa ka Zvicra apo ndonjë shtet tjetër që nuk donë të jetë anëtare e Unionit por që derdh gjak duke dorëzuar me këste reliktet e fundit nacionaliste drejt marrëveshjeve që bazohen në „dokumentet më të mirat të mundshmet“ deri më tani sa i përket sigurimit të paqes në rajon e më gjerë. BE nuk rrezikohet nga Brexit por nga vetvetja nëse nuk bëhet edhe më rigoroze ndaj anëtarëve të saj për të ecur drejt shteteve ligjore, demokracisë pluraliste dhe barazisë sociale. I duam apo jo „perandoritë“ e këtilla si BE nuk është çështja, realiteti është ky dhe tjetër rrugë hë për hë nuk ka!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.