„Klubet 69“

Polemika e fundit u dukë sikur donte të bashkojë me çdo kusht Serbinë dhe Shqipërinë kundër Kosovës! Të dyja taborët nëpërmjet urrejtjes, njëra ndaj «kombit të vjetër» tjetra ndaj «kombit në bërje» i treguan botës se ata nuk e duan Kosovën kështu siç de fakto është: shtet i dytë shqiptar në Ballkan – ngase kështu e përshkruajnë qeveritë aktuale si përfaqësuese legjitime të tyre, të cilat e dënuan debatin për kauza artificiale dhe përgënjeshtruan tezat e tjerëve si nxitje dashakeqe në interes të dikujt tjetër. Kujt pra?

A ka më keq se kur në fund të një polemike rezulton ti të jesh grindaveci, inatçiu, dashakeqi, ai që bëri çmos për të qenë uzina e përkeqësimit, acarimit brenda një debati sado i rëndësishëm, i kotë apo i rrezikshëm të ishte ai? Jo, nuk besojmë se ka më keq se të «vulosesh» i këtillë nga cilado pjesë e ndonjë kolektivi apo qendre: pikërisht kjo ndodhi ndaj sajuesve të konfliktit të fundit «shqiptaro-kosovar», të cilët në rrjetet sociale dhe jo vetëm aty u pagëzuan si klubi 69. Simbol ky me konotacion pornografik, i papërtypshëm e nënçmues në adresë të atyre që gjoja u onanisën publikisht me njëmendësinë si mjet fekondimi.
Aludimi i këtillë i Armend Krasniqit (Ar Kras)në facebook edhe pse u bë sipërfaqësor, si reagim emocional i çastit, pas shikimit të një dialogu ndërmjet njëdimensionalëve, ai është po aq i thellë dhe metapërshkrues sa edhe vetë natyra komplekse e funksionalitetit të klaneve, mendësive dhe grupeve të ndryshme. Vulë e rëndë por shumë e qëlluar.
Fjala është për fytyra publike dhe mediat. Disa prej tyre nuk u sollën aspak objektive. Këto së pari funksionuan si subjekte të pavarura luftarake gjithandej ku u jepej rasti për tu bërë tok në fund brenda hapësirave të klubeve të tyre dhe atë në pozitën 69 – thotë Armendi. Si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë tani më ekzistojnë dy klube kryesore të karakterit: lufta e të cilave aq sa duket përçarëse është bashkuese. Ato i bashkon metoda, mendësia dhe efekti. Tjerat përtej vazhdojnë të jetojnë si kujtesë në mendjet e masave.

*
Disa media e njerëz çdo lajm apo ngjarje rreth temës «Rama në Beograd» që e kapnin nga hapësirat virtualovirale, pavarësisht nga përmbajtja dhe karakteri i tekstit, e shndërronin atë në shigjetë helmimi nëpërmjet titujve si: «Shpërtheu X», «Shqipëria zhbën Kosovën», «Kosova është gruaja e babës serb» dhe fyerje e nxitje edhe më të rënda se ato që i lexojmë me dekada, sot e për çdo ditë nga mediat ultranacionaliste serbe karshi etnive tjera të Ballkanit. Dikush këto orgji verbale nuk i cilësoi me të drejtë si fashiste, raciste, izolatore, ngase vërtet as që ishin të menduara thellë, por më shumë si batare njëshash të frustruar që nga padija ekzekutonin atë që besojnë ta mbrojnë.
Përleshja e radhës është interesante për shkak se ndoshta është edhe rasti më unik për të dokumentuar se ç’të bën temperamenti i pakontrollueshëm ballkanik, padija dhe inati.

*
Na kujtohet fare lehtë koha e viteve të 90-ta kur sponsorët e pavarësimit të Kosovës dridheshin nga Shqipëria. Natyrisht, natyrisht jo nga kallashnikovët e pashkrepshëm të saj dhe bunkerët e mbushura plotë qen e mace endacake, por nga frika se edhe ajo mund të imitojë Serbinë dhe Kroacinë duke mos pranuar jetësimin e një shteti të ri brenda hartës së saj etnike e aq herë të copëtuar. Qeveritë shqiptare sado mendjegurta që mund të ishin nuk e bënë këtë gabim. Ato kërcënuan retorikshëm se do të hyjnë në luftë jo për t’i çliruar vendet e tyre, por për t’i ndihmuar vëllezërit në realizimin e aspiratave të tyre për liri, mëvetësi dhe shtet. Kjo ishte politika më e mençur që ka bërë ndonjëherë Shqipëria. Kështu edhe u cilësua jashtë. Ajo nuk luajti me kartën «një komb një shtet», siç bënë tjerët ngase Kosova nuk do të mundej të realizohej kështu siç u bë.
Atë që nuk e gaboi Shqipëria atëherë duan ta kompensojnë sot sidomos serbët e gjithë Ballkanit, ndonjë parti kosovare, kosovacentristët qofshin ata teokratikët, supermacistët apo arkitektët e pashkollë të kombeve dhe akrobatët e publicistikës së verdhë që s’kanë kohë të mendojnë për shkak të presionit për sensacionin që duhet ta prodhojnë. Gjitha këto bashkë, në kontekstin «kosovaro-shqiptar» në relacion me Shqipërinë vetëm metoda i ndanë: njëra palë donë ta bind Shqipërinë se vetëm bashkimi i bën shqiptarët global player dhe se shumica janë për të dhe pala tjetër donë ta detyroj Shqipërinë nëpërmjet nxitjeve dhe urrejtjeve që të përqafojë për inat, çështje konkurrence e supermacie versionin e të parëve.
Përndryshe ku qëndron problemi?
Jo vetëm Daniel Serwer, por shumica e ekspertëve të rajonit, thonë se Kosova nuk rrezikohet aq nga Moska e Beogradi (Zëri: 19.10.2016) sa që rrezikohet nga brenda, nga ata që janë kundër integritetit dhe sovranitetit territorial të vendit. Server e përmend LVV-në. E rrezikun që kjo sjell bëhet i realizueshëm vetëm atëherë kur e bën shumicën për vete. Kështu siç është aktualisht shihet se nuk ka fuqi ta bëjë. Situata mirëpo do të ndryshonte shpejtë nëse politika e kësaj organizate do të mbështetej në ndonjë formë nga politika shtetërore e Tiranës.
Si mund ta sjellësh më së lehti një vend ballkanik në favor të një politike sado e keqe të jetë ajo; duke e kërcënuar, fyer, nxitur, poshtëruar dhe duke ia rrezikuar titullaritetin kombëtar edhe vetë brenda kushtetutës dhe realitetit të tij. E këtë nuk e bën VV por më shumë armiqtë e saj, të bashkuar me kolegët e tyre në Tiranë. A nuk është ajo thënia «gjitha rrugët çojnë për në Romë» më e përshtatshmja këtu?
Për këtë arsye thuhet se më së shpeshti jo njerëzit e bëjnë historinë por ajo i bënë ata duke ua shfrytëzuar padijen, instinktet dhe elementet tjera puronatyrore.

*
Po pasi çuakan të dyja rrugët për në Romë, mirë qenka do të thonë unionistët. Jo. Nuk është hiç mirë që në këtë fazë të rrezikohet Kosova si Shtet i Pavarur për një ide të fiksuar sociokonstruktive rreth këtij apo atij kombi, artificial apo të dhënë. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dy vetot e votat gjithandej por më shumë korrespondon me lojën e detyruar nga kushtet e politikës ndërkombëtare karshi rajonit, shteteve, kombeve, hegjemonizmave dhe pakteve në bërje apo në shuarje. Çdo përllogaritje edhe më sipërfaqësore thotë se shqiptarët u prishën dhe u bënë me lejen apo ndihmën e tjerëve. Kështu është edhe sot. As mendjemadhi më fanatik nuk beson se tash është koha kur shqiptarët kanë aq fuqi mendore e fizike sa për t’iu bërë ballë të gjithëve dhe t’i korrigjojnë gjitha padrejtësitë historike saora. Këtë e propagandojnë vetëm demagogët, e ndihmojnë ata që para krisin e pastaj mendojnë dhe askush tjetër me psike stabile.

Polemika e fundit donte të bashkojë me çdo kusht Serbinë dhe Shqipërinë kundër Kosovës! Ky do të dilte efekti i saj, ngase u regjistrua nga të gjithë jashtë dhe atje ku s’duhet. Secili që njeh historinë e Shqiptarëve të 100 viteve të fundit qoftë minimal nuk do përpiqej që me dy tri argumente të interpretuara sipas kutit dhe kapacitetit personal të argumentojë ndonjë «komb të ri» për të demonizuar tjetrin. Para së gjithash: e reja që bëhet në bazë të negativiteteve të mundshme të tjetrës, ekzistueses është e dënuar me paracofje. Ky është defekti parësor i pseudodemiurgjëve të acaruar të çdo lloj kosovarizmi; duke mohuar, djallëzuar, falsifikuar të qenën nuk ke se si e argumenton atë që duhej të dalë nga ajo!

*
Në anën tjetër as Kosova as Shqipëria secila për vete nuk kanë të drejtë e as që do të munden dikur vetë të vendosin se kush është dhe si duhet të bëhet kombi shqiptar. Asnjëri për vete nuk e kanë këtë tapi dhe vetëm bashkë me edhe ata më shumë milionat jashtë se brenda mund të koordinojnë politikën suprashtetërore të kulturosferës dhe identitetit që nuk e bënë kur u krijuan ata por tjerët me qindra vjet para tyre.

Prandaj debati për kombin del kaq infantil. Prandaj akterët e debatit kur puqen shihen në pozitën 69, ngase jo argumentet e mundshme dhe konstruksionet e zgjuara u dalin para syve të botës, për lëpirjet vertikale, horizontale e anësore të njëri tjetrit ua bëjnë portretin. Kjo, të perceptohesh kështu, ndodhë kur shkakton neveri në masa e jo respekt për mendimin dhe botën tënde. Ky reagim vjen kështu kur operon me urrejtje, fyerje, kampanja që edhe macja e lere më njeriu i sheh se janë nga inati dhe urrejtja e jo nga interesi i atyre që donë t’ua shesësh idenë. Për këtë arsye debati aktual mbi «kombin» do të hyjë në analet e historiografisë shqiptare si ndër më të shpifurit e rajonit. Jo se është i panevojshëm, porse atë e bëjnë ata që s’duhet ta bënin se janë urrejtjes, inatçorë dhe 69! Ata që nuk janë mësuar pa një Serbi – që tash të tillë e shohin Shqipërinë!
A duhet shtetet shqiptare ta kritikojnë njëra tjetrën kur gabojnë? Me çdo kusht. Por jo kështu, kot, me dashakeqësi, fyerje, duke shpikur kauza artificiale që bëjnë jetë vetëm në kokat e frustruara të disave që rastësisht e fatkeqësisht kanë mikrofonin në duar oreçast!

Schafe

NDAJË

Është lindur në Dobërdoll të Maqedonisë. Ka mbaruar (1992 – 2002) Historinë e Arteve, Teologjinë, Mediat, Antropologjinë Sociale, Historinë krahasuese dhe Filozofinë (në Belgjikë, Francë, Zvicër). Studimet postdiplomike në Filozofi dhe Histori (2002 – 2009) i ka mbaruar në Zvicër. Ka punuar si kryeredaktor i disa të përditshmeve shqiptare dhe si redaktor në gazeta zvicerane. Aktualisht ligjëron në Institute të ndryshme akademike Historinë e Evropës Juglindore, Filozofinë Antike dhe Historinë e Arteve. Merr pjesë në projekte të ndryshme shkencore që kanë të bëjnë me Historinë e Ballkanit dhe Mediat atje. Autor i disa veprave me prozë, ese, kritikë letrare dhe studimesh shkencore në gjermniashte, shqip dhe frengjisht.
Që nga viti 1991 jeton në Bernë të Zvicrës.