Sidoqenia e inferiorëve

Shqiptarët përfaqësohen keq në historitë e shumta botërore e kontinentale, ose aspak. Në diskurset intelektuale globale as si referencë nuk ekzistojnë. Pse? Faji i bigfoot-it apo ndonjë inferioriteti të kushtëzuar historik?

Intelektuali i njëmendtë, ku mbeti?
Dikur ai vegjetonte i kafazuar brenda degëve të dendura të asaj pemës biblike të dijes si një Bigfoot plotë frikë prej hominidëve tjerë cullakë të Edenit. Më vonë hoqi bananet nga fytyra dhe lëshoi këmbët e mëdha mbi dhé. Si rural i leshtë nisi odisenë klubeve dhe pufeve urbane dhe pas empirisë u trand e trondit: nisi të banojë në një fuçi të mbushur me klor, aty hynte për tu dezinfektuar nga vetvetja saherë; masturbonte rrugëve duke recituar vjersha arkaikësh e bukolikësh; me arrogancë refuzonte kategorikisht nacionalistët agresivë që e donin si primat, mit të fisit; urinonte tempujve të religjiozëve apokaliptikë dhe kontribut të vetmin për socialitetin kishte aksionin e herëpashershëm në autostradë ku i ndalte veturat e blinduara të politikanëve për t’ua pastruar xhamat dhe puthur këpucët.
Pastaj për një kohë të gjatë, u zhduk.
Ku mbeti?

MANIFESTI KONVIVALIST DHE KOMBI
Në vitin 2010, në Tokio, të thirrur nga grupi i intelektualëve si Alain Caillé, Marc Humbert, Serge Latouche e kompani u organizua një kolokium ku morën pjesë dhjetëra shkencëtare të drejtimeve dhe bindjeve të ndryshme nga bota për të debatuar rreth një «arti të ri të bashkëjetesës». Substanca e debatit ishte: problemet globale si klima, varfëria, pabarazia sociale, krizat financiare dhe dështimi i shumicës së izmave dhe defektet e demokracisë, multikulturalizmit kërkojnë një formë të re të të menduarit. Pasi «rastësisht» qëllova aty, dy miq të mi ndër organizatorët mu drejtuan: «ti do të ndihmojë shumë nëse me debatin i infiltron edhe kulturosferat ballkanike». Më duket se tunda kokën në shenjë pohimi pa e menduar fare kërkesën.
Në vitin 2013, kryesisht pjesa intelektuale franceze, dyzet prej tyre, pas një grindjeje ndërmjet shumëve, publikoi «Manifestin konvivalist – një deklaratë për interdependencën». Programi fillimisht nuk jehoi aq shumë sidomos ngase u sabotua nga kampi i të majtëve, atyre të ngjizurve për traktateve utopiko-radikale të tipave si Hardt & Negri e të drejtimit. «Manifesti» është pragmatik dhe konsensus përbashkues i shumicës së shkollave aktuale filozofike (në luftë me njëra tjetrën) prandaj parasuspendon nga debati çdo lloj ideologjie me të «vërtetën absolute në balle», siç janë sidomos këto njëdimensionalet postmarksiste.
«A bëre diçka. Është me rëndësi»? Kështu përmbajtja e e-mailit në vitin 2014 nga të njëjtët miq. Si a bëra diçka? Asgjë. Hyra mediave shqipe për të shpifur ndonjë arsye pro plogëtisë sime dhe shkrova: «Aktualisht nuk është koha e përshtatshme. Në debatet intelektuale mbizotërojnë sovranshëm temat mbi kombin, racizmin, fashizmin e të llojit». Reagimi ndaj përgjigjes time: «Qenkan ende në kohën e Herderit dhe Renanit». Shpëtova. Së paku për një kohë. Ndërkohë shpresoja se ndonjë publicist i ekziluar e kap temën dhe e shfytyron si rëndom e mua do më jepej një dëshmi se; ja Ballkani duhet ende të presë! Jo, as publicistë e askush tjetër nuk e regjistroi debatin. Në të njëjtin vit Frank Adolf dhe Claus Leggewie e transportuan debatin edhe në gjermanofoni. «Manifesti» është nënshkruar kësaj radhe nga 50 sociologë, filozofë, politologë, antropologë, kulturologë, ekonomistë, gjithë eminentë, të cilët veprojnë me një pseudonim «les Convivalistes». Libri është në internet, falas.
Para disa ditësh sërish një mesazh: «Si është puna tash. A u bënë kombet? Dëgjo: ndoshta ty të janë bërë monotone këto programet idealiste që s’le vend pa i kritikuar, por ne besojmë se pikërisht në shoqëritë ballkanike mund të shpëtohet shumëçka se atyre nuk u ka humbur sensi për idealizëm dhe për ndryshim të botës. Përveç kësaj besoj thellë se në programin konvivalist gjenden përgjigje të shumta ndaj krizave identitare pas rënies së (i)realsocializmit…». Po si jo!
Viti 2016. Edhe një sy hulumtues mediave, rubrikave ku qërojnë hesapet intelektualët ballkanikë. Temat kryesore të debatit: Kombi, origjina, hajdutët dhe kaçakët në mbrojtje të kufirit. Temat tjera, ato me përmasa globale? «Hajt burrë se kush i merr parasysh shqiptarët», më tha një mik -autor. Pikërisht! Kush i merr parasysh shqiptarët?

2.
Ai ishte i skuqur si spec djegës. Doktori i historisë me origjinë shqiptare, në një universitet perëndimor, mu dukë të jetë bigfoot-i që në prag të paramodernës iku pa gjurmë nga pema e dijes dhe pastaj nga fuçia me klor. Sërish i trullosur. Edhe pse jo i mbileshosur më si bigfoot, tiparet tjera vrisnin çdo spekulim: Ishte njëri i kategorisë në kërkim të «prehistoric-survivor»-ëve. Nënçmimi i gjeneve, gjakut dhe racës e kishin shndërruar në reprotoksik, teratogen ndaj gjithë atyre që ia përshkruanin «popullin» ende me «bisht». Nuk i mjaftuan vetëm derrëgërtit e kopshtit të vetë. Kishte kaluar kufijtë ashtu nga dega në degë, nga shpati në kulm dhe kështu duke jetuar qençe nënurave të metropoleve akuzonte kontinente e planete për shpifjet historike? Në fund të defilesë epokave e qytetërimeve, së paku kësaj here, e pamë se ku hyri: në katakombet ku konservohen arkivat e akademive evropiane, aty u fut për të qëmtuar fijeflokët e primatëve të tij të supozuar!

SHQIPTARËT NË VITRINËN GLOBALE
Në shumicën absolute të historive qofshin ato «botërore» apo «kontinentale», rrallë përmenden Ilirët dhe edhe më rrallë shqiptarët. Disa rreshtat për ilirët rrëfehen nga perspektiva e studimeve romake. Sidomos historia e Teutës dhe Agronit në mbrojtje të robërve të saj që plaçkitnin rend e pa rend anijet Adriatikut e jonit është saga më prominente. Kaq për Ilirinë nga shekulli 5 para erës sonë e deri në atë 6 pas erës sonë dhe njërën nga mbretëritë më të mëdha të rajonit. Në analogji me trimat e Hanibalit, hunët, vandalët, sllavët brutalë, germanikët handraqë dhe wikingët njeringrënës, pirateritë e asokohshme të ilirëve dalin skena jo aq inspiruese për komedi lukianeske. Megjithatë vetëm kjo rrëfehet e për tjerët ka studime me vagonë. Sekuenca e dytë më e përsëritshme në lidhje me shqiptarët në kuadër të këtyre metarrëfimeve, sërish nga një perspektive e lokalizuar hungareze, është ajo e Skënderbeut: jo siç e kanë pagëzuar papët dhe jo siç është faktografia rreth bllokimit të osmanëve, por përmendet vetëm si vullnetar, ndihmës pasiv i luftës së hungarezëve atje e për pushtimin e Bosnjës së sotme. Dhe minifragmenti i tretë, brenda të bëmave të posthominidëve me plis, është ai rrëfimi mbi prijësin legjendar Enver Hoxha. Portreti i tij në radhën e kokallave tjera historike si Stalini, Hitleri, Polpoti, Duçeja, Çaushesku është kulmi komplet i përshkrimit të historisë së një kulture. Sërish kaq. S’ka dilemë se këtu ka bërë punë të madhe ductus-i historiografik sllavo-grek. Faj i tjerëve? Me siguri se kanë nisur të shkruajnë propagandueshëm para shqiptarëve të Manastirit. Pse atëherë së paku në studimet e reja të veprave përmbledhëse mbi historinë dhe në fushat tjera shkencore nuk përfillen punët e shqiptarëve? Natyrisht se historikisht nuk janë «racë» Watt-ësh, Pasteur-ësh e Siemens-ësh, megjithatë a nuk është sot ndryshe?

3.
Ku mbeti ai bigfoot-i? Nuk doli nga arkivat ende? Po, po ishte arratisur vrapazi qëatje dhe ishte bërë profesor në njërën nga shkollat e shtetit me vetëm katër shtylla organizimi: gazetat, autostradat, sportelet për pasaporta dhe penicilinën! Bigfoot-it ia kishte kapur radaka qoftë edhe jashtë «pemës së njohjes»: se pa u bë shtëpia nuk nënshtrohet «komshia»! Rilindas ishte bërë dhe shpërndante frytet e pemës shkollave si kristalina ideore, si këshilla orakullore. Në këtë e sipër nuk bëri dot aq shumë intelektualë por së paku fabrikoi brigada publicistësh dhe epigonësh që me shkronjat si plumba e thirrjet si shpata jo vetëm pufet dhe klubet rurale i kanë bërë të dridhen nga frika por edhe akademive gjithandej globit u shërbejnë si helium – për te qeshur në raste vivisecimi.

PROJEKTET E PANISURA
Shpërthimet e artistëve, personaliteteve në kulturë e shkencë me origjinë shqiptare gjithandej botës janë dëshmia kundër tezës që thotë se shqiptarët nuk disponojnë me kapacitete. Ato janë madje edhe shkundullues – por vetëm jashtë. Kapacitetet vetërealizohen vetëm me dy kushte: lindin jashtë ose ikin botës! Brenda dy shteteve e shoqërive shqiptare nuk kanë gjasa. Aty vegjetojnë dhe bëhen depresivë që mezi presin medikamente nga të afërmit në diasporë. Ata përmbyten me bërryla e nënçmim brenda llavës së divizioneve mediokre shtetërore dhe klubeve të pensionistëve në rehabilitim e sipër. Mediat kanë instaluar si yje një gjeneratë dhimbjeshumuesish që veçse nuk pëlcasin nga padija, infektojnë opinionin me të folmet aq të deformuara saqë s’ka gjuhë që s’i mallkon – shqipja si ashtu i shmang nga frika se përkeqet!
Pasi u bënë dy shtete me dy ministri kulturash sidomos idealistët e papërmirësueshëm besuan se edhe shqiptarët do të bëjnë çmos që së shpejti të flitet edhe për shqipefoninë si për frankofoninë e të ngjashme. Ortekshëm u shpërndanë idetë për shtabe ekspertësh që konkurrojnë me versionet e tyre të «historisë europiane», asaj «botërore» librarive të perëndimit dhe ku nuk mungon asnjë kulturë e kontinentit dhe ku asnjëri nuk e mallkon tjetrin të jetë fyer apo mohuar. Projektet në adresë të ministrave thonë se vërshuan si lumë për mbështetje të atyre pak intelektualëve që të marrin pjesë në debate si ai i «konvivalistëve» që e rrëfyem lartë, pa mbetur pjesëmarrja në duart e ndonjë emigranti që qëmoti është bërë i paaftë të kuptojë mendësinë e shoqërive të origjinës. Flitej për bursa të veçanta që do të shpërndaheshin akademive të gjuhëve imperiale e globale për studentë që do të studionin shqipen, kështu për të krijuar mundësinë e transferimit reciprok të dijes shqipezonë-perëndim. Asgjë nga të gjitha këto. Janë të zënë duke bërë kombe?
Problemi është edhe më i thellë!

4.
Para se Bigfoot-i të tërhiqet në pemën e tij, të vetëve u kishte siguruar strehim në pemën tjetër – në atë të «jetës» që rin lapidar në kopshtin e Epikurit. Carpe diem është ligji që sundon tek ata. Nuk ia vlen të shkrihesh si pacient i Marksit, Nietzsches apo Freud-it në një shoqëri që me të drejtë Gabel, Laning dhe Cooper besonin çdo ideologji saora ta shndërrojnë në skizofreni. Kështu flasin pasardhësit e Bigfoot-it. Si e komenton ai vetë këtë dështim të tij kolosal? A nuk doli nga pema për tu bërë demiurg i një mendësie të re? Para se të përbetohet se s’del më nga «pema e dijes», në një intervistë të fundit të tij me një zonjë të operas postmoderne zbërthen diagnozën: «ikëm se as pasardhësit tonë të parë, protohominidët nuk kanë qenë në këtë stad inferioriteti si këta të sotmit. Po të ishin kështu si këta nuk do ta kishin mundur natyrën duke u tjetërsuar në bigfoot-ë si unë». Ai është i bindur, bën bé në qiell e tokë shqiptarët të jenë të mallkuar nga perënditë me inferioritet. Prandaj nuk kanë guximin të lejojnë shumimin e «racës» së bigfoot-ëve dhe i detyrojnë të kafazuar të jetojnë pemëve të dijes, si majmunë që herë pas here lëshohen me ndonjë degë pranë tokës për të parë se në mos ka ndodhur ndonjë mrekulli, për të ikur pastaj  për të njëmijtën herë brenda degëve duke qetësuar veten me bananet që ua kanë lënë trashëgimi uomo universal-ët e historisë së ideve e që tash janë izoluar në Olimpin e përtejësisë!

TAUTOLOGJIA E NJË «INTELIGJENCIE»
Inteligjencia shqiptare (kështu siç është) punon për ti bërë kombet e veta të mëdha brenda vetes. Tjerët bindin botën se janë të tilla duke u përpjekur të kontribuojnë për shpëtimin e planetit – në këtë e sipër edhe të vetes. Është detyra e politikave me demosët dhe demonët e tyre të përcaktohen për format e shtetit që duan. Është detyrë e akademive, ekspertëve të bëjnë historinë dhe tu ofrojnë intelektualëve bazë për debat publik. Detyrë e inteligjencies është të mendojë, reflektojë, konkludojë dhe gjykojë e jo të diktojë format e organizimit politik – ngase për këtë punë janë diktatorët, minitiranët, qeveritë, kastat politike. Detyrë e inteligjencies është të ofrojë forma të reja të jetës, bashkëjetesës, politikës, për të përndritur opinionin me alternativat ekzistuese e jo t’i urdhërojë ato se po nuk jetuan siç thonë ata qenkan kotësira. Kjo lloj «inteligjencie» s’ka të bëjë me dijen, kulturën dhe as me bigfoot-in tanë si metaforë këtu, por është ajo kasta e devijuar që mund t’u shërbejë politikave për të mos u zhvilluar, ngase debatojnë me vite për çështje që janë e ecin vetvetiu, ngase janë procese historike e jo kauza të dirigjueshme – nëse po, nga kush se?
«Les Convivalistes»? Bota? Jo, se ende s’janë bërë për pemën e bigfoot-it. E ky i fundit rezistueshëm nuk pranon sidoqenien  qoftë edhe duke u trashur me banane!

NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Në moshën 18 vjeçare dënohet me 6 vjet burg nga Jugosllavia e atëherëshme për kundërrevolucion dhe separatizëm. Shkollën e mesme e mbaron në Gostivar dhe Tetovë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Jeton në Bernë. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.