Nënavrasësit!

Nga pamjet më tronditëse gjatë luftës së Kosovës që tmerruan perëndimin ishin ato të atyre njerëzve që ecnin zvarrë rrugëve të pakapërcyeshme ballkanike me pleqtë e tyre në shpinë. Sot prindërit e moshuar vdesin gërmadhave postsocialiste, të braktisur, pa bukë, pa përkujdesje dhe pa e marrë vesh kush. Pse ndodhi kështu?

Nëna e kujt është Qamile Poroshica?
Ajo me fuqitë e saja të parafundit thotë për fëmijët e saj: «kanë dalë më kanë lënë vetë»!
Kush e la ashtu?
Ku ikën ata që i ka rritur? Janë bijtë dhe bijat e saj nga ata që si të burgosurit dikur heqin me gishtin e tyre të përgjakur vija mureve të qelive për ditët e shkuara, e në pritje të ndonjë luftë të madhe? Janë bijtë e saj, ata aq të zënët, që hapin, falimentojnë e rihapin firma ku fshehin e vjedhin paratë e shtetit me të cilat mund të ushqehej nënë Qamilja dhe mijëra si ajo? Janë fëmijët e saj ata që janë ngujuar në Zhlep e Çakorr dhe që me hijet e veta imitojnë luftën e kaubojve me indianët? Mos vallë janë veteranë, ata që me qafët e gjokset si luanët kërkojnë sa më shumë para jo vetëm për familjarë por për gjithë fisin – se s’duan të punojnë e ta ndërtojnë shtetin por ta mbysin, zhvatin e zhveshin atë ende pa lindur? Apo janë këta stilistët armanesk të qeverisë që me plotë naze, këpucë ekstra të lustruara e orë mijadollarëshe enden salloneve diplomatike sikur të ishin kryesnobët e planetit e jo përfaqësuesit e shtetit ku falë ndërmarrjeve të pastrimit nuk u vdesin nënat dhe fëmijët?
Gjithë së bashku janë.

2.
Po kush është vetë nënë Qamilja?
93 vjeçja do të ketë lindur në fazën e pasmëvetësimit të Shqipërisë, në vitin 1923, atëbotë kur Kosova qe 11 vjet jepte e merrte si poligon persekutimesh më të tmerrshme nën monarkinë serbe. Gjatë progromove të përmasave gatiholokaustiane (që kulmojnë me shpërnguljet dhe likuidimet masive të 1938) Qamilja do t’i ketë pasur 15 vjet. Moshën e saj të pjekur e kalon si robe pushtimesh ndër më të egrat. I mbijeton italianët, gjermanët, bullgarët, serbët, fazat rankoviçiste dhe ato të Millosheviçit; shpëton e gjallë gjatë plotë luftërave lokale, qëndron atë të dytën, botëroren dhe këtë të fundit, luftën e Kosovës.
Ajo sfidon historinë. Por jo edhe mjerimin e vetëprodhuar të të vetëve. Mos ta kishte zbuluar një nënë tjetër humane si Naxhije Ahmeti, e cila bëri çmos për ta ndihmuar, një ditë, ndoshta kufoma e saj do të mblidhej në najlon nga ndonjë ndërmarrje tjetër si «municipality cleaning» dhe do të përplasej si fosile mbi tavolinën e ndonjë forensiku të dehur për identifikim.
Kaq është vlera e saj njerëzore?

3.
Mjerimi dhe cinizmi i gjendjeve shqiptare në një akt: Një grua, për më tepër nënë 93 vjeçare e braktisur, uritur dhe e sëmurë zbulohet nga ndërmarrja «Perfect Clean» në një kuazibanesë të kryeqytetit kosovar.
Sa raste të këtilla ka Kosova?
Njeriu në gjendjen e Qamile Poroshicës vjen nga distancimi total i politikës prej njeriut konkret. Kjo vërehet edhe brenda demagogjisë raciovrasëse të partive politike kosovare, të cilat të përkujtojnë atë Komisarin e Arthur Koestler, i cili për dallim nga Yogi që donte ta ndryshojë botën duke emancipuar veten, ky tovarishi dërdëlliste me koncepte abstrakte të marrjes nën kontroll të shoqërisë për ta tjetërsuar pastaj sipas kutit të vetë – për pushtet natyrisht. Kështu ngase është më lehtë ta synosh një botë utopike se sa ta shpëtosh një njeri të vetëm – qoftë edhe veten.
Një mase në uri e sipër nuk i interesojnë iluzionet e Putinit e as të Komisar Salepit, asaj i intereson shpëtimi nga uria, qenia në kushte normale. Ajo masë donë spitale, arsim. Kush angazhohet për këto? Komandant zhvatësi apo Komisar Salepi që sapo ka zbuluar «nirwanat» e revolucionaritetit pa popull? Ç’ politikë infantile është ajo që qorton devijimet e masave pa bukë pas çdo ideologjie injorantësh kur ua le nënat si në ferrin e Qamile Poroshicës?

4.
Qamile Poroshica është monumenti i gjallë i historisë dhe aktualitetit të gjendjeve shqiptare që mund të interpretohen shkurtë vetëm si: nga robëria në mjerim e jo në liri!
Është kështu jo se Kosova është e pafuqi për t’iu përballuar kërkesave të të gjitha nënave, fëmijëve, porse ajo udhëhiqet nga një kastë hajdutësh që nëpërmjet instrumentit të tenderëve dhe kanaleve tjera vjedhin buxhetin. Kjo nuk do të ndryshojë duket edhe gjatë, ngase opozita është komisari dhe pozita komandanti – njëri donë ta ndryshojë për vete popullin e jo ta ndihmojë e tjetri dinë nuk ngopet nga dëmshpërblimet për luftërat që nuk i ka bërë kurrë, ai si person, komandanti. Dallimi pra është vetëm tek atributi se kemi të bëjmë me: hajna strukturor dhe me hajdut material, jo me njerëz që parimisht luftojnë për njeriun!
Dhe patjetër: çka ndodhi me popullin solidar. Atë që thotë se u përkon kulturave me një respekt gati hyjnor ndaj nënës? Një nga lavdërimet më të dëgjuara të emigrantëve ballkanikë nëpër perëndim është se në vendet e tyre nuk ka pothuaj fare azile për pleq, të hendikepuar, ngase për ta kujdesen familjet. Gënjeshtër pozantësh pa brekë me asistencë të shtetit dhe politikave apo fat se askush nuk e di se si jetojnë e vdesin pleqtë të braktisur e pa bukë? Spekulimi i fundit duket të jetë i sakti. Kështu dëshmon historia e Nënë Qamiles.

5.
Nënë Qamilja megjithatë qëndroi, ashtu siç mbijetoi gjitha ato lufta, krime. Ajo është historia vetë. Si figurë dhe simbol ajo do t’i mbijetoj edhe këto politikat mjerimprodhuese. Kjo qenka forca dhe fati i njeriut shqiptar. Atij lloj njeriu ndryshe nga këta që përbëjnë pushtetet dhe partitë shqiptare sot.

Burimi: Teksti në GazetaExpress

qamilja
Qamile Poroshica dhe Nexhmije Ahmeti
NDAJË
Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht. Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.