Žižek kundër të gjithëve

Në librin: «Lufta e re e klasave – arsyet e vërteta të ikjes dhe terrorit», filozofi slloven i përmasave botërore Slavoj Žižek kërkon militarizimin e botës kundër kapitalizmit global dhe «monstrës islamike».

Klassenkampf_Zizek
Slavoj Zhizhek: Lufta e re e klasave – arsyet e vërteta të ikjes dhe terrorit

Revista tashmë 100 vjeçare amerikane «New Republic» e konsideron «filozofin më të rrezikshëm të perëndimit”. Vitin që shkoi katokomunisti dhe filozofi me ndikim relevant Terry Eagelton (së fundi: “Vdekja e Zotit dhe kriza e kulturës”: 2015) kërkoi nga «sundimtarët e botës» ta lexojnë autorin e kryeveprës «Më shumë se asgjë – Hegeli dhe hija e materializmit dialektik» nëse duan vërtet ta shpëtojnë botën nga mizëria ku është zhyt (The Guardian). E pakontestueshme është se saherë që shkruan e flet Slavoj Žižek trondit, trand e tremb të gjithë bashkë: liberalistë, konservatorë, socialdemokratë, komunistë e religjione.

Veçanërisht dy librat e fundit: «Mendime blasfemike – Islami dhe moderna» (2015) dhe «Lufta e re e klasave – arsyet e vërteta të ikjes dhe terrorit» (2015-2016) kanë memecëruar shumicën e filozofëve lartë-poshtë oksidentit. Ka arritur psikanalisti lacanian, filozofi dhe teoriku nga Lubjana t’i argumentojë tezat e tij në mënyrë aq absolute saqë tjerët s’kanë më çka thonë? Kështu del pas përfoljes së librit të tij të fundit në mediat kryesore të Evropës dhe SHBA-ve. Askush nuk guxon të përballet me të? Çka përmban broshura «Lufta e re e klasave – arsyet e vërteta të ikjes dhe terrorit» që u shpall si «manifesti» më i ri «i luftës së klasave» (ARD)?

«KËRCËNIMI I DYFISHTË»
Librin, Žižek e hap duke huazuar teorinë pesëfazëshe të psikiatres zvicerano-amerikane Elisabeth Ross, me të cilin model donë të diagnostikojë gjendjen e europianëve përballë krizave aktuale, sidomos këtë të refugjatëve. Modeli është ky: 1. Mospranimi i realitetit dhe izolimi 2. Mllefi 3. Përpjekja për ta shtyrë zgjidhjen e problemit apo për ta zbutur atë 4. Depresion dh 5. Pranimi i realitetit siç është [F. 7]. Reagoi dhe veproi vërtet kështu Europa në këtë krizë? – më vonë tek analiza e tezave.

Realitetin, respektivisht burimin e të «gjitha të këqijave» Slavoj Žižek nis ta vizatojë poashtu me teorinë e një kolegu tjetër, i cili për dallim nga psikiatreja Ross është i një kategorie madje edhe më të rëndë se vetë Žižek: Peter Sloterdijk në veprën e tij «Në brendabotën e kapitalit» (2005: 26) koncernalizimin e resurseve dhe kapitalit global brenda olimpeve të spekulimit si Wall Street e të llojit e krahason me metaforën e Dostojevskit për «Pallatin e kristaltë» të Londrës (1864), kështu duke sugjeruar se resurset madje nuk janë në duar të shoqërive të pasura perëndimore, porse: «Brendabota (e kapitalit) nuk është agorë apo ekspozitë shitëse nën qiellin e hapur, por një agregat i mbyllur që absorbon gjithçka nga jashtë për brenda (…)» [27].

Okupimin, hapjen dhe rrënimin e këtyre fortesave të kapitalit kërkon Žižek. Aksion të cilin e ai pagëzon si «luftë të re klasash». Problemin kryesor për pamundësinë e realizimi të një veprimi të këtillë, të domosdoshëm kundër «kapitalizmit global» Slavoj Žižek e sheh në mungesën e proletariatit që rezulton si pasojë e mungesës së elitave të sinqerta dhe të përgatitura komuniste. Kanë vdekur intelektualët e majtë europianë? Jo, por Žižek sugjeron të jenë kot fare, ngase kanë tradhtuar parimet bazë të marksizmit. Ilustrimin e kësaj teze ai e bënë me sjelljen e të majtëve ndaj Islamit politik dhe refugjatëve.

«TË THYEJMË TABUTË E TË MAJTËVE»
E paaftë për tu përballur si me «neoliberalizimin anglosaksonik» ashtu edhe me «kapitalizmin autoritar të vlerave aziatike» dhe me BE-në jodemokratike [13] e majta nuk i shkoqet mantras së saj infantile që e manifeston si kritikë kundër eurocentrizmit [16]. Ajo ka: «bërë një “kompromis strategjik” në emër të anti-imperializmit pro doktrinave që ushtrojnë nateditë femicid serial, vrasin në turmë homoseksualë, hedhin bomba në koncertet e rok-muzikës, poshtërojnë femrën si qenie (…)» [11]. Sjellje që komunistët e shek.21 detyrueshëm i bën avokatë të lodhur të «Boko Haram-it, Mugabes, Putinit» [10] dhe të regjimeve që i sponsorizojnë këtë doktrina e që njëkohësisht janë më fashistet e kapitalizmit global si «Emiratet e Bashkuara, Arabia Saudite, Katari, Turqia» e të llojit [45]. Sipas autorit vendet e «kapitalizmit të vlerave aziatike» janë shumë më të pasura se këto perëndimoret dhe pranë vendeve nga vijnë refugjatët, «pse atëherë ato as nga dhjetë refugjatë nuk kanë strehuar? Sipas tij është e palejueshme të koketohet me vende që zyrtarisht luftojnë IS, mirëpo bombardojnë kurdët që de fakto dhe në terren luftojnë ISIS-in»  [44].

Ato sillen dhe bëjnë ashtu, vendet arabe dhe Turqia, ngase kanë të bëjnë me një Europë që ka frikë të mbrojë vlerat e saja, pse jo edhe «eurocentrizmin». Žižek pyet nëse të majtët e dinë se Marksi ka qenë i tillë, eurocentrist [17] dhe se marksizmi nuk mund të jetë kompatibel me doktrina si ajo që ligjëron jo vetëm islami politik, por edhe ai kuranor?

Të majtët, sipas kryefilozofit të tyre, qëllimisht parashtrojnë çështjet gabimisht kur diskutojnë mbi të drejtat e njerëzve të besimit islam në Evropë ngase nuk pyesin: «çka bëjmë nëse në kantinat ku fëmijëve myslimanë nuk u servohet mishi i derrit protestohet pse tjerët e hanë atë para tyre mish derri? Si të veprojmë kur vajzave me shami u pengon se shoqet e tyre të klasës vijnë gjysmë të zhveshura? Si të veprojmë kur për shkak një, dy njerëzve që janë fantikë kërkohet detyrimi i shumicës të sillet konform tyre? [17]». Kjo përballje sipas autorit, kjo tolerancë e shumicës që nxit intolerancën e shtresës që kërkon privilegje për shkak të religjionit të saj saboton në mënyrën më brutale vlerat e egalitare, të drejtat bazë, shtetin social … [17+52-55]». Të majtët besuakan të ringjallin revolucione duke keqpërdorur turmat fanatike dhe të rrrezikshme më bazat themelore të lirive.

ÇKA DUHET BËRË?
Kështu titulli i kapitullit të fundit në librin e fundit  «Lufta e re e klasave – arsyet e vërteta të ikjes dhe terrorit» të njërit nga gurutë më të botuar aktual të mendimit universal. Kërkesat janë ndër më radikalet dhe që me siguri i rrëqethin 27 filozofët më në zë të oksidentit e të ftuar në janar të këtij viti në revistën gjermano-frenceze «Philosophie» për të ofruar mundësitë e zgjidhjes së problemit të refugjatëve dhe të cilët operonin pikërisht me kodet e demantuara nga Žižek si të keqpërdorura siç janë: borxhi dhe detyrimi (Aleida Assman), solidariteti i pakushtëzuar (Reinhard Merkel), pranimi i sa më shumëve (Peter Singer) e të ngjashëm.

Žižek kërkon një lloj «militarizimi» të shoqërive për çpushtetëzimin e këtyre qendrave globale të kapitalit. Ai kërkon militarizimin e çështjes së refugjatëve, duke angazhuar ushtritë supranacionale dhe nacionale (për shkak se kanë infrastrukturën dhe organizimin e nevojshëm) që të kujdesen për refugjatët në vendet menjëherë pranë të tyreve, pra organizatat si OKB-të, BE e të tjerat të detyrojnë vendet e pasura arabe – që edhe janë burimi i drejtpërdrejte i së keqes – që të pranojnë numrin më të madh të refugjatëve. [76-77]». Autori kërkon poashtu që Europa e sidomos e majta të mos u bëhet krah – duke tradhtuar parimet bazë të marksizmit – atyre që ushtrojnë «femicid serial», «vrasin rrugëve homoseksualë», «presin gjymtyrë kah mbërrijnë» dhe dhunojnë si pakistanezët në Rotherdam 1400 fëmijët (1997-2013) duke besuar se ushtrojnë ritet e tyre islame. Ai qorton të majtët, kolegët e tij antagonikë, jo të sinqertë të jenë e keqja e diskursit, ngase me «injorancën e tyre» jo vetëm islamit fanatik por i shërbejnë edhe kapitalizmit të pamëshirshëm global që përpijnë gjithçka e sidomos njerëz.

ANALIZA
Hordhitë spekulante të kapitalit global nuk janë klasë në kuptimin klasik të fjalës dhe ashtu siç e definonte Marksi, prandaj Žižek as që mund të argumentoj konkretisht se për cilat klasa e ka fjalën. Duke lokalizuar «pallatet e kristalta» të kapitalizmit global anglosaksonik dhe atë të vlerave aziatike autori më shumë na përballë me qendra totalisht joideologjike, respektivisht të atilla që bëjnë biznes sa në New York aq edhe – siç shkruan ai vetë – në Kongo ku brenda 10 viteve të fundit janë vrarë rreth katër milion njerëz në luftën e warlord-ëve që luftojnë për minierat e diamantit, arit dhe kobaltit, pa të cilin, kobaltit nuk bën dot Iphon-ët dhe Samsung-ët. Pra këtu nuk kemi të bëjmë më komunizmin, konzervatizmin, liberalizmin, por me një rrjet spekulantësh vrasës që kanë monopolizuar kapitalin e globit në kurriz të popujve që u janë nënshtruar shitësve kriminelë. Ndoshta edhe për këtë arsye Žižek kërkon militarizimin. Kjo mizëri, mirëpo mund të ndalohet dhe zgjidhet vetëm me një mobilizim të shteteve të forta (për këtë apelonte Terry Eagelton që qeveritë ta mësojnë përmendsh Žižekun) demokratike, ato pra me vlerat «eurocentriste» e assesi nga Kina apo Koreja vetëm se janë më afër Marksit.

Defekti tjetër në manifestin e radhës të filozofit slloven është qasja se si ai e trajton eurocentrizmin. Vlerat që ai i radhit si eurocentrizmin, nuk kanë aspak të bëjnë me të fundit. Eurocentrizmi, nuk janë «egalitarizmi, shteti social…», por supermacia e kontintentalëve ndaj kulturozonave tjera. Eurocentrizëm është poashtu të mos pranosh fajin se deri me bombardimin e Irakut dhe shkatërrimin e Libisë së Gadafit Oksidenti perëndimi bartë një faj tepër të madh se pse sot gjithë këto miliona refugjatësh (të përgatitur dhe orkestruar siç thotë Žižek me të drejtë) duan me çdo kusht ta arrijnë Gjermaninë, Norvegjinë kryesisht për çështje ekonomike e shumë më pak për të shpëtuar jetën (ndryshe nuk do të donin patjetër të mbërrijnë tek më të pasurit).

Në lidhje me «monstrën islamike», siç e quan Žižek ka të drejtë, ashtu si në veprën paraprake, se sistemi i vlerave të aritura në Evropë duhet të mbrohen e jo të falen në favor të ndonjë ideologjie aq retarde sa edhe antihumane.

Përkundër defekteve të shumta, antagonike në veprën e tij, Slavoj Žižek është intelektuali i parë oksidental që flet gjërat në emër dhe pa dorëza. Tezat e tij tashmë diskutohen laboratorëve të perëndimorëve si pjesë e analizës që ka për temë titullin e kapitullit të fundit në librin që trajtojmë: çka duhet bërë?. Kriza as e refugjatëve e as kolapsit të mundshëm të sistemit financiar global nuk zgjidhet me në këtë mënyrë si sot. Kjo është e qartë. Mirëpo as problemi nuk sqarohet e zgjidhet me ato pesë fazat e zonjës Ross siç bën Žižek. Duhet më shumë – çështjet janë shumë më të komplikuara se sa duken! Ajo që qëndron si lapidar dhe bosht është e vërtetë: secili keqpërdor secilin (homo homini lupus) për të kap ndonjë copë nga kulaçi para se të mbarojë në «pallatin e kristaltë» dhe asgjë tjetër. Të majtët ndërsa s’qenkan as për ideal e as për kulaç, pasi njërin nuk e kanë e tjetrën s’dinë ta hanë – kështu sinteza e Sllavoj Žižek.

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.