«Kali i Trojës» si alternativë

Shprehja që dikur në shekullin 15 nisi rrugën si folje latine e që në shekullin 17 brenda frëngjishtes u gradua në substantiv, sot në shekullin 21, është bërë çelësi magjik që e sugjeron çdo i dyti foltar kosovar si të vetmen mundësi për të ikur nga ferri: Alternativa!

Po kush është kjo – alternativa? Ndonjë perëndeshë si Atena në emër të së cilës mashtruan grekët trojanët për t’ua futur brenda Doúreios Híppos-in e homerçes jonike, kalin e drunjtë? Ndonjë perandor si Napoleoni, trokamat e potkonjve të kalit të të cilit e magjepsën Hegelin ta shpall atë «Weltseele» (Shpirti i botës); frymë e re që niset nga një pikë për të përlarë e sunduar botën» (Letra Niethammer-it më 13 tetor 1806)?
Jo?
Mos është vetëm një kod vetëmanipulimi dhe asgjë më shumë?
Ky është synimi ynë: të shohim se për ç’alternative bëhet fjalë?

2.
Në njërën anë kemi pushtetin e përfaqësuar nga dy partitë më të mëdha të vendit. Në anën tjetër kemi opozitën e çarë çakejshe e të përbërë nga partitë tjera kryesore. Për arsye se në shumë çështje kapitale, probleme akute (sipas senzorëve të sferave „apolitike“ dhe të huaja) të shoqërisë kosovare ky konglomerat partish e programesh nuk ofron zgjidhje konkrete, të arsyeshme, të besueshme, pragmatike, zmadhimi i masës së revoltuar natyrshëm fillon ngarendjen pas çdo «alternative». Në këtë kontekst, sipas analizës së formulimit të saj publik, del se me alternativë kumbuesit e saj nënkuptojnë: mundësinë e zgjedhjes ndërmjet pushtetit bashkë me opozitën dhe një force të re politike të mbiquajtur «Alternativë».

3.
Deri më tani janë spekuluar plotë emra njerëzish publikë e politikë si kandidatë potencialë të Alternativës. Media-akrobatët me sugjerimet e tyre semitransparente për primatë të rinj e të pensionuar e banalizojnë edhe më thellë «enigmën» rreth partisë në embrion.

Nga të vetë-të-denoncuarit shohim se shumica prej tyre – e sidomos primatët potenciale – tashmë kanë lëvruar e korrë arave të kulturës së etabluar politike; kanë ecur instancave e institucioneve me pardesy të ndryshme detyrash e përfaqësimesh dhe prandaj i njohim dhe kemi mundur t’ia analizojmë si habitusë dhe kapacitete eventuale të një politike të re të mundshme.

Kryesisht është një tubim personash që ta përkujtojnë politikën e martesave dhe shkurorëzimeve të habsburgëve me moton e njohur «Bella gerant alii, tu felix Austria nube». Fuzione, ecejake të cilat tashmë sidomos nga zgjedhjet e fundit u bën modë, gjë që poashtu dëshmon për mungesën e vizionit konkret, personal, më shumë kështu ekspozojnë huti karrieristësh që gramshaleshëm duan të ngjiten sa më shpejt lartë se sa ndonjë kualitet të veçantë.

Këto dalin edhe arsyet se pse paralajmërimi i «forcës së re» politike ndodhë me teatralikën më qesharake të mundshme. Deklaratat si «kryetar është qytetari», «kush fotografoi duon e mrekullueshme» (Lugati?) dhe të tipit vijnë nga njëra anë si komedi e pakriptë snobësh paraurbanë dhe nga ana tjetër si gjendje vetëdëshpërimi për mungesën e ofertave konkrete.

Edhe pse shfaqja e kësaj alternative duket si një atentat i organizuar kundër transparencës, në fakt ajo është një politikbërje perpetum vacui, gjithmonë e pa substanctë, memece përballë nyejve kryesore të problemeve politike, sociale, një «mision» që mbarë ekzistencën e tij mund ta shpjegosh me metaforën e «Kalit të Trojës», ku hyrja dhe prishja e ekzistueses janë ideja dhe finalja e aksionit dhe hiçsend tjetër relevant.

4.
Alternativ ndaj programeve, partive dhe primatëve ekzistues mund të jetë ai politikan, ai grup i cili me vizionin dhe biografinë në sintezë parasëgjithash transmeton sinjalet e nevojshme për t’i besuar se janë imunë ndaj kapjeve dhe korruptimit si material ashtu edhe strukturor. Këtë kusht nuk e ofrojnë personalitete me biografi aq mobile e kontradiktore kur konstatojmë se ecja e tyre nuk hyn në konto të përgatitjes, përvojës, pjekjes profesionale, formimit individual por janë vetëm stacione për të dëshmuar dikur vitet e punës për arkat e pensionit.

Komunikimi apotekaresk në politikë nuk shkon. Barnatorja e dinë çka t’i jap klientit të saj me dhimbje koke se ka medikamentin në raft. Çka të dhemb? Koka. Ja një panadol! Si do ta luftosh korrupsionin?  Me gjyqe? Cilat? Si do të duken ato? Ku do t’i marrish gjykatësit kur të gjithë janë të korruptuar? Cili është medikamenti konkret? Paj po shohim… çka bëjnë perënditë?! Dhe gagarisja në fund: ne do ta luftojmë korrupsionin! Si-ja dhe pse-ja nuk janë zona kreative politikanësh pa vizione dhe si të tilla mungojnë totalisht tek «alternativët». Brambullima boshe!

5.
Politika është terren i rrezikshëm si për nxitjen e luftërave aq edhe për vetëdjegie, ngase të çon lartë dhe të fundos me hipoteka që s’të lënë as të vdesësh i qetë. Synimi i veshur vetëm me kushtin për tu ngjitur me çdo çmim diku, pa ofruar asgjë, përveç komedisë dhe talljes së opinionit të sjellë në pozitën Salvador Dalí-t në «New Burlington Galleries» më 1 korrik të vitit 1936.

Në kuadër të International Surrealist Exhibition – si ambasador i tejreales, shfaqet Dali në një skafandër dhe me një helmetë, mbi të cilën kishte instaluar një motor «intercooler». Si shoqërues në ekspozenë e tij nën moton «Comment on devient Dali» kishte dy qenë të mëdhenj. Në atë «armaturë» piktori donte ë mbajë një fjalim që do ta bënte sa më të kapshëm ndikimin e të nënvetëdijshmes në botën reale. Fatkeqësisht, para se t’ia vidhosnin helmetën «surrealistët» kishin harruar ta kyçin sistemin e qarkullimit të ajrit. Dali fillon të skuqet, të kërcëllojë, dhëmbët, të luftojë për një copë ajër brenda skafandrës së tij, jep e merr duke luftuar me vdekjen. Në vend të ndihmës, shpëtimit: apluadime frenetike, qeshje, përdhosje e klubit të surrealistëve, të cilët vazhdonin të besonin se lufta e tij me vdekjen ishte pjesë e traktatit të tij surrealist. «Në çastet e fundit ma hoqën helmetën dhe unë nga ai moment ndihesha si Jezusi (…)» – tha Dali pastaj që gjithë vdiq duke u tallur. (Gibson: 1998/F.378).

6.
Nuk ka alternativë serioze në Kosovë. Ende jo. Këta që ofrohen janë dandi e dandesha, të cilëve duhet dëshiruar që të munden ta heqin në kohën e duhur helmetën nga koka. Gabojmë? Nuk besojmë. Në momentin kur do të nevojitet përkrahja e masave do të konfirmohemi. Kosova edhe pa «alternativën» është e mëpopulluar me «kuaj troje»!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.