Politika e psikozave

Kush i vrau aktivistët e partive të ndryshme kosovare para, gjatë e pas luftës? Njëra palë thonë se ata u ekzekutuan ndër veti. Pala tjetër akuzon funksionarët e partive të tyre: për të ruajtur fshehtësitë personale ata paskan eliminuar kolegët, dëshmitarët dhe gjithë tjerët që kanë pyetur për çështje, atëherë tabu. I treti grup beson që dorasët të jenë agjentët e shërbimeve të fshehta.

Nga i morën gjithë këto miliona politikanët e sotëm, ata ish-skamnorë që përvajshëm ligjërojnë se para dhe gjatë luftës paskan vuajtur edhe për ca dinarë, të braktisur pyjeve, pa cigare, me një plumb në pushkë, e që deri dje mundimshëm e nënshtrueshëm mezi paskan siguruar bukë për vete e për fis?

Është vjedhur “trepërqindëshi” apo çdo gjë është shpifje shpirtkeqësh? Janë përvetësuar hajdutërisht milionat e fondit “Vendlindja thërret” apo “krahu i paqes” nuk do të mbetet i vetmuar qelive, nesër e tutje, dhe akuzon për të njëjtën gjë “krahun e luftës”?

Janë këto neuroza e psikoza posttraumatike, të rezultuara si pasojë e robërisë, luftës së fundit ashtu sa për t’ua nxirë qëllimisht kosovarëve lirinë? Sidomos kur shihet se këto “çështje të hapura” janë njëri nga përrenjtë kryesorë që furnizojnë shtresa e taborrë me mllef, janë pra katalizatori i depresionit permanent  të masave, i cili “rastësisht” intensifikohet saherë të jetë nevoja për të sabotuar tema tjera “të përkohshme”, trajtimi i tyre del i domosdoshëm. I përdorin koka të caktuara, të zgjuara, demoniake këto neuroza me synimin për të manovruar me frymën dhe dinamikën e masave dhe të mediave, për t’i mbajtur ato nën kontroll, apo gjithçka është pjesë e natyrshme e një politike të korruptuar, të paaftë dhe regresive?

II.
Këto tema përçapen gjithandej dhe nga gjithkush, qysh para lufte. Janë armët dhe arsenali më i shpeshtë i partive të ndryshme gjatë kampanjave të tyre për të akuzuar kundërshtarët. Mirëpo, politika asnjëherë nuk ka shfaqur interes serioz (si pozitat ashtu opozitat) për të bërë diçka konkrete në trajtimin e tyre. Përkundrazi; është bërë e kundërta dhe janë përheshtur si “legjenda analistësh bjerrakohës”, të cilëve u mungojnë idetë për zbavitje pak më kreative në kohë pushimesh.

Deri më tani edhe mediat janë dëshmuar jashtëzakonisht joserioze karshi këtyre “neurozave”. Herë pas herë ndonjë gazetar ka ndezur opinionin me ndonjë dokument të falsifikuar, të lëshuar klandestinçe, enkas nga primatët në konkurrencë për t’ia nxirë datën njëri tjetrit, mirëpo jo më shumë.

Më në fund, dokumentarët e “Zona Express” sollën shkëlqyeshëm përmasat, afektin, demoralizimin që këto çështje e injektojnë në psiken e masave saherë të trajtohen ato publikisht. Temat duket sikur të jenë përforcuar në një agregat dis-sinergjishë, në një lloj destruktori që prodhon fragjilitet, labilitet, huti dhe neurozë masive .

Dokumentarët e “Zona Express” ashpërsuan mllefin e masave edhe më tepër, edhe ngase ato përballën shtetin, shoqërinë, partitë dhe opinionin me grupe faktesh që nuk i ndryshon më kush dot:

  1. Akuzat nuk janë të pabaza. Keqpërdorimet kanë ndodhur. Vrasjet poashtu. Njerëzit e pasuruar nuk dëshmojnë me asgjë serioze milionat e tyre, përkundrazi shihet se janë siguruar jolegalisht.
  2. Askush nuk ka punuar për të zbardhur këto çështje pasi jo vetëm indikacione e dëshmitarë ka mjaftueshëm, por edhe adresat ku mund të sigurohet materiali i nevojshëm janë të qasshme.
  3. Masat janë më tepër se të ndjeshme në këtë drejtim, prandaj shtresat dhe taborët janë kaq të armiqësuara ndërmjet veti, saqë ndikojnë drejt një psikoze, acarimi dhe bllokimi të shoqërisë në perceptimin e probleme ndryshe nga se ç’ ndodhë – në mënyrë vetëdemoluese!

III.
Si sillen protagonistët, të pandehurit kur përballen me këto çështje delikate. “Për momentin nuk muj me folë”, thotë njëri. Tjetri: “S’ka raporte. S’jam unë, pyetni tjerët”». I treti: “Arkëtari gjendet në amshim, prandaj s’po di”. “Pasurinë e kam nga gjyshja», thotë i katërti dhe kështu, absurdi, respektivisht tallja, s’kanë fund. Këto qëndrime mund të interpretohen vetëm në dy mënyra: a) Të intervistuarit janë me aftësi të kufizuara perceptimi dhe nuk e kuptojnë rëndësinë e problemeve ose b) veprojnë sipas modelit të kriminelëve të mençur: kallëzoj, pranoj vetëm aq sa dinë ndjekësit e mi, gjithçka më shumë kushton një vit më shumë qëndrimi në burg!

Kështu ngase në procese pandehjesh publike s’ka “nuk muj me folë” se lufta ka mbaruar qëmoti, dhe nëse në krye të vendit gjenden të inkriminuar atëherë ata duhet rrëzuar për hir të debllokimit të shoqërisë dhe të ardhmes së vendit. Po këtu nuk është çështja.

IV.
Pse masat dhe mediat janë kaq të fiksuara në këto të bëma të së djeshmes, pse nuk çlirohen prej tyre dhe të shikojnë përpara? Sepse nuk funksionon drejtësia dhe shumica absolute ka përshtypjen se “hajdutët” e djeshëm të jenë “primatët e tyre të sotëm”. Përbrenda kësaj mendësie nuk kemi elemente të ndonjë psikoze që mund t’i shpjegonim me modelin e “Contagion theory”-së (infektimi gati hipnotik i masave me kauza grupesh e individësh) së Le Bon-it, Freud-it apo me teoritë e Clark McPhail-i dhe Norris Johnson-it për të konstatuar se kemi të bëjmë me panikë irracionalë të masave gjatë kolizionit me të kaluarën e tyre ose me ndonjë frikë të përkohshme, ndonjë trend të sajuar enkas për t’i manipuluar masat për synimet e caktuara të ndonjë grupi, doktrine apo shtabi fashistësh. Totali i shqisave të masave është krejtësisht normal dhe konform natyrës së saj.

V.
Gjatë analizës së politikës në këtë kontekst lehtë lind dyshimi: partitë, grupet dhe individë të caktuar të besojnë se ekzistojnë psikoza e neuroza, të cilat mund të shfrytëzohen për nevoja të politikës ditore. Ata sillen në atë mënyrë sikur t’i përdorin këto psikoza për të spostuar vëmendjen në kohë që ato i konsiderojnë si kriza të cilat rrezikojnë ekzistencën e tyre në pushtet, apo si faktorë relevantë në politikë. Prandaj pyetja që parashtruam në fillim se “a i përdorin koka të caktuara, të zgjuara, demoniake këto neuroza me synimin për të manovruar me frymën dhe dinamikën e masave dhe të mediave, për t’i mbajtur ato nën kontroll, apo gjithçka është pjesë e natyrshme e një politike të korruptuar, të paaftë dhe regresive?”, merr këtë përgjigje: Partitë dhe politika në përgjithësi gabimisht e trajtojnë mllefin e akumuluar të masave si psikozë irracionale në konto të manipulimit të tyre brenda politikës ditore. Revolta është e arsyeshme dhe ka kontinuitet vertikal dhe si e tillë do të bëhet sot a nesër varri i çdonjërës parti nëse ato nuk angazhohen seriozisht për të eliminuar me kohë eksponentët e tyre të inkriminuar dhe nuk veprojnë në përputhshmëri me kërkesat e masave për t’i trajtuar dhe mbyllur (së paku ligjërisht) këto çështje që përfolëm. As për higjienën mentale të shoqërisë e as për të ardhmen e vendit dhe të partive, nuk ia vlen që të mbahen gjallë këto “psikoza”, vetëm sa për të mbrojtur hallkat dhe individët e korruptuar brenda vetes. Askujt nuk i vlen një politikë që problemet e masave i trajton si psikoza, kur ato nuk janë aspak. Për rrjedhojë, si psikodefektë, pas kësaj analize, dalin vetë partitë dhe politika, që besojnë se një shtet, një vend, një shoqëri mund të mbahet peng me këtë lloj sjelljeje!

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.